Ilustrim - Automjetet e kompanisë "Pastrimi" për heqjen e mbeturinave | Foto: Facebook

Opsione qysh mund të jenë më efektive ndërmarrjet publike lokale

Komunat e Kosovës përballen me probleme të ndryshme gjatë ofrimit të shërbimeve për qytetarë, kryesisht për shkak buxhetit të limituar apo mungesës së stafit. Komunat e kanë të vështirë, në disa raste të pamundur, të rrisin numrin e stafit për shkak se ministria e Financave cakton tavane (kufizime) për numrin e stafit që mund të ketë një komunë/institucion. Por, një pjesë e madhe e Komunave i shfrytëzojnë kontratat për shërbime të veçanta (kontrata mbi vepër) për të punësuar staf shtesë për tu ofruar shërbime qytetarëve.

Është një mundësi tjetër ligjore me të cilën komunat mund të rrisin kualitetin e shërbimeve komunale dhe njëkohësishtë të mos ketë më punësime me kontrata mbi vepër e pa kritere. Një mundësi e tillë janë Ndërmarrjet Publike Lokale, të cilat mund të ofrojnë shërbime të ndryshme duke filluar nga pastrimi i rrugëve, mirëmbajtja e gjelbërimit, trafiku urban dhe ndër-urban, menaxhimi i parkingjeve, mirëmbajtja e ndërtesave kolektive etj. Me një fjalë, komunave ju lejohet me ligj që të krijojnë ndërmarrje publike lokale për të gjitha shërbimet të cilat nuk mund t’i ofrojë vetë e për të cilat qytetarët kanë nevojë.

Mundësia ligjore nuk nënkupton që për gjithçka mund të formohen ndërmarrje publike dhe pastaj ato të kthehen në zyre për punësimin e militantëve partiak. Por, ndërmarrja publike mund të formohet pasi të bëhet një studim i fizibilitetit, i cili tregon se ndërmarrja mundet me ju ofru shërbime qytetarëve dhe njëkohësisht me nxjerr të hyra për me i mbulu shpenzimet. Pra, që një ndërmarrje mos me ju bë barrë komunës, por që përmirëson shërbimet e qytetarëve.

Ndërmarrjet Publike ju shërbejnë komunave në të cilën janë krijuar dhe funksionojnë përmes bordit të drejtorëve, i përbërë nga pesë drejtorë. Aktualisht, në bazë të ligjit katër drejtorë zgjidhen nga komisioni komunal i aksionarëve, ndërsa drejtori tjetër është kryeshefi ekzekutiv dhe zgjidhet nga bordi i drejtorëve. Deri më tani, bordet e ndërmarrjeve publike janë politizuar dhe mediat kanë raportuar se nëpër to janë emëruar persona që nuk kanë qenë të pavarur, sipas përkufizimit të ligjit për Ndërmarrjet Publike.  Normalisht, kjo duhet të ndryshojë. Pra, ndërmarrjet publike duhet të shihen si mundësi për përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes shërbimeve më të mira, e jo instrumente për punësime dhe arritje të qëllimeve të partive politike.

Politizimi është theksuar si problem me të cilën ballafaqohen NP’të lokale në një hulumtimi të realizuar nga Instituti GAP. Ky raport konstaton se ndërmarrjet publike janë të mbingarkuara me staf dhe ndikimi i politikës është njëri ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e stafit. Përveç mbingarkesës me staf, shumë nga ndërmarrjet përballen me probleme në rekrutimin dhe motivimin e stafit qoftë për shkak të pagave të ulëta apo mungesës së kuadrove. Ky institut jep edhe rekomandime se si të zbutet ky problem të cilat kryesisht kanë të bëjnë me rritjen e transparencës gjatë punësimit si dhe propozon përfshirjen në proces të kompanive profesionale të rekrutimit.

Edhe pse NP’të lokale janë mundësi shumë e mirë për komunat për të përmirësuar shërbimet për qytetarët e vet, vetëm një numër i vogël i komunave kanë të themeluara këto ndërmarrje. Kjo është një mangësi dhe komunat duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi shumë të mirë ligjore. Deri më tash ka pas kërkesa nga komunat për themelim të ndërmarrjeve publike, por që janë refuzuar nga ministria e Zhvillimit Ekonomik. Refuzimi nuk duhet të kuptohet si mbyllje e mundësisë, por duhet të shtohen analizat nga komunat dhe të shikohen mundësit që të zgjerohet aktiviteti i një ndërmarrje në atë mënyrë që ajo të ketë arsyeshmëri ekonomike për themelimin e saj.

Komuna e Prishtinës i ka shtatë NP lokale e që është numri më i madh i këtyre ndërmarrjeve nga të gjitha komunat e Kosovës. Ndërmarrjet e Prishtinës janë: NP Banesore, Pastrimi,  Hortikultura, Trafiku Urban, Ngrohtorja e Qytetit – Termokosi, Stacioni i autobusëve dhe Sportmarketingu. Prishtina është në procedura për funksionalizimin e ndërmarrjes së re, e cila do t’i menaxhonte parkingjet e qytetit.

Një numër i madh i ndërmarrjeve ende varen financiarisht nga komunat. NP Hortikultura e cila ka për qëllim mirëmbajtjen e sipërfaqeve gjelbëruese dhe varrezave në Prishtinë pothuaj plotësisht varet nga fondet komunale. Komuna e Prishtinës i ndan gati 1 milion euro në baza vjetore për këtë ndërmarrje. Në vend të kësaj kjo dhe ndërmarrjet e ngjashme duhet të bëjnë çmos që të pavarësohen financiarisht sa më shumë nga komunat. Në rastin e hortikulturës kjo mund të bëhet për shembull me krijimin e kushteve që vet të i mbjellin fidanët e jo t’i blejnë drunjtë apo lulet e gatshme.

Problem tjetër i ndërmarrjeve publike lokale është regjistrimi i aseteve. Vetëm NP Banesore e Prishtinës si ndërmarrja më e vjetër në tërë Kosovën, në pronësi të vet ka mbi 400 objekte (banesa, lokale afariste, depo, garazha dhe truall). Të gjitha ndërmarrjet publike lokale duhet të bëjnë sa më shpejtë regjistrimin e aseteve dhe të jenë transparent se si shfrytëzohen apo shpenzohen këto asete. Përndryshe, NP Banesore ka filluar me sukses programin e mirëmbajtjeve të banesave kolektive e cila konsiderohet si një tregim suksesi për këtë ndërmarrje por edhe për komunën e Prishtinës. Po ashtu kjo ndërmarrje i publikon raportet vjetore të auditorit, pra e plotëson një obligim ligjor që e ka për transparencë.

Bashkëpunimi në mes të ndërmarrjeve publike lokale duhet të rritet. Ka ndërmarrje publike të cilat janë sezonale si për shembull “NP Sport Marketingu” e cila e menaxhon pishinën e Gërmisë apo NP Hortikultura e cila po ashtu nuk angazhohen shumë gjatë dimrit e në anën tjetër e kemi Termokosin e cila punon kryesisht në sezonin e dimrit dhe gjatë verës më tepër merren me mirëmbajtje të rrjetit por më me pak kapacitete. Në këto raste duhet të mendohet që të shkëmbehet stafi por edhe makineria në mes të këtyre ndërmarrjeve në periudhën kohore kur nuk angazhohen shumë. Kjo mund të bëhet përmes krijimit të Holdingut e ku të gjitha ndërmarrjet publike lokale do të funksiononin nën një ombrellë. Po ashtu duhet të bëhet një analizë nëse është e mundur që të bëhet shkrirja e disa ndërmarrjeve në një të vetme. Shembull, Hortikultura dhe Pastrimi të shkrihen në një ndërmarrje apo Sport Marketingu të jetë pjesë e NP Banesore. Kjo do të mund të ulte harxhimet e në anën tjetër të lehtësonte mbikëqyren nga ana e Komunës.

Ka mjaft hapësirë që të përmirësohet edhe transparenca e ndërmarrjeve publike ku qytetarët do të informoheshin më shumë lidhur me punën e këtyre ndërmarrjeve. Këto ndërmarrje duhet të mendojnë që të kenë zëdhënës të cilët do të jepnin informata të mjaftueshme si për qytetarë ashtu edhe për medie.

Po ashtu ueb faqet duhet të i përmirësojnë dhe të japin më shumë informata lidhur me aktivitete e tyre. Ka ndërmarrje që nuk kanë faqe ueb faqe siç është për shembull “Sport Marketingu”. Disa nga informatat relevante që do të mund të vendoseshin në ueb-faqe janë për shembull digjitalizimi i informatave nga arkiva (kjo vlen sidomos për NPB’në), vendosja e raporteve më të detajuara të aktiviteteve, narrative dhe financiare (të raportohet sidomos profiti). Ndërmarrjet publike lokale i shfrytëzojnë zakonisht mediet për ankesat e tyre që i kanë ndaj qytetarëve e sidomos për mungesën e pagesave për shërbime por në anën tjetër mungojnë informatat për përgjegjësitë e NP’ve ndaj qytetarëve të cilëve ju shërbejnë.

Autori është drejtor i OJQ Developing Together dhe ka realizuar një hulumtim për Ndërmarrjet Publike lokale të Prishtinës. Hulumtimi është përkrahur nga fondacioni Friedrich Ebert