Foto: Denis Sllovinja

Opozita e ashpër me Qeverinë për deklarimet rreth arkivit të UÇK-së

Deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi rreth hapjes së arkivit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në dialogun me Serbinë, tash e disa ditë ka ngjallur kritika të shumta në vend.

Pas takimeve në nivel të ekspertëve në Bruksel mes Kosovë dhe Serbisë, Bislimi në një konferencë për media javën e kaluar në Prishtinë, tha se pala serbe është dakorduar që të hapen të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe arkivat e Kosovës për UÇK-në.

Pak ditë më vonë, zyrtari qeveritar kërkoi ndjesë për siç tha, ‘shqetësimin e krijuar’ nga deklarata e tij paraprake.

“Kërkoj ndjesë për shqetësimin e krijuar gjatë ditës së djeshme dhe të sotme nga keqinterpretimet  e dëmshme, qëllimkeqe dhe të turpshme, por të sinkronizuara shumë mirë, të eksponentëve të caktuar politik, të deklaratave të mia nga konferenca për media e organizuar me qëllim të informimit tuaj rreth tematikave të shtjelluara në Bruksel më 7 dhe 8 shtator”, shkroi Bislimi në Facebook.

Ai ka shtuar se të gjitha dokumentet rreth UÇK dhe aktivitetit të saj, janë pjesë e arkivit shtetëror të Kosovës.

Për këtë çështje së fundi është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se Kosova ka arkivat e saj përfshirë ato të UÇK-së.

Kurti mes tjerash ka thënë se janë transparent po që sipas tij duhet zbardhur fati i të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë dhe të hapen arkivat në Beograd.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë, të cilat i përfshijnë edhe ato gjatë luftës dhe të gjitha dëshmitë dhe materialet që janë të UÇK-së. Ne jeni shumë të hapur e transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të pagjeturve. I kemi edhe 1,630 dhe për këtë duhet t’i hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet në Kosovë, varrosjet e atyre të vrarëve në masakra, pastaj varrosjet në Serbi e zhvarrosjet prej andej nuk janë bërë nga qytetarët serbë por janë bërë nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuar. Të gjitha këto duhet të hapen një orë e më parë”, tha ai të hënën.

“Kosova që nga viti 1999 e këndej ka qenë nën administrim ndërkombëtar, kemi pasur UNMIK-un, EULEX-in, e kemi pasur Tribunalin e Hagës, pra vend më transparent e më të hapur, jo vetëm për arkiva, se Kosova nuk ka. Ajo që duhet të hapet është Serbia”, shtoi Kurti.

Në anën tjetër partitë opozitare në Kosovë i kanë quajtur të papranueshme dhe të pabesueshme deklarimet e palës kosovare rreth UÇK-së.

Tahiri: Qeveria e Kosovës po transmeton diskursin e Serbisë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po e transmeton diskursin e Serbisë në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Është e pabesueshme që diskursi i zhvilluar në Beograd në këto dy vitet e fundit në raport me luftën e UÇK-së dhe një diskurs që çon drejt akuzave që ata kanë drejtuar në vazhdimësi ndaj krerëve të ish-krerëve të UÇK-së, tash ai diskurs po zhvendoset nga Beogradi në Bruksel dhe nga takimet e Brukselit po vjen në Prishtinë nga kryeministri dhe zëvendësi i tij”, tha ai të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Tahiri shtoi se Kosova nuk ka çfarë të fshehë, “por në anën tjetër ne nuk lejojmë që të bijmë në diskursin e Serbisë që flet në gjuhën e tyre për UÇK-në”.

Gashi: Qeveria të angazhojë ekspertë të drejtësisë tranzicionale

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se tema e arkivave është delikate dhe kërkon trajtim profesional.

“Çështja e arkivave është çështje shumë delikate, kërkon vëmendje jashtëzakonisht të veçantë dhe trajtim profesional. Çështja e arkivave, nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por është më gjithëpërfshirëse dhe kërkon angazhim të ekspertëve dhe unë mendoj që duhet të angazhohen ekspertë sidomos ata që merren me drejtësi tranzicionale, për të parë që mos me prodhu më shumë probleme sesa zgjidhje”, theksoi ai.

Gashi i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që të angazhojë ekspertë që merren me drejtësinë tradicionale dhe ata të trajtojnë këto tema siç tha ai, në mënyrë profesionale.

Tahiri: Nuk ekzistojnë arkiva të UÇK-së, Qeveria të jetë e kujdesshme

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme për deklarimet rreth luftës së UÇK-së.

Ai ka shtuar se nuk ekzistojnë arkiva të UÇK-së.

“Janë disa tema të këtij vendi, të këtij kombi që lidhen me historinë tonë të lavdishme, ajo histori është lufta për liri, luftë e cila është vlera më e madhe kombëtare e këtij vendi ndër shekuj. Duke qenë se është kështu, duhet të kemi shumë kujdes, në veçanti Qeveria e Kosovës duhet të ketë saktësi se çka flet për këtë temë. Janë disa tema si drejtësia, lufta për liri ku s’ka reciprocitet, janë disa tema me të cilat nuk duhet të eksperimentohet për shkak se Serbia tash e 20 vjet eksperimenton me to”, tha ai të hënën.

Sipas zyrtarit të AAK-së, të hapen arkiva që nuk ekzistojnë, është një gabim substancial.

“Këtu dihet një e vërtetë: Ai që ka qenë në këtë vend, që ka jetuar këtu e din arkivën e UÇK-së e të lirisë. 1 milion shqiptarë janë përzënë [dëbuar] prej Kosovës, 13 mijë njerëz janë vrarë, gjatë bombardimeve krejt popullata lëvizi. Të hapen arkiva që nuk ekzistojnë, së paku ne s’e dijmë që ekzistojnë, është një gabim substancial. Nuk është marre me kërku falje, me thënë më falni është gabim”, u shpreh ai.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, ndërkaq më 15 qershor 2021, për herë të parë sy më sy janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ku kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, me arsyen se “nuk ka përparim të mjaftueshëm e të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”.