ARKIV - Ilustrim: Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave FOTO ARKIV: KALLXO.com

Objektivat e synuar me Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje

 

“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe të barabartë, jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe mos tolerohet dhuna, të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima, si dhe të vendoset kryerësi para përgjegjësisë”. Ky  është vizioni i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022 – 2026.

Kjo strategji është miratuar dje nga Qeveria e Kosovës.

 Në këtë strategji fillimisht janë nxjerrë të dhëna nga anketa lidhur me dhunën në familjeve që ushtrohet në Kosovë ndaj grave e vajzave.

Të dhënat e futura sipas anketës se botuar në vitin 2019 nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) me të dhëna të mbledhura gjatë vitit 2018, tregojnë se 57% e grave të anketuara në Republikën e Kosovës kanë pësuar dhunë psikologjike, fizike ose seksuale që nga mosha 15 vjeçare.

Sipas kësaj ankete kuptohet se shumë gra në Kosovë (48%) ende e konsideronin një dhunë të tillë, veçanërisht dhunën në familje, një çështje private, që shpesh vazhdon të fshihet, pa u raportuar kurrë.

Strategjia ka evidentuar edhe rezultatet e’ Anketa e Treguesve të Shumëfishtë për Kosovë’ (MICS) dhe MICS me komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë, e kryer në 2019-2020 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) si pjesë e programit global MICS.

 Sipas kësaj ankete në grupmoshën 15-49 vjeçare, 25% vajza/të reja/gra dhe 57% vajza/të reja/gra të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian si dhe 12% djem/të rinj/burra dhe 26% djem/të rinj/burra të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë, e arsyetojnë dhunën fizike ndaj bashkëshortes.

Si arsye janë dhënë largimi nga shtëpia pa treguar, neglizhimi i fëmijëve, refuzimi për të kryer marrëdhënie seksuale e disa arsye të tjera.

Në këtë pjesë të strategjisë sipas studimeve të kryera në Kosovë, në vitet e fundit, një vëmendje e shtuar i është drejtuar femicidit në kontekstin e dhunës në familje, për vetë faktin se nga viti 2017 deri në vitin 2020, të paktën 74 gra janë vrarë.

Strategjia përmban veprime dhe masa që synojnë të avancojnë më tej arritjet nga vlerësimi i zbatimit të strategjisë së mëparshme, por edhe sigurojnë mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave në përputhje dhe sipas standardeve të instrumenteve ndërkombëtare të ratifikuara.

Vend të rëndësishëm për besueshmërinë e kësaj strategjie zë Konventa e Stambollit që u bë pjesë e Kushtetutës së Republikës me një amendament më 25 shtator 2020.

4 shtyllat kryesore të kësaj strategjie e që gjejnë mbështetje të tërësishme në Konventën e Stambollit janë: parandalimi dhe identifikimi i dhunës,  avancimi dhe harmonizimi i politikave publike me standardet ndërkombëtare, fuqizimi institucional për mbrojtje dhe trajtim të viktimave, sigurimi i shërbimeve të përgjithshme dhe shërbimeve mbështetëse të specializuara për viktimat. 

 

OBJEKTIVI STRATEGJIK I – Parandalimi dhe identifikimi i dhunës

Me qëllim të parandalimit dhe identifikimit të dhunës si objektiv strategjik është paraparë në radhë të parë ndryshimi i sjelljeve qëndrimeve, roleve dhe stereotipeve gjinore që justifikojnë dhunën.

Ndërmarrja e masave edukative dhe arsimore në të gjitha nivelet për të parandaluar dhunën është paraparë si hap i dytë për parandalim dhe identifikim të dhunës, për të vazhduar te nxitja e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë, medias dhe sektorit privat për promovimin e masave për të parandaluar dhe luftuar dhunën.

Si e fundit në kuadër të këtij objektivi është evidentuar krijimi dhe zbatimi i programeve për trajtimin psiko-social të kryerësve të veprave penale të dhunës.

Rezultatet që strategjia synon t`i realizojë përmes hapave të mësipërm janë ndër tjera, ngritja e vetëdijesimit të shoqërisë për të mos toleruar dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave, rritjen e raportimit të rasteve nga palët e treta.

“Programet lëndore të institucioneve arsimore të të gjitha niveleve do të ofrojnë dije për parandalimin, identifikimin, mbrojtjen dhe në tërësi luftimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave”, thuhet tutje në dokumentin e strategjisë.

Si objektiv i fundit shumë i rëndësishëm është paraparë që kryerësit e dhunës në familje do të trajtohen në aspektin psiko-social në përputhje me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare.

OBJEKTIVI STRATEGJIK II –  Avancimi dhe harmonizimi i politikave publike me standardet ndërkombëtare

 Objektiv tjetër në kuadër të strategjisë është edhe avancimi dhe harmonizimi i politikave publike me standardet ndërkombëtare.

Realizimi i këtij objektivi strategjik është paraparë të realizohet përmes përmirësimit të kornizës ligjore për trajtimin e të gjitha rasteve të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, si dhe fuqizimin e kapaciteteve për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

Në këtë kategori është identifikuar se në kornizën ligjore aktuale mungon kuptimi gjinor i dhunës ndaj grave, veçanërisht jashtë sferës së dhunës në familje.

Synimi është që deri në vitin 2024 korniza ligjore aktuale të ketë përputhshmëri deri në 50% me Konventën e Stambollit.

Rezultat i pritshëm do të jetë miratimi i akteve ligjore dhe politikave për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave, që në strategji thuhet se do të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës.

Me zbatimin me sukses të këtij objektivi strategjik pritet që rastet e denoncuara të të gjitha formave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, të hetohen dhe ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, me prioritet e përgjegjshmëri institucionale.

“Kuptohet që paralelisht me ndëshkimin, do të veprojnë edhe programet dhe politikat për rehabilitimin e kryerësve të dhunës, sikurse u cekën në Objektivin Specifik I.4 më sipër”, thuhet tutje në dokumentin e miratuar nga Qeveria.

OBJEKTIVI STRATEGJIK III – Fuqizimi institucional për mbrojtje dhe trajtim të viktimave

Si objektiva specifik të përcaktuara në këtë pjesë janë, fuqizimi i grupit koordinues ndërinstitucional në nivel qendror, ngritja dhe fuqizimi i mekanizmave koordinues në nivel lokal për menaxhimin e rasteve të dhunës, avancimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet nivelit qendror, lokal dhe Organizatave të Shoqërisë Civile; hulumtimi, mbledhja dhe përditësimi i të dhënave ndër-institucionale për evidentimin e rasteve dhe përmirësimi i qasjes në drejtësi të viktima/të mbijetuarave të dhunës.

Po ashtu synohen të arrihen është në radhë të parë që Qeveria e Kosovës do t’i dedikojë buxhetin e duhur dhe do të ndajë fonde adekuate për fuqizimin e Zyrës së Koordinatores Nacionale kundër Dhunës në Familje, për të mundësuar koordinim dhe monitorim efikas të veprimeve kundër dhunës.

Rezultati tjetër është që Policia e Kosovës do të jetë e fuqizuar përmes themelimit të drejtorisë së veçantë në polici në nivel qendror dhe njësi nga niveli rajonal dhe lokal për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

“Mbështetja logjistike për njësitet e trajtimit të rasteve të dhunës në familje do të mundësojë transportin për viktimat në qasje për shërbime emergjente qofshin ato mjekësore, paraqitje në gjykatë apo shërbime tjera mbështetëse”, është po ashtu rezultat që pritet të realizohet përmes këtij objektivi strategjik.

Ndërsa është paraparë që Organizatat e specializuara të shoqërisë civile që punojnë ngushtësisht në zbatim të Konventës së Stambollit, në drejtim të parandalimit, mbrojtjes dhe riintegrimit e fuqizimit të viktimave/të mbijetuarave, do të mbështeten me burime financiare, ngjashmërisht si edhe OJQ-të të cilat ofrojnë shërbime të specializuara strehimi.

OBJEKTIVI STRATEGJIK IV – Sigurimi i shërbimeve të përgjithshme dhe shërbimeve mbështetëse të specializuara për viktimat

Objektivat specifik që janë evidentuar në kuadër të këtij objektivi të strategjisë janë mbështetja dhe fuqizimi i shërbimeve të specializuara për viktimat të mbijetuarat nga të gjithë grupet, si dhe fëmijët viktima dhe dëshmitarë të dhunës si dhe është paraparë edhe zbatimi i politikave që mundësojnë riintegrim afatgjatë e fuqizim të qëndrueshëm të viktimave/mbijetuarave të dhunës.

Rezultati i parë që pritet të arrihet përmes këtij objektivi strategjik është që shërbimet mbështetëse të specializuara për të mbijetuarat e dhunës do të jenë funksionale, në përputhje dhe me kërkesat/standardet e Konventës së Stambollit.

Tutje thuhet se Qeveria e Kosovës do të investojë me prioritet në riintegrimin dhe fuqizimin e qëndrueshëm të të mbijetuarave të dhunës, përmes funksionimit me efikasitet të programeve përkatëse.

Ndërsa si rezultat i fundit është paraparë përmirësimi, gëzimi dhe sigurimi i ushtrimit në mënyrë të barabartë të të drejtave pronësore të grave, si një tjetër mundësi që çon në fuqizimin afatgjatë të tyre.

Miratohet strategjia Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje