Ilustrim

Nxënësit e kthyer nga luftërat e huaja, dallimet fshat-qytet në aktivitetet kulturore dhe sportive

Infrastruktura e shkollave dhe hapësirave publike në Kosovë ende është larg standardeve për të garantuar aktivitete për të risocializuar fëmijët të cilët kanë probleme me dhunën apo me ligjin.

Mungesa e fushave sportive aktiviteteve kulturore e hapësirave të teknologjisë informative në shkollat e vendit është konstatuar në shumë raporte qeveritare e të shoqërisë civile.

Ambienti i favorshëm për zhvillimin e fëmijëve është domosdoshmëri për të arritur suksese edhe në procesin e risocializimit dhe ri integrimit të fëmijëve që kanë probleme me ligjin apo janë kthyer nga zona të rrezikshme.

Shtatë prej nxënësve të riatdhesuar nga zonat e luftës në Siri dhe Irak  vijojnë mësimin në shkollën fillore “Emin Duraku” në qytetin e Prishtinës. Ata janë pjesë e një klase të kombinuar me nxënës klasa e dytë deri në të tetën.

Drejtori i shkollës, Visar Osmani thotë se këta nxënës i kanë kushtet e adekuate për zhvillim të procesit mësimor, duke përfshirë edhe aktivitete tjera. Sipas tij, me gjithë hezitimin, ata angazhohen edhe në klube në kuadër të shkollës, siç është ai për ndërmarrësi të vogël ku nxënësit dizajnojnë përmes kompjuterëve dhe krijojnë punime tre dimensionale.

“Meqë është një klasë, një ekip i përbërë prej 22 personave ku mbi 50 për qind janë nxënës të komuniteteve të cilët po bëjnë mrekulli në dizajne dhe printime 3D, jemi munduar që t’i fusim në ekip edhe nxënësit në fjalë, por në fillim ka pasur hezitim prej tyre se kanë qenë shumë të mbyllur, por me punën e palodhshme të mësuesit të klasës dhe angazhimit të përgjithshëm të personelit, kemi arritur ata që t’i bëjmë edhe të atij ekipi por jo aktiv siç janë nxënësit e tjerë të komuniteteve RAE”, tregon drejtori Osmani.

Organizimet për shënimin e datave të ndryshme, sipas Osmanit, janë po ashtu mundësi për angazhimin e këtyre nxënësve.

“Ata kanë qenë pjesëmarrës edhe në Ditën e Shkollës, kanë qenë pjesëmarrës edhe në aktivitete që ka pasur shkolla për shënimin e datave të ndryshme duke filluar prej Ditës së Pavarësisë, Dita e Fëmijëve me Nevoja të Veçanta. Gjithmonë kanë qenë shikues, pjesë fizike e programit por na jemi munduar t’i bëjmë pjesë që të kyçen drejtpërdrejt në program, ka pasur hezitime por nuk do të thotë që nuk ka pasur interesim”, thotë Osmani.

Në qendër të qytetit të Gjilanit gjendet edhe shkolla fillore “Thimi Mitko”. Aty vijon mësimin një nxënëse e kthyer nga Siria para 3 vjetësh dhe aktualisht gjendet në klasën e katërt.

Sipas drejtoreshës së shkollës, Sadije Sadiku, nxënësja ka arritur të socializohet me bashkëmoshatarët dhe thotë se ajo merr pjesë në aktivitetet në kuadër të orëve të lëndës së edukatës fizike.

Mirëpo Sadiku thotë se nuk ka ndonjë aktivitet të veçantë pasi mësimin e zhvillon vetëm një nxënëse nga kjo kategori.

“Aktivitete shtesë i kanë, aktivitetet sportive që i kemi dy herë në javë, kemi programe të shkollës por jo, nuk ka marrë pjesë por nuk ka ndonjë kërkesë të veçantë për shembull që duhet me bo këtë sepse është kjo nevojë, jo. Përkundrazi, ajo është më përpara se ata të tjerët dhe bile është më e veçantë për socializim dhe sjellje në klasë”, thotë Sadiku.

Ajo tregon se zhvillohen edhe gara mes shkollave të Gjilanit dhe komunave të tjera, por që aktualisht nxënësit garues nuk i përkasin moshës së nxënëses në fjalë.

Por, drejtoresha Sadiku thekson mungesën e hapësirave për të organizuar më shumë aktivitete.

“Ambienti për socializim brenda klasës është i mjaftueshëm, por te ne ka mungesë të hapësirës fizike ku ndoshta me pasë edhe një hapësirë fizike, një kopsht më të madh ndoshta kish qenë edhe më mirë, por nuk i kemi ato kushte sepse jemi në mes të qendrës edhe jemi me hapësirë fizike të vogël”, shton Sadiku.  Para tri vjetësh, nga lufta e Sirisë në Ferizaj janë kthyer tre fëmijë. Ata janë të së njëjtës familje, dy vëllezër dhe motra e tyre, të cilët zhvillojnë mësimin në fshatin Nikadin.

Shkolla “Riza Matoshi” me 241 nxënës, sipas drejtorit Ali Luzha, ka vetëm një fushë futbolli në dispozicion për aktivitete fizike.

“Aktivitete të tjera sportive me të tregu të drejtën e kemi një fushë të futbollit që është e shtruar me asfalt që i plotëson kushtet për të bërë ndonjë aktivitet sportiv për futboll, hendboll, volejboll. Këto të tjerat jo, për shembull basketboll nuk kemi shtylla”, tregon Luzha.

Sipas tij, këta nxënës angazhohen edhe në programet që organizohet me raste të caktuara.

“Por në qato kushte që i kanë, që mund të punojnë brenda shkollës, në kuadër qoftë të klasës qoftë në nivel të shkollës nëse organizohet ndonjë program. Këto tjerat çështje te sporti dhe të tjerat qato kushte që thash i kemi. Me kushtet që i kemi dhe punës që mësuesit kanë bërë me këtë fëmijë besoj që ia kemi dalë me i integru këta fëmijë”, shton Luzha.

Aktivitetet shtesë, përveç mësimit, për nxënësit e kthyer nga vatrat e luftërave, vlerësohet e madhe nga psikologët.

Sipas psikologut Ilir Havolli ngjarjet kulturore dhe sportive ndihmojnë këta nxënës të ulin dozën e shqetësimeve emocionale dhe të rrisin mirëqenien e tyre psikologjike.

Mirëpo, Havolli shton se jo të gjitha shkollat kanë mjaftueshëm kapacitete të tilla.

“Ambientet e shkollave në shume raste ofrojnë mundësi të kufizuara për shkak të mbingarkesës me numrin e nxënësve, mungesë së hapësirave rekretative, prandaj është e nevojshme që të shtohen aktivitetet dhe angazhimet edhe jashtë ambienteve të shkollave”, vlerëson Havolli.

Procesin e mësimit të këtyre nxënësve e përcjellë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Sipas këtij institucioni procesi është duke shkuar mirë dhe sipas planifikimeve.

Ministria tregon veprimet që ka ndërmarrë për ri-integrimin e këtyre nxënësve.

“MASHTI për integrimin dhe krijimin e një klime pozitive për nxënësit e kthyer nga vatrat e luftës ka hartuar udhëzues, programe të veçanta trajnimi. Kemi organizuar seanca informuese për mësimdhënës, stafin mbështetës, psikologë, pedagogë dhe stafin udhëheqës të shkollave”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Përveç 45 nxënësve në arsimin para universitar, gjatë vitit 2019, dhjetë fëmijë janë regjistruar në kopshte, pesë fëmijë në nivelin parashkollor dhe 25 fëmijë në arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë, nga klasat 1-9.

Ky artikull është realizuar në kuadër të programit Resilient Community, i cili realizohet nga një konsorcium organizatash i përbërë nga BIRN, PEN dhe PIPS, dhe që udhëhiqet nga ATRC. Programi mbështetet nga USAID dhe Ambasada e Holandës përmes programit GCERF.