Pa unitet, LDK niset drejt rrëzimit të Qeverisë

Përkundër një presioni të madh publik e diplomatik, Lidhja Demokratike e Kosovës do të niset sot drejt seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit në ora 11:00 për ta rrëzuar qeverinë Kurti, pjesë e së cilës janë edhe ministrat e saj.

Por përveç thirrjeve nga jashtë, LDK-ja po përballet me pakënaqësi nga brenda me kërkesa ndaj deputetëve të mos votohet mocioni i mosbesimit.

Pak pasi kryeministri Albin Kurti shkarkoi Agim Veliun – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, pasoi vendimi i Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.

Por dy përfaqësues të saj kundërshtuan një gjë të tillë në Kryesi të partisë. Ishte nënkryetarja e partisë Vjosa Osmani ajo e cila votoi kundër këtij qëndrimi, dhe Lumir Abdixhiku, tash ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, i cili abstendoi.

Kur erdhi koha që të aktivizhet Grupi Parlamentar i LDK-së në procedurat për ta nisur mocionin, dolën edhe zëra të tjerë kundërshtues.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli publikisht tha se nuk e ka nënshkruar kërkesën për mocion, për të cilën u deshën së paku 42 nënshkrime, e që me ndihmën e opozitës, LDK-ja arriti t’i sigurojë 44 sosh.

Pak para se të dorëzohej kërkesa për seancë, kreu i këtij subjekti politik Isa Mustafa i dha edhe një shans Albin Kurtit, duke i kërkuar ta rikthej Veliun në Qeveri, ta heq tarifën 100 për qind ndaj Serbisë e Bosnjës dhe t’i kërkojë falje LDK-së.

Por Kurti thirrjes iu përgjigj me një paralajmërim që tarifën ta tërheq pjësërisht vetëm për lëndën e parë të importuar, vendim të cilin e zyrtarizoi brenda pak orësh.

E revoltuar LDK-ja dorëzoi nënshkrimet në Kuvend, veprim pas të cilit vërsulën kritikat e kërkesat për kthim mbrapa nga faktori vendor e ndërkombëtar.

Të gjitha zhvillimet ndodhnin në kohën kur në Kosovë vetëm sapo shtohej numri i të prekurve me coronavirus, e përveç dalimeve në koaliconin qeverisës, roli i presidentit Thaçi ishte shumë aktiv, duke përmendur e tërhequr kërkesa për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Por kjo gjendje, thuhej se ndërlidhej direkt me iniciativën për rrëzimin e qeverisë, vetëm 1 muaj e gjysmë pas ardhjes në pushtet.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti fajësohej për “ndezjen” e situatës drejt mocionit, pasi “provokoi” LDK-në duke ia shkarkuar njeriun kyç në qeveri.

Por kreu i ekzekutivit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje në një konferencë për media tha se për të është e patolerueshme që një ministër të shprehet kundër qëndrimit të eprorit të tij, pasi Veliu ndryshe nga Kurti në një adresim publik pati mbështetur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të coronavirusit.

Në anën tjetër, Kryesia e Kuvendit e cila e ka kompetencën ta thërrash seancën e jashtëzakonshme pas kërkesës për mocionin, nuk ishte mbledhur ende. Kjo pasi kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani i ishte drejtuar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ta marr një opinion profesional nëse mund të mbidhet Kuvendi.

Një ditë më pas, (e martë), Instituti i ktheu përgjigje Kuvendit duke i thënë se nuk mund të interferojë në Kushtetutë, por se profesionistët mjekësor mund të asistojnë në organizimin e seancës.

Kryesia e Kuvendit u mblodh pasdite dhe pas më shumë se dy orësh mbledhje, me katër vota për dhe dy kundër vendosi që seanca të mbahet me 25 mars 2020 në ora 11:00.

Kryeparlamentarja Osmani në konferencë pas kësaj mbledhje tha se “absolutisht” është kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë, dhe u bëri thirrje deputetëve të mos mos e votojnë atë.

Ky veprim ngjalli reagime brenda LDK-së. Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu në një paraqitje televizive tha se “nuk ka më kuptim që Vjosa Osmani të qëndrojë në LDK”.

Kurse, pak më vonë Isa Mustafa në mënyrë indirekte i çoi porosi Osmanit dhe të tjerëve që shprehen kundër vendimeve të partisë.

“Prandaj unë ju apeloj që ju që e duani LDK-në të jeni me LDK-në dhe me vendimet e saj. Nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së. Kjo sjellje duhet të merr fund”, thuhej në letrën që Mujstafa ua dërgoi në mbrëmje strukturave të partisë.

Gjatë tërë këtyre zhvillimeve, përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke kërkuar të sigurohet integriteti dhe funnksionaliteti i qeverisë dhe institucioneve të vendit.

Kurse, mbrëmjen e së martës, Ministria e Jashtme e Francës dhe ajo e Gjermanisë dolën me një kërkesë të përbashkët që mocioni i mosbesimit i përgatitur nga LDK-ja të rishqyrtohet ose të shtyhet.

Përkundër këtyre, mbasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, e ka përshëndetur mbajtjen e seancës për ta shqyrtuar mocionin. Me këtë, sipas ambsadorit do të respektohet Kushtetuta e Kosovës.

Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.

Qeveria Kurti sot pritet të sfidohet me votë mosbesimi