Më 22 prill 1999, shqiptarët e Kosovës kalojnë kufirin Kosovë-Shqipëri gjatë dëbimeve nga forcat serbe. Foto: Wade Goddard.

Pafajësi e humbur: Kujtime fëmijërie të luftës në Kosovë

Tre persona që e përjetuan vetë luftën në Kosovë ndërsa ishin fëmijë tregojnë për BIRN se si e mbajnë mend ata luftën midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe dhe sulmet ajrore të NATO-s në mars 1999.

Ishte një ditë me dëborë në dhjetor 1998 dhe familja e Besnik Rrustemit po priste që fshati i tyre të sulmohej.

Rrustemi, në atë kohë gjashtë vjeç, po luante në oborrin e fqinjëve me një shok. Ndërkohë, çizmet e tij të reja prej llastiku e prisnin në dhomën e gjumit, gati për t’u veshur në momentin që familja e tij do të vendoste se ishte koha të largoheshin.

Slivovo kishte qenë për disa javë nën rrethimin e forcave serbe, pasi një polic serb nga Gjilani ishte vrarë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK, dhe fshatarët po prisnin një sulm hakmarrjeje.

Megjithatë, kujton Rusemi, i cili tani është punonjës social, më pas mbërriti një delegacion nga misioni vëzhgues OSBE-së në Kosovë dhe si rezultat, forcat serbe u larguan.

“Disa javë më vonë, ndodhi masakra e Reçakut, e cila çoi në bombardimin e NATO-s të Jugosllavisë”, tha ai.

Reçaku është vetëm dhjetë kilometra larg Slivovos. Atje, më 15 janar 1999, forca serbe vranë rreth 45 shqiptarë të Kosovës – një masakër që u zbulua nga misioni i OSBE-së dhe u bë një argument kryesor që NATO-ja të ndërhynte ushtarakisht për t’i dhënë fund konfliktit.

Njëri prej viktimave u kap, u torturua dhe iu pre koka pranë shtëpisë së tij. Koka u gjet më vonë.

Rrustemi u drodh kur kujtoi masakrën, e cila mund të kishte ndodhur në fshatin e tij.

“Fshati ynë ka një lidhje me këtë incident, sepse pati një kufomë pa kokë nga masakra e Reçakut, dhe ne themi se, mesa duket, koka do të sillej në fshatin tim në shenjë hakmarrjeje dhe do t’i dërgohej familjes së policit serb në Gjilan për t’u thënë atyre se djalit të tyre i ishte marrë haku”, tha ai.

Megjithatë, në atë koë ai dhe familja e tij ishin lart në malet e Sharrit, duke shkuar për në Shqipëri, pasi u larguan nga shtëpia e tyre. Ai mban mend që ishte vazhdimisht i lagur dhe i uritur sepse familja e tij nuk pati mundësinë të përgatitej dhe të merrte me vete mjaftueshëm ushqim ose një tendë.

Ai nuk kishte mundur dot të merrte me vete as çizmet e tij të reja dhe të gjithë udhëtimin e bëri me këpucët e tij të vjetra. Kur u kthye përfundimisht, shtëpia ishte djegur dhe bashkë me të edhe çizmet e tij të reja.

Kujtimet e tij për përvojën si fëmijë refugjat janë të ngatërruara, por ai e mban mend fillimin e bombardimeve të NATO-s në fund të marsit 1999.

“Qielli dukej sikur ishte ndezur nga fishekzjarret si në natën e Vitit të Ri”, tha ai, duke kujtuar panikun që ndihej mes refugjatëve përreth tij, të cilët ndodheshin në qiell të hapur, lart në male, ndërsa filluan sulmet ajrore të NATO-s.

Megjithatë, më e keqja do të vinte më vonë. “Përvojat më të këqija i kalova kur u detyruam të largoheshim nga malet”, tha ai.

“Babai im nuk pati mundësi të rruante mjekrën dhe ngjante shumë me një ushtar të zakonshëm të UÇK-së, kështu që ai u mor nga forcat serbe. M’u desh të vazhdoja të ecja në këmbë bashkë me nënën time shtatzënë drejt kufirit shqiptar”, shpjegoi ai.

Të rraskapitur dhe të tmerruar, ai bashkë me nënën e tij u desh të shkonin në këmbë nga fshati Shtime, në qytetin e Prizrenit, drejt kufirit me Shqipërinë – një distancë prej rreth 70 kilometrash.

Përgjatë rrugës, ai mban mend se pa nga ata që në atë kohë ai mendonte se ishin trupa që “flinin në anë të rrugës”.

Më vonë, ai zbuloi se ato ishin kufoma refugjatësh.

“Nuk e dinim se çfarë mund të ndodhte”

Më 16 qershor 1999, shqiptarë të Kosovës përshëndesin me dorë trupat gjermane te NATO-s në pikën kufitare të Morinës me Shqipërinë gjatë kthimit të tyre në Kosovë pas luftës. Foto: Wade Goddard.

Në vitin 1998, Nebojsa Rasiç ishte 15 vjeç dhe bënte jetën normale të një adoleshenti në një fshat afër Lipjanit në Kosovë deri në momentin që autoritetet jugosllave shpallën gjendjen e jashtëzakonshme pas përshkallëzimit të konfliktit të tyre me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Një shoku im nga një fshat tjetër aty afër ishte rrëmbyer nga UÇK-ja dhe kishte vazhdimisht rrëmbime”, kujton Rasic, i cili tani është mësues i gjuhës angleze ndërkohë që më parë ka punuar për forcat e KFOR-it në Kosovë si përkthyes i gjuhës serbe.

Pas rrëmbimeve, ai tha se policia serbe ngriti postblloqe dhe ai dhe familja e tij u desh të kufizonin daljet e tyre vetëm për raste kur ishte vërtet e nevojshme.

Megjithatë, babai i tij duhet të dilte çdo ditë nga shtëpia sepse ishte elektricist.

Situata ishte shumë më e tmerrshme sesa paniku aktual në lidhje me koronavirusin, Rasiç këmbënguli: “Frika ishte shumë më e madhe pasi ne s’e dinim se çfarë mund të ndodhte me ne. Dinim vetëm se duhet të qëndronim në bodrumet tona.”

Ai e kujton bombardimin e NATO-s pothuajse njësoj si Besnik Rrustemi. “Qielli ngjante vërtet sikur ishte nata e Vitit të Ri”, tha ai.

Aspekti më i frikshëm për Rasiçin adoleshent ishte vdekja e civilëve, përfshirë një vajzë tre-vjeçare, e cila u vra në banjën e apartamentit të saj në Beograd.

“Ne menduam se NATO-ja thjesht do të bombardonte qendrën e Prishtinës dhe rafinerinë ushtarake, por ata bombarduan trena me civilë në jug të Serbisë dhe madje edhe një kolonë me refugjatë shqiptarë”, tha ai.

Rreth 100 refugjatë shqiptarë të Kosovës u vranë në një sulm ajror më 13 maj 1999 teksa flinin në një depo në Korishe afër Prizrenit ndërsa ishin duke shkuar për në Shqipëri. Forcat e NATO-s e kishin ngatërruar depon me një baze ushtarake serbe.

“U strehuam në male”

Një djalë shqiptar i Kosovës duke ecur në shinat e trenit 20 mars 1999, i lodhur dhe duke ngelur pas familjes së tij teksa ata largohen nga fshatrat e tyre pranë qytetit Gllogoc. Foto: Wade Goodard.

Nebahete Zekaj ishte 12 vjeçe në 1998 dhe familja e saj jetonte në fshatin Abri e Epërme, afër Likocit, ku ishte vendosur selia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Babai i saj dhe vëllai i madh, i cili ishte 17 vjeç, ishin të dy pjesëtarë të UÇK-së.

Familja vendosi se ata dëshironin të qëndronin së bashku pas një masakre jashtë fshatit, kur 21 anëtarë të familjes Deliaj, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në një pyll nga forcat speciale të policisë serbe në shtator 1998.

Ata ndenjën në shtëpinë e tyre për katër muaj gjatë dimrit, por përfundimisht u desh të iknin, të shqetësuar se mund të sulmoheshin sepse ishin një “familje UçK-je”.

“Ndërsa filluan sulmet dhe shumë shtëpi u dogjën, nuk mund të rrinim më në fshat. Kështu që u strehuam në male së bashku me pesë motrat e mia, vëllain tim më të vogël që ishte vetëm pesë vjeç dhe nënën time”, tha Zekaj.

Rreth 500 fshatarë që ishin larguar nga shtëpitë e tyre gjetën strehim të përkohshëm në të njëjtin vend në male, kujton ajo.

“Qëndronim të bashkuar duke besuar se të qenit kaq shumë do të na mbante të sigurt”, tha ajo.

“Serbët ishin vetëm 20 kilometra më tej në fshat. Sa herë që vritej një ushtar serb, ata i drejtonin armët e tyre nga ne dhe qëllonin. Shumë vdiqën, përfshirë një grua shtatzënë dhe fëmijët e saj që ishin në gjumë.”

Trupat serbe vinin dhe u kërkonin para që t’u kursenin jetën, ndërsa anëtarët e UÇK-së vinin për të marrë ushqim, kujton Zekaj. Më vonë ajo do të zbulonte se vendi ku ata ishin strehuar ndodhej midis dy forcave kundërshtare.

“Rrija me ditë të tëra pa ngrënë, sepse nuk më kalonte poshtë ushqimi për shkak të panikut. Shpesh më linin edhe këmbët”, tha ajo.

Por pavarësisht kësaj, ajo e quan veten me fat sepse asnjë nga familja e saj nuk u plagos apo vra.

Vite më vonë, ndërsa studionte psikologji, Zekaj arriti në përfundimin se ajo ka simptomat e çrregullimit të stresit post-traumatik.

Një fëmijë që është dëshmitar i një konflikti të tillë nuk e kupton tamam se çfarë po shikon, tha ajo: “Frika ka qenë gjithçka, por ti nuk e ke kuptuar se çfarë po ndodh. Pse? Qysh? Çfarë po bëhet?”