Numri i shikuesve në kinematë e Kosovës në rritje

Të dhënat zyrtare të ASK, për vitin 2019 tregojnë se pati më shumë shfaqje teatrore në teatrin “Dodona”, ndërsa shikues më shumë kishte teatri “Oda”. Për dallim nga kjo, primat të të parit për nga numri i shfaqjeve e kishte Teatri Kombëtar i Kosovës në vitin 2018. Tek Galeritë e Kosovës, pati më pak ekspozita e më shumë vizitorë kundrejt numrit më të madh të ekspozitave me më pak vizitorë me 2018. Në 2019-ën shënon rënie fondi i librave në biblioteka së bashku me numrin e lexuesve përderisa është mbi 382 mijë numri i atyre që vizituan kinematë për të parë filma. Fatin e bibliotekave e ndajnë edhe muzetë e Kosovës ku interesimi i vizitorëve është në rënie.

Teatri “Dodona” pati më së shumti shfaqje në vitin 2019, ndërsa teatri “Oda” mbizotëroi me shikues

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ishte 118 shfaqje teatrale dhe reprizë, ndërsa kishte 14,548 shikues; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e Fëmijëve “Dodona” ishte 132 shfaqje teatrale dhe reprizë, me 12,673 shikues; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin “Oda” ishte 44 shfaqje teatrale dhe reprizë, me 15,013 shikues”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërsa në vitin 2018, shfaqje më shumë pati në Teatrin Kombëtar në Prishtinë me 178 shfaqje teatrale dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 10,557; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e fëmijëve ‘Dodona’ ishte 127 shfaqje teatrale dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 10,551; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin Oda ishte 55 teatrale dhe reprizë, ndërsa pati më shumë numri të shikuesve11,176.

Në galeritë e arteve, në vitin 2019, ASK tregon se janë realizuar 28 ekspozita me 24,720 vizitorë por në raport me vitin 2018 ky numër ishte dukshëm më i vogël për nga ekspozitat të realizuar por kishte më shumë vizitorë.

Në vitin 2018, në Galeritë e Arteve, numri i ekspozitave të realizuara ishte 43, ndërsa numri i vizitorëve ishte 16,653.

Numri shikuesve të filmit në kinema kaloi 382 mijë

Në kinemanë “ABC” pati shfaqje vetëm të filmave të huaj ndërsa në kinematë tjera pati edhe filma vendorë.

“Në Kinemanë “ABC” janë shfaqur 52 filma, të gjithë filma të huaj, me një numër shikuesish prej 7201; në Kinemanë “Cineplexx” janë shfaqur 122 filma, prej tyre 8 filma vendorë dhe 114 filma të huaj, dhe numri i shikuesve ishte 382445; në Kinemanë “Doku-Kino dhe DokuFest” janë shfaqur 352 filma, prej tyre 30 filma vendorë dhe 322 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 39,000; në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” janë shfaqur 128 filma, prej tyre 10 filma vendorë dhe 118 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 10069”, thuhet në komunikatë, e ASK-së.

Në anën tjetër, në vitin 2018, në kinemanë “ABC”, numri i filmave të shfaqur ishte 62, prej tyre 3 filma vendorë dhe 59 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 9,110, në kinemanë “CINEPLEX”, numri i filmave të shfaqur ishte 167, prej tyre 4 filma vendorë dhe 163 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 335,385, Në kinemanë “DOKU-KINO dhe DOKUFEST”, numri i filmave të shfaqur ishte 330, prej tyre 24 filma vendorë dhe 306 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 45,000, në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, numri i filmave të shfaqur ishte 148, prej tyre 11 filma vendorë dhe 137 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 3,097.