OSHP e vendosi në listë të zezë për falsifikim të vulës dhe nënshkrimit, Prokuroria inicion rast pas interesimit të KALLXO.com

Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka vendosur në listë të zezë kompaninë “Fortesa SH.P.K” për falsifikim të nënshkrimit dhe vulës së një kompanie tjetër gjatë aplikimit në një tender në Komunën e Gjilanit.

Edhe përkundër kësaj, as Komuna e Gjilanit e cila ishte inicuese e tenderit e as Organi Shqyrtues i Prokurimit e cila më 08.11.2024 e ka vendosur kompaninë në listë të zezë, nuk e kanë dërguar këtë rast në Prokurorinë e Shtetit.

Rasti është regjistruar nga Prokuroria e Gjilanit dhe i është ndarë një prokurori vetëm pasi KALLXO.com është interesuar dhe ka dërguar pyetje, gati tre muaj pasi kompania “Fortesa SH.P.K” është vendosur në listë të zezë në lidhje me tenderin e Komunës së Gjilanit për “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë”.

“Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se ky rast nuk evidentohet në regjistrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, mirëpo ju informojmë se pas kërkesës suaj lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka regjistruar këtë rast, i cili mban shenjën PPN.I.21/2025 dhe është ndarë në punë tek një prokuror nga Departamenti i Krimeve të Rënda”- tha për KALLXO.com, Liridona Xheladini, zëdhënëse e Prokurorisë së Gjilanit, më 30.01.2025.

Pas kërkesës së Komunës së Gjilanit, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik më 08.11.2024 mori vendim për vendosjen e kompanisë “Fortesa SH.P.K.” për tre muaj në listën e zezë. Në këtë tender, “Fortesa SH.P.K” ishte lidere e Grupit të Operatorëve Ekonomikë, të përbërë nga kompanitë, “AlbaProject” dhe “Auremont”. Por për këta dy të fundit kërkesa e Komunës së Gjilanit për vendosjen në listën e zezë u refuzua nga OSHP.

Paneli Shqyrtues i Gjykatës së tenderëve konstatoi se kompania “Fortesa SH.P.K.” në tenderin për “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë” i iniciuar nga Komuna e Gjilanit më 20.09.2023, ka mashtruar me dokumentacionin e dorëzuar në këtë aktivitet të prokurimit.

Sipas vendimit të OSHP-së, Komuna e Gjilanit ka dorëzuar prova të mjaftueshme që dëshmojnë se kompania “Fortesa SH.P.K, në këtë aktivitet të prokurimit ka mashtruar/falsifikuar nënshkrimin dhe vulën e kompanisë “Eing COM” në dokumentin e marrëveshjes për bashkëpunim për dhënie me qira të makinerisë së kërkuar në Dosje të Tenderit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresën e dy kompanive, “Fortesa SH.P.K”, e cila është vendosur në listën e zezë dhe “Eing COM”, nënshkrimi dhe vula e së cilës pretendohet se është falsifikuar. Përkundër se KALLXO.com i ka kontaktuar përmes telefonit dhe emailit më 28, 29 dhe 30.01.2025, kompanitë nuk janë përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas vendimit të OSHP-së për diskualifikim, kompania “Fortesa SH.P.K” nuk ishte përgjigjur ndaj kërkesës së Komunës së Gjilanit, si Autoritet Kontraktues në tenderin “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë”.

“Nuk i është përgjigjur kërkesës së Autoritetit Kontraktues të datës 20.10.2023” – thuhet në vendim, duke shtuar se më pas Komuna e Gjilanit iu ka shkruar veç e veç kompanive, marrëveshjet për marrjen e pajisjeve me qira me të cilat ishin prezantuar nga “Fortesa SH.P.K”.

Ndërsa në përgjigjen për OSHP-në, kompania “Fortesa SH.P.K” pretendon se nuk ka dorëzuar dokument me përmbajtje të rreme.

“Njoftojmë Panelin Shqyrtues se duke pasur provat tona, konfirmojmë se nuk kemi paraqitur asnjë dokument me përmbajtje të rreme apo të falsifikuar ashtu siç pretendon Autoriteti Kontraktues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit” – thuhet në përgjigjen e kompanisë “Fortesa SH.P.K”, e cila citohet në vendimin e OSHP-së. Këtë përgjigje ata e kishin dhënë pasi e kanë pranuar njoftimin e OSHP-së të datës 09.02.2024, në lidhje me kërkesën për diskualifikim.

Kurse kompania “Eing COM” i ishte përgjigjur Komunës së Gjilanit duke konfirmuar se i njëjti dokument nuk është nënshkruar dhe as vulosur nga ta. Kjo përgjigje është përfshirë edhe në vendimin e OSHP-së për diskualifikim të kompanisë “Fortesa SH.P.K”.

“Marrëveshja e prezantuar nga Grupi i Operatorëve Ekonomikë “Fortesa SHPK” & “N.P Auromont” në aktivitetin e prokurimit të lartshënuar nuk është lidhur, vulosur dhe nënshkruar nga ana e personit të autorizuar të kompanisë “EING COM” dhe si e tillë kjo marrëveshje është inekzistente dhe nuk ka vlefshmëri të marrëdhënies juridike për kompaninë “EING COM”” – thuhet në përgjigjen e datës 24.10.2023 për Komunën e Gjilanit si Autoritet Kontraktues.

A kanë bashkëpunim Gjykata e tenderëve me Prokurorin e Shtetit?

Organi Shqyrtuesi i Prokurimit dhe Prokurori i Shtetit nuk kanë bashkëpunim në dërgimin dhe trajtimin e rasteve në të cilat konstatohet se ka falsifikim të dokumenteve.

Në lidhje me kompanitë e vendosur në listën e zezë dhe bashkëpunimin me Prokurorin e Shtetit, KALLXO.com ka kontaktuar me Agim Sheqirin, ushtrues detyre i kryesuesit të Sekretariatit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ai e ka konfirmuar se nuk kanë marrëveshje më prokuroritë përkatëse, teksa adresimin e rasteve ku dyshohet për vepra penale, Sheqiri tha se u takon autoriteteve kontraktuese.

“Ajo çka di është se autoritetet kontraktuese janë njoftuar që çështjen me e dërgu në Prokurori, është obligim i tyre se në fakt ato e kanë njëfarë obligimi, jo vetëm ata por edhe na. Pra nëse konstaton që ka mashtrim duhet të iniciohet rasti në organet e drejtësisë. Autoriteti Kontraktues e ka obligim, nëse ka mashtru ka falsifiku ai me e paraqitë sepse falsifikimi është bërë aty, po supozoj nëse u ba, jo te na. Me Prokurorinë nuk e di që kemi ndonjë bashkëpunim”- theksoi Sheqiri.

Edhe pse nga OSHP kanë thënë se edhe autoritetet kontraktuese e kanë obligim të dërgojnë rastet e tilla në organet e drejtësisë, Komuna e Gjilanit, e cila e ka dërguar në OSHP kërkesën për vendosjen e kompanisë në listën e zezë për mashtrim, nuk e ka dërguar rastin në prokurori.

Zyrtari përgjegjës i prokurorimit në Komunën e Gjilanit, Kujtim Bajrami, e ka konfirmuar për KALLXO.com se nuk e kanë njoftuar Prokurorinë për këtë rast, duke shtuar se vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit është publik dhe i qasshëm edhe për organet e drejtësisë.

“Ne si Autoritet Kontraktues, kemi zhvilluar procedurën dhe gjate procedurës kemi paraqitur kërkesë për Organin Shqyrtues të Prokurimit në harmoni me dispozitat e ligjit të Prokurimit Publik dhe për të njëjtën me datë 08.11.2024 është publikuar vendimi i OSHP-së, lidhur me diskualifikimin e OE në fjalë. Pasi që vendimi është publik dhe i qasshëm për te gjitha palët, përfshi këtu edhe Prokurorinë, ne konsiderojmë se një vendim publik mund të merret nga të gjitha palët dhe institucionet kompetente. Andaj edhe ne nuk kemi vepruar tutje”- tha Bajrami më 28.01.2025 për KALLXO.com.

Zëvendëskryeprokurorja e Prokurorisë së Prishtinës, Elza Bajrami, ka thënë për KALLXO.com se nuk ka ndonjë rast për të cilin dyshohet se ka elemente të veprës penale e që Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka njoftuar.

“Prokuroria dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk është se kanë ndonjë komunikim te drejtpërdrejtë sa i përket trajtimit te rasteve ku mund të konsumojnë vepër penale dhe të cilat mund të jenë zbuluar apo të krijohet dyshimi i arsyeshëm gjatë procedurave para OSHP-së. Zakonisht në Prokurori, informacionet qe i referohen veprave te mashtrimit ne prokurimin publik vijnë prej Policisë së Kosovës. Kryesisht kjo më tepër është një punë e Autoriteteve Kontraktuese për shkak se edhe vendimet e OSHP-së janë të tilla që ua lënë në dorë Autoriteteve Kontraktuese qe të njëjtat ti njoftojnë organet e rendit gjegjësisht organet e drejtësisë – Policinë, Prokurorinë, nëse ka dyshime për veprime te tilla, falsifikimet e dokumenteve apo mashtrime, tentime te mashtrimit ne prokurim publik. Deri me tani nuk kemi pasur raste te cilat janë paraqitur direkt nga ana e OSHP-së”- tha Bajrami më 28.01.2025 për KALLXO.com.

Sipas nenit 79 të Kodit të Procedurës Penale, “të gjitha organet publike detyrohen t’i paraqesin veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare për të cilat janë informuar ose për të cilat kanë marrë dijeni në ndonjë mënyrë tjetër”.

Kallëzimi penal i paraqitet prokurorit kompetent të shtetit me shkrim, me mjete teknike të komunikimit ose gojarisht.

Një rast i bashkëpunimit të një institucioni me Prokurorin e Shtetit për dërgimin e rasteve të dyshuara për vepra penale dhe ndarjen e informacioneve të tjera është Zyra Kombëtare e Auditimit.

ZKA që nga viti 2018 ka dërguar 143 raste të dyshimta për vepra penale në Prokurorinë e Shtetit. Prej tyre, vetëm në tri raste janë ngritur aktakuza.