Nobeli për Handken: Një hallkë në zinxhirin e mohimit të gjenocidit

Nderimi me Çmimin Nobel për Letërsi apologjetit të Sllobodan Millosheviqit, Peter Handke, ishte thjesht një pjesë e vogël e një fenomeni më të gjerë mohimi të krimeve të kryera nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1990.

 

Të martën, autori austriak Peter Handke mori zyrtarisht Çmimin Nobel për Letërsi. Çdo shpresë për ndonjë të papritur, që çmimi të revokohej, nuk u konkretizua.

Mund të rendis shumë arsye të ndryshme pse zgjedhja për të nderuar me një çmim të tillë këtë njeri është kaq e gabuar, por këto janë detajuar shumë nga autorë dhe gazetarë të shquar.

Peter Maass, një gazetar amerikan që mbuloi konfliktin boshnjak dhe më pas shkroi librin “Duaje fqinjin tënd: Një histori lufte”, ka qenë sidomos tepër këmbëngulës për të analizuar origjinën dhe mekanizmat e mohimit të gjenocidit të Handkes në shkrimin e tij për The Intercept, dhe duke përshkruar hipokrizinë dhe dashakeqësinë pas vendimit të Komitetit Nobel.

Për këtë jam mirënjohëse. Raportimi i Maass për këtë temë, tepër i thellë dhe dinjitoz, më kujton raportimet nga gazetarët boshnjakë dhe të huaj gjatë viteve tragjike 1992 – 1995. Ky ishte raportim për të qenë krenar, dhe duke rrezikuar jetën e tyre, ishin gazetarët që konfirmuan agresionin dhe gjenocidin serb të Bosnjës në kohë reale, duke zbuluar disa herë aspektet e tij më të këqija për publikun global.

E tyrja ishte një detyrë tepër e rrezikshme dhe megjithatë Handke iu referua këtyre gazetarëve si një “turmë” dhe sugjeroi se ata i kishin trilluar historitë. Në të vërtetë, gazetarët e huaj luajtën një rol vendimtar në përhapjen e njohurive për tmerret që po ndodhnin në Bosnje dhe Hercegovinë. Raportimi i tyre ishte kyç për gjenerimin e një vullneti politik që çoi në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1995 dhe për t’i dhënë fund luftës.

Si studiuese e gjenocidit boshnjak, unë kam qenë në dijeni prej kohësh për ligjërimin e mohimit të tij brenda akademisë perëndimore. Ky është këndvështrimi i një pakice, por një këndvështrim që ende shihet si “legjitim” në sytë e disa botuesve dhe organizatorësh konferencash. Kështu që,  shpesh e kam gjetur veten të ulur në tavolinë përballë një mohuesi gjenocidi dhe gjithashtu kam marrë vlerësime “miqësore” prej tyre.

Për të qenë e qartë, pak nga këta njerëz kanë qenë mohues të ashpër si Handke; dhe mesa di unë, asnjë prej tyre nuk mori pjesë, e aq më pak të mbante një fjalim në funeralin e Sllobodan Millosheviqit, siç bëri Handke në 2006.

Diskursi i mohuesve që kam hasur ndër vite zakonisht është ngulitur në një lloj ekuilibri, se “asnjëra palë nuk është e pafajshme”, që “nëse të gjithë janë fajtorë, askush nuk mund të fajësohet më shumë se dikush tjetër”, se “nuk pranojmë të mbajmë anë” dhe se “ne duam të jemi objektivë”.

Por zakonisht, ndërsa diskutimet tona vazhdonin, shumë përpiqeshin të çonin para idenë se Millosheviqi, Radovan Karaxhiqi, Ratko Mlladiqi dhe i gjithë establishmenti ushtarak dhe politik nuk ishin të motivuar nga një urrejtje ndaj myslimanëve boshnjakë apo ndaj kroatëve të Bosnjës, por nga dashuria e tyre për serbët dhe nga detyra e tyre për t’i mbrojtur ata. “Dhe gjenocidi kundër myslimanëve boshnjakë ishte vetëm një dëm kolateral në shprehjen e tyre të asaj dashurie?” mbaj mend që pyeta njërin prej tyre.

Cilido të jetë argumenti që japin këta mohues, ata të gjithë e përshkruajnë luftën e Bosnjës si një luftë civile, jo si një agresion serb dhe luftë kundër civilëve, dhe ata mohojnë ekzistencën e një plani për të vrarë dhe shpërngulur me forcë myslimanët boshnjakë dhe kroatët e Bosnjës nga territori i përcaktuara se i përkiste ekskluzivisht serbëve.

Në përputhje me këtë, sipas arsyetimit të tyre, çdo krim që ndodhi në luftë ishte efekt anësor i një konflikti civil të pakontrolluar. Dhe natyrisht, si Handke, pothuajse të gjithë dënuan gjithashtu rolin e Perëndimit dhe bombardimin e NATO-s – ngjarja që i bëri serbët viktimat e vërteta, në sytë e mohuesve.

Pjesë e mohimit të gjenocidit është një nga argumentet më të urryera – që Ushtria Boshnjake i shënjestroi vetë njerëzit e saj. Handke është ndër ata që kanë sugjeruar se ka ndodhur kjo gjë.

Pikëpamje të tilla shfaqen edhe në shkrimet e akademikëve të famshëm perëndimorë. Në të vërtetë, pas përfundimit të një lufte, nis një luftë tjetër. Një luftë mbi narrativën dominuese të konfliktit. Në këtë rast, një narrativë mohimi mbetet mjaft e spikatur në “tregun e ideve” që madje herë pas here ka informuar perspektivën retorike dhe historike të studiuesve të tjerë të gjenocidit.

U trondita së fundmi, për shembull, kur m’u kërkua të rishikoja dorëshkrimin e një kolegu të shquar, i cili pohonte rastësisht se myslimanët në Sarajevë ishin qëlluar nga “vetë lidershipi i tyre”.

Ka pasur një kohë kur këto lloj argumentesh më preknin dhe shqetësonin shumë. Me kalimin e kohës dhe ndërsa vendimet nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë akumuloheshin, shumë mohues të gjenocidit u bënë më pak të guximshëm dhe filluan të bënin argumente më të mprehta. Shumë madje pranuan se krimet e kryera nga Ushtria Serbe e Bosnjës në korrik 1995 kundër boshnjakëve nga Srebrenica ishin gjenocid.

Megjithatë, mohuesit kanë vazhduar ta vendosin gjenocidin e Srebrenicës brenda asaj që një autor i cituar gjerësisht e nënvizoi si një “fushatë të çrregullt spastrimi etnik” dhe jo një fushatë sistematike gjenocidi.

Dokumentet e kohës së luftës ofrojnë prova të pakundërshtueshme

Kam arritur të kuptoj se shumë mohues nuk kanë përvojë me Bosnjën dhe Hercegovinën. Ata nuk kanë bërë hulumtime në terren apo të kenë ekzaminuar burime parësore dhe shumë prej tyre janë ndikuar nga propaganda serbe ose islamofobia në përgjithësi.

Disa gjithashtu e lidhin Millosheviqin me ideologjinë e majtë, ose thjesht e radhisin veten me palën serbe në luftë sepse kundërshtojnë ndërhyrjet perëndimore. Prandaj kam mësuar se citimi i dëshmive të dëshmitarëve myslimanë të Bosnjës ose ofrimi i interpretimeve të mia për kontekste politike përkatëse të kohës së luftës është një qasje joefikase për të ndryshuar këndvështrimin e mohuesve të gjenocidit.

Për më tepër, e para është emocionalisht sfiduese për mua dhe e fundit ofron një platformë për debat që e bën lëmsh vetë debatin. Kështu që, në një pikë, fillova të armatosesha me dokumente të verifikuara nga Gjykata e Hagës, vërtetësia e të cilave nuk është kontestuar as nga avokatët e kriminelëve serbë të luftës. Me fjalë të tjera, dokumente të prodhuara nga vetë autorët e gjenocidit, siç janë transkriptimet e seancave parlamentare dhe të takimeve të nivelit të lartë, urdhrat ushtarake me shkrim dhe planet e detajuara ushtarake dhe politike.

Këto dokumente janë prova që gjenocidi kundër myslimanëve boshnjakë jo vetëm që u planifikua dhe u zbatua nën vëzhgimin e kujdesshëm të Millosheviqit, Karaxhiqit dhe Mlladiqit, por edhe me njohurinë dhe pjesëmarrjen e plotë të një rrethi më të gjerë politik, sektorit të sigurisë dhe aktorëve ushtarakë në bastionin serb të Bosnjës të Pales dhe në Beograd.

Sa herë që biseda nëpër tryeza të rrumbullakëta apo konferenca sillet rreth retorikës së “luftës civile të pakontrolluar” ose “vështirësive për të vërtetuar qëllimin gjenocidial” , unë nxjerr tufën time të dokumenteve për të cituar fjalët e autorëve të dënuar të gjenocidit, duke përdorur fjalët dhe bisedat e tyre për të bërë argumentin tim. Dhe kjo qasje zakonisht funksionon.

Midis këtyre dokumenteve është edhe transkriptimi i seancës parlamentare të majit 1992 në të cilën Mlladiq tha qartë se qëllimet strategjike të serbëve nuk mund të viheshin në zbatim pa një gjenocid.

“Ne nuk kemi një sitë që të bëjmë të mundur të mbeten vetëm serbët apo që serbët të bien poshtë dhe të tjerët të mbeten”, tha ai, duke paralajmëruar se mënyra e vetme për të arritur këtë “do të ishte gjenocidi”.

Mlladiq vazhdoi më tej: “Nuk duhet të themi se do të shkatërrojmë Sarajevën. Ne nuk do të themi se do të shkatërrojmë shtyllat e furnizimit me energji elektrike apo se do të ndërpresim furnizimin me ujë. Jo, sepse kjo do të vinte në lëvizje Amerikën, por thjesht një ditë s’do të ketë ujë në të gjithë Sarajevën. Pse ndodhi kjo? Nuk e dimë. Duhet t’i tregojmë me zgjuarsi botës se ishin ata që qëlluan, që qëlluan linjën e furnizimit me energji elektrike dhe për këtë arsye energjia u ndërpre, se ata qëlluan kabinat e furnizimit me energji elektrike. Kjo është diplomaci.”

Mohimi i gjenocidit nuk është më i mirë sesa “lajmi i rremë”. Por, ashtu si lajmet e rreme, edhe ai mund të kundërshtohet me fakte. Dhe në rastin e gjenocidit boshnjak, nuk ka vend më të mirë për të siguruar fakte sesa në arkivat e Gjykatës së Hagës.

Është shqetësuese që anëtarët e Komitetit Nobel nuk i panë këto arkiva, duke u mbështetur në vend të kësaj në teorinë e komplotit. Por është e dobishme për kauzën e së vërtetës që neglizhenca dhe mungesa e tyre e gjykimit ka qenë në vëmendje të publikut.

Mund të jem optimiste, por nuk mund të mos ndiej se Çmimi Nobel për Handken mund të jetë një lajm i keq për mohuesit e gjenocidit.

Në fakt, drita që tani shkëlqen mbi Nobelin e Handkes ka potencialin të largojë hijen që mbulon të vërtetën.

Edina Becirevic është profesoreshë në Universitetin e Sarajevës dhe autore e “Gjenocidi në lumin Drina”(Yale University Press, 2014).

Mendimet e shprehura në seksionin e Komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.