Ilustrim

Pa përfunduar dimri, Komuna e Graçanicës mbetet pa kontratë për mirëmbajtje

Hulumtimi i kontratës së Komunës së Graçanicës për mirëmbajtje të rrugëve në vlerë 1.6 milion euro, është përzgjedhur duke shfrytëzuar platformën “Flamujt e Kuq në Prokurim Publik”. Një nga flamujt e kuq që është ngritur në këtë platformë për tenderin për mirëmbajtje është fakti që në këtë tender ka dorëzuar ofertë vetëm një kompani.

Pak ditë pa hyrë zyrtarisht në stinën e pranverës, derisa bora dhe moti i ftohtë ishte ende kërcënim, Komuna e Graçanicës kishte mbetur pa kontratë për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve për shkak se i kishin shpenzuar të gjitha mjetet e parapara.

Mosplanifikimi i mirë në kontratën paraprake të vitit 2018 kishte bërë që Komuna e Graçanicës të shpallë dhe të nënshkruajë tenderin në vlerë 1.6 milion euro për pastrimin, larjen e rrugëve dhe trotuareve, mirëmbajtjen dimërore dhe verore e rrugëve dhe intervenimet e ndryshme, brenda më pak se një muaj në mars të vitit 2021.

Kompania fituese e tenderit milionësh, “B-Corp”, është përzgjedhur përmes procedurës së hapur me poentim të çmimit, në një garë pa asnjë konkurrent. “B-Corp” ka qenë e vetmja kompani e cila ka ofertuar në këtë tender dhe e cila është shpallur e përgjegjshme.

Kompania që e ka fituar si e vetme tenderin 1.6-milionësh, nën emrin “B-Corp” deri para pak muajsh ka qenë me emrin “A-ABC”, e cila po ashtu kishte qenë fituese e tenderit të njëjtë të Komunës së Graçanicës për tri vitet e kaluara (2018-2021), së bashku me disa kompani të tjera në konsorcium.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, gjatë kësaj procedure të prokurimit janë bërë 7 kërkesa për tërheqje të dosjes së tenderit.

Me ligjin aktual procedura mund të vazhdojë  edhe me një ofertues të përgjegjshëm por oferta duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara në dosjen e tenderit.

Përveç që kompania është përzgjedhur përmes procedurës me poentim të çmimit dhe nuk ka pasur konkurrentë të tjerë, Komuna e Graçanicës ka përdorur afatin  shkurtuar prej 15 ditësh për dorëzimin e ofertave nga ana e kompanive në tenderin me vlerë milionëshe. Njoftimi për kontratë është publikuar më 22 shkurt dhe është mbyllur më 9 mars.

 Ligjin e Prokurimit Publik është e paraparë që kur tenderi ka vlerë të madhe dhe procedura e prokurimit është e hapur, afati për dorëzimin e ofertave të jetë jo më pak se 40 ditë. Por Komuna e Graçanicës i janë referuar rregullave të posaçme për mundësimin e shkurtimit të afateve kohore në 15 ditë.

“Nëse kontrata përkatëse është kontratë publike me vlerë të madhe, jo më pak se 15 ditë”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 46, ku përcaktohen rregullat e posaçme për mundësimin e shkurtimit të afateve kohore.

Afati për dorëzimin e ofertave është shkurtuar për shkak se sipas Komunës së Graçanicës kishin përfunduar sasitë e kontraktuara me kontratën e mëparshme.

“Një procedurë e përshpejtuar është e domosdoshme sepse të gjitha sasitë e parashikuara në kontratën e mëparshme janë shpenzuar dhe sezoni i dimrit është ende në progres. Ekziston mundësia që të bjerë borë, si dhe që ekziston rreziku i përmbytjes”, thuhet në arsyetimin e Komunës së Graçanicës në njoftimin për kontratë.

Komuna e Graçanicës ka thënë se procedura e tenderimit ka qenë publike dhe në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik dhe se nuk kanë pasur ndonjë vërejtje nga institucionet kompetente ose nga ndonjë operator ekonomik. Po ashtu ata kanë deklaruar se afati për pranimin e ofertave është shkurtuar në bazë të kërkesës së Njësisë kërkuese brenda komunës.

Diana Metushi – Krasniqi nga KDI ka thënë se shqetësimi kryesor në këtë rast ka të bëj me kontratën paraprake për mirëmbajtje në Komunën e Graçanicës.

“Pse janë krijuar dispozitat për një kontratë urgjente me afate të shkurtuara? Nëse sezoni i dimrit fillon me 15 tetor dhe mbaron më 14 prill, pse dhe si është bërë që Komuna e Graçanicës ka mbetur pa sasi dhe mjete për të siguruar sigurinë rrugore deri në përmbyllje të sezonit?”, ka theksuar Metushi – Krasniqi.

Por Komuna e Graçanicës ka thënë se është shumë e vështirë të përcaktohen sasitë për një periudhë 3-vjeçare.

“Sa i përket kontratave për këtë lloj të shërbimeve është shumë e vështirë të përcaktohen sasitë për periudhën 3-vjeçare si dhe shpenzimi i sasisë gjatë sezonit të borës dhe shiut. Territori i Komunës së Graçanicës është kryesisht rural. Në rast të reshjeve të mëdha vjen deri te derdhja e lumenjve dhe përrenjve, ndërsa intervenimet në terren në këto raste janë të shpeshta dhe mëdha”, theksohet në përgjigjen e Komunës së Graçanicës.

Për 3 muaj shpenzohet rreth 20% e kontratës

Komuna e Graçancës brenda 3 muajve të parë që nga nënshkrimi i kontratës ka shpenzuar 316,794 euro apo 19.8 % të të gjithë kontratës. Nëse do të shpenzohej një mesatare prej 44,444 euro për çdo muaj, për 36 muaj, aq sa do të zgjasë kontrata, del që Komuna e Graçanicës ka shpenzuar deri tani gati trefishin e kësaj mesatare në tre muajt e parë.

Nga 68 pozicionet në total sa i ka kontrata, në tre muajt e parë Komuna e Graçanicës ka porositur vetëm 17 pozicione nga 68 sa janë në total. Pra, 51 pozicione nuk janë porositur asnjëherë deri në fund të muajit maj.

Në tri faturat e siguruara përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, shihet që në fund të muajit mars, Komuna e Graçanicës ka paguar gjithsej 88,768 euro për shërbimet e porositura. Kurse, në muajin prill, totali i faturës është 112,524 euro, ndërsa fatura e 27 majit mban çmimin 115,502 euro.

Shërbimi më i porositur është largimi i mbeturinave, materialeve të forta në brezin e rrugës, bankina dhe kanale, që mban vlerën 74,920 euro. Ky shërbim ka çmimin 10 euro për njësi.

Shërbimi i dytë më i porositur nga Komuna e Graçanicës në tre muajt e parë që nga nënshkrimi i kontratës është pastrimi i trotuareve, shtigjeve të këmbësorëve dhe parapetëve. Për tre muaj, Komuna e Graçanicës ka paguar 46,776 euro.

Ndërsa shërbimi i tretë më i porositur është pastrimi i shtratit të lumenjve nga moli, shërbim ky që është paguar 44,808 euro deri në fund të muajit maj.

Ilustrim
FOTO-KALLXO.com

Shërbimet e porositura gjatë tre muajve të parë që nga nënshkrimi i kontratës dominohen nga punimet verore, dimërore dhe punimet e pastrimit gjatë verës dhe dimrit.

Gjatë kësaj periudhe, Komuna e Graçanicës ka porositur shërbime në vlerë 296,654 euro apo 93.6% e të gjithë parave të paguara në tre muajt e parë.

Në të tri faturat në të cilat ka dhënë qasje Komuna e Graçanicës, për pjesët tjera të shërbimeve të parapara në kontrat janë shpenzuar vetëm 20,140 euro. Për punimet përgatitore, ku çmimet për njësi janë një dhe dy euro, janë porositur shërbime në vlerë 3,306 euro.

400 tonë krip në fund të sezonit dimëror

Disa ditë pasi ka filluar zyrtarisht stina e Pranverës, Komuna e Graçanicës më 29 mars të këtij viti, ka porositur 400 mijë kilogramë (400 tonë) krip në vlerë prej 32 mijë euro. Një porosi e Komunës së Graçanicës është 50 tonë më e lartë se e gjithë kripa e blerë prej Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë, e cila për 36 muaj ka paraparë të blejë 350 tonë krip.

Komuna e Graçanicës ka thënë se janë porositur 400 tonë krip sepse mjetet kanë qenë të siguruara dhe të rezervuara për këtë qëllim. Në përgjigjen e tyre thuhet se porosia është bërë edhe për sezonin e ardhshëm për shkak se kripa sigurohet nga importi dhe duhet të sigurohet me kohë.

“E gjithë sasia e kripës nuk është shfrytëzuar. Sasia e mbetur gjendet në një hangar në Llapllasellë dhe do të shfrytëzohet për sezonin e ardhshëm”, theksohet në përgjigjen e Komunës së Graçanicës.

Komuna e Graçanicës ka thënë se pastrimi i rrugëve me mekanizmin e borës dhe spërkatja e kripës në në zonat rurale dhe urbane është bërë në 289,150 metra katrorë.

Komuna e Graçanicës.

“Angazhimi i makinave dimërore dhe kamionëve në ditë dhe 6 punëtorëve pa kualifikim, 1 punëtori me kualifikim të mesëm  dhe 1 mbikëqyrësi për heqjen dhe pastrimin e borës, si dhe hedhjen e kripës dhe rërës në të gjitha rrugët, rurale dhe urbane është bërë nga kompania e kontraktuar B CORP”, theksohet në përgjigjen e Komunës së Graçanicës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se edhe në vitin 2020 kishte ndodhur e njëjta situatë, Komuna e Graçanicës ishte furnizuar me krip dhe rërë në muajin prill, ndonëse sipas Auditorit nuk arsyetohet nevoja për furnizim për shkak të kalimit të sezonit të dimrit dhe përmirësimit të kushteve klimatike.

Në raportin e vitit 2020 për Komunën e Graçanicës thuhet se furnizimet me krip dhe rërë, në vlerë 62,020 euro, në ditarin ndërtimor nuk ishte evidentuar sasia e furnizuar, për ta arsyetuar sasinë e paguar.

Sipas Auditorit, menaxheri i Kontratës ka përgjegjësi të menaxhojë obligimet dhe detyrat e Autoritetit Kontraktues të specifikuara me kontratë, dhe b) sigurojë se operatori ekonomik kryen kontratën në përputhje me termet dhe kushtet e specifikuar në kontratë. Gjithashtu, UA nr. 15/2013 – përcakton kërkesat dhe kushtet për mbajtjen e librit dhe ditarit ndërtimor nga organi mbikëqyrës i punimeve.

Meqenëse mangësitë e tilla krijojnë paqartësi në mes të shërbimeve të ofruara dhe furnizimit e pranuara, kreut të komunës iu rekomandua të sigurohet se menaxherët mbikëqyrin dhe të mbajnë evidencë.

“Kryetari duhet të duhet të sigurojë se menaxherët e kontratave mbikëqyrin dhe evidentojnë në raportet e pranimit dhe ditarin e punës sasinë e furnizimeve dhe shërbimeve të kryera. Kryetari në bashkëpunimin me kompaninë kontraktuese duhet të qartësojë aspektin e çmimit të kontraktuar dhe t’i përmbahet çmimeve të kontraktuara sipas Marrëveshjes”, rekomandon Auditori.

Përmes letër-konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit, kryetari  i Komunës së Graçanicës, Sredan Popoviç, e ka konfirmuar se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2020 të Komunës së Graçanicës.

Kontrata 1.6 milion euro fitohet nga kompania e njëjtë me emër ndryshe

Kontrata paraprake tre vjeçare për pastrimin, larjen e rrugëve dhe trotuareve, mirëmbajtjen dimërore dhe verore e rrugëve dhe intervenimet e ndryshme, në vlerë 1.4 milionë euro, ishte nënshkruar në nëntor të vitit 2018.

Kjo kontratë ishte fituar nga grupi i operatorëve P.T.P. “RAD” & “Europa Partners” SH.P.K. & ” A-ABC” SH.P.K. & N.T. “Rahovica Comerce”. Udhëheqëse e këtij konsorciumi kishte qenë kompania “A-ABC” me seli në Prishtinë.

Kontrata 1.4-milionëshe ka skaduar pak pa përfunduar sezoni dimëror. Kontrata ka qenë e paraparë të skadojë në nëntor të vitit 2021.

Menjëherë pas skadimit të kësaj kontrate, kompania “A-ABC” me pronar Lorik Retkocerin, e cila ka qenë udhëheqëse e konsorciumit fitues, e ka ndryshuar emrin në “B-Corp” por ka mbajtur të njëjtin numër të biznesit.

Nën emrin “B-Corp”, kjo kompani ka fituar pa pasur asnjë konkurrent edhe kontratën 1.6 milion euro për pastrimin, larjen e rrugëve dhe trotuareve, mirëmbajtjen dimërore dhe verore të rrugëve dhe intervenimet e ndryshme.

Ilustrim

Ndërrimi i emrit të kompanisë konfirmohet nga një letër-rekomandim të lëshuar me 1 mars nga Drejtoria për Administratë e Komunës së Graçanicës.

“Bazuar në kërkesën e konsorciumit “A-ABC” & P.T.P “RAD” & “Europa Partners” & “Rahovica Comerce” të datës 01.03.2021, Komuna e Graçanicës i jep rekomandim këtij konsorciumi dhe konfirmon se kompanitë kanë përmbushur me sukses dhe në mënyrë cilësore të gjitha detyrimet e ndërmarra nga zbatimi i kontratës. Pas skadimit të kësaj kontrate, udhëheqësi i këtij konsorciumi “A-ABC” ndryshoi emrin e biznesit në “B-Corp” me të njëjtin numër biznesi, në mënyrë që ky rekomandim të jetë i vlefshëm për operatorin ekonomik “B-Corp””, theksohet në letër-konfirmimin e lëshuar nga Komuna e Graçanicës.

Ky letër-rekomandim së bashku me kontratën në vlerë 1.4 milion euro është pjesë e dosjes së tenderit të dorëzuar nga kompania fituese “B-Corp” te kontratat e ngjashme të kryera nga kompanitë, që kërkohet në dosjen e tenderit.

Çka është kërkuar nga Komuna e Graçanicës?

Te specifikimet teknike të detyrueshme janë kërkuar 10 lloje të pajisjeve. Komuna e Graçanicës ka kërkuar që kompania të ketë 10 kamionë me kiper me kapacitet minimal 10 metra kub, 4 automjete transportuese (kamion) me borëheqëset (plugjet) dhe shpërndarësit automatik, 3 kamioneta, 3 kositëse mekanike për kositjen e barit  me djegie me benzinë, 2 automjete me fshirëse automatike për pastrimin e shtresës qarkulluese dhe rigolave dhe pajisje të tjera.

Komuna e Graçanicës kanë thënë që për shkak të reliefit të saj është kërkuar që kompania t’i ketë gjatë gjithë kohës pajisjet në dispozicion.

“Territori i Komunës së Graçanicës është kryesisht rural dhe në rast të reshjeve të mëdha lumenjtë dhe përrenjtë derdhen. Në mënyrë që të reagojmë shpejt në shumë vende brenda një periudhë të shkurtër kohore, është e nevojshme që kompania, e cila i kryen këto shërbime, të ketë në dispozicion gjithë kohën këto pajisje teknike”, theksohet në përgjigjen e Komunës së Graçanicës.

Por kompania fituese e tenderit “B-Corp” në shumicën e llojeve të pajisjeve ka ofruar më shumë pajisje se që janë kërkuar nga Komuna e Graçanicës. Numri më i madh i pajisjeve të kërkuara ka  qenë 10 kamionë me kiper me kapacitet minimal 10 metra kub por “B-Corp” ka thënë se ka 14 kamionë të tillë.

Ata kanë deklaruar se lista e pajisjeve teknike është përpiluar nga shërbimet profesionale të Komunës së Graçanicës, në bazë të përvojave nga periudha e mëparshme si dhe në bazë të kontratave të ngjashme të shpallura nga komunat dhe ministritë të tjera.

Ndërsa sa i përket kapacitetit teknik dhe profesional, Komuna e Graçanicës ka kërkuar që kompania të ketë inxhinier të diplomuar të ndërtimtarisë – drejtimi Konstruktiv – pesë vite përvojë pune profesionale (pas diplomimit); inxhinier i diplomuar i arkitekturës – 1 vjet përvojë pune profesionale (pas diplomimit), ose bachelor i diplomuar i arkitekturës me 2 vite përvojë pune; gjeodet i licencuar dhe me master në menaxhim të tokave, me certifikatë GIS dhe inxhinier i diplomuar të gjeoteknikës – tri vite përvojë pune profesionale (pas diplomimit).

Komuna e Graçanicës është pyetur se pse është kërkuar që kompania të ketë edhe inxhinier të arkitekturës kur kontrata 1.6-milionëshe është për mirëmbajtje verore dhe dimërore. Në përgjigjen e tyre thuhet se inxhinieri i arkitekturës nevojitet për hartime të projekteve sidomos për rregullimin e shtratit të lumit.

“Në disa raste, për intervenime të caktuara në terren është e nevojshme të hartohet projekti, sidomos për rregullimin e shtratit të lumit, përroit dhe kanaleve kulluese. Për këtë arsye, është e nevojshme që EO ta ketë një arkitekt të angazhuar për leximin e projektit apo në bashkëpunim me arkitektet tanë ta përgatisë planin për kryerjen e shërbimeve të përshkruara në lëndën e prokurimit”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Graçanicës.

“Poentimi i çmimit për njësi po bëhet dukuri e shpeshtë”

Kontrata 1.6 milionëshe e Komunës së Graçanicës është nënshkruar përmes procedurës me poentim të çmimit për njësi. Çmimi i kontraktuar për njësi është 186,86 euro.

Kjo procedurë për nënshkrimin e kontratave ka filluar të bëhet dukuri e shpeshtë tek autoritetet kontraktuese, ka thënë kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj.

Vishaj ka thënë se kjo procedurë është përdorur në mënyrë jo të duhur nga disa institucione dhe për këtë arsye KRPP në korrik të vitit të kaluar ka bërë një interpretim se si mund të përdoret kjo lloj kontrate.

“Kurdo që Autoriteti Kontraktues nuk e di sasitë indikative, kontratat me çmime për njësi, AK duhet të përcaktojë peshat në bazë të rëndësisë së secilës “kategori të shërbimeve” ose secilit “artikull” në mënyrë që Autoriteti Kontraktues të përcaktojë se cila është oferta me çmim më të ulët. Në këto raste nuk vlen pragu apo tavani plus/minus 30%, si p.sh. mirëmbajtje të veturave, mirëmbajtje të gjeneratorëve etj. Në këto raste në hapje publike të ofertave lexohet çmimi total i poentuar (peshuar) i cili shërben vetëm për qëllim të vlerësimit të ofertave ndërsa kontrata lidhet me çmime për njësi”, thuhet në nenin 56.15 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik (RRUOPP).

Sipas KRPP-së, jo çdo herë Autoriteti Kontraktues inicion procedura prokurimi për të dhënë një kontratë publike kornizë me çmime për njësi në përputhje me dispozitën e RRUOPP-së, por vetëm në rastet kur nuk dihet as sasia indikative, AK mund të zbatojë këtë dispozitë për të dhënë një kontratë publike për furnizim, shërbime apo punë.

Ilustrim

“Prandaj, kontrata publike kornizë me çmime për njësi nuk mund të përdoret në përputhje me këtë dispozitë në rastin e kontratave publike kornizë për furnizim, shërbime apo punë kur AK e dinë sasinë e saktë apo të përafërt të furnizimeve, shërbimeve apo punëve”, theksohet në interpretimin e KRPP-së.

Përzgjedhja e fituesit me poentim të çmimit është proces i përzgjedhjes përmes kriterit ekonomikisht më të favorshëm.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka trajtuar këtë çështje dhe ka konkluduar se Kosova nuk është e gatshme për implementimin e tenderit ekonomikisht më të favorshëm (TEMF) për shkak se problemi kryesor në prokurimet publike nuk është çmimi, por është planifikimi i mirëfilltë, vlerësimi dhe mbikëqyrja e llogaridhënia nga palët në detyrime.

“Po ashtu, gjatë viteve të fundit janë bërë studime të ndryshme në nivel ndërkombëtar, të cilat kategorizojnë tenderin ekonomikisht më të favorshëm si rrezikun më të madh për korrupsion”, ka thënë Diana Metushi – Krasniqi, njohëse e prokurimit publik nga KDI.

Kontrata aktuale në vlerë 1.6 milion euro, për mirëmbajtjen verore, dimërore të rrugëve dhe intervenime të tjera, e cila është nënshkruar më 18 mars 2021 do të skadojë në mars të vitit 2024.

Ky artikull është botuar me mbështetje të Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Demokraci Plus.