Kryeministri Albin Kurti në Frankfurt. Foto: Zyra e Kryeministrit.
Oslo, Vjenë e Frankfurt: Kurti kritikohet për shfrytëzimin e ambasadave për qëllime elektorale
Pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla- Schwarz, kanë nisur një tur të tubimeve në diasporë, të organizuara nga ambasadat e Kosovës dhe jo vetëm. Kjo qasje e tyre po kritikohet shkaku i shfrytëzimit të resurseve shtetërore për fushatë parazgjedhore, anipse arsyetimi i zyrtarëve të lartë të shtetit është se takimet me mërgimtarë nuk janë të tilla, por janë takime të zakonshme “për të mbajtur lidhjet me diasporën”.
Kurti e Gërvalla tubimet i nisën në fillim të tetorit në katër qytete të mëdha të Gjermanisë, pastaj vazhduan në Paris, në Vjenë e në Oslo, për t’u rikthyer sërish në Gjermani, kësaj radhe në Frankfurt.
Në këto tubime, tri prej tyre të organizuara nga ambasadat (në Vjenë, Frankfurt e Oslo), kryeministri dhe zëvendësja e tij ndër të tjera folën për atë që kanë bërë gjatë katër viteve mandat, duke i kritikuar pushtetet e kaluara dhe duke mos i lënë anash çështjet tjera, si: votimi i diasporës, regjistrimi dhe mësimi i gjuhës shqipe.
Edhe pse tubimet nuk po mbahen në muajin e fushatës zgjedhore, kritikat që këto tubime po mbahen për të fituar elektorat në diasporë duke i shfrytëzuar resurset shtetërore janë të theksueshme, pavarësisht se ministrja Gërvalla thotë se nuk është hera e parë që organizojnë këso takimesh.
Edhe pse tubimi në Frankfurt u organizua nga Ambasada atje, fjalimi i Kurtit ndër të tjera pati thumba për pushtetet e kaluara e lavde për qeverisjen e tij.
“Qytetarët kur e shohin se Qeveria nuk vjedh, kur shohin se nuk keqpërdoret buxheti, nuk zhvaten pasuritë e Kosovës, atëherë edhe kontribuojnë ma shumë. Janë të gatshëm t’i paguajnë tatimet dhe më pastaj përfiton e gjithë popullsia, Kjo është arsyeja kryesore pse të hyrat buxhetore janë rritur aq shumë ne vendin tonë”- u tha Kurti mërgimtarëve gjatë tubimit në Frankfurt, më 10 nëntor 2024.
“Në Kosovë për shumë vjet shumë shitore e ndërmarrje kanë punuar me dy libra. Njërin libër e kanë pasur për Administratën Tatimore të Kosovës e për Inspektoriatin e Tregut të Punës, e një për te shtëpia. E tash- nuk ka dy libra. Tash është veç një libër”- shtoi Kurti, teksa nga audienca mori duartrokitje.
Për këto organizime, ministrja Gërvalla, iu përgjigj KALLXO.com-it, duke thënë se nuk janë tubime parazgjedhore, pasiqë sipas saj “ato (parazgjedhoret) kanë ritëm tjetër”. Sipas saj, takime të tilla janë organizuar edhe në vitin 2021.
“Ka raste kur takimet organizohen nga shoqatat. Ka raste sikurse takimi me mërgimtarë në Vjenë kur organizohen nga misionet tona diplomatike. Prandaj, është një përzierje varësisht se nga kush vjen iniciativa, si vjen dhe është një lidhje e cila është kaq e fortë sa që Kosovën e bën unike në rajonin tonë por edhe në Europë”- tha Gërvalla për KALLXO.com.
Edhe fushatë, edhe jo
Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj vlerëson se organizimi i këtyre tubimeve nuk është i drejtë dhe është i pabarabartë. Sipas tij, edhe pse ata nuk po i proklamojnë si tubime parazgjedhore, qëllimi i tyre është puro elektoral.
“Nuk është e drejtë mënyra se qysh po organizohet parafushata nga ana e kryeministrit dhe zëvëndëskryeministres, për shkak se po përdoren resurset publike, në këtë rast po shfrytëzohen ambasadat për lajmërim dhe organizim të takimeve për qëllime elektorale dhe jo për takime të tjera”- tha Demhasaj për KALLXO.com.
Demhasaj thotë se një gjë e tillë duhet të ndërpritet menjëherë.
“Në një mënyrë [kjo qasje] e bën edhe garën të pabarabartë, sepse partitë opozitare nuk i kanë në dispozicion ambasadat që Qeveria apo në këtë rast kryeministri i ka dhe po i përdorë. Nuk duhet kjo praktikë me vazhdu kështu sepse në një farë mënyre i bjen që resurset publike, buxheti i Kosovës me u përdorë për qëllime elektorale. Kjo nuk duhet me u toleru”- shtoi ai.
Arsyetimet e Gërvalles se këto tubime nuk janë elektorale, ai i quan absurde.
“Ne po i shohim këto takime e diskutime që po bëhen atje. Nuk janë diskutime për shtetin, janë diskutime për qëllime elektorale, kështu që këto arsyetime të tyre bien poshtë”- shprehet Demhasaj.
Ndryshe prej tij, profesori në Universitetin e Winchesterit, Seb Bytyçi vlerëson se tubime të tilla janë të pritshme në këtë fazë të parafushatës.
“Kemi të bëjmë me takime zyrtare, por që në të njëjtën kohë i mbajnë lidhjet politike”- thotë Bytyçi për KALLXO.com.
Edhe opozita, sipas tij, ka krijuar kontakte të reja me diasporën dhe nuk mund të thuhet se është në disavantazh të theksuar.
“Nuk mendoj që takimet ndikojnë në rezultat të zgjedhjeve, por më shumë performanca në qeverisje”- shtoi ai.
Pëveç këtyre, gjatë fundjavës kritika ndaj Qeverisë pati edhe nga opozita.
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, i ka bërë thirrje kryeministrit dhe ministres së Punëve të Jashtme të mos i përdorin ambasadat për qëllime partiake e fushatë elektorale.
“Kjo qeveri—e zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, tani po e kthen shtetin dhe burimet e tij në mjete për përfitime partiake, ka thënë Çitaku, duke shtuar se Qeveria e Kosovës po tenton që të kamuflojë axhendën partiake si punë zyrtare qeveritare.
Takimet e para të këtij turi në diasporë u mbajtën në katër qytete të Gjermanisë në prag të Samitit të Berlinit, më saktësisht në Munih, Shtutgart, Këln dhe Berlin. Për to, u tha që janë organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga shoqatat. Për këto takime, kryeministri Kurti u kritikua ngase nuk u panë gjëkundi simbolet shtetërore, vetëm ato kombëtare dhe të Vetëvendosjes, ndryshe prej takimeve të mëvonshme.
“Thirrjes për ta mirëpritur Kurtin i janë përgjigjur bashkatdhetarë të shumtë shqiptarë, jo vetëm nga Kosova, e që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani”- kishte thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në një përgjigje më 16.10.2024, atë fundjavë që edhe ishin mbajtur takimet në Gjermani.
“Në Gjermani, herën e kaluar janë organizuar nga shoqata, mirëpo po ju them ka mënyra të ndryshme… Varësisht kush e organizon, natyrisht ai edhe e financon, prandaj nuk kemi hyrë në fazën e fushatës”- ishte përgjigjur ndërkaq, Gërvalla.
Takimet e mbajtura në Gjermani kishin nxitur debat publik për faktin që kishte mungesë të simboleve shtetërore, porse komunikatat për media ishin dërguar përmes Zyrës së Kryeministrit. Mu për këtë çështje, KALLXO.com kishte publikuar një analizë, në të cilën kritikohej kjo qasje e institucionit qendror, Qeverisë, për shfrytëzim të kanaleve shtetërore për promovim të tubimeve partiake.
Një mbrëmje para Forumit Ekonomik të Vjenës i cili u organizua me 04.11.2024, kryeministri Kurti së bashku me Gërvallën morën pjesë në një tubim në Vjenë, kësaj radhe pa simbole kombëtare e të Vetëvendosjes, të cilin sipas tyre e organizoi Ambasada e Kosovës në Vjenë.
Ashtu edhe kishte njoftuar Ambasada në Vjenë pak ditë para tubimit.
Se e ka organizuar këtë takim Ambasada, e pranoi edhe Gërvalla, duke thënë se ndër mërgimtarë ka pasur edhe miq të Kosovës. Në tubim shihet edhe Kati Schneeberger që dy vite më parë kishte nisur një peticion që BE t’ua heq vizat kosovarëve.
Kufizimet parazgjedhore
Në Kosovë ende nuk ka filluar fushata parazgjedhore, por kjo nuk do të thotë që subjektet politike nuk shfrytëzojnë këto kohë pa kufizime ligjore për të siguruar elektoratin.
Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike të certifikuara dhe kandidatët e tyre, fillon me datën 11 janar 2025 dhe përfundon me datën 9 shkurt 2025, në orën 06:59 (para hapjes së qendrave të votimit).
Sipas Ligji për Zgjedhjet, aktiviteti i fushatës politike do të thotë çfarëdo tubimi ose fjalimi politik, mbledhje, prezantim publik, ose ndonjë aktivitet i përgatitur për të propaganduar mesazh politik në lidhje me zgjedhjet.
Ndër të tjera, në këtë Ligj thuhet se të gjitha subjektet politike janë të lira të bëjnë fushatë dhe të bëjnë propagandë zgjedhore në media, përmes organizimit të ngjarjeve politike dhe botimit e shpërndarjes së materialeve për fushatë në çfarëdo mënyre ligjore në përputhje me rregullat dhe legjislacionin në fuqi.
Ndërkaq, për subjektet politike gjatë fushatës, Ligji thotë se kanë mundësi të barabartë për emisione në radio dhe televizion, fonde publike dhe forma të tjera të mbështetjes.
“Përdorimi i zyrave publike, burimeve ose personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal me qëllim të mbështetjes së një subjekti politik në zgjedhje është rreptësishtë i ndaluar”- thotë Ligji për Zgjedhjet.
Ndërsa një segmente tjetër i rëndësishëm i Ligjit është se subjektet politike nuk mund të shfrytëzojnë nëpunësit civil që përdorin pozitën, burimet, ose personelin për fushatë gjatë zgjedhjeve.
Për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, në diasporë do të votohet një ditë më përpara, më 08.02.2025.
Procesi zgjedhor do të nisë nga ora ora 07:00 deri në orën 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës.
Gjermania prinë me gjashtë qendra të votimit në të cilat mërgimtarët, më 8 shkurt 2025, do të mund të hedhin në kuti votën e tyre për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.Qendrat e votimit në Gjermani janë në konsullatat në Duseldorf, Mynhen, Hamburg, Shtuttgart dhe Frankfurt dhe në ambasadën në Berlin, me nga 2 mijë votues për secilën.
Shteti i dytë për nga numri i madh i qendrave të votimit është SHBA me tri qendra të votimit, përkatësisht në Neë York, ëashington dhe në Ioëa, e para me 2 mijë votues dhe dy të fundit me nga 1 mijë.
Lista preliminare e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmban: 2,047,148 votues, shtetas të Kosovës.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme më 09.02.2025 është 209,878, sipas të dhënave të KQZ-së.