Nuk Ka Para Dhe Vend Për Viktimat e Dhunimit

Gjykimi i parë nga EULEX-i kundër personave të cilët kanë kryer krime lufte kundër civilëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, e që përfshin dhunimet, do të fillojë më 5 prill 2013. 

Të pandehurit në këtë rast, Jovica Dejanovic dhe Gjorgje Bojkovic, janë arrestuar nga policët e EULEX-it shtatorin e kaluar dhe pritet të gjykohen në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Informata më të detajuara rreth rastit pritet të bëhen të ditura në javët e ardhshme, sipas EULEX-it.

Prokurorët e misionit europian janë duke hetuar edhe 13 raste të abuzimeve seksuale që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

Dhunimi ose ngacmimi seksual gjatë luftës është i dënueshëm me së paku 15 vjet e deri në burg të përjetshëm me kodin penal të Kosovës.

Ai dënohet me konventa ndërkombëtare si Konventa e Gjenevës për Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë të Luftës e miratuar më 1949. Neni 27 i konventës parasheh se “gratë do të mbrohen në mënyrë të veçantë kundër çdo shkeljeje të nderit të tyre, dhe sidomos kundër dhunimit, detyrimit për prostitucion dhe kundër çdo akti tjetër fyes”. (shih konventën)

Nisja e këtij procesi gjyqësor rastis me diskutimin publik që ka filluar më 14 mars pasi Lëvizja Vetëvendosje propozoi që gratë e dhunuara gjatë luftës të njihen si viktima të luftës. 

Propozimi i Vetëvendosjes ka kaluar në leximin e parë me 33 vota për dhe 29 kundër. Por, nuk dihet se a do të mund të kalojë leximin e dytë nëse nuk ndërron disponimi i deputetëve të shumicës. 

Katërdhjetë për qind ose 14 deputetë të grupit parlamentar të PDK-së kanë votuar kundër projektligjit, shtatë nga Partia Liberale Serbe SLS, tre nga Aleanca për Kosovën e Re AKR, 2 nga Partia Demokratike e Turqve të Kosovës KDPT dhe nga një deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, lista “Ibrahim Rugova” dhe grupi i deputetëve GIG. 

“Personat e dhunuar gjatë luftës përfitojnë të gjitha beneficionet personale nga ky nen…”. Ky është neni që lëvizja ka propozuar të përfshihet në kuadër të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe të tjerëve. Person i dhunuar gjatë luftës definohet si person i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27 shkurt 1998 deri më 20 qershor 1999”.

Institucionet e Kosovës deri më tash nuk kanë dalë me shifra që tregojnë numrin e grave të abuzuara seksualisht gjatë luftës.

Një studim i vitit 2000 i organizatës ndërkombëtare Human Rights Watch sugjeron se gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s paramilitarët serbë kanë dhunuar 96 gra.

“HRW beson se nga marsi deri në qershor 1999, numri i grave të dhunuara është më i lartë, por viktimat e dhunës seksuale zakonisht ngurrojnë të flasin për përvojën e tyre” vazhdon raporti.

Gratë janë dhunuar në shtëpitë e tyre, rrugës gjersa largoheshin si refugjatë dhe në qendrat e mbajtjes së të burgosurve, sipas HRW.

Diskursi i deputetëve: Diçka e nuancuar…

Propozimi për ndryshimin e ligjit për veteranët ka nxitur kundërshtime, kryesisht nga deputetët në pozitë, kërcënime ndaj mbështetësve dhe protesta të organizuara nga shoqëria civile. Por diskutimi në seancë parlamentare ka shpërfaqur diskurs të fyerjes së grave të dhunuara, thotë KRCT, një organizatë që merret me trajtimin e tyre.

Deputetja e PDK-së Safete Hadergjonj ndonëse thoshte se “ndoshta kjo shoqëri i ka obligim kësaj kategorie që ka pësuar gjatë luftës së fundit”, njëkohësisht propozonte në seancën e 14 marsit që projektligji të mos votohej sepse, sipas saj, “prodhon kosto shtesë të lartë buxhetore”. 

Po ashtu, ajo shtonte se “mungesa e të dhënave për numrin e përfituesve [grave të dhunuara] krijon paqartësi financiare”.

Flora Brovina, deputete e PDK-së dhe aktiviste për të drejtat e njeriut që ka deklaruar se merret “me fatin e këtyre grave që nga viti 1998”, gjatë seancës plenare e ka kundërshtuar projektligjin me arsyetimin se “së pari duhet konstatuar se çfarë dokumentesh duhet të kërkohen për ta vërtetuar këtë abuzim”. Në të njëjtën seancë ajo i quajti të dhënat nga organizatat ndërkombëtare “të çuditshme”. 

Për deputetin tjetër të partisë në pushtet Shaip Muja “kjo temë nuk është dashur të vijë në seancë”. 

Sipas tij, kjo më shumë “është nevojë për ata që s’janë lënduar asnjëherë shpirtërisht, të mundohen të flasin për ata që janë lënduar”.

Ai ka thënë se [gratë e abuzuara] mund të futen në skeda sociale nëse klasifikohen nga ekspertët mjekësorë.

I tërë debati për projektligjin për deputetin e LDK-së opozitare, Sabri Hamiti, ka paraqitur “një situatë kur diskutimi ofron diçka të nuancuar”.

Deputeti Naser Osmani nga LDK-ja është pro-ligjit me kusht që “kërkesa kryesore nuk duhet të jetë kompensimi financiar”.

“Në botën demokratike këto çështje nuk janë të zgjidhura me kompensim financiar”, ka thënë Osmani gjatë seancës, duke aluduar në përkrahje të shoqërisë dhe forma tjera të kësaj natyre.

Deputeti Gëzim Kelmendi i Partisë së Drejtësisë gjatë seancës është shprehur se “nuk ka metodë ligjore obstetrike gjinekologjike” për të diagnostifikuar dhunimin e para 13viteve. 

Këto diskutime në Parlament kanë fyer gratë e dhunuara, sipas organizatave që i përfaqësojnë ato.

Sebahate Pacolli-Krasniqi ka treguar se gratë që trajtohen në Qendrën Kosovare Për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës janë ndjerë të fyera gjatë diskutimeve që janë bërë në Kuvend. 

Ajo është menaxhere e projekteve në KRCT, organizatë që merret trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të torturës. 

“Ato nuk janë numra dhe nuk përbëjnë një shumë”, tha Krasniqi. “Janë pjesë e shoqërisë sonë që duhet të trajtohen”.

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë inkurajon autoritet të adresojnë të drejtat e njeriut përfshirë ato për barazi gjinore.

Por “është në dorën e autoriteteve kosovare të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut përmes masave adekuate”, thuhet në një përgjigje të kësaj zyre për gazetën. 

Sebahate Pacolli-Krasniqi

“Viktima të luftës”

Nëse aprovohet projektligji, viktimat do të paguhen 300 euro në muaj dhe kostoja vjetore prej rreth 70 milionë euro, është llogaritur duke marrë për bazë të dhënën se “njëzetmijë gra janë të dhunuara”.

Ky numër i grave të dhunuara është publikuar përmes një raporti të Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës këto të dhëna janë ofruar nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, QMGF. 

Deputetja Alma Lama e përmendi këtë kosto të mundshme kur diskutoi në parlament rreth amendamentit për gratë e dhunuara. 

Gazeta nuk ka mundur të gjejë raportin QMGF-së lidhur me viktimat e dhunimit gjatë luftës në Kosovë.

Deputetja Hadergjonaj, e cila është kryetare e komisionit për Buxhet dhe Financa, ka votuar kundër sepse, shtoi ajo, ligji nuk do të gjejë “zbatueshmëri për shkak të mjeteve financiare”.  

Por, Sebahate Pacolli-Krasniqi nga KRTC kërkon që projektligji për të cilin po diskutohet të përfshijë edhe trajtimet shëndetësore dhe psikologjike që duhet t’i ketë kjo kategori. 

“Janë rreth 60 kliente që trajtohen në qendrën tonë ndërsa në vitin 1999 numri i femrave të dhunuara që janë lajmëruar ka qenë shumë i vogël”, tha Krasniqi.

Disa parlamentarë tjerë kanë arsyetuar votimin kundër projektligjit sepse, sipas tyre, për këtë “duhet një ligj i veçantë”.

Myzejene Selmani, deputetja nga radhët e AKR-së, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se ka votuar kundër ngase nuk ka qenë e pajtimit që në një ligj të përfshihen dëshmorët, familjet e dëshmove, familjet e veteranëve dhe gratë e dhunuara.

Edhe për deputetin e PDK-së Adem Grabovci gratë e dhunuara gjatë luftës duhet të trajtohen me një ligj të veçantë. 

Ai nuk pranon që të gjitha kategoritë e luftës të trajtohen në një ligj.

Por Pacolli-Krasniqi nga KRCT-ja thotë se gratë e abuzuara gjatë luftës, të cilat frekuentojnë këtë qendër, duan të trajtohen “si viktima të luftës e jo si grua të dhunuara”.

Edhe Alma Lama, deputetja nga grupi Vetëvendosje, ka deklaruar se “gratë nuk duan të trajtohen me një ligj të veçantë”.

Natyra Avdiu

Një dekadë që të plotësohen të dhënat

Aktivistja Natyra Avdiu, e cila është duke magjistruar në Gjermani në të drejtën ndërkombëtare dhe humanitare dhe e cila monitoron draftimin e ligjeve në vend, vë në pikëpyetje shifrën  prej njëzetmijë grash të dhunuara në Kosovë.

“Duhet të jemi të kujdesshëm me statistika sepse nuk ekzistojnë të dhëna kredibile”, thotë Avdiu. “Por kjo nuk duhet të përdoret si argument për të arsyetuar mosveprimin në këtë çështje”.

Sipas saj, mungesa e statistikave është pasoje e faktit se të gjithë të dhunuarit e luftës janë injoruar, stigmatizuar dhe janë bërë të ndjehen të turpëruar nga vetë institucionet.

Avdiu thotë se do të duhet edhe një dekadë që të plotësohen të dhënat për të dhunuarit gjatë luftës. 

“Kurrë nuk ka pasur debat publik në Kosovë për viktimat e dhunimit dhe kjo ka bërë që këta të vuajnë në heshtje dhe të ndihen të turpëruar”, thotë ajo. “Kjo iniciativë është dashur të përdoret nga përfaqësuesit e popullit për të përçuar mesazhin se nuk është turp të jesh viktimë e dhunimit. Fatkeqësisht, mesazhi i dhënë nga deputetë të njohur është se ky është rast sensitiv dhe disa edhe sugjeruan që këta nuk janë viktima”.

Avdiu thotë personat e dhunuar nën ligjet aktuale nuk kanë qasje në asnjë ndihmë shtetërore dhe, prandaj, kjo iniciativë duhet t’u shërbejë atyre që t’u sigurohet ndihma.

Ajo shton se duhet të qartësohet edhe çështja e ndjeshmërisë.

“Të jesh viktimë e dhunimit nuk është çështje vetëm e ndjeshme, por është krim i luftës. Prandaj, duhet të sigurohemi që këto viktima të mos traumatizohen dhe stigmatizohen nëse janë dëshmitarë në raste gjyqësore”. 

Rogova: Le të na sulmojnë të gjithëve  

Nazlie Bala, drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në kuadër të “Vetëvendosjes”, është kërcënuar më 20 mars, e më pas edhe është sulmuar fizikisht për shkak të paraqitjes në një emision televiziv ku kishte deklaruar se mbështet futjen e nenit për personat e dhunuar brenda projektligjit për të prekurit e luftës. 

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se sulmi ka ndodhur më 27 mars në orët e vona të mbrëmjes, në hyrjen e ndërtesës ku banon Bala. 

Bala ka deklaruar se ndihet e shqetësuar. 

Sulmi është dënuar nga kryeministria, presidenca, ambasada amerikane dhe ajo e BE-së si dhe akterë të tjerw. 

Një ditë më pas, organizata AlterHabitus, organizoi protestë ku dhjetëra qytetarë dënuan gjuhën seksiste dhe denigruese të përdorur nga parlamentarët gjatë diskutimeve në Kuvendin e Kosovës. 

“Ne s’kemi me u ndalë dhe kemi me ngrit zërin që gratë e dhunuara të përfshihen në ligj”, i tha gazetës aktivistja për të drejtat e njeriut, Igballe Rogove, gjersa protestonte.

“Ne të gjithë jemi Nazlie Bala dhe nëse duhet me na sulmu le të na sulmojnë të gjithëve”, tha Rugova.