Nuk Dihet Kush do ta Paguajë Blair-in

Derisa ish-kryeministri britanik Tony Blair konfirmoi qëllimin që të këshillojë qeverinë e re të qendrës së majtë në Shqipëri, pagesa për këto shërbime mbetet e mbuluar me vellon  e dykuptimësisë.

Marrëveshja e majit mes kryetarit të Partisë Socialiste Edi Ramës dhe Tony Blair-it u konfirmua kur të dy u takuan përsëri në zyrën londineze të Blair-it, më 17 korrik.

Rama dhe koalicioni i drejtuar nga socialistët shënoi fitore në zgjedhjet e 23 qershorit, duke mposhtur Partinë Demokratike të kryeministrit në largim, Sali Berishës.

Në një video të publikuar nga Partia Socialiste, Blair shihet duke ia uruar fitoren Ramës, kur të dy burrat u takuan në zyrën e ish-kryeministrit britanik, në rrugën “Grosvenor” të Londrës.

 “Ishte një fitore e jashtëzakonshme dhe është momenti që Shqipëria të bashkohet me qeverinë e re dhe programin e saj”, tha Blair.

 “Duke e konsideruar veten mik të Shqipërisë, jemi të gatshëm të ndihmojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi Blair.

Rama që shkoi në Londër në udhëtimin  e tij të parë që nga mbajtja e zgjedhjeve, tha që fitorja e tij ka krijuar një mundësi për ta punësuar Blair-in si këshilltar.

 “Jam shumë i lumtur për këtë fitore që na e jep mundësinë të pranojmë ndihmë nga një mik i shkëlqyer, nga një kryeministër që la shenjat e tij në historinë e Anglisë dhe botës dhe i cili kurrë nuk harron të thotë se është mik i shqiptarëve”, tha Rama.

Në një deklaratë në Twitter, lideri i socialistëve shqiptarë tha që gjatë takimit dyorësh ai diskutoi me Blair-in “piketat e qeverisë së re”.

Blair ka njohuri të shumta për Ballkanin. Në vitin 1999, bashkë me presidentin e atëhershëm të ShBA-ve Bill Clinton, udhëhoqën sulmet ajrore të NATO-s kundër forcave të të “fuqishmit” të Serbisë, Slobodan Milosheviqit.

Fushata 78 ditëshe i dha fund sundimit të Serbisë në Kosovë, ndërsa trasoi rrugën që Kosova të jetë shtet i pavarur.

Sikur Blair të mos bëhej këshilltar i qeverisë së re shqiptare, do të shkonte pas hapave të Alistair Campbell, njeriut që dikur përkujdesej për fushatat mediale të Blair-it, ndërsa shërbeu si këshilltar për socialistët gjatë fushatës së sukseshme zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit.

Shqipëria ka një histori të gjatë të angazhimit të këshilltarëve dhe lobuesve të huaj, kryesisht në Washington për ta përmirësuar imazhin për vendin dhe për të siguruar qasje te krijuesit e politikave amerikane dhe mediet ndërkombëtare.

Miliona janë shpenzuar gjatë katër vjetëve nga qeveria e Berishës. Sidoqoftë mbetet e paqartë se çfarë mbërriti ky lobim i kushtueshëm për njërin nga vendet më të varfëra të Europës.

Edhe Blair-i, edhe Rama thanë që këshillat për qeverinë e re nuk do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, por prej nga do të vijnë paratë duhet ta shpjegojnë në të ardhmen.

Dokumentet e publikuara nga FARA, një organ i Departamentit Amerikan të Shtetit tregojnë se kryeministri në largim Berisha i dha disa kontrata fitimprurëse një tjetër njeriu me emrin Tony, mbiemri i të cilit është Podesta.

Podesta, kryetar i Podesta group, një kompanie lobuese amerikane është pagëzuar nga New York Times si “njëra nga lojtaret kryesore te Washingtonit”.

Dokumentet e FARA-s tregojnë që kompania Podesta group pranoi tri kontrata vjetore nga qeveria shqiptare që nga viti 2001, me vlerë mujore prej 60 mijë dollarëve, ku nuk u llogaritën shpenzimet.

Deri në kohën kur do të përfundojë kontrata, kompania Podesta group do të ketë tërhequr 2 milionë e 160 mijë euro nga qeveria shqiptare.

Qeveria e Berishës gjithashtu nënshkroi në vitet 2010 dhe 2013 dy kontrata tjera lobuese vjetore me Patton Boggs LL C, një firmë tjetër e madhe lobuese nga Washingtoni, me një çmim prej 60 mijë dollarësh në muaj, ose në total prej 1 milion e 440 mijë dollarë.

Dokumentet e FARA-s tregojnë se të dy firmat lobuese u angazhuan vazhdimisht që nëpërmjet e-mailave, telefonave dhe takimeve me kongresmenë, zyrtarë të Departamentit të Shtetit, me ambasadorin e ShBA-ve në Tiranë, “të diskutojnë raportet Amerikë-Shqipëri”.

Sidoqoftë e-mailat e pranuar nga Balkan Insight-it prej Podesta group tregojnë se duke punuar në raportet Shqipëri-Amerikë, kompania është angazhuar në përmirësimin e imazhit të kryeministrit Berisha, rritja e sjelljes autokratike të të cilit kishte nervozuar shumë vëzhgues në Tiranë dhe Washington.

Socialistët që ishin mjaft kritikë për angazhimin nga Berisha të kompanive lobuese Podesta dhe Patton Boggs, pohojnë që angazhimi i Blair-it do të jetë ndryshe.

 “Ka një nxitim për ta krahasuar Blair-in me Podesta-n që u pagua nga taksapaguesit për ta dezinformuar opinionin publik ndërkombëtar dhe për ta përmirësuar imazhin e një qeverie të korruptuar deri në fund”, tha Rama në një deklaratë në muajin maj.

 “Ndihma e Blair-it është e tepër e çmueshme për të mirat që do të sjellë, ndërsa kontrata me të nuk do ta rëndojë buxhetin e Shqipërisë, ose taksapaguesit”, shtoi Rama.

Sidoqoftë, kur u pyetën se kush saktësisht do të paguajë për këshillat e Blair-it dhe kur do të nënshkruhet kontrata, edhe Blair-i, edhe socialistët mbetën gojëkyçur.

Pas takimit në Londër të Ramës me Blair-in, zëdhënësi i sh-kryeministrit britanik Ciaran Ward, i tha Balkan Insight-it që ish-lideri britanik dhe Rama diskutuan “si ta modernizojnë qeverinë dhe të zbatojnë reformat’, duke mos nënshkruar ende kontratë.

 “Blair tha më herët që do të jetë i lumtur t’i ndihmojë si Shqipërisë, po ashtu edhe regjionit, pasi kjo hapësirë ka rëndësi të madhe për të”, shtoi Ward.

“Këshillat nuk do t’i kushtojnë asgjë qeverisë shqiptare”, vazhdoi ai.

Ward nuk deshi të komentojë, nëse Partia Socialiste do ta paguajë Blair-in, duke nënvizuar se ende “nuk ka asgjë të shkruar”.

Edhe socialistët pohuan se ende nuk ka marrëveshje mes Blair-it dhe Ramës.

“Në momentin kur do të ketë marrëveshje, ajo do të publikohet”, tha zëdhënësi i socialistëve Endri Fuga.