Operimi i dyshimtë i trenit rekreativ të Agim Bahtirit

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri me 3 gusht e kishte bërë një xhiro nëpër qytet me trenin rekreativ.

Bahtiri kishte shkruar se “qyteti ynë është bërë me tren rekreativ, që është njëri prej shumë projekteve që po i realizojmë në vazhdimësi për ta bërë Mitrovicën qytetin më atraktiv në Kosovë”.

Tri javë pasi qyteti i Mitrovicës është bërë me tren, komuna e Mitrovicës ka thënë se në fakt trenin as nuk e kanë blerë e as nuk e kanë marrë me qira.

KALLXO.com pyetjet për trenin rekreativ i kishte dërguar me 4 gusht, mirëpo përgjigjet i ka pranuar vetëm me datën 26 gusht apo pas 22 ditëve.

Është kërkuar sqarime nga Komuna se kush ka vendosur që çmimi për biletë të jetë 0.50 euro si dhe kush i merr këto para, mirëpo komuna e Mitrovicës së Jugut nuk ka dhënë përgjigje.

Në përgjigjen e komunës së Mitrovicës që drejtohet nga Agim Bahtiri thuhet se treni është marrë në provë.

“Komuna e Mitrovicës nuk ka iniciuar as nuk ka zhvilluar ndonjë procedurë të prokurimit për blerjen ose marrjen me qira të këtij treni. Treni fillimisht ka ardhur vetëm si test për t’u provuar se si do të pritet nga ana e qytetarëve dhe cili do të jetë mendimi i qytetarëve për qarkullin e këtij treni në qytet”, thuhet në përgjigjen e Komunës për KALLXO.com

Komuna ka thënë se ‘pas mirëpritjes’ se trenit nga qytetarët, Komuna do të vendos me procedurat për marrjen e shërbimeve me tren në qytetin e Mitrovicës. Përkundër faktit që treni tashmë është në qarkullim në Mitrovicën e Jugut, kjo komunë thotë se procedurat do të jenë transparente dhe konkurruese.

“Pas mikpritjes se këtij treni nga ana e qytetareve si një atraksion në qytetin tonë, Komuna e Mitrovicës do të vendos me procedurat për marrje të shërbimeve me tren në qytetin e Mitrovicës, të cilat procedura do të jenë të hapura dhe transparente për OE, ku do të kenë mundësinë e konkurrimit në këtë procedurë, gjithherë duke i respektuar rregullat në bazë të legjislacionit të komunës që janë në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës së Jugut.

KALLXO.com ka dërguar pyetje shtesë në adresë të Komunës së Mitrovicës së nga kush është marrë si ‘test’ treni rekreativ dhe është në pritje të përgjigjes.

Treni rekreativ me katër vagonë ishte vënë në lëvizje me tre gusht për të gjithë grup moshat e qytetarëve.

Ky tren lëviz nga sheshi kryesor i qytetit deri tek Liqeni Akumulues ndërkaq nisja është çdo dy orë. Ndërkaq një biletë kushton 50 cent.