Ilustrim

OShP-ja pa bord funksional, bllokohen mbi 100 tenderë

Mbi 100 tenderë kanë mbetur të pezulluar pasi bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk është funksional për t’i shqyrtuar ankesat e bizneseve.

Bordi i OShP-së ka mbetur pas asnjë anëtar që nga 31 marsi dhe kështu ka bllokuar mbi 100 projekte/tenderë të iniciuara nga institucionet e Kosovës.

Konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të OSHP-së ishte shpallur nga Qeveria Hoti në muajin janar. Por pas katër muajve, qeveria Kurti ende nuk e ka bërë të ditur nëse do të vazhdohet me konkursin e shpallur gjatë Qeverisë Hoti apo do të shpallet ndonjë konkurs i ri.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu ka thënë se Qeveria Kurti do ta trajtojë me urgjencë funksionalizimin e bordit të OSHP-së.

“Si rezultat i ndërrimit të shpeshtë të qeverive dhe shpërndarjes së Kuvendit në vitin që lamë pas procesi i rekrutimit për anëtarë të bordit të OShP-së nuk është finalizuar. Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e funksionalizimit të bordit sikurse edhe për implikimet në rast të vonesave. Andaj kjo çështje do të trajtohet me urgjencë ditëve në vijim”, ka deklaruar Kryeziu për KALLXO.com.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka njoftuar se nga 1 prilli i vitit 2021 ka pranuar mbi 113 ankesa.

“Në muajin prill janë pranuar 88 ankesa ndërsa nga 1 maji deri më datë 12.05.2021 janë pranuar 25 ankesa”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Gjykata e tenderëve ka njoftuar se presin formimin e bordit për vendimmarrje në lidhje me këto ankesa.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit ju njofton se AK-ja pret vendimin e OSHP-së për të cilin do aktivitet të prokurimit që ka pranuar ankesë nga OE-të”, theksohet në përgjigjen e OSHP-së.

Vonesat në nënshkrimin e kontratave 

Komuna e Gjakovës ka thënë se mungesa e bordit të OSHP-së ka shkaktuar vonesë në marrjen e vendimeve për projektet për të cilat ka ankesa.

“Projektet e Komunës së Gjakovës që janë aktualisht në OSHP janë: 1. Mirembajtja e autorrugëve, 2. Ndërtimi i parkingjeve në qytet, 3. Ndërtimi i parkingjeve dhe stacionit të autobusëve dhe 4. Ndërtimi i qarkores -Tranziti i ri”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjakovës për KALLXO.com.

Sipas Agon Hysaj nga organizata “Democracy Plus”, e cila merret me monitorimin e proceseve të prokurimit, mungesa e bordit të OSHP-së ka pasoja të mëdha në tenderët që janë dorëzuar ankesa. 

“Ata tenderë janë të pezulluar dhe nuk mund të ndërmerret asgjë deri sa të formohet bordi. Vonesa e krijimit të bordit të OSHP-së shkakton probleme të mëdha pasi investimet kapitale e mallrat e shërbimet mbesin të bllokuara si rezultat i ankesave”, ka thënë Hysaj.

Po ashtu, nga Komuna e Gjakovës kanë thënë se nuk mund të vazhdojnë me nënshkrimin e kontratave pa u caktuar bordi i OSHP-së.

“Jo, nuk është nënshkruar asnjë kontratë”, vazhdon përgjigja e Komunës së Gjakovës.

Hysaj nga “D+” ka deklaruar se autoritetet kontraktuese mund të nënshkruajnë kontratat duke u bazuar në Ligjin për Procedurë të Përgithshme Administrative.

“Pasi tani më veçse ka kaluar afati për shqyrtimin e tyre. Por në realitet kjo nuk ndodhë pasi autoritetet kontraktuese në njëfarë forme frikësohen në mos gabojnë në vendimin e tyre për dhenie të kontratës”, ka shtuar ai. 

Sipas tij, mungesa e bordit më shume iu konvenon operatorëve dhe autoriteteve kontraktuese që kanë për qëllim ndonjë keqpërdorim. 

“Shumë operatorë mund të hezitojnë të ankohen kur e dinë që nuk ka bord, ndërsa autoritetet kontraktuese mund të provojnë të nënshkruajnë kontratën e mos të presin krijimin e bordit”, është shprehur Hysaj.

Propozimet për zgjidhjen e problemit

Në mënyrë që Organi Shqyrtues i Prokurimit të mos mbetet pa bord dhe të vazhdojnë të shqyrtohen ankesat, Komuna e Gjakovës ka propozuar që të ndryshohet Rregullorja e OSHP-së për këtë pikë.

“Qeveria e Kuvendi të ketë prioritet afatet kohore dhe të jetë e përgjegjshme kundrejt tyre”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjakovës.

Agon Hysaj nga “D+” ka thënë se afati për shqyrtimin e ankesave është një afat ligjor dhe pa ndryshimin e ligjit kjo nuk mund të ndryshohet.

Ai ka propozuar që bordit që i skadon mandati të vazhdoje të ushtrojë detyrën deri në formimin e bordit te ri. Por sipas tij edhe kjo e ka një rrezik.

“Por kjo ka rrezik që të shkojë në pafundësi për shkak të politikës së papërgjegjshme”, ka thënë Hysaj.

Situatë e njëjtë, kur OSHP kishte mbetur pa bord, kishte ndodhur edhe në vitin 2013. Për shtatë muaj me radhë, nga muaji korrik 2013 deri në mars të vitit 2014, ishin grumbulluar ankesa dhe bordi i ri nuk i shqyrtoi për shkak të kalimit të afatit ligjor prej 34 ditësh për marrjen e vendimit.

“OSHP në të kaluarën me një konkluzion ka vendosur për mosshqyrtimin e ankesave që ishin mbledhur gjatë vitit 2013 me arsyen se ka kaluar afati për shqyrtimin e tyre”, ka përfunduar Hysaj nga “D+”.