
Komuna e Vushtrrisë
Pa konkurrencë, me negocim lidhet Kontratë për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në Vushtrri
Shërbimi për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në Vushtrri u kontraktua nëpërmjet procedurës me negociata, pa publikim të njoftimit për Kontratë – procedurë kjo që shmang konkurrencën e hapur dhe mundësinë për çmime më të lira.
Njoftimin për nënshkrimin e kësaj Kontrate, në vlerë të përafërt 48,700 euro, Komuna e Vushtrrisë e publikoi në platformën elektronike për prokurimin publik “E-prokurimi”, më 31.12.2024.
Përdorimin e kësaj procedure, drejtori i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Vushtrrisë, Ilmi Azemi e arsyeton me pamundësinë e lidhjes së Kontratës për shkak të Ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
“Komuna e Vushtrrisë duke pritur rezultatin nga ankimimet e parreshtura në OSHP (kemi dy Vendime të OSHP-së) dhe së fundmi prapë kemi pranu Ankesë në OSHP dhe në pamundësi me lidh Kontratën për të cilën Komuna kishte planifiku edhe mjetet, është krijuar nevoja emergjente.” – thotë Azemi për KALLXO.com.
Sipas drejtorit Azemi janë respektuar Dispozitat e Ligjit të LPP-së për përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të Kontratës, se është njoftuar KRPP për tenderin. Afati për pranimin e tenderëve ka qenë normal për këto procedura dhe ka negociuar me një Operator, konform Nenit 35 të LPP-së.
Në Ligjin e Prokurimit Publik procedurat e negociuara pa publikim të njoftimit për Kontratë rregullohen me Nenin 35 të LPP-së.
Paragrafi 1 i Nenit 35 të LPP-së përcakton si në vijim: “Autoriteti Kontraktues mund të përdorë procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të Kontratës, për të ushtruar aktivitetin e prokurimit vetëm në përputhje me këtë Nen. KRPP-ja, në përputhje me Nenin 87, Paragrafin 2, Nënparagrafin 2.3 të këtij Ligji, duhet të njoftohet nga Autoriteti Kontraktues në fjalë brenda dy (2) ditëve nga data kur Vendimi për përdorimin e procedurave të tilla është marrë. Autoriteti Kontraktues duhet që në njoftim të ofrojë një shpjegim të hollësishëm të fakteve të konsideruara dhe justifikim për përdorimin e procedurës”.
A njoftoi me kohë Komuna e Vushtrrisë KRPP-në për Vendimin që e mori për përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për Kontratë?
KALLXO.com u është drejtuar me pyetje Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP).
KRPP thotë se në E-Prokurim është vendosur Formulari për përdorimin e kësaj procedure.
“Autoriteti Kontraktues – Komuna e Vushtrrisë për aktivitetin e prokurimit, me numër të prok.vu644-24-13254-225, ka ngritur në E-Prokurim Formularin b50, respektivisht njoftimin për përdorim të procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për Kontratë.” – thotë KRPP.
KRPP shton që sipas të dhënave nga njoftimi, Formulari b50 rezulton se AK ka dhënë shpjegim lidhur me arsyetimin për përdorim të kësaj procedure. Shpjegimi dhe arsyetimi është përgjegjësi e AK-së (Autoritetit Kontraktues).
Mirëpo, a e arsyeton fakti dhe a i jep të drejtë Komunës së Vushtrrisë, që për shkak të Ankesave në OSHP të përdorë procedurën e negociuar?
KRPP përveçse i është referuar bazës ligjore, nuk është përgjigjur konkretisht për rastin.
Sipas KRPP-së, me Ligj, përcaktimi i procedurës së prokurimit për të ushtruar një aktivitet prokurimi është në kompetencë dhe përgjegjësi të plotë të Autoritetit Kontraktues.
Në përputhje me Paragrafin 1 të Nenit 32 të LPP-së, “Gjatë ushtrimit të një aktiviteti të prokurimit, Autoriteti Kontraktues duhet të shfrytëzojë procedurën e hapur ose procedurën e kufizuar. Nëse një Dispozitë e Neneve 34-37 të këtij Ligji autorizon shprehimisht shfrytëzimin e një procedure tjetër prokurimi, Autoriteti Kontraktues mund të shfrytëzojë atë procedurë ose procedurën e hapur. Ushtrimi i një procedure të prokurimit duhet të bëhet në pajtim të plotë me Dispozitat e zbatueshme të këtij Ligji”.
Siç u tha edhe në fillim, procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit për Kontratë rregullohen me Nenin 35 të LPP-së:
Në përputhje me Paragrafin 2 të Nenit 35 të LPP- së: “Autoriteti Kontraktues mund të përdorë procedura të negociuara pa publikimin paraprak të njoftimit të Kontratës për ushtrimin e aktiviteteve të prokurimit që kanë për qëllim dhënien e çfarëdo Kontrate publike:
- (i) nëse, për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, Kontrata duhet t’i jepet një Operatori të caktuar ekonomik;
- (ii) nëse, për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale apo industriale, apo të drejtave ekskluzive, Kontrata mund t’i jepet vetëm një Operatori të caktuar ekonomik;
- (iii) nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga Autoriteti përkatës Kontraktues, Autoriteti i tillë Kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë Ligj. Me kusht që kjo Dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta, ose lëshimeve të Autoritetit Kontraktues.”
KRPP thotë se kjo procedurë mund të përdoret nëse njëra nga kushtet e përcaktuara plotësohet.
“Sipas Nenit 35 të LPP-së, Autoriteti Kontraktues mund të përdorë Procedurat e Negociuara pa publikimin e Njoftimit për Kontratë për të ushtruar një aktivitet të prokurimit, nëse plotësohet një nga kushtet e përcaktuara me këtë Nen.” – thuhet në përgjigjen e KRPP-së.
Tutje, thuhet se në përputhje me Paragrafin 2 të Nenit 24 të LPP-së, Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për të siguruar që të gjitha aktivitetet e prokurimit të Autoritetit të tillë Kontraktues të ekzekutohen në përputhshmëri të plotë me këtë Ligj.
KRPP e vë barrën mbi Autoritetin Kontraktues i cili përdor procedurën e negociuar.
“Pra, vlen të theksohet se, përdorimi i procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për Kontratë është në diskrecionin e AK-së. Rrjedhimisht, edhe barra e provës bie mbi Autoritetin Kontraktues”.
Hulumtimi i KALLXO.com në faqen e OSHP-së gjeti Vendime të cilat ky organ i kishte aprovuar si të bazuara për tenderin për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në Vushtrri.
Ndonëse Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë mundëson përdorimin e saj në rastet e emergjencave ekstreme, përkundër se nuk jepen më shumë të dhëna se çka përfshin emergjenca ekstreme – paçka se kjo krijon mundësi për interpretime të ndryshme.
Aq më tepër, përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për Kontratë me arsyetimin e Ankesave në OSHP mund të krijojë raste tjera të përdorimit nga çdo Autoritet Kontraktues, në tenderët kundrejt të cilit parashtrohet Ankesë.
Po ashtu, aprovimi i Ankesave si i bazuar, nga ana e OSHP-së, në tenderin paraprak vërteton se Autoriteti Kontraktues nuk ka respektuar kërkesat ligjore.