Numri i Votuesve Afër sa i Popullatës

Numri i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë është 1 milion e 739 mijë e 825 banorë, sipas regjistrimit zyrtar të bërë gjatë vitit 2011.

Regjistrimi ishte kryer nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës. Aty nuk ishin përfshirë komuna e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe pjesa veriore e Mitrovicës. 

Gjatë vitit 2012 agjencioni ka rishikuar numrin e përgjithshëm të popullsisë dhe ka vlerësuar se tash në territorin e Kosovës jetojnë 1,815,606, sipas një raporti të publikuar gjatë muajit prill të vitit 2013.

Ndërkohë, të drejtë vote në vend kanë 1,705,272 njerëz, sipas Agjencionit për Regjistrim Civil që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.  

“Numri i personave me drejtë vote në Kosovë është 1,750,272″ MPB

“Numri i personave me drejtë vote në Kosovë është 1,750,272,  përfshirë edhe me letërnjoftimet e lëshuara nga UNMIK-u”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të MPB-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Nga kjo i bie së në Kosovë të drejtë vote nuk kanë vetëm 110 mijë e 337 banorë. 

Sipas statistikave të fundit që janë të publikuara edhe në faqen zyrtare të ASK-së, del se në Kosovë jetojnë rreth 626 mijë e 963 banorë nga mosha zero deri në tetëmbëdhjetë vjeç.

Çdo vit rreth  35 mijë të rinj konsiderohet që mbushin 18-të vjet, sipas raportit të ASK-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se në zgjedhjet e para parlamentare në nëntor 2001 ishin regjistruar 1,249,987 votues, ndërsa në ato të 12 dhjetorit 2010 kishin të drejtë votimi 1,630,636 persona.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, autoritetet e vendit kishin akuzuar 1500 persona për keqpërdorim të zgjedhjeve por Prokuroria e Shtetit pati thënë se nuk kishte gjetur krim të organizuar. 

Organizatat joqeveritare thoshin se partitë politike mësuan rreth 100 opsione manipulimi me votimin që u nxori telashe edhe vetë atyre pasi shumë zyrtarë partish u ankuan për keqpërdorime e manipulime të brendshme.

Statistikat janë relevante pasi subjekteve politike po u kërkohet të shmangin vjedhjen e votave dhe ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përmes një komisioni që ka bashkëpunuar me dhe zyrat e ndërlidhjes së kësaj agjencie në komunat e vendit, thotë se qe një vit e gjysmë ka filluar projektin për pastrimin e listave zgjedhore. 

Mospastrimi i listave zgjedhore ka qenë njëri ndër problemet kryesore në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të mbajtura gjatë vitit 2010. 

Instituti Demokracia në Zhvillim (D4D) më 21 maj ka publikuar një raport në të cilin ka trajtuar topmashtrimet zgjedhore. Në raport janë trajtuar 12 probleme – ndër to, lista e zgjedhësve e ka vendin e parë.  

“Njëri prej problemeve më të mëdha zgjedhore në Kosovë është lista e votuesve” D4D.

“Njëri prej problemeve më të mëdha zgjedhore në Kosovë është lista e votuesve”, thuhet në raportin e D4D. 

“Në listat e votuesve ekzistojnë me qindra mijëra kosovarë që jetojnë jashtë vendit, persona që kanë vdekur kohë më parë ose persona që kanë lëvizur brenda vendit e janë të përfshirë në lista me adresa të papërditësuara”.

Në raport më tej thuhet se problemi i personave të vdekur mbetet çështje me serioze. 

KQZ: “Janë hequr dhjetëmijë emra të vdekur”

Florian Dushi, kryesuesi i grupit punues të KQZ-së dhe anëtar i LDK-së në këtë komision, tha se deri më tash prej listave të votuesve janë pastruar rreth 30 mijë emra. 

“Janë hequr njerëz të vdekur, të tjerë që jetojnë jashtë vendit si dhe ata që kanë ndërruar vendbanimin nga një rajon në tjetrin”, tha Dushi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“Janë hequr njerëz të vdekur, që jetojnë jashtë vendit dhe ata që kanë ndërruar vendbanimin ”Florian Dushi

Problem kryesor, sipas tij, mbetët që familjarët nuk çregjistrojnë personat e vdekur. 

“Pastaj ndodh që ata edhe çregjistrojnë të njohurin e tyre, por certifikatat shpesh nuk shkojnë nga komuna në zyrat qendrore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ose edhe kur shkojnë janë me gabime”, tha Dushi. “Kjo na e ka vështirësuar punën edhe më shumë gjatë pastrimit të listave zgjedhore”.

Këto probleme janë përmendur edhe në raportin e D4D. 

“Edhe pasaktësia më e vogël përgjatë këtij procesi nënkupton që Qendra për Regjistrim Civil nuk i heq emrat dhe ata përfundimisht paraqiten në listat e votuesve”, thuhet në raport. 

Raporti sugjeron që Ministria e Punëve të Brendshme duhet të punojë më afër me komunat me qëllim të përditësimit të informatave.  

Dushi tregoi se përndryshe që nga viti 2007, kur ai është bërë pjesë e KQZ-së, nuk ka pasur ndonjë pastrim të listave të votuesve.

“Praktikisht nuk janë pastruar listat. Ka ndodhur vetëm në prag të zgjedhjeve 2009 dhe 2010, por ka qenë një numër i vogël i tyre që janë hequr nga listat”, tha ai. 

Dushi tha se procesi për pastrimin e listave zgjedhore është duke vazhduar dhe thotë se akoma ka emra të njerëzve të vdekur dhe të tjerë që duhet hequr nga listat. 

Alban Krasniqi, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, tha se në listat e votuesve vazhdojnë të qëndrojnë edhe rreth 35 mijë emra të njerëzve të vdekur. 

“Në Kosovë nga viti 2000 deri në gjysmën e vitit 2013 kanë vdekur mbi 80,000 persona me të drejtë vote, 15-të për qind prej tyre nuk janë lajmëruar, ndërsa ARC-ja ka arritur të largojë nga regjistri civil dhe lista e votuesve rreth 53,000 emra të personave të vdekur”, i tha Krasniqi, gazetës. 

Krasniqi shtoi se lista e votuesve vazhdon të mbetet e pasaktë dhe, sipas tij, ajo nuk mund të jetë si e këtillë e sigurt dhe transparente për zgjedhjet e ardhshme. 

“Deri tash i bie që janë larguar vetëm personat e vdekur nga listat. Kur kësaj i shtojmë problemet me adresat, problemet me numrin e madh të personave që janë në listë të votuesve por që nuk posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës, i bie që nuk kemi lista të sakta”, tha Krasniqi. 

Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka tha gazetës se procesi i pastrimit të listave do të ndihmojë zgjedhjet e ardhshme, që planifikohen të mbahen këtë vjeshtë. 

“Unë nuk mund të them se a është numër i madh a i vogël heqja e rreth 30 mijë emrave, pasi akoma nuk ka dalë raporti përfundimtar, por normalisht që kjo do të ndikojë pozitivisht në zgjedhjet e ardhshme”, tha Musmurati.

I pyetur për kritikat që ka marrë PDK në zgjedhjet e kaluara për manipulim të votave, Musmurati tha: “Çdo zgjedhje në botë që mbahet është e pamundshme me qenë kualitative qind për qind. Edhe në shtetet me demokracinë më të gjatë në botë mund të ndodhin këto shkaku i organizimit, konkurrencës e arsyeve tjera”. 

“Secila parti që ka mundur të gabojë në zgjedhjet e kaluara, e ka rastin të mos përsëris ato në zgjedhjet që po planifikohen të mbahen”, i tha Musmurati gazetës.