Shpend Ahmeti. Kuvendi Komunal

Opozita për dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga PSD: Duhet të japë dorëheqje edhe nga kryetari i Komunës

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dje ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Socialdemokrate.

Ahmeti dorëheqjen e tij nga PSD-ja e arsyetoi si përgjegjësi ndaj rezultateve zhgënjyese që i mori partia e tij në zgjedhjet e 6 tetorit.

Vendin e tij si kryetar të PSD-së e zuri Dardan Molliqaj në një kuvend zgjedhor të paparalajmëruar dhe me dyer të mbyllura.

Ahmeti gjithashtu tha se tashmë ai do të ‘përqendrohet’ në punët e tij si kryetar në Komunën e Prishtinës, duke shtuar se do të fokusohet në përmbushjen e premtimeve të bëra në vitin 2017.

Por, opozita në Prishtinë e sheh me skepticizëm ‘fokusimin’ e Ahmetit në Komunë.

Mustafë Krasniqi, asamblist nga radhët e LDK-së, në një përgjigje për KALLXO.com, tha se vendimi i Shpend Ahmetit për të dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të PSD-së është vendim i tij personal për shkak të zgjedhjeve të 6 tetorit. Sipas Krasniqit, edhe roli i PSD-së sa ishte në opozitë në Kuvendin e Kosovës bëri që të mos ketë as mbështetje të votuesve të vetë.

“Të them të drejtën, ai është pjesë e Komunës dhe nuk shoh diçka që mundet me ec në këtë drejtim, për shkak se po i referohemi një thënie popullore që thotë se: “Dita e mirë shihet në mëngjes”. Prandaj edhe këto dy vite që po i lëmë pas, edhe mandati i kaluar, thuajse nuk kemi asgjë që është e kapshme, e prekshme, sidomos tek projektet kapitale”, ka thënë Krasniqi.

E Egzon Azemi, asamblist nga radhët e Vetëvendosjes, thotë se dorëheqja e Ahmetit është paraqitur si akt moral, për shkak të humbjes në zgjedhje. Azemi thotë se aty ku duhet njëmend të jetë përgjegjës, para qytetarëve të kryeqytetit, Ahmeti nuk po e ndjen obligim të mbajë përgjegjësi.

“Shpendi harroi shumë premtime, ai hesht edhe pse rifilluan ndërtimet pa leje, edhe pse në mandatin e dytë ka kontroll në të gjitha ndërmarrjet, të gjitha kanë ngecur, me përjashtim të NPB-së e cila në mandatin e parë u menaxhua nga Lëvizja. Shpendi do duhej të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës fillimisht por kjo tregon se ai nuk mban përgjegjësi”, thotë Azemi në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Sipas asamblistit të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti nuk jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të Prishtinës, sepse po përfiton materialisht.

Azemi shton se kryetari i Prishtinës dhe Dardan Sejdiu kanë dhënë dorëheqje nga partia, por jo nga ‘pushteti i vjedhur’.

“Kur i thamë se nuk ka kohë të përfshihej në dialog sepse ka shumë punë në Prishtinë ai tallej, kur kërkoi besimin e qytetarëve u shtang. Ai po e kupton se karriera e tij politike ka përfunduar, por ai nuk dëshiron që pushteti t’i përfundon para kohe. Sepse ai dhe një grup i vogël po përfitojnë çdo ditë mbi kurrizin e kryeqytetit”, ka thënë Azemi.

Ndërsa asamblisti i LDK-së, Krasniqi, e ka vlerësuar si shumë të dobët performancën e Ahmetit në dy vitet e para të këtij mandati, si kryetar i Prishtinës.

“E vlerësoj jokënaqshëm, shumë dobët, për shkak se kanë mbetë shumë prapa me projekte, nuk ka shtyrë projekte kapitale fare që kanë qenë të planifikuara brenda buxhetit, prandaj shumë projekte kanë shkuar dëm dhe çdo vit, ne e përcjellim projektet dhe nuk fare as nuk po munden me fillu, edhe ato që fillojnë shkojnë shumë ngadalë” ka thënë Mustafë Krasniqi në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Shpend Ahmeti dhe partia e tij ishin kritikuar nga opozita qendrore në Kuvend dhe nga opozita lokale në komunën e Prishtinës, për përfshirjen e tij në delegacionin për dialogun me Serbinë. Ahmeti bashkë me Fatmir Limajn ishin kryesues të këtij delegacioni.

Por në qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese konstatoi se delegacioni ishte antikushtetues.

Kushtetuesja kishte gjetur se të paktën 5 nene të ligjit që rregullon kompetencat e këtij dialogu, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.