Shehiq duke peshkuar në lumin Una Foto: Dino Isaković

Nuk ka armiq, ka vetëm të mbijetuar: Shkrimtari boshnjak, Faruk Shehiq, flet mbi lumenjtë, luftën dhe botën pa kufij

Teksa shëtis nëpër Sarajevë, një libër zë pozitën kryesore në libraritë e qytetit: Vepra e fundit e Faruk Shehiqit, ‘Greta’. Shehiq, i cili fitoi Çmimin Evropian për Letërsinë në vitin 2013 për romanin e tij debutues, ‘Quiet Flows the Una’, është një emër i njohur në Bosnje dhe Hercegovinë – si për poezinë ashtu edhe për prozën e tij.  Shehiqin e takoj në një kafene buzë lumit Miljacka në kryeqytet, vend ky të cilin Shehiq e viziton shpesh sepse i pëlqejnë vendet afër ujit. “I dua lumenjtë”, më thotë ai. Ky pohim i tij nuk duket të jetë diçka e befasishme.

Lumenjtë janë një prezencë e fortë në të gjithë letërsinë e Shehiqit. Në romanin e tij debutues, Shehiq feston ujërat që rrjedhin nëpër qytetin e vogël ku ai u rrit dhe ku ai kthehet çdo verë. Ai ende peshkon, noton dhe qesh me miqtë e fëmijërisë, shumë prej të cilëve kanë emigruar jashtë vendit, por që kthehen gjithmonë gjatë stinës së ngrohtë. Koleksioni i tij i ardhshëm me poezi në anglisht quhet gjithashtu ‘My rivers’.

Ndoshta është e lehtë të kuptohet pse Shehiqi ka zgjedhur rrugët, ujërat e vendit si muzën e tij. Bosnja me të vërtetë krenohet me disa nga ujërat më të kthjelltë në Evropë: pak janë ata që qëndrojnë indiferentë ndaj blusë së pastër, pothuajse joreale të lumenjve të saj. Por për Shehiqin, kjo bukuri natyrore është gjithashtu një kundërvënie e ndritshme me të kaluarën e dhimbshme të vendit.

Shehiq shkruan në  poezinë e tij ‘Domestic Epiphany’.

‘Ata që e donin jetën buzë lumit Una
dhe vdiqën për këtë, që ne të ktheheshim në qytetin tonë
Ajo dëshirë, ishte arma jonë më e madhe,
por vetëm familjet e të vdekurve e mbajnë mend këtë’

Ashtu sikurse ‘Quiet Flows the Una’ edhe përmbledhja e tregimeve të shkurtra që i paraprinë, ‘Under pressure’, novela e fundit e Shehiqit, ‘Greta’, është një reflektim mbi jetën në mes të luftës.

I lindur në vitin 1970, Shehiq ishte student veterinarie kur shpërtheu lufta e armatosur në atë që dikur njihej si Jugosllavia – “epoka e artë e sllavëve të jugut”, siç e quan shkrimtari.

Kur filloi Lufta në Bosnje në vitin 1992, vetë Shehiqi kapi armët si vullnetar i shndërruar në një toger, duke udhëhequr 130 burra si i vetëm në moshën 22 vjeçare. Ai ka ende një vragë nga lufta në parakrahun e majtë.

E pyes për incidentin që e shkaktoi: “Është një histori qesharake; nuk është tragjike, – thotë ai, – por megjithatë ishte e dhimbshme.

Shehiqi në fakt e përshkruan episodin në “Dusk til Dawn”, në ‘Under Pressure’. Historia paraqet një kacafytje në gjendje të dehur me policinë, e cila e bën Shehiqin për spital, përpara se të “kryqëzohej në një dyshek shkume të UNHCR” për nëntë ditët e ardhshme. Nëna e tij e mbulon me pomadë, ndërsa babai i tij shtrihet në dhomën ngjitur, i plagosur.

“Ai kishte shkelur në një minë tokësore që i këputi gjysmën e këmbës”, thotë narratori, me ton joheroik që lë të nënkuptojë banalitetin e përditshëm të dhunës.

“Mezi prisja të më hiqnin qepjet në mënyra që të mund të dilja jashtë. Zemra po më copëtohej nga mërzia. Fillova të shkruaj poezi:

‘Nëpër pamje të hekurt, vështroj yjet
Teksa shpërdorojnë rastësisht shkëlqimin e tyre
Kur vdesin, nuk shqetësohen për dëbimin e tyre
Nga bota dhe mishi i tyre
Arma ime është e mbushur me ndjenjën.’

Shehiq (djathtas) me bashkëluftëtarët e tij | Foto: Hari Paliq, i cili vdiç në betejën e vitit 1995

‘Greta’ është zgjerim i një tregimi të shkurtër të ndryshëm brenda ‘Under pressure”. Ndërsa veprat e mëparshme të Shehiqit, kjo është emëruar pas një prej fqinjëve të dikurshëm të shkrimtarit, një mësuese sllovene, të cilës shkrimtari i bën nderime.

“Ajo ishte si një nënë e dytë për motrën time më të vogël dhe u largua me familjen time kur na u desh të evakuonim banesën tonë – pavarësisht faktit se ajo nuk kishte nevojë ta bënte atë; ajo ishte e sigurt aty ku ishte.”

Shehiq shkroi novelën, i sfiduar për të provuar formatin nga miku i tij, shkrimtari boshnjak Shemsedin Mehmedinoviq, i cili sapo është kthyer në Sarajevë pas një mërgimi 25-vjeçar në Shtetet e Bashkuara.

A e kishte parë Shehiqi luftën teksa ajo po vinte? Po dhe jo, thotë ai.

“Ka pasur tensione politike derisa në vitet e 80-ta filloi të rritet nacionalizmi serb dhe kroat. Por nëse një vend është më i madh, nacionalizmi [i tij] është gjithashtu më i madh,” shpjegon ai.

Ndërkohë, shkrimtari ka reflektuar gjatë mbi nacionalizmin që nxiti Luftën e Bosnjës dhe konfliktet më të gjera jugosllave që u ndezën rreth saj.

“Këtu njerëzit duan të kenë një identitet të vetëm [etnik]. Por identiteti im [etnik] është i rrjedhshëm,” thotë ai.

Ai më vonë shton me përzierjen e tij nënshkrimore të auto-ironisë:

“Kur jam [politikisht] i zemëruar, them se jam boshnjak. Kur nuk jam, them se jam thjesht nga Bosnja.”

Në hyrje të ‘Quiet FloWs the Una’, narratori në vetën e parë, gjithashtu thotë: “Mos më pyet kush jam, sepse kjo më frikëson. Më pyet diçka tjetër”.

Lufta fshin gjithçka. Si do të mundja ta pretendoja ndryshe të kaluarën time përveçse përmes tregimeve?

A mendon ende për luftën, duke qenë se shkruan kaq shumë për të?

“Kur shkruaj, duhet të shkoj atje; është si një mbretëri ku duhet të shkoj”, thotë shkrimtari. “Kujtesa ime është rrugëdalja ime. Por ajo vazhdon të ndryshojë.” Gjatë luftës, shtëpisë së Shehiqit iu vu zjarri. Të gjitha fotografitë e familjes së tyre u shkatërruan. “Lufta fshin gjithçka”, thotë Shehiq në mënyrë të vërtetë. “Si mund të pretendoj ndryshe të kaluarën time përveçse përmes tregimeve?”

Kur Shehiqi më bën një xhiro në qendër të Sarajevës, është e qartë se lufta nuk është endur vetëm në letërsinë e shkrimtarit, por edhe në mënyrën se si ai e percepton rrethinën e tij. Ai e ndan jetën e çdo ndërtese në faza të ndryshme:

“Unë shoh një kullë nga shekulli i 14-të, por më pas mendoj se si kjo kullë ishte edhe një strehë snajperësh gjatë luftës,” thotë ai. Më vonë, ai tregon një ndërtesë zyre në bulevardin qendror të qytetit. “Aty ka qenë një lokal gjatë luftës,” thotë ai. “Ne pimë atje për tre ditë.”

Megjithatë, një kapitull i ri në historinë e Sarajevës ka filluar që atëherë. Pa asnjë vaksinë kundër Covid-19 në dispozicion në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë pranverës, Shehiqi, si shumë boshnjakë të shtresës së mesme, shkoi në Serbi për t’u vaksinuar, pas vendimit të qeverisë së Beogradit për t’i ofruar vaksinën të gjitha vendeve ish-jugosllave.

“Më duket ironike që njerëzit që na vranë gjatë luftës po na shpëtojnë edhe jetën”, thotë Shehiq.

Edhe shkrimtari ka ndaluar së piri. (“Nuk mund të jesh shkrimtar profesionist dhe të pish,” më thotë ai.)

Shehiqi tani zgjohet në orën 7:00 çdo ditë dhe shkruan për disa orë të mira. Pasdite, ai mban shënime ose redakton punën e tij. Kur është i angazhuar në shkrimin  e një romani të ri, siç është për momentin, nuk ka kohë për asgjë tjetër, duke përfshirë rubrikën e tij për një nga gazetat kryesore të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Romani për të cilin po punon aktualisht është një distopi fantastiko-shkencore e vendosur në një botë pa kufij.

“E kuptova se gjatë luftës, ne jetonim në një distopi,” thotë ai. “Dhe pas luftës, ne fakt, ne po jetojmë në gërmadha.” Libri është shkruar mbi këtë metaforë:

“Nuk ka sistem politik, nuk ka shtet, nuk ka kufij, është anarki e kontrolluar. Qytetet janë shkatërruar dhe njerëzit jetojnë ashtu.”

Duke u larguar nga proza realiste, Shehiq shpreson se fanta-shkenca do t’i japë atij lirinë për të eksploruar një botë pas konfliktit. Ai gjithashtu shpreson të tregojë një histori universale, siç e bënë disa nga autorët e tij të preferuar, duke përfshirë George Orwellin, Jack Londonin ose Ursula Le Guin – të cilat ai i quan “shkrimtarë profetikë”.

“Në ‘Greta’, edhe ne vetë jemi armiqtë tanë, ndërsa këtu nuk ka armiq – vetëm të mbijetuar”.

Paula Erizanu është Redaktore e Kulturës në ‘The Calvert Journal’. Ajo ka shkruar për politikën, artin dhe kulturën e Evropës Lindore për ‘-The Guardian, LRB, CNN, Aeon, Dazed, The Architectural Review dhe botime të tjera.  

Përgatiti: Nuhi Shala

Artikulli në origjinal