OECD: Ekonomitë e shteteve kryesore po rrëshqasin në recesion

Ekonomitë kryesore të botës po rrëshqasin në recesion pasi krizat globale të energjisë dhe inflacionit të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës e kanë ulur rritjen ekonomike  me më shumë se sa ishte parashikuar më parë, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Një varësi nga gazi i shtrenjtë për industrinë e rëndë dhe ngrohjen e shtëpive do të zhysë Gjermaninë, Italinë dhe Britaninë e Madhe në një periudhë të gjatë recesioni pasi rritja globale ishte parashikuar nga OECD të ngadalësohej në 2.2% në vitin 2023 nga një parashikim në qershor prej 2.8%.

Me ekonominë globale që duhet të rritet me rreth 4% për ta mbajtur ritmin me rritjen e popullsisë, OECD thotë se të ardhurat për kokë do të jenë më të ulëta në shumë vende.

Kryeekonomisti i përkohshëm i OECD-së, Álvaro Pereira, thotë se bota po paguan një çmim të lartë për luftën në Ukrainë dhe vendimin e Rusisë për të kufizuar qasjen në furnizimet me gaz më fort se sa ishte parashikuar në qershor.

Ai tha se qeveritë do të duhet t’i inkurajojnë familjet dhe bizneset që ta reduktojnë konsumin e gazit dhe naftës për të ndihmuar në përballimin e një dimri të vështirë.

Pereira mbështeti gjithashtu vendosmërinë e bankave qendrore për ta ulur inflacionin duke i rritur normat e interesit. 

Norma e rritjes së Kinës pritet të bjerë këtë vit në 3.2% – më e ulëta që nga vitet 1970 – duke shkaktuar një rënie të madhe të tregtisë me fqinjët Korenë e Jugut, Vietnamin dhe Japoninë, duke zvarritur kapacitetin e tyre për t’u rritur.

Një rimëkëmbje në Kinë vitin e ardhshëm në 4.7% do të jetë më e dobët se sa pritej, thotë raporti i OECD, pasi Pekini përballet me tregun e pronave dhe sektorin bankar të rënduar nga borxhet e mëdha.

Megjithatë, forumi i politikave me bazë në Paris ishte më i alarmuar nga perspektiva në të gjithë Evropën, e cila është e ekspozuar më drejtpërdrejt ndaj pasojave nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

OECD parashikoi se rritja e PBB-së në Mbretërinë e Bashkuar do të ishte e sheshtë në vitin 2023. Megjithatë, ky parashikim nuk merr parasysh masat e shpallura në mini-buxhetin e kancelarit Kwasi Kwarteng të premten.

OECD parashikoi një rënie të rritjes në eurozonë nga 3.1% këtë vit në vetëm 0.3% në vitin 2023, që do të thotë se shumë vende në bllokun e monedhës 19-anëtareshe do të kalojnë të paktën një pjesë të vitit në recesion. Një recesion përkufizohet si dy tremujorë të drejtpërdrejtë të tkurrjes.

Franca mund t’i shpëtojë një recesioni nëse shënon një rritje me 0.8% vitin e ardhshëm, siç parashikohet nga OECD, por do të vuajë së bashku me vendet e tjera evropiane pas uljes së rritjes së PBB-së që nga qershori prej 1.3 pikë përqindjeje.

Rusia do të tkurret me të paktën 5.5% këtë vit dhe 4.5% në vitin 2023. Varësia e Berlinit nga gazi rus përpara pushtimit do të thotë se ekonomia gjermane do të tkurret me 0.7% vitin e ardhshëm, nga një vlerësim i qershorit prej 1.7% rritje.

OECD paralajmëroi se ndërprerjet e mëtejshme të furnizimit me energji do ta godasin rritjen dhe do ta nxisnin inflacionin, veçanërisht në Evropë, ku mund të ulnin aktivitetin me 1.25 pikë përqindje të tjera dhe ta rrisin inflacionin me 1.5 pikë përqindje, duke i shtyrë shumë vende në recesion për vitin e plotë të 2023.

Prodhimi global vitin e ardhshëm parashikohet të jetë 2.8 trilionë dollarë më i ulët se parashikimi i OECD-së përpara se Rusia ta sulmonte Ukrainën – një humbje e të ardhurave globale ekuivalente me ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar.

“Ekonomia globale e ka humbur vrullin pas luftës së paprovokuar, të pajustifikueshme dhe të paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Rritja e PBB-së ka ngecur në shumë ekonomi dhe treguesit ekonomikë tregojnë për një ngadalësim të tejzgjatur”, tha sekretari i përgjithshëm i organizatës, Mathias Cormann.

Një rishikim i perspektivës për SHBA-në zbuloi se ndërsa ka të ngjarë të rritet ngadalë këtë vit dhe të jetë në recesion për një pjesë të vitit 2023, SHBA ishte më pak e varur se vendet e tjera nga energjia nga Rusia ose burime të tjera, duke i dhënë mundësinë për një rimëkëmbje të fortë në vitin 2024.

OECD parashikon se ekonomia më e madhe në botë do të ngadalësojë rritjen ekonomike nga 1.5% këtë vit në vetëm 0.5% vitin e ardhshëm, nga parashikimet e qershorit për 2.5% në vitin 2022 dhe 1.2% në vitin 2023.

Zyrtarët e Bankës Botërore u kanë bërë thirrje bankave qendrore që të përmbahen nga rritjet konkurruese të normave që do ta shtyjnë ekonominë globale në recesion dhe do t’i dëmtojnë më shumë ekonomitë e vendeve në zhvillim.

Megjithatë, OECD thotë se nevojiten rritje të mëtejshme të normave për ta luftuar inflacionin, duke parashikuar që normat e politikës së shumicës së bankave qendrore të mëdha do të arrijnë të paktën 4% vitin e ardhshëm./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala