Ilustrim

OShP-ja ia ndalon pjesëmarrjen në tender kompanive që dyshohen për falsifikim

Gjykata e tenderëve e ka diskualifikuar për 6 muaj nga pjesëmarrja në tenderë kompaninë “Fadi Com”, e cila dyshohet se ka dorëzuar të falsifikuar vërtetimin tatimor të ATK-së gjatë aplikimit në tenderin në vlerë 3 milionë euro të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) për “Furnizim me pemë dhe perime”.

Përveç kompanisë “Fadi Com”, OShP e ka diskualifikuar për 6 muaj edhe kompaninë “Alfa Group”, e cila ka aplikuar në konsorcium me “Fadi Com” në këtë tender. Të dy kompanive u është ndaluar pjesëmarrja nëpër tenderë nga 26 nëntori 2019 deri më 25 maj 2020.

Paneli shqyrtues ka vendosur t’i diskualifikojë që të dy kompanitë pasi që për ta ishte e pamundur për të vërtetuar saktë se cila kompani e ka dorëzuar dokumentin e tillë pasi që ky dokument është dorëzuar në emër të grupit.

OShP e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e AQP-së për diskualifikim të kompanive për shkak se as “Alfa Group” e as “Fadi Com” nuk kanë arritur të ofrojnë prova se vërtetimi tatimor i ATK-së i dorëzuar në AQP nuk është i falsifikuar.

“Paneli shqyrtues ka konstatuar se kërkesa e AK-AQP për diskualifikim të “Alfa Group & Fadi Com” është e bazuar për faktin se operatori ekonomik në fjalë nuk ka arritur të ofrojë prova bindëse para panelit shqyrtues për të vërtetuar se Vërtetimi i ATK-së, me të cilin operatori ekonomik në fjalë e ka ofruar në AK-AQP nuk është i falsifikuar”, thuhet në vendimin e OShP-së.

Pretendimin e AQP-së se kompania “Fadi Com” ka dorëzuar vërtetimin tatimor me të dhëna të rreme e ka konfirmuar edhe ATK.

Në përgjigjen e ATK-së të muajit prill konfirmohet se vërtetimi tatimor i OE “Fadi Com” nuk është në harmoni me vërtetimin tatimor sipas sistemit të ATK-së.

“Sidoqoftë ne verifikuam në sistem vërtetimet e dërguara nga ju dhe vërtetimet janë në rregull përveç VËRTETIMIT tatimor të biznesit “Fadi Com” Sh.P.K, dt.08.02.2019, përmbajtja e vërtetimit i dërguar nga ju, nuk është në harmoni me vërtetimin e lëshuar nga ATK. Pasi që vërtetimi tatimor sipas sistemit të ATK-së është lëshuar se tatimpaguesi ka borxhe”, vazhdon përgjigjja e drejtoreshës Ardita Haxhnikaj-Demi për AQP-në.

Vendimi i OShP-së për diskualifikim të dy kompanive nën dyshimin për falsifikim të dokumentit zyrtar ka ardhur gati një muaj pas urdhëresës që e kishte lëshuar drejtuar AQP-së për zbatimin e vendimit të saj për vazhdimin e tenderit në vlerë 3 milionë euro.

AQP ishte ‘kërcënuar’ nga OShP se nëse nuk e respekton këtë urdhëresë do t’i merret licenca menaxherit të prokurimit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se është dorëzuar një kallëzim penal për kompaninë “Fadi Com” mbi dyshimin për falsifikim të vërtetimit të lëshuar nga Agjencia Tatimore e Kosovës (ATK).

“Drejtoria për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit (DhKEK) me datë 20.05.2019 ka pranuar informacion nga ATK se një kompani dyshohet se ka falsifikuar një dokument zyrtar. Njësia Rajonale për hetimin e krimeve ekonomike të Prishtinës (NjRHKEK) Prishtinë në lidhje me këtë ka proceduar Kallëzim Penal në prokurori me datë 22.11.2019”, thuhej në përgjigjen e Policisë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Dyshimet për falsifikim të vërtetimit të ATK-së

Në tenderin e Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) për “Furnizim me pemë dhe perime për nevojat e autoritetit kontraktues”, në vlerë 3 milionë euro “Fadi Com” ka konkurruar në konzorcium me kompaninë “Alfa Group”.

Sipas AQP-së gjatë fazës së vlerësimit të ofertës së konzorciumit “Alfa Group & Fadi Com” ka hasur në vërtetimin e kompanisë “Fadi Com”, të datës 3 janar 2019 ku shkruhej se “Fadi Com” ka borxhe në ATK.

Për këtë arsye AQP e ka konsideruar ofertën e konzorciumit “Alfa Group” & “Fadi Com”, si të papërgjegjshme dhe e ka anuluar këtë aktivitet të prokurimit, pasi edhe ofertuesit e tjerë nuk i kanë plotësuar kërkesat e Dosjes së Tenderit për këtë aktivitet të prokurimit.

Pas anulimit të tenderi, kompania “Fadi Com”, më 11 shkurt 2019, përmes ankesës në AQP ka kërkuar që të rivlerësohet edhe njëherë ky aktivitet i prokurimit, me arsyetim se vërtetimi i ATK-së duhet të kërkohet para publikimit për dhënie të kontratës.

Gjithashtu “Fadi Com” kishte thënë se vërtetimi i dërguar më 3 janar 2019, është i parakohshëm dhe si dëshmi në kërkesën për rishqyrtim, “Fadi Com” ka dorëzuar një vërtetim të ATK-së të datës 8 shkurt 2019, ku thuhet që “Fadi Com” nuk ka borxhe.

Vërtetimi i ATK-së i dorëzuar nga “Fadi Com” në AQP

“Personi është i regjistruar në ATK dhe nuk ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera apo obligime të tjera tatimore”, thuhet në vërtetimin e dytë të dorëzuar nga “Fadi Com”, të datës 8 shkurt 2019, i cili kishte përmbajtje tjetër nga ajo që ishte dorëzuar në muajin janar nga “Fadi Com”.

Në mbështetje të kësaj AQP më 13 shkurt 2019 ka aprovuar ankesën e “Fadi Com” si të bazuar, kështu që më 19 prill 2019, ka filluar procedurat e rivlerësimit të këtij aktivitet të prokurimit.

Drejtori i përgjithshëm i AQP-së, Behxhet Rukiqi, ka thënë për Gazetën JnK se duke parë që kompania “Fadi Com” ka dorëzuar të njëjtin dokument me përmbajtje të ndryshme, ka pasur dyshime të bazuara për falsifikim.

ATK konfirmon të dhënat e rreme

Drejtori i Përgjithshëm, Behxhet Rukiqi ka deklaruar se për të sqaruar këtë konfuzion, janë qasur në faqen zyrtare të ATK-së dhe kanë konfirmuar se vërtetimi i dorëzuar nga “Fadi Com”, dhe përmbajtja e vërtetimit në sistem të ATK-së, nuk është i njëjtë.

“AQP duke qenë para dyshimeve të bazuara, se ky OE në rastin konkret ka dorëzuar dy vërtetime me përmbajtje të ndryshme esenciale të ATK-së, njërin me borxhe të pashlyera dhe tjetrin me borxhe të shlyera, për të hequr këto dyshime ka hyrë në ueb faqen zyrtare të ATK-së dhe e ka konfirmuar se “Fadi Com” ka dorëzuar një vërtetim të falsifikuar pasi që në ueb faqen zyrtare i njëjti vërtetim thotë që OE “Fadi Com” ka borxhe”, thuhet në përgjigjen e drejtorit Rukiqi për Gazetën JnK.

Në vërtetimin tatimor të kompanisë “Fadi Com”, të cilën e ka kontrolluar vetë AQP në faqen zyrtare të ATK-së thuhet se kjo kompani ka borxhe në ATK. Ky vërtetim mban të njëjtën datë, 8 shkurt 2019, me vërtetimin e dorëzuar nga “Fadi Com”, në të cilin thuhet se kjo kompani nuk ka borxhe.

Gazeta ka gjetur që AQP-ja e kishte miratuar kërkesën e OE ‘Fadi Com’ me 13 shkurt, përkundër faktit që me datën 8 shkurt e kishte vërtetuar se dokumenti në fjalë ishte i dyshimtë.

“Personi është i regjistruar në ATK dhe ka borxhe tatimore apo obligime të tjera tatimore të pashlyera”, thuhet në vërtetimin të cilin AQP e ka nxjerrë nga faqja e zyrtare e ATK-së mbi borxhin e kompanisë “Fadi Com”, me datën 8 shkurt.

AQP i ishte drejtuar ATK-së për të sqaruar edhe njëherë përmbajtjen e kundërt të dy vërtetimeve të lëshuara nga i njëjti institucion.

Në përgjigjen e ATK-së të muajit prill konfirmohet se vërtetimi tatimor i OE “Fadi Com” nuk është në harmoni me vërtetimin tatimor sipas sistemit të ATK-së.

“Sidoqoftë ne verifikuam në sistem vërtetimet e dërguara nga ju dhe vërtetimet janë në rregull përveç VËRTETIMIT tatimor të biznesit “Fadi Com” Sh.P.K, me NRF. 600118427, numër serik 1000551838, dt.08.02.2019, përmbajtja e vërtetimit i dërguar nga ju, nuk është në harmoni me vërtetimin e lëshuar nga ATK. Pasi që vërtetimi tatimor sipas sistemit të ATK-së është lëshuar se tatimpaguesi ka borxhe”, vazhdon përgjigja e drejtoreshës Haxhnikaj-Demi për AQP-në.

Vërtetimi për tender lëshohet nga ATK në formë elektronike, dhe si i tillë pasqyron gjendjen e obligimeve tatimore në momentin kur lëshohet vërtetimi, andaj edhe verifikimin e kompanisë “Fadi  Com”, e ka bërë edhe Gazeta JnK përmes ueb faqes së ATK-së tek linku për vërtetimin tatimor.

Në po të njëjtin link, mund të shkruhet numri serik i secilës kompani dhe vërtetimi mund të nxirret online.

Vërtetimi tatimor i “Fadi Com”, 24 nëntor 2019

Sipas këtyre të dhënave të ATK-së edhe tash në muajin nëntor, “Fadi Com” figuron që ka borxhe.

Gazeta JnK ka kontaktuar edhe përfaqësuesin e kompanisë “Fadi Com”, Faton Nishevci, në lidhje me dyshimet e ngritura nga AQP-ja për falsifikim të vërtetimit të ATK-së.

Nishevci ka refuzuar kategorikisht se ky dokument është falsifikuar nga “Fadi Com”.

“Jo [nuk është falsifikuar], jemi kompani serioze dhe kemi personel të veçantë që merret me këto lloj dokumentesh”, ka deklaruar Nishevci për gazetën JnK.

Po ashtu, Nishevci ka shtuar se mund të jetë gabim teknik i sistemit për lëshimin e vërtetimeve të ATK-së.

“Po është gabim teknik i sistemit dhe se është hera e parë që marrim këtë lloj të dokumentit”, ka potencuar Nishevci.

Në muajin maj, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion e kishte njoftuar AQP-në se janë duke zhvilluar hetime në bazë të një informate të 20 majit 2019 nga drejtori i Përgjithshëm të ATK-së.

Rreth 6 muaj më vonë, më 22 nëntor, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka proceduar kallëzim penal në Prokurori.

Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës, për Gazetën JnK.

OShP e quan devijim të vogël ‘falsifikimin’

Gjykata e tenderëve e ka urdhëruar AQP-në që t’i vlerësojë ofertat për tenderit “Furnizim me pemë dhe perime” dhe mos të anulojë gjithë procesin e prokurimit.

Përmbajtjen e ndryshme të vërtetimit mbi borxhet të lëshuar nga ATK, OSHP e ka konsideruar si devijim të vogël.

“Paneli shqyrtues e vlerëson si devijim të vogël në pajtim me nenin 59 paragrafi 4”, thuhet në vendimin e OShP-së.

Në këtë vendim thuhet se duhet të merren parasysh dy deklaratat e përfaqësuesve të “Fadi Com”, si deklarata nga Fadil Uka dhe nga punëtori Nazim Berisha.

“Referuar këtyre deklaratave punëtori Nazim Berisha, thekson se vërtetimi tatimor i datës 08.02.2019, e ka nxjerrë nga sistemi i ATK-së në pajtim me procedurat dhe nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në ato dokumente, gjithashtu përfaqësuesi nga “Fadi Com” ofron deklaratë në harmoni me punëtorin e tij të autorizuar për nxjerrjen e vërtetimeve tatimore”, theksohet në vendimin e OShP-së.

Më pas, konzorciumi “Fadi Com” & “Alfa Group” ishte ankuar në OShP në lidhje me mos zbatimin e vendimit e Panelit Shqyrtues dhe zvarritjen e procedurave të prokurimit për tenderin për “Furnizim me pemë dhe perime”.

Paneli shqyrtues i OShP-së në urdhëresën e lëshuar më 11 nëntor, OShP e ka aprovuar si të bazuar ankesën e “Alfa Group” & “Fadi Com”, lidhur me mos zbatimin e vendimit të Panelit Shqyrtues nga AQP.

Përmes kësaj urdhërese AQP është obliguar të zbatojë vendimin e Panelit Shqyrtues të OShP-së.

“Urdhërohet AQP që në afat prej 5 ditëve kalendarike të njoftojë OShP-në dhe OE-në që “Alfa Group & Fadi Com”, lidhur me zbatimit e vendimit të Panelit Shqyrtues, i datës 10 korrik 2019, përkitazi me aktivitetin e prokurimit me titull ‘Furnizim me pemë dhe perime’”, thuhet në urdhëresën e OShP-së.

Gjithashtu, në urdhëresë theksohet se mosrespektimi i kësaj urdhërese brenda periudhës prej 5 ditëve kalendarike do të detyrojë panelin shqyrtues që të veprojë komfor nenit 131 të LPP-së dhe njëkohësisht të kërkojë nga KRPP anulimin e licencës për menaxherin e prokurimit të AQP-së sipas nenit 25 paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së.

Më 18 nëntor, AQP i është drejtuar me kërkesë OShP-së për anulim të urdhëresës, duke e quajtur këtë urdhëresë si të kundërligjshme dhe në kundërshtim me nenin 65 të Ligjit të Prokurimit Publik.

“AQP edhe më tutje është e bindur se OShP në urdhëresën e saj të datës 11 nëntor në mënyrë të kundërligjshme e ka kualifikuar këtë OE si të përgjegjshme duke kualifikuar lëshimet esenciale të këtij OE si devijime të vogla e për aq më keq kur ky OE ka tentuar që ta vë në lajthitje AQP-në”, thuhet në arsyetimin e AQP-së të bashkëngjitur në kërkesën drejtuar OShP-së për anulim të urdhëresës.

Tenderi për “Furnizim me pemë dhe perime” në vlerë 3 milionë euro është shpallur më 14 dhjetor 2018. Ndërsa njoftimi për anulimin e këtij tenderi është bërë më 17 maj 2019.

AQP në këtë rast shpall 3 kompani apo konsorciume të përgjegjshme, ndërsa më pas autoritetet kontraktuese hapin tenderët përkatës dhe zgjedhin kompaninë apo konzorciumin fitues për nevojat e tyre.

Janë bërë gati një vjet që kur tenderi është shpallur dhe ende nuk është përfunduar.