OKB e akuzon Kinën për 'krime kundër njerëzimit' ndaj Ujgurëve

Pak minuta para përfundimit të mandatit të saj të mërkurën, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut hodhi poshtë një raport dënues mbi trajtimin e Kinës ndaj ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane, raporton CNN.

Raporti, i cili përfshin intervista me dhjetëra anëtarë të pakicave etnike, thotë se veprimet e qeverisë kineze në rajonin veriperëndimor të Xinjiang mund të përbëjnë “krime kundër njerëzimit”.

Këto pretendime nuk janë të reja. Pesë vjet më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit akuzoi Kinën se po i mbante deri në 2 milionë ujgurë dhe pakica të tjera etnike në kampet e paraburgimit, ndërkohë që raporti i vitit kaluar shkoi aq larg sa këto pretendime i quajti gjenocid.

Megjithatë, ky raport vlen të përmendet sepse, ndërkohë që OKB-ja ka deklaruar se raportet e internimit masiv ishin “të besueshme” në vitin 2018, pak veprime konkrete janë ndërmarrë nga organi ndërkombëtar për të adresuar këtë çështje.

Kina ka mohuar në mënyrë të përsëritur dhe ashpër akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rajon dhe e ka dënuar raportin e OKB-së të mërkurën si “të bazuar në dezinformatat dhe gënjeshtrat e fabrikuara nga forcat anti-kineze”.

Cili është raporti?

Raporti prej 45 faqesh ishte oferta përfundimtare nga Michelle Bachelet, Shefja e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), mandati i së cilës përfundoi në mesnatë sipas orës lokale të Gjenevës.

Bachelet premtoi ta dorëzonte raportin pas vizitës së saj të diskutueshme në Kinë në fillim të këtij viti, ku ajo u bë Komisionerja e parë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut që udhëtoi në këtë vend aziatik për të folur me zyrtarë të lartë të qeverisë.

Mirëpo disa grupe të të drejtave të njeriut e akuzuan Bachelet për sjellje të butë ndaj Pekinit, duke thënë se kushtet e vendosura nga Kina për vizitën nuk lejonin një vlerësim të plotë dhe të pavarur të mjedisit të të drejtave.

Raporti u vonua gjithashtu disa herë, me disa të shqetësuar se nuk do të publikohej asnjëherë mes presionit nga një Kinë e zemëruar.

Çfarë thuhet në raport?

Raporti përmban akuza rrëqethëse të dorës së parë për abuzime të të drejtave të njeriut bazuar në intervistat me 40 persona të etnive ujgure, kazake dhe kirgize, 26 prej të cilëve ose ishin ndaluar ose kishin punuar në objekte në Xinjiang.

Disa të intervistuar thanë se ishin rrahur me shkopinj ndërsa ishin të lidhur në një karrige, i kishin marrë në pyetje ndërsa u derdhnin ujë në fytyrë, i kishin vendosur në izolim të zgjatur, i kishin vëzhguar vazhdimisht, i kishin privuar nga gjumi dhe ushqimi, i kishin ndaluar të flisnin gjuhën e tyre ose të praktikonin fenë e tyre dhe i kishin detyruar të këndojnë këngë patriotike.

Disa folën për dhunën seksuale duke përfshirë përdhunimin, poshtërimin seksual dhe lakuriqësinë e detyruar. Shumë prej tyre thanë se iu kanë dhënë me forcë injeksione dhe pilula, pa informacion se cilat ishin trajtimet mjekësore.

Krahas intervistave, raporti citon gjithashtu informacione nga dokumentet publike, materialet kërkimore dhe dokumentet e politikave të vetë qeverisë kineze.

A ka akuza të tjera ndaj Xinjiang?

Raporti kritikoi gjithashtu goditjen më të madhe të qeverisë kineze ndaj pakicave etnike.

Rregulla të reja ishin futur përmes të cilave ndaloheshin aktivitete të tilla si mbajtja e hixhabeve dhe mjekrës “jonormale”, vendosja e fëmijëve emra myslimanë dhe mbyllja e restoranteve gjatë Ramazanit, thuhet në raport.

Rregulla të tjera kërcënuan diversitetin gjuhësor dhe trashëgiminë e popullsisë, me autoritetet që ndaluan përdorimin e gjuhës ujgure në tekste dhe slogane arsimore, si dhe në aktivitete publike, shtoi ai.

Raporti gjithashtu rendit shkeljet e supozuara të të drejtave riprodhuese në Xinjiang, ku thotë se nivelet e lindjeve të pakicave etnike kanë rënë ndjeshëm “në krahasim me pjesën tjetër të Kinës”.

Disa të intervistuar folën për kërcënimin e kontrollit të detyruar të lindjes, duke përfshirë sterilizimin e detyruar.

Raporti përshkruan gjithashtu rrjetin e supozuar “invaziv” të vëzhgimit të Kinës, me bazat e të dhënave të policisë që përmbajnë qindra mijëra skedarë me të dhëna biometrike si skanimet e fytyrës dhe të syrit, për të cilat thuhet se tregojnë “mbikëqyrje të gjerë të “popullsisë gjuhësore etnike”.

Çfarë rekomandon OKB-ja?

OHCHR i bën disa rekomandime qeverisë kineze në raport, duke përfshirë lirimin e individëve të arrestuar në mënyrë arbitrare dhe sqarimin e vendndodhjes së individëve të zhdukur.

Ai gjithashtu i kërkon qeverisë ta frenojë mbikëqyrjen e saj në mënyrë që të mos i cenojë të drejtat dhe liritë themelore dhe të sigurojë dëmshpërblime për viktimat.

OHCHR gjithashtu bën thirrje për vëmendje urgjente nga “organet ndërqeveritare të Kombeve të Bashkuara dhe sistemi i të drejtave të njeriut, si dhe komuniteti ndërkombëtar më gjerësisht”.

Çfarë thotë qeveria kineze?

Kina iu përgjigj raportit me dokumentin e saj prej 131 faqesh, duke thënë se hetimi i OKB-së i “shtrembëron” ligjet dhe politikat e Kinës.

“Të gjitha grupet etnike, përfshirë ujgurët, janë anëtarë të barabartë të kombit kinez”- thuhet në përgjigjen e Kinës.

Xinjiang ka ndërmarrë veprime për ta luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin në përputhje me ligjin, duke frenuar në mënyrë efektive shfaqjet e shpeshta të aktiviteteve terroriste.

“Aktualisht, Xinjiang gëzon stabilitet social, zhvillim ekonomik, prosperitet kulturor dhe harmoni fetare. Njerëzit e të gjitha grupeve etnike në Xinjiang po jetojnë një jetë të lumtur në paqe dhe kënaqësi”- thuhet në dokument.

Misioni i Kinës në OKB në Gjenevë shprehu gjithashtu “pakënaqësi të fortë” me diplomatin e lartë Liu Yuyin, duke e akuzuar Komisionerin e Lartë se “ka njollosur dhe shpifur Kinën, ka ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës, ka shkelur rëndë qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së”.

Qeveria kineze pohon se qendrat e saj të ashtuquajtura “arsimi profesional” janë mbyllur që nga viti 2019.

Raporti i OKB-së tha se “nuk është në gjendje ta konfirmojë këtë”, duke përmendur mungesën e informacionit zyrtar ose qasjen e hapur për të hyrë në atë rajon.

A është me rëndësi ky raport?

Raporti i OKB-së nuk ka asnjë bazë ligjore dhe nuk ka gjasa të shkaktojë ndonjë ndryshim apo lëshim të rëndësishëm nga Pekini, i cili i ka injoruar vazhdimisht vendimet e organeve ndërkombëtare në të kaluarën.

Megjithatë, aktivistët dhe ujgurët jashtë shtetit e kanë mirëpritur raportin si një hap simbolik dhe një nivel të ri njohjeje nga OKB-ja të shkeljeve të të drejtave të njeriut të pretenduara në Xinjiang. Disa shpresojnë se raporti mund të veprojë si një thirrje ndërkombëtare alarmi.

Por ajo që pason tash e tutje është e paqartë; edhe nëse shumica e vendeve brenda Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut do të votonin për ngritjen e një hetimi zyrtar, nuk ka asnjë mekanizëm për ta detyruar Kinën të respektojë atë./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala