lustrim Foto: BIRN

Nuk ka zgjidhje magjike për zvogëlimin e armëve të paligjshme në Kosovë

Dy dekada nga përfundimi i luftës, shumë kosovarë thonë se akoma ndjehen më të sigurt me një armë në shtëpi.

 

Me një kujdes të shtuar, Selimi heq një pistoletë, një pushkë automatike, një armë gjuetie dhe dhjetëra plumba nga një thes i zi të cilin e ka mbuluar pluhuri.

Armët e zjarrit kanë qenë një fiksim në shtëpinë e Selimit për një kohë aq të gjatë sa ai nuk është në gjendje as ta mbajë në mend.

Megjithatë, asnjë prej këtyre armëve nuk është e regjistruar.

Si një ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-99 kundër represionit serb, 65-vjeçari i rezistoi një thirrjeje drejtuar guerilasve triumfues porse të demobilizuar, që të dorëzojnë armët e tyre.

“Thjesht, është punë ndjenjash. Du’ me mbajt armë n’shpi. Asnjëherë nuk i dihet se çka mundet me ndodhë”, tha Selimi [nuk është emri i tij i vërtetë] në shtëpinë e tij në një fshat të largët në rajonin e Drenicës, dikur një bastion i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

“As nuk du me i deklaru e as me i regjistru ato. Ato janë t’miat dhe unë kam pagu për to. Nëse e bëj, herët a vonë ata kanë me ardhë edhe kanë me mi konfisku”.

Që prej luftës, fushatat e përsëritura qeveritare që u bëjnë thirrje kosovarëve të çarmatosën kanë pasur ndikim të kufizuar vetëm në numrin e armëve të zjarrit ilegale, të vlerësuara në rreth 250,000 sosh nga Ministria e Punëve të Brendshme në një popullsi prej 1.8 milion banorësh.

Çdo vit këto armë vrasin dhjetëra njerëz, shumë prej tyre gjatë aksidenteve.

“Njerëzit akoma ndihen të sigurt kur kanë ndonjë armë zjarri në shtëpi”, tha Destan Mustafa, kreu i departamentit ministror për Armë, Municion dhe Eksplozivë.

Destan Mustafa. Foto: BIRN

“Nuk ka të bëjë me diçka tradicionale, por është më shumë rezultat i të jetuarit nën regjime të ndryshme shtypëse”, tha Mustafa për BIRN.

“Për shumë njerëz, të kesh armë ende paraqet siguri. Shqiptarët e Kosovës dikur mbështeteshin në masat e tyre të sigurisë, kështu që dy dekada nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar diçka që i ka rrënjët e  thella”.

Pak vullnet për t’i deklaruar armët

Sipas Mustafës, kërcënimi për ndëshkim ligjor si dhe përpjekjet e forta për konfiskim kanë rezultuar me uljen e numrit të armëve ilegale nga 350,000 në 250,000 sosh gjatë dekadës së kaluar.

Rreth 20,000 prej tyre janë të regjistruara.

Por sipas një raporti nga Studimi për Armë të Vogla me seli në Gjenevë, kosovarët zotërojnë rreth 436,000 armë zjarri, të ligjshme dhe të paligjshme.

Sipas fushatës së fundit, në dhjetor të vitit 2018, Ministria e Punëve të Brendshme nxori një urdhër ekzekutiv për ata që posedojnë armë ilegale t’i deklarojnë ato dhe të kërkojnë leje pa ndonjë frikë nga dënimi sipas ligjit i cili, në të kundërtën, parashikon një dënim deri në pesë vjet burg ose gjobë deri në 7.500 euro.

Por më pak se 2,000 njerëz iu përgjigjen kësaj oferte.

Ndërkohë, policia po konfiskon armët me një normë mesatare prej 1.300 copë në vit.

Por jo të gjitha armët ilegale ruhen në thasë, ashtu siç i ruan Selimi.

Një shofer taksie i licencuar në kryeqytet, Prishtinë, e përshkroi mënyrën e transportimit të armëve për tregti nëpër tërë Kosovën dhe më gjerë.

“Ne i mbajmë ato të shpërndara në vende të ndryshme dhe gjithashtu i transportojmë ato në numër të vogël dhe sasi të vogla municionesh”, i tha ky njeri BIRN-it në kushte anonimiteti.

“Unë i transportoj ato nga një vend në tjetrin dhe ndonjëherë edhe përtej kufirit”.

Sipas policisë, armët më të njohura ilegale në Kosovë janë pistoleta gjysëm automatike Beretta Italiane dhe ajo Çeke CZ 75, Glock-u Austriak dhe armët e bëra nga Zastava nga Serbia.

Të shtëna festive

Përhapja e armëve ilegale që nga shkatërrimi i Jugosllavisë mbetet akoma një çështje për shumë shtete që dolën nga hiri i federatës socialiste.

Kosova, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut janë ndër 25 vendet e para në botë për sa i përket përqindjes së armëve të zjarrit në pronësi të popullatës civile, sipas Studimit për Armatë të Vogla.

Artan Zaimi, menaxher i dyqanit për shitjen e armëve private me qendër në Prishtinë ‘Reload’, një nga 16 ndërmarrjet e autorizuara për të importuar armë, thotë se interesi për armë ishte në rritje e sipër.

“Qyshkur morëm licencën për importimin dhe shitjen e armëve, ne vërejmë se numri i klientëve të interesuar është në rritje”, i tha ai BIRN-it.

Artan Zaimi. Foto: BIRN

Zaimi tha se pistoletat, një ndër armët më të kërkuara, i shet për një çmim midis 500 dhe 5,000 euro dhe se një numër në rritje i klientëve janë të interesuar në gjuajtje si “një lloj pasioni dhe sporti”.

Por ai paralajmëron për rrezikun nga tregtarët ilegalë të cilët ndonjëherë i modifikojnë armët e vjetra për rishitje.

“Nëse bien në duar të gabuara ato mund të aktivizohen lehtë, duke i bërë ato përsëri potencialisht vdekjeprurëse”, i tha Zaimi BIRN.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, i cili siguron mbështetje në përpjekjet e inatitucioneve kosovare për të mbledhur dhe shkatërruar armë ilegale, thotë se 14,294 copë armë ishin konfiskuar dhe rreth 10,000 sosh u shkatërruan në mes të vitit 2008, që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, dhe viti 2017.

Zyra e UNDP në Prishtinë i tha BIRN-it se po përpiqej që të rrisë ndërgjegjësimin për rrezikun që paraqesin të shtënat festive në ahengjet familjare, ende të përhapura në Kosovë.

Edhe Bashkimi Evropian e ka vënë në pah nevojën për të ndaluar trafikimin e armëve dhe municioneve, duke shprehur shqetësimin e saj serioz këtë vit për “përfshirjen e grupeve të armatosura në kontrabandimin e armëve”.

Terreni malor midis Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë e ka bërë zonën kufitare një shteg të përshtatshëm për kontrabandistët e mallrave të ilegalë, përfshirë këtu edhe kontrabandimin e armëve.

“Duhen bërë më shumë përpjekje për t’u siguruar që armët nuk janë duke qarkulluar në mënyrë ilegale”, tha BE-ja.

Megjithatë, Selimi, i cili dikur kishte punuar në një fabrikë municionesh, tha se akoma është “shumë herët” që të gjesh ndonjë shtëpi pa armë në fshatin e tij.

“Këto armë janë maru për me vra, dhe unë nuk besoj se kena mi përdorë ato prapë,” tha ai. “Ama na jetojna në një vend ku ende nuk kemi stabilitet të mjaftueshëm. Le t’presim edhe pak dhe masanej vendosim çka me bâ me to”.