
Oborri i Devollit
Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës ka ndërruar disa herë kushtet ndërtimore, vendime që ia mundësuan bizneseve në të cilat ka aksione Blerim Devolli, të zgjerojnë qendrën tregtare “Central Park” që gjendet në Zonën Industriale të Prishtinës.
Për këtë Qendër Tregtare, leja e parë e ndërtimit ishte lëshuar bazuar në kërkesën e bërë nga bashkëpronarët: Blerim Devolli, biznesmeni nga Peja dhe kompania “Ndërmarrja e Re Amortizatorët – Ndërtesa e Administratës” dhe kompanisë “Faico Sh.p.k”.
Biznesi “Ndërmarrja e Re Amortizatorët – Ndërtesa e Administratës”, sipas të dhënave të ARBK-së është në pronësi të kompanisë tjetër Abrazen L.L.C. me Lekë Sahatçiun si drejtor menaxhues. Pronar i kompanisë Abrazen L.L.C. në ARBK figuron kompania Abrazen Ltd, me bazë në Maltë. Në Regjistrin e Bizneseve në Maltë, Abrazen Ltd figuron se është në pronësi të Jona Devollit. Ndërsa në “Faico Sh.p.k”, sipas të dhënave në ARBK figurojnë bashkëpronarë Blerim Devolli (30% të aksioneve) dhe Astrit Haxhismajli (70% të aksioneve).
KALLXO.com, pas një hulumtimi disa mujorë, ka gjetur se kushtet ndërtimore të caktuara në vitin 2019-të që ishin bazë për lejen e lëshuar në vitin 2020-të, ishin ndryshuar disa herë nga Drejtoria e Urbanizimit. Përmes këtyre vendimeve ishte ndryshuar sipërfaqja e ndërtimit por edhe e parcelës dhe në fund është dhënë leja për zgjerim të kësaj Qendre Tregtare.
Për rritjen e sipërfaqes së ndërtimit, tashmë ka një kontest gjyqësor në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pasi kjo e fundit, bazuar në një ankesë të dorëzuar nga grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës të anulojë vendimin për ricaktim të kushteve ndërtimore që ju mundëson biznesve në të cilat ka aksione Blerim Devolli të zgjerojnë Qendren Tregtare “Central Park”.
Dyshimet për konflikt të mundshëm të interesit
Hulumtimi zbardh fakte për konflikt të mundshëm të interesit, pasi ish-drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki që e ka nënshkruar vendimin e parë për ricaktim të kushteve ndërtimore, ishte aksionar në kompaninë “G+A Architect”, e cila e ka bërë projektin fillestar të kësaj Qendre Tregtare.
Në vitin 2019-të, kur ishte marrë leja e parë për kushtet e ndërtimit për këtë Qendër Tregtare, Arbër Sadiki ishte aksionar në kompaninë “G+A Architect”, e cila e kishte hartuar projektin për kompanitë në të cilat aksione kishte dhe Blerim Devolli.
Në lejen e lëshuar nga Komuna e Prishtinës në vitin 2020 thuhet se ‘faza e arkitekturës’ është punuar nga Arbër Sadiki.
Komuna e Prishtinës e ka pranuar për KALLXO.com se kompania në të cilën kishte aksione Sadiki, para se të bëhej drejtor, e kishte hartuar projektin fillestar për “Central Park”.
Sadiki ka mbajtur aksione në këtë kompani deri në marrjen e mandatit në pozitën e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinë në vitin 2022. Në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në dy vitet e fundit, 2023 dhe 2024, Sadiki më nuk ka deklaruar të ketë aksione në këtë kompani.
Gati katër vite më pas, Sadiki ishte në pozitën e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kur ishte bërë kërkesa për “Ri-caktim” të kushteve ndërtimore për Central Park, në të cilën aksione ka Blerim Devolli.
Vendimi i parë për ricaktim të kushteve ndërtimore i datës 24.07.2023 ishte nënshkruar nga Arbër Sadiki, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Komuna e Prishtinës kishte marrë edhe dy vendime të tjera për të njëjtën lëndë, por ato ishin nënshkruar nga dy zyrtarë tjerë: Ergyn Hajredini, si zyrtar i Urbanizmit, dhe Nazife Krasniqi, si udhëheqëse e sektorit brenda Drejtorisë së udhëhequr nga Arbër Sadiki, deri në korrik të viti 2024.
Komuna e Prishtinës thotë se në kohën e ri-caktimit të kushteve ndërtimore dhe lejes ndërtimore, hartimin e dokumentacionit ndërtimor/projektin kryesor e ka realizuar “N.SH. Alko-H sh.p.k.” nga Prishtina me pronar Besmir Pula.
Përveç kësaj, Komuna e Prishtinës thotë se, bazuar në Nenin 27 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, “përgjegjësia për procedurën dhe vendimmarrjen i bie zyrtarit përgjegjës, në këtë rast të zyrtarit që e trajton lëndën, e jo të drejtorit”.
Arbër Sadiki, që ka udhëhequr me Drejtorinë e Urbanizmit nga janari 2022-tës, deri në korrik 2024, e tash është drejtor i Planifikimit Hapësinor, thotë se nuk ka qenë në konflikt të interesit.
“Nuk kam konflikt interesi në diçka që kam punu para 4-5 viteve… Sa i përket konfliktit të interesit, kjo punë është sqaru, ekziston një vendim nga Agjencia Kundër Korrupsiont, i cili e ka mbyllë këtë temë dhe thotë se ‘drejtori nuk ka as përgjegjësi vendimmarrëse kur pala aplikon, nuk mund të quhet fare konflikt interesi dhe po të jetë brenda afatit që e parasheh ligji e lëmë këtu që bëhet fjalë për një kohë tjetër”- tha Sadiki.
Më 26.12.2024 KALLXO.com e ka kërkuar nga Sadiki vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që ai i është referuar, por nuk e ka dërguar atë vendim dhe vetëm e ka kthyer një përgjigje me email.
“Sipas ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative lëndët të cilat trajtohen me kërkesë të palës (në këtë rast kërkesa e palës për Kushte Ndërtimore dhe kërkesa për Leje Ndërtimore), drejtori i Drejtorisë nuk ka kurrfarë mandati vendimmarrës, por zyrtari përgjegjës i lëndës. Përpos së parës, në rastin konkret as Vendimi për ri-caktim të kushteve ndërtimore, i datës 21.01.2024 (gjeni të bashkangjitur) e as Vendimi për Lejen Ndërtimore (gjeni të bashkangjitur) nuk janë nënshkruar nga ana ime fare”- ka thënë Sadiki për KALLXO.com, në një përgjigje dhënë më datë 26.12.2024.
Fillimisht më 27.09.2024 dhe më pas edhe më 19.12.2024, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (ish-Agjencia Kundër Korrupsion), dhe më pas e ka kërkuar edhe vendimin të cilin i referohet Sadiki, por deri në publikim të këtij shkrimi as kjo Agjenci nuk ka kthyer përgjigje.
Në listën e opinioneve të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit figuron një vendim në të cilin është konstatuar se Arber Sadiki nuk ishte në konflikt të interesit në tri raste të tjera, por asnjëra nuk ka të bëjnë me biznesin Central Park.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se “ka qenë e gjitha brenda rregullave ligjore”, kur është pyetur nëse drejtori Sadiki ishte në konflik të interesit.
Nga erdhën 4,223 metra katëror oborr?
KALLXO.com ka analizuar dhe krahasuar vendimet që janë marrë për ndërtimin e kësaj Qendre Tregtare dhe në to ka gjetur ndryshime të parcelave dhe sipërfaqes së ndërtimit, për të cilat në dokumente nuk janë dhënë shpjegime.
Ndryshimi i parë që bie në sy është rritja e sipërfaqes brenda vijës rregulluese. Në vendimin e datës 18.11.2019 për caktimin e kushteve ndërtimore, thuhet se totali i sipërfaqes brenda vijës rregulluese ka qenë 54,484 metra katror në kuadër të parcelës kadestrale 10315-0, e formuar nga bashkimi i parcelave kadastrale 1559-13, 1559-21 dhe 1559-22.
Kurse, në vendimin për ri-caktim të kushteve ndërtimore, të datës 28.07.2023, thuhet se sipërfaqja totale brenda vijës rregulluese është 58,707 m2 në kuadër të parcelës kadestrale 10315-0 [e formuar nga bashkimi i parcelave kadastrale 1559-13, 1559-21 dhe 1559-22].
KALLXO.com i ka analizuar dokumentet dhe në vendimin e 2023-tës nuk është përmendur ndonjë parcelë e re (përveç parcelave që janë përmendur në vendimin e parë: 1559-13, 1559-21 dhe 1559-22) dhe as nuk janë dhënë shpjegime se nga kanë ardhur këto 42 ari. Kurse në vendimin e fundit nuk është shkruar fare se sa është sipërfaqja brenda vijës rregulluese.
Pra, që nga viti 2023 në vendimet për ricaktim të kushteve ndërtimore figuron sipërfaqja 58,707 m2, që është më e madhe për 4,223 metra katror apo rreth 42 ari krahasuar më atë të vitit 2019-të.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prishtinës dhe nga investitori për këta 42 ari shtesë në sipërfaqen totale dhe bashkimin eventual të ndonjë parceleje tjetër.
Investitori nuk është përgjigjur në tri palë pyetjet të dërguara më 27.08.2024, 19.11.2024 dhe më 11.12.2024.
Komuna e Prishtinës, pasi kemi dërguar disa herë pyetje e kërkesa për sqarim, në një përgjigje të dhënë më datë 06.12.2024, kanë sqaruar se rritja e sipërfaqes ka ardhur si rezultat i “harmonizimit të pjesës tekstuale dhe asaj grafike”.
Megjithatë, në përgjigjet e tyre, Komuna e Prishtinës nuk ka sqaruar se pse nuk është bërë ky harmonizim para se t’i lëshohen kushtet ndërtimore në vitin 2019-të.
“Parcelat kadastrale të lartcekura me sipërfaqe S=50,737 + 3,985 + 3,985=58,707m²… Sipas certifikatës së pronës, parcela kadastrale nr.10315-0 ZK Prishtinë, tani me sipërfaqe S=58,707m² (pas harmonizimit të pjesës tekstuale dhe asaj grafike)”- thuhet në sqarimet e Komunës së Prishtinës.
Lidhur me këtë përgjigje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, më 26.12.2024, mirëpo, deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
Çështja e shtimit të sipërfaqes brenda vijës rregulluese ishte pjesë e ankesës së asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që kishin bërë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga Liburn Aliu.
“Përderisa atëherë konstatohej se janë vetëm 54,484 m2 sipërfaqe totale brenda vijës rregulluese, tani kemi 58,707 m2 brenda vijës rregulluese”- thuhet në ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje të dërguar në tetor 2023 në MMPHI.
Ndryshimi i vazhdueshëm i sipërfaqes së ndërtimit
KALLXO.com ka analizuar vendimin e parë për caktimin e kushteve ndërtimore, si dhe disa vendime të tjera që janë marrë për ndryshim të këtyre kushteve ndërtimore dhe në to ka evidentuar ndryshim të sipërfaqes së ndërtimit, që është nga 258 metra katror e deri në 1,380 m2, kjo në vartësi të vendimit dhe kohës kur është marrë ai.
Në vendimin e datës 18.11.2019 për caktimin e kushteve ndërtimore, thuhet se në kuadër të parcelës me sipërfaqe prej 54,484 m2, janë planifikuar për ndërtim – objekte me sipërfaqe prej 24,126m2, sipërfaqe ndërtimore mbi tokë. Bazuar në këto kushte ndërtimore, Komuna e Prishtinës më 18.09.2020 ka marrë vendim për lejimin e ndërtimit të objektit pronarëve Blerim Devolli dhe Ndërmarrja e Re- Amortizatorët.
Bazuar në dokumentacionin ndërtimor/projektin kryesor të prezantuar, sipërfaqja e tërësishme-bruto ndërtimore e kompleksit me ndërtesa afariste është 26,848m2 (mbi tokë 25,849m2 dhe nën tokë 998m2).
Pra, në lejen ndërtimore të dhënë në vitin 2020 janë 1,723m2 ndërtim mbi tokë dhe 998m2 nën tokë (në total 2,722m2) më shumë se sa sipërfaqja e lejuar në kushtet ndërtimore të vitit 2019-të (24,126m2 ndërtim). Në lejen ndërtimore nuk janë dhënë sqarime për këtë rritje të sipërfaqes së ndërtimit.
Leja e lëshuar në vitin 2020-të ishte plotësuar dhe ndryshuar me vendimin (05 nr.351/02-62433/20) e datës 29.09.2021, duke u rritur sipërfaqen e ndërtimit në 29,615m2 (27,118m2 mbi tokë dhe 2,497m2 nën sipërfaqen e tokës). Pra, me këtë vendim janë shtuar edhe 2,767m2, prej të cilave 1,499m2 bodrum dhe 1,268m2 galeri.
Më 23.05.2023, bashkëpronarët, Blerim Devolli, Ndërmarrja e Re Amortizatorët- Ndërtesa e Administratës sh.p.k dhe “Faiko sh.p.k”, kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës ndryshim-plotësim dhe zgjerim të kushteve ndërtimore.
Komuna e Prishtinës më datë 28.07.2023, apo dy muaj më vonë, ia miraton kërkesën e Blerim Devollit dhe partnerëve të tij duke marrë vendim që quhet “ri-caktimi i kushteve ndërtimore”.
Në vendimin e datës 28.07.2023 për “ricaktim të kushteve ndërtimore”, thuhet se brenda vijës rregulluese me sipërfaqe prej 58,707 m2 do të ndërtohen objekte me sipërfaqe prej 52,137.50 m2, prej të cilave 20,094.30 m2 ishin ndërtime të reja dhe 32,043.30 ishin ndërtime aktuale.
Në këtë vendim është thënë se ndërtesat aktuale janë 32,043 m2, mirëpo nuk është shpjeguar se pse janë 2,428 m2 më shumë se në vendimin e vitit 2021 kur ishte ndryshuar leja ndërtimore dhe sipërfaqja totale e ndërtimit ishte 29,615 m2.
Në këtë vendim që quhet “ricaktim të kushteve ndërtimore” thuhet se prej 20,094 m2 ndërtime të reja parashihet që 8,869.30 m2 të jenë ndërtime mbi tokë dhe 11,225 m2 nën tokë.
Pas këtij vendimi, Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ishte ankuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në tetor të vitit 2023.
Ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu i Vetëvendosjes, më 22.11.2023 kishte marrë vendim në favor të ankesës së bërë nga Gëzim Sveçla, udhëheqës i grupit të asamblistëve të LVV në Prishtinë, duke e anuluar vendimin e Komunës së Prishtinës për ricaktim të kushteve ndërtimore, të datës 28.07.2023.
Dy muaj më vonë nga vendimi i Ministrisë, më 22.01.2024, Drejtoria e Urbanizmit nxjerrë një vendim të ri, në të cilin është përfshirë edhe një përshkrim i vendimit të MMPHI-së, si dhe ishin ri-caktuar edhe njëherë kushtet ndërtimore.
Në vendimin e datës 22.01.2024, totali i sipërfaqes së ndërtesave të reja është prej 21,246.40 m2, apo 1,152 m2 më shumë se sa në vendimin paraprak kur ishin 20,094.30 m2 ndërtime të reja.
Ndryshime kanë pësuar edhe objektet aktuale të ndërtuara bazuar në lejet paraprake, që në vendimin e dytë ishte thënë se janë 32,043.30 m2, ndërsa në vendimin e tretë të datës 22.01.2024, ndërtimet aktuale figurojnë me sipërfaqe prej 29,615.40 m2. Pra, brenda gjashtë muajve ka një ulje të sipërfaqes së ndërtimeve aktuale për 2,428 m2.
Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje sërish ishte ankuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastukturës.
MMPHI fillimisht, më 29.05.2024, ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prishtinës rreth vendimit për ri-caktim të kushteve ndërtimore. Më 10.07.2024, Ministria ka marrë një vendim të ri përmes të cilit e ka shpallur të paligjshëm “vendimin 05 Nr.350/02-244341/19 datë 22.01.2024 e Drejtorisë për Urbanizëm, Komuna e Prishtinës”.
Komuna e Prishtinës fillimisht ka iniciuar konflikt administrativ për anulimin e vendimit Nr A-44/24 të MMPHI-së i datës 10.07.2024, e më pas e ka tërhequr padinë me arsyetimin se Drejtoria e Urbanizmit ka nxjerrë një vendim të ri.
“Më 21.08.2024, Zyra Ligjore ka njoftuar Drejtorinë e Urbanizmit që të mos ndërmarrë asnjë veprim lidhur me këtë çështje derisa të merret një vendim nga Gjykata. Më 23.08.2024, Zyra Ligjore ka iniciuar një konflikt administrativ për anulimin e Vendimit Nr. A-44/24 të MMPHI-së dhe ka njoftuar Gjykatën se ka hequr dorë nga padia për Vendimin Nr. A-168/23, pasi që Drejtoria e Urbanizmit ka nxjerrë një vendim të ri”- ka thënë zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati për KALLXO.com.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim lidhur me këtë kontest dhe se “e njëjta do të trajtohet sipas strategjisë së KGJK-së”.
Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Prishtinës kanë vazhduar përballjen e tyre në muajt maj, korrik e gusht të vitit 2024, mirëpo KALLXO.com ka gjetur se Komuna e Prishtinës e ka zhvilluar një procedurë tjetër paralele për të njëjtën lëndë që ka filluar në muajin shkurt të vitit 2024 dhe është finalizuar me leje ndërtimore në prill të vitit 2024.
Pra, përkundër faktit që MMPHI ka qenë duke e shqyrtuar një ankesë të Gëzim Sveçlës rreth vendimit të Komunës së Prishtinës të datës 21.01.2024, Komuna e Prishtinës përmes një procedure tjetër paralele e ka marrë edhe një vendim tjetër për rritje të sipërfaqes së ndërtimeve në “Central Park”.
Fillimisht, më 27.02.2024 është marrë “Aktvendim- Ndryshim- Plotësim i Aktvendimit 05NR.351/02-62433/20 për caktimin e taksës administrative për leje ndërtimi dhe caktimi i taksës shtesë”.
Në këtë vendim thuhet se kjo taksë administrative për leje ndërimi- shtesë është caktuar bazuar në “kërkesën e investitorëve të datës 04.08.2023”.
Pra, nëse bazohemi në datat që janë cekur në këtë vendim rezulton se kjo kërkesë e investitorëve për “Ndryshim-plotësim dhe zgjerim të dokumentacionit ndërtimor/projekti kryesor” është bërë 10 ditë pasi është marrë vendimi i parë i Komunës së Prishtinës për ricaktim të kushteve ndërtimore, më 28.07.2024.
Kur ju dha leja e ndërtimit?
Përveç vendimit të datës 27.02.2024, Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës e ka marrë edhe një vendim tjetër, më 24.04.2024, për “Ndryshim-plotësim & zgjerim i dokumentacionit ndërtimor/projektit kryesor, miratuar me vendimin e lejes ndërtimore: 05nr.331/01-62433/20 DT. 18.09.2020 dhe ndryshuar – plotësuar me vendimin: 05nr.351/02-62433/20 DT 29.09.2021”.
Edhe ky vendim për “ndryshim-plotësim & zgjerim” i Drejtorisë së Urbanizmit është marrë më 24.04.2024, bazuar në kërkesën “05nr. 351/02 – 160790/23 e datës 04.08.2023” të bashkëpronarëve Blerim Devolli, “Ndërmarrja e Re Amortizatorët – Ndërtesa e Aministratës Sh.p.k” dhe “Faico Sh.p.k.”.
Ndërsa dy vendimet e para për ri-caktim të kushteve ndërtimore janë marrë bazuar në një kërkesë tjetër të investitorëve (05nr.350/02-102847/23) që është dorëzuar disa muaj më herët, më 23.05.2023.
Në këtë vendim të ri, të datës 24.04.2024, nuk ceket fare sipërfaqja totale e objekteve, pra duke përfshirë edhe sipërfaqen që ishte pjesë e vendimeve të vitit 2019-2021.
Në vendimin e ri për ndryshim-plotësim dhe zgjerim të kushteve ndërtimore thuhet se sipërfaqja totale e shtuar është 19,836 metra katëror. Pra, krahasuar me vendimin paraprak që ishte marrë vetëm 3 muaj më herët (më datë 22.01.2024) kemi një zbritje të sipërfaqës për 1,410.4 metra katëror.
Meqë, në vendimet paraprake edhe sipërfaqja e objekteve ekzistuese në vazhdimësi është ndryshuar, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prishtinës, se sa është totali i objekteve të lejuara për t`u ndërtuar në këtë sipërfaqe.
Në sqarimet e Komunës së Prishtinës rezulton se me vendimin e datës 24.04.2024 Qendrës Tregtare i është lejuar ndërtimi i objekteve të reja prej 49.451 m2.
“Kjo Drejtori bazuar në kërkesën për ndryshim-plotësim dhe zgjerim 05nr.351/02 – 160790/23 dt.04.08.2023, paraprakisht me Aktvendimin 05nr.351/02 – 62433/20 dt.27.02.2024, ka caktuar taksën administrative për leje ndërtimi, kurse me Vendim 05nr.351/02 – 62433/20 dt.24.04.2024 ka lejuar ndërtimin e Kompleksit me ndërtesa afariste & komerciale ‘Central Park’”- thuhet në përgjigjen e komunës së Prishtinës.
Në të njëjtën përgjigje, Komuna e Prishtinës ka thënë se Central Park ka leje për ndërtimin e 49,451 m2.
“Si konkludim përfundimtar konstatohet se në kuadër të parcelës kadastrale nr.10315-0 ZK Prishtinë me S=58,707m², janë lejuar në tërësi S=26,848.40 + 2,767 + 19,836=49,451.40m², nga të cilat S=25,849.80 + 1,268 + 8,842.50=35,960.30m², mbi tokë (të trajtuara në koeficient ndërtimi) dhe S=13,491.10m², nën tokë (që nuk trajtohen në koeficient ndërtimi)”- thuhet në përgjigjen e komunës së Prishtinës.
Ish-drejtori i Urbanizmit ka thënë se leja ndërtimore është lëshuar pasi kanë marrë një opinion ligjor nga Zyra Ligjore e Komunës së Prishtinës.
“Më datë 29 12 2023, kemi pranuar opinionin ligjor dhe kemi vepruar në bazë të këti opinioni duke lëshuar kushtet ndërtimore dhe lejen ndërtimore”- ka thënë Sadiki për KALLXO.com, në një sqarim dhënë më 27.12.2024.
Rritja e sipërfaqes së ndërtimit bazuar në vendimin e ish-kryetarit Shpend Ahmeti
Kërkesa e bërë nga investitorët për rritje të sipërfaqes së ndërtuar është bazuar në një vendim të vitit 2015-të, që ishte marrë në kohën kur Shpend Ahmeti ishte kryetar i Komunës së Prishtinës. Në 2015 Ahmeti ishte ende me Vetëvendosjen.
Në këtë vendim të Shpend Ahmetit, që e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se ndërtuesve ju mundësohet që të rrisin sipërfaqen e ndërtimit për 10%, si dhe të ulet sipërfaqja e gjelbërimit për 10% nëse plotësohen disa kritere.
“Përjashtim nga paragrafi i mësipërm, shfrytëzimi i parcelës mund të rritet 10% më shumë se sa maksimumi i lejuar në bazë të Indeksit të Shfrytëzimit të Parcelës (ISHP) të përcaktuar me planet në fuqi, vetëm me kusht të zhvillimit të arkitekturës së qëndrueshme, gjë që parashihet edhe me Planin Zhvillimor Urban”- thuhet në vendimin e ish-kryetarit Shpend Ahmeti, që është marrë më 14.08.2015.
Në kohën kur është marrë ky vendim, asokohe, drejtor i Urbanizmit ka qenë Liburn Aliu – tash ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës shërben si shkallë e dytë në shqyrtimin e vendimeve që dalin nga Drejtoritë e Urbanizmit në të gjitha komunat.
Arbër Sadiki, ish-drejtor i Urbanizimit, ka thënë se vendimi për rishikim të kushteve ndërtimore është i ligjshëm dhe i bazuar në vendimin e Shpend Ahmetit.
Por, Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se thirrja në vendimin e vitit 2015-të për t’i mundësuar që të shfrytëzojë më shumë se 40% të parcelës është në kundërshtim me Planin Zhvillimor Urban.
Kjo Ministri nuk e ka marrë për bazë vendimin e marrë nga ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në vitin 2015-të, në kohën kur drejtor i Urbanizmit ishte Liburn Aliu, tash ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Pas verifikimit të shkresave në lëndë shihet se vendimi i datës 24.07.2023 mbi ri-caktimin e kushteve ndërtimore është i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me Planin Zhvillimor Urban të Prishtinës, sepse bazuar në këtë plan ‘koeficienti i shfrytëzimit maksimal të parcelës ndërtimore – brenda vijës rregulluese për vendosjen e ndërtesës është maksimumi 40%, pala në kuadër të parcelës kadastrale e ka shfrytëzuar këtë hapësirë me vendimin e 18.11.2019-tës’”- thuhet në vendimin e MMPHI-së të cilin KALLXO.com e ka siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike më 28.08.2024.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Prishtinës pretendon se vendimi i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është në kundërshtim me nenin 132 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
“MMPHI ndër tjerash në arsyetim thekson se sipas PZHU-së shfrytëzimi i parcelës është 40%, duke mos marrë parasysh, vendimin e [Shpend Ahmetit] si Kryetar i Komunës së Prishtinës (vendimi 01 nr.031-185481 i dt.14.08.2015) për rritjen e shfrytëzimit të parcelës edhe për 10%, i cili vendim bazuar në rregullativën ligjore në fuqi është akt nënligjor dhe i njëjti prodhon efekte juridike, edhe Drejtoria e Urbanizmit me kërkesë të palëve dhe pas prezantimit të elaboratit të arkitekturës së qëndrueshme, ka zbatuar kushtet dhe kriteret e përcaktuara”- ka thënë Arlinda Kastrati, zëdhënëse e Kryeqytetit në një përgjigje me shkrim të datës 29.08.2024.
Vendimi i Inspeksionit
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Drejtoria e Inspeksionit që të ndalojë punimet në terren.
Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për KALLXO.com se Drejtoria e Inspeksionit i ka kthyer përgjigjje atij më 30.08.2024, duke thënë se është marrë vendim për ndërprerjen e punimeve.
Fillimisht në email, Drejtoria e Inspeksionit thotë se asnjëherë nuk e ka pranu në rrugë zyrtare vendimin e Ministrisë.
“Inspektoriati i ndërtimit ka nxjerrë aktvendim për ndërprerjen e punëve ndërtimore deri në mënjanimin e parregullsive apo edhe sqarimin e të gjitha rrethanave nga organi kompetent i kryeqytetit. Ndaj këtij Vendimi investitori ka ushtruar ankesë dhe i mbetet Komisionit të Kryeqytetit për shqyrtimin e ankesave që të vendos përfundimisht”- thuhet në shkresën që Inspeksioni ia ka dërguar Sfeçlës.
Vendimin për ndërprerjen e punimeve është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Komunës së Prishtinës. “Më 21.08.2024, Drejtoria e Inspeksionit ka marrë aktvendim për ndërprerjen e punëve deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata për anulimin e Vendimit Nr. A-44/24”, ka thënë Arlinda Kastrati, zëdhënëse e Kryeqytetit më 16.09.2024 për KALLXO.com.
KALLXO.com ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës informacione se në çfarë faze ndodhet puna e këtij komisionit për shqyrtimin e ankesave, dhe nëse është lejuar vazhdimi i punimeve, mirëpo Komuna e Prishtinës ende nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara.
KALLXO.com ka vizituar Qendrën Tregtare ‘Central Park’ më 25.09.2024, dhe në hapësira tashmë të ndërtuara kanë vendosur letra në dyer që ndalojnë hyrjen e qytetarëve me mbishkrimin: “Rrezik – Punime”.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Central Park nëse kanë marrë leje për vazhdimin e punimeve, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara më 18.12.2024.
Përgjigja e Përparim Ramës për Devolltë
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, në debatin “Jeta në Komunë” e ka pranuar se është takuar me vllezërit, Blerim dhe Shkëlqim Devollin.
“Absolutisht i kam pasë në zyrë këtu jo vetëm ata po i kam pasë të gjithë ndërtimtarët, i kam organizu publikisht dhe i kam ftuar për projekte madhore edhe në konferencën e parë dhe të dytën. Në zyrën time këtu jemi taku”- ka thënë Rama.
Ai ka sqaruar se kërkesa e tyre ka qenë që koeficienti në pronën e tyre me qenë i njëjtë siç ishte propozuar edhe për tokat publike, pra koeficienti 7.
“Kërkesat e tyre kanë qenë të pabëra, nuk e kemi bë. Nëse ne e kemi propozu koeficientin 7 për hapësirat publike për me ia rritë vlerën qytetit, kanë thënë ata ‘pse s`po na e rritni [vlerën] edhe neve’, kam thanë Pse? Se vlera e qytetit na mundëson neve që me e ndërtu unazën e kryeqytetit, për me e ndërtu fshatin olimpik, për me bë investime kapitale për të mirën e qytetit, ndërsa për juve, ju shkon vetëm juve’ edhe këtë e kam pas, edhe nuk e kanë pranu”- ka thënë Rama në emisionin “Jeta në Komunë”, më 18.12.2024.
‘Central Park’ është i vendosur afër hapësirës së ish-Fabrikës së Amortizatorëve që është privatizuar në vitin 2011-të nga Blerim dhe Shkëlqim Devolli. Kjo pronë e privatizuar nga vëllezërit Devolli shtrihet në zonën Kalabria dhe aty tash operojnë disa biznese që janë në pronësi të bizneseve që janë në pronësi të Blerim apo Shkelqim Devollit. Në objektet e ish-Fabrikës së Amortizatorëve operon edhe Televizioni “Klan Kosova”, i cili është në pronësi të Kushtrim Gojanit, por Shkëlqim Devolli në ambientet e këtij televizioni disa herë i ka pritur musafirët e rëndësishëm duke përfshirë Ambasadorë (Shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Diskutimet për Planin Rregullues të Hollësishëm “Kalabria” 2023-2031 në Prishtinë kishin filluar në vitin 2023, ndërsa më 03.06.2024 Kuvendi Komunal i Kryeqytetit kishte miratuar atë, duke i lënë pronat në të cilat ishte shtrirë ish-Fabrika e Amortizatorëve të jenë me koeficient 1.8.
Pas këtij votimi, kryetari Përparim Rama në rrjetin social “Facebook” shpërndau disa lajme, duke thënë se po sulmohet pas miratimit të Planit Rregullues të Lagjes Kalabria.
“Kur vepron në të mirë të qytetarëve dhe jo për interesa të një familje oligarke, mediumi në pronësi të oligarkëve shndërrohet në medium që keqinformon dhe humb çdo vlerë të gazetarisë së paanshme dhe profesionale”- kishte shkruar kryetari Rama në Facebook më 4 korrik 2024.
Pas këtij postimi, kryetari Përparim Rama reagoi sërish më 06.07.2024 në “Facebook”, duke bashkangjitur një lajm për Komunën e Prishtinës, që sipas tij është ‘dezinformatë’ si pjesë e fushatës kundër tij e cila ‘ka filluar pas miratimit të Planit Rregullues të Lagjes Kalabria’.
KALLXO.com ka dërguar disa herë pyetje në emailin zyrtar të Blerim Devollit dhe në emailin zyrtar të Qendrës Tregtare “Central Park” (27.08.2024, 30.08.2024, 19.11.2024 dhe 19.12.2024), mirëpo, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.
Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në pyetjet e dërguara më datat 21.08.2024 dhe të ridërguara më datat 30.08.2024 dhe 23.09.2024.