“OKB, e Padrejtë Ndaj Kosovës”

Vetëvendosje thotë se me të filluar shkrimin e parullës, pa kurrfarë paralajmërimi dhe me gjithë faktin që dukej qartë që aktivistët thjeshtë do të shkruajnë një parullë, policët e Kosovës intervenuan “në mënyrë të shfrenuar” ndaj aktivistëve.

“Ata hodhën prej lotsjellës në mënyrë të pakontrolluar, goditën aktivistët me grushte dhe ofendonin pandërprerë. Edhe pasi aktivistët e shkruan parullën, policia insistonte në të njëjtën mënyrë të shfrenuar t’i arrestonte ata”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes, shpërndarë mediave pas aksionit.

Gjatë këtij intervenimit, VV thotë se shumë aktivistë të saj lënduan nga spreji lotsjellës, ndërsa aktivisten Krenare Krasniqi, policia e përplasi për toke, duke ia lënduar kokën.

Pamje nga intervenimi i policisë | Foto: VV

“OKB-ja nuk ka qenë e drejtë ndaj Kosovës. Për këtë arsye ne sot shkruam në murin e UNMIK-ut,“UNFAIR”, për t’i treguar edhe sekretarit të përgjithshëm të OKB së ne nuk e pranojmë qëndrimin diskriminues nga kjo organizatë e cila u themelua sipas parimit të Barazisë së kombeve, popullin shqiptar të Kosovës nuk e konsideron si të tillë”, thekson Vetëvendosje.

Sipas këtij subjekti politik parlamentar,  UNMIK-u nuk e njeh Republikën e Kosovës – ai e njeh veç Beogradin; mes tjerash ka investuar në ndarjen e Kosovës; nuk ka ndihmuar zhvillimin ekonomik të Kosovës; e ka filluar procesin e privatizimit kriminal që e la Kosovën pa pasuri publike; UNMIK-u i ka vrarë 2 dhe i ka plagosur 82 demonstrues paqësorë më 10 shkurt 2007 – dhe askush nuk u dënua.
 
“Dhe më së fundi, kryetari i asamblesë së OKB-së ka paraqitur 6 pikat famëkeqe për vendin tonë, që na kthejnë hapa pas në rrugën tonë për pavarësi”, thekson VV.
 
Por, aktivistët e Vetëvendosjes theksojnë se populli i Kosovës është i vendosur për pavarësi, në emër të sakrificave e përpjekjeve të së shkuarës, në emër të kërkesës së panegociueshme për drejtësi, në emër të së drejtës universale për të qenë të barabartë me krejt popujt e botës, si dhe në emër të së drejtës për vetëvendosje.