Opozita Kosovare Kriset Përballë Lodhjes nga Dhuna?

Albin Kurti, themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje kishte qenë në foltore për një farë kohe, me një fjalim pasionant para turmës dhe një fletë arresti prapa, kur Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), u largua bashkë me gruan dhe fëmijët.

Haradinaj u ndoq në tërheqjen nga tubimi edhe nga aleati i tij, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës.

Të dy liderët opozitarë kishin qenë në të njëjtën foltore më parë atë ditë, më 28 nëntor, në një manifestim paqësor kundër marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë dhe Malin e Zi, të ndërmjetësuara nga Brukseli.

Dita e Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntori – nuk është një festë si të tjerat, dhe festohet nga të gjithë shqiptarët kudo në Ballkan.

Ndaj, që në fillim kishte pasur polemika nëse një datë e kësaj rëndësie duhej përdorur për të protestuar.

Disa druheshin se mos thjesht shfaqja e Kurtit në turmë, lë pastaj që ai t’u fliste mijëra qytetarëve në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, mund t’i çelte shteg dhunës nëse policia vendoste të ndërhynte dhe ta arrestonte në vend.

Lideri historik i Vetëvendosjes kishte qëndruar i fshehur për ditë me radhë pasi autoritetet kishin lëshuar një fletë arresti për shkak se ai kishte hedhur gaz lotsjellës në parlament. Gjithashtu, ai u ka gjuajtur me shishe kolegëve deputetë të shumicës, është përplasur fizikisht në sallën e Kuvendit si dhe ka përdorur sprej ndaj stafit të sigurisë.

Edhe disa prej kolegëve të tij nga Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kanë përdorur taktika të dhunshme për të paralizuar punën e Kuvendit, në tentativë për ta detyruar qeverinë të tërhiqet nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

Mbi të gjitha, ata kërkojnë që qeveria të anulojë marrëveshjen me Beogradin, e cila parashikon krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, për të cilën kritikët thonë se do t’u japë serbëve shumë pushtet dhe pavarësi qeverisëse.

Krisje në mur

Kurti nuk u arrestua në foltore, por Haradinaj nuk ishte aty për ta parë diçka të tillë.

“U realizua qëllimi i manifestimit, u zgjat fjalimi dhe qëndrimi më tutje ishte i panevojshëm,” tha Haradinaj, i pyetur përse ishte larguar nga tubimi.

Por analisti Imer Mushkolaj i tha BIRN-it se “u pa haptazi që ai [Haradinaj] nuk po dëshiron që të qëndrojë deri në fund”.

Si Haradinaj, ashtu dhe Limaj, nuk u shfaqën as në protestën e dytë pranë selisë së Vetëvendosjes po atë ditë, kurKurti dhe shumë prej mbështetësve të tij u arrestuan.

“Dakordim që nuk do të reagojmë në ditën e festës. Dakordim i përbashkët,” tha Haradinaj, duke shpjeguar mungesën e tij. Ai nuk u shfaq as më vonë atë ditë për të kërkuar lirimin e Kurtit.

Në një konferencë për shtyp të martën, më 1 dhjetor, AAK njoftoi se do të organizoheshin një sërë manifestimesh në qytete të ndryshme të Kosovës, duke theksuar se tubimet do të ishin “absolutisht paqësore”.

Në të gjitha daljet e mëparshme publike, tri partitë opozitare kanë qëndruar bashkë, por kësaj here Haradinaj doli i vetëm. “AAK konfirmon se do të vazhdojë kundërshtimin e marrëveshjeve në dhe jashtë parlamentit. I pari në Gjakovë… opozita e bashkuar çon atje deputetët”, tha ai.

Edhe pse nuk ishin pjesë e konferencës, Vetëvendosje tha se kishte mbështetur protestat e njoftuara nga Haradinaj. “Po, kjo protestë do të jetë paqësore, nuk do të jetë e dhunshme”, tha Frashër Krasniqi, zëdhënës i Vetëvendosjes.

Por Mushkolaj tha se ndërsa liderët opozitarë ende shfaqen të bashkuar para opinionit publik, nën sipërfaqe po shfaqen krisje.

“Ata u munduan të thonë që asgjë nuk ka ndodhur, por unë besoj që megjithatë çarjet mes opozitës kanë ndodh dhe vazhdojnë me u thellu”, tha analisti.

Ndërrim shinash

Ndërsa Haradinaj lajmëroi protesta pa dhunë me përkrahjen publike të Vetëvendosjes, historia e ditëve të fundit të aksioneve opozitare, ka qenë gjithçka përveçse paqësore.

Në seancën e fundit parlamentare, të hënën e 30 dhjetorit, deputetët e opozitës u munduan të bllokojnë punimet e Kuvendit duke hedhur gaz në sallë dhe në holl, çka rezultoi në arrestimin e tre deputetëve të tjerë, duke e sjellë në pesë numrin total të deputetëve të ndaluar të opozitës.

Mushkolaj tha se AAK dhe Nisma nuk mbanin peshën më të madhe të përgjegjësisë për protestat e mëparshme, por duke qenë se Vetëvendosje ishte bartësja, kjo e fundit mbante edhe përgjegjësinë për to para opinionit publik.

“..duket se tash z. Haradinaj ka vendos që t’i bëjë vetë protestat e veta, t’i kapitalizojë ato”, shpjegoi Mushkolaj.

Tubimet paqësore po shihen si një ndërrim shinash nga protestat e dhunshme të kohëve të fundit, si dhe si një simptomë përçarjeje brenda ‘opozitës së bashkuar’.

“Është e pritshme që sikur ndodhi edhe vjet me bllokadën 6-mujore [në mos-formimin e qeverisë], pas një kohë, nëse dikush nga partneret e sheh se plani çon në qorrsokak… mund të tërhiqet”, tha analisti Artan Muhaxhiri për BIRN.

Muhaxhiri tha se opozita ishte vënë nën presion të madh dhe po shfaqte shenja ndasish. “Opozita është në një pozitë të vështirë, sepse sa më shumë kalon koha, aq më shumë kauza e tyre vazhdon të zbehet”.

Martesë e pamundur

Në fillim të këtij viti, kur Vetëvendosje lajmëroi koalicionin me AAK-në dhe Nismën, mbështetës të kësaj lëvizjeje shprehën pakënaqësi në rrjetet sociale duke thënë se dy partitë dhe liderët e tyre, Haradinaj dhe Limaj, ishin pjesë e sistemit.

“Edhe në kohën kur tri partitë u bashkuan për të kundërshtuar demarkacionin dhe Bashkësinë e Komunave, Vetëvendosje nuk është se ka qenë e bindur se AAK-ja e ka përnjëmend, dhe për këtë i ka pasur dyshimet e veta që nuk janë thënë publikisht, por nuk kishin zgjidhje tjetër, në kuptimin se nuk i besonin AAK-së se do të jetë me ta deri në fund”, shpjegoi Mushkolaj.

Ai tha se nuk duhej harruar se Haradinaj kishte qenë pjesë e qeverisë së mëparshme (ky i fundit ka qenë edhe Kryeministër për periudhën dhjetor 2004 – mars 2005) dhe dëshiron të kthehet në qeverisje.

“Unë besoj që të paktën në këtë situatë ku jemi, nuk më çudit fare nëse z. Haradinaj bëhet pjesë e zgjedhjes politike për të dalë nga kriza”, tha Mushkolaj.

Sipas analistit, edhe Limaj mund të ndjekë të njëjtën udhë, duke qenë se edhe ai ka shërbyer si ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit në periudhën 2008-2010. “Mendoj se Limaj do anojë nga AAK”, tha ai.

Limaj njihej si “Çeliku” gjatë luftërave jugosllave, ndërsa Haradinaj si “Smajl”. Të dy politikanët u gjykuan por u shpallën të pafajshëm nga Tribunali i Hagës.

Muhaxheri vlerëson se ka një ndasi të qartë konceptuale ndërmjet dy blloqeve opozitare, Vetëvendosje në njërën anë, dhe AAK dhe Nisma në tjetrën.

“Identitetin e saj politik, Vetëvendosje e ka krijuar duke kritikuar pushtetin politik qendror [ndërsa] Aleanca dhe Nisma kanë qenë në pushtet; ata e dinë pak a shumë sesi funksionon sistemi dhe cilat janë kompromiset nëse dëshiron të jesh pjesë e sistemit apo te mbijetosh”, tha Muhaxheri.

Pa rrugëdalje?

“Protestat paqësore janë të mira. Edhe miqtë e tanë e thanë këtë; kjo është edhe një arsye që qytetarët me na u bashku”, tha Haradinaj të mërkurën në një konferencë të përbashkët me partitë e tjera opozitare.

Kjo deklaratë e liderit opozitar erdhi një ditë pas vizitës së Sekretarit amerikan të shtetit, i cili tha se Kuvendi “nuk është vendi ku duhet të hidhet gazi lotsjellës apo edhe të bëhen kërcënime”.

Kerry u zotua se SHBA-të nuk do të mbështesnin marrëveshje të cilat do ta rrezikonin sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës. Thirrjet e Kerry-t për shmangie nga dhuna dhe nisjen e dialogut mes palëve jehojnë deklarata të ngjashme nga Britania, Franca dhe Italia.

“Opozitës i është imponuar edhe gjetja e një alternative, sepse realisht [me vizitën dhe deklaratat e Kerry-t], plani i tyre nuk ka gjasa të ketë sukses, sepse ka kundërshtarë që kanë peshë globale. Është e pamundur që pa një aprovim nga BE dhe Uashingtoni, të anulohen këto marrëveshje”, theksoi Muhaxhiri.

Protestat e fillim-vitit të opozitës panë mijëra mbështetës të vërshonin rrugëve të Prishtinës, ndërsa aksionet e dhunshme e muajve të fundit kanë numëruar nga disa dhjetëra deri në pak qindra syresh.

Ndërsa AAK dhe Nisma mund të eksplorojnë alternativa paqësore, ato duhet të shkelin zotimet e tyre të mëparshme për t’i ndalur marrëveshjet e Brukselit me çdo mjet, dhe rrezikojnë të shihen si dezertorë.

Vetëvendosje është në një pozitë më të vështirë. Me një mbështetje publike të zbehur në terren dhe dezertim të mundshëm nga radhët e opozitës, qasja e saj agresive mund të rezultojë joefikase.

Por të heqë dorë nga dhuna pavarësisht “interesit madhor” – siç e ka quajtur lëvizja – mund të mos jetë një alternativë e mundshme, duke qenë se kundërshtimi i dhunshëm i marrëveshjeve të Brukselit u lajmërua ende pa u tharë nënshkrimi i Isa Mustafës mbi to.

Disa deputetë të Vetëvendosjes, përfshi themeluesin dhe liderin veteran Kurti, ndodhen pas hekurash, dhe autoritetet kanë lëshuar fletë arreste për të tjerë politikanë të lëvizjes. Dhjetëra aktivistë të saj, gjithashtu janë arrestuar, ndërsa hetimet e autoriteteve vazhdojnë.

“Në fakt, çka është e pakuptueshme është se nuk kanë pasur një plan B, një alternativë, një strategji dalëse”, tha Muhaxhiri.

Ora e opozitës

Analisti Mushkolaj beson se nëse Haradinaj është i vendosur të dalë nga hija e Vetëvendosjes, dhe nëse Limaj e ndjek, atëherë llogorja e opozitës do t’i mbetet vetëm Vetëvendosjes.

“Çfarëdo lëvizje e opozitës mund të çojë deri te një zgjidhje, por mund edhe mos ta zgjidhë problemin. Por kjo mund të kthehet edhe si bumerang që situata të përkeqësohet edhe më shumë, varësisht nga planet e Vetëvendosjes, por kjo e zbeh opozitën e bashkuar”, tha Mushkolaj, duke sugjeruar se nëse dezertohet nga aleatët e saj, Vetëvendosje mund të bëhet edhe më e ashpër në taktikat e saj.

Muhaxhiri nga ana tjetër, vlerëson se topi nuk është vetëm në fushën e opozitës, dhe thotë se qeveria duhet të bëjë oferta më konkrete për ta përfshirë opozitën në draftimin e ligjeve sensitive.

“Duhet të ketë një normalitet politik sepse pa këtë normalitet, nuk mund të ketë asgjë. Edhe shumica duhet të tërhiqet nga shpërfillja e opozitë, por edhe opozita duhet të heqe dorë nga qëndrimet maksimaliste”, tha ai.

Ndërsa protestat e shpallura nëpër komunat e Kosovës, deri më tash po rezultojnë paqësore, është e paqartë nëse opozita do të mundohet të ndalë seancën e ardhshme të Kuvendit duke përdorur taktika të dhunshme, sikundër ka bërë në të kaluarën.

Të premten, në një intervistë ekskluzive nga arratia për KALLXO.com, sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, tha se nuk do të ndaleshin nga kundërshtimi i marrëveshjeve, derisa të arrestoheshin të gjithë.

Seanca e ardhshme e Kuvendit ende nuk është lajmëruar se kur do të mbahet – dhe kur të vijë dita, mund të jetë më e qartë nëse ndonjë nga forcat e opozitës ka vendosur të ndahet rrugës.