Njohjet Që Shtyheshin Nga Lobistët e Qeverisë Nuk u Realizuan

Në një raport që kompania “Patton Boggs” e dorëzoi në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, verën e kaluar, ajo përmendi aktivitetet e saj lobuese në interes të klientit të saj, qeverisë kosovare, duke përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga disa shtete të botës.  

Raporti u dorëzua në korrik të 2012-ës dhe i referohet periudhës janar-qershor të vitit të kaluar.

Në të thuhet se lobistët kanë dërguar e-maila, kanë biseduar nëpërmjet telefonit si dhe kanë takuar zyrtarë amerikanë të shtetit për të biseduar në interes të Kosovës.

Po ashtu në raport thuhet se lobistët u angazhuan që të sigurojnë tri njohje të shtetësisë së Kosovës.

Ata kishin biseduar me zyrtarë amerikanë që Kosovën ta njohin vende si Xhamajka, Tunizia e Libia. Dy të fundit janë antare të Ligës Arabe.

Më 30 mars të vitit 2012, lobistët i dërguan e-mail Wendy Brafmanit, zyrtar në departamentin amerikan të shtetit. Në email diskutohej për Libinë e Tunizinë. 

Brafman u telefonua edhe më 1 maj të vitit të kaluar ku u diskutua për Libinë. Më 29 qershor të vitit 2010, lobistët i telefonuan atij dhe u diskutua “Letra për Ministrinë e Jashtme të Xhamajkës”.

Më 13 qershor 2012, lobistët i dërguan e-mail zyrtarëve të departamentit të shtetit Phipip Gordon e Philip Reeker në të cilën trajtohej çështja e Xhamajkës. 

“Lobistët kanë dërguar e-maila, kanë biseduar nëpërmjet telefonit si dhe kanë takuar zyrtarë amerikanë të shtetit për të biseduar në interes të Kosovës” 

Asnjëra prej këtyre shteteve nuk figuron se e ka njohur Kosovën në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme ku thuhet se 96 vende të botës e kanë njohur vendin.

Nabil Al-Araby, sekretar i përgjithshëm i Ligës Arabe, kur priti kryediplomatin e Kosovës Enver Hoxhajn, në janar të këtij viti në Kajro të Egjiptit, pati thënë se i vetmi problem që ka ndikuar në mos njohjen e Kosovës nga vendet arabe është mungesa e informimit.

“Ndaj mendimin se disa vende kanë nevojë për më shumë informata lidhur me progresin e arritur në Kosovë pas 17 Shkurtit 2008”, thoshte Al-Araby.

Edhe ai pati premtuar se do inkurajojë vendet arabe për njohjen e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, më 6,7 e 8 shkurt të vitit 2012 lobistët e “Patton Boggs” i dërguan letra zyrtarit amerikan Brafman ku përmendej çështja e “McDonalds-it” , zinxhirit të hamburgerëve që lobistët planifikonin ta sillnin në Kosovë. Një email e ngjashme atij iu dërgua edhe më 15 shkurt të vitit të kaluar.

Në raportin në fjalë të “Patton Boggs” përmendet se një prej pikave të lobimit ka qenë sjellja e “McDonalds-it” në Kosovë. Kompania nuk kishte dashur të komentonte kur u pyet vitin e kaluar nëse ishte e interesuar të zgjeronte biznesin e saj edhe në Kosovë.
 
Gjigandi i hamburgerëve ende nuk ka hapur filiale në Kosovë.

Ndërkohë “Podesta Group”, që lidhi kontratën një-vjeçare në mars të vitit të kaluar, ende nuk ka raportuar për marrëveshjen me Qeverinë e Kosovës e cila i përfundon këtë muaj.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në muajin nëntor se lobistët e “Patton Boggs” kishin përmendur, si punë që e kishin realizuar, aranzhimin e takimeve të Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga me zyrtarë të lartë të administratës Presidentes. Presidentja realizoi dy vizita në SHBA në gjashtëmujorin e dytë vitit 2011. Njëra ndodhi në shtator ndërsa tjetra në muajin dhjetor.

Jahjaga kishte takuar presidentin amerikan Barack Obama në pritjen vjetore të liderëve botërorë në shtator të 2011-ës e po ashtu kishte takuar edhe Hillary Clintonin, atëkohë sekretare amerikane e shtetit. Ajo pati takim edhe me Frank Wisnerin, këshilltarin e “Patton Boggs”.

“Një prej pikave të lobimit ka qenë sjellja e “McDonalds-it” në Kosovë. Gjigandi i hamburgerëve ende nuk ka hapur filiale në Kosovë”

E njëjta kompani, lobim të ngjashëm kishte bërë më herët edhe për kryeministrin aktual të Kosovës.

Hashim Thaçi kishte pasur kontakte me lobistët e “Patton Boggs” që në vitin 1999 kur ishte Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (QPK).

Kjo kompani kishte raportuar në Departamentin Amerikanë të Drejtësisë se në vitin 1999 i kishte aranzhuar Hashim Thaçit një vizitë në SHBA.

QPK-ja kishte paguar 25 mijë dollarë për këtë.

“Kompania ka ndihmuar kontraktuesin për t’ia aranzhuar një vizitë në SHBA. Saktësisht personi që i është aranzhuar kjo vizitë ka qenë Hashim Thaçi. Ai ishte takuar me anëtarët e Kongresit në SHBA”, thuhet në raport.

Po ashtu e njëjta kompani kishte raportuar se kishte pasur kontratë me Qeverinë e Përkohshme edhe në vitin 2000.

Por, për këtë vit nuk kishte kallëzuar se sa ishte paguar dhe se çfarë punë kishte kryer.

Klient i kësaj kompanie është edhe Qeveria e Shqipërisë. Njëjtë si Kosova, Shqipëria angazhoi dy kompani lobimi për kryerjen e shërbimeve të nxitjes së investitorëve. Kompania tjetër e angazhuar nga Qeveria e Shqipërisë është prapë edhe Podesta Group e cila është lobues edhe i Qeverisë së Republikës së Serbisë.

Qeveria e Kosovës dhe lobistët nuk japin përgjigje

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga Zyra e Kryeministrit informacione se cilat janë rezultatet e lobimit nëpërmjet kompanisë “Patton Boggs”.

Zyra e Kryeministrit nuk pranoi të japë ndonjë përgjigje. Njëjtë veproi edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Po ashtu u kërkuan informacione nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e cila kontraktoi kompaninë “Podesta Group”. As MZHE nuk u përgjigj.
 
Dy kompanitë e kontraktuara gjithashtu nuk kthyen përgjigje për gazetën.

Autoritetet kosovare nuk kishin dhënë shpjegime as kur “Patton Boggs” raportoi se është paguar për të aranzhuar takimet e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga me zyrtarë amerikanë të shtetit.

Patton Boggs vetëm një herë ka kthyer përgjigje me shkrim kur është pyetur për kontratën e saj me Qeverinë e Kosovës.

“Ne nuk mund të komentojmë çështjet që kanë të bëjnë me klientët tanë”, thuhej në përgjigjen e Zyrës për Media të kësaj kompanie, në nëntor 2012.

Angazhimi Sekret i Lobistëve

Gazeta Jeta në Kosovë pati zbuluar se Kryeministri Hashim Thaçi u takua me këshilltarin e çështjeve të jashtme të Patton Boggs, Frank Wisner, në SHBA, vetëm dy muaj para se Thaçi të bënte marrëveshje me lobistët përmes kabinetit të tij, për herë të parë në shtator 2010-es.

Vendimi ishte anuluar pasi u zbulua se nuk ishte respektuar Ligji i Prokurimit Publik, pasi nuk kishte aprovim kabineti qeveritar nuk kishte aprovim nga Agjencia e Prokurimeve Publike që kontraktuesi të zgjedhej pa tender të hapur.

Më vonë, në muajin korrik 2011, Ministria e Punëve të Jashtme pati kërkuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike që të angazhojë këtë kompani përmes procedurës së negociuar. 

“Ne nuk mund të komentojmë çështjet që kanë të bëjnë me klientët tanë” Patton Boggs

MPJ-ja arsyetohej se tenderi nuk mund të ishte publik pasi që natyra e shërbimit ishte asisoj që duhej të kryhej në konfidencialitet.

Më 29 gusht të vitit 2011, MPJ dhe Patton Boggs nënshkruan një kontratë e cila kishte vlerë 600 mijë dollarë. 

Përkundër që Qeveria e Kosovës e mbajti sekret angazhimin e lobistëve, kompania amerikane ka bërë publike marrëveshjen pasi për këtë ka raportuar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë.

Në këtë dokument thuhet se kompania do të jetë e angazhuar në nxitjen e investimeve dhe mundësitë tregtare për Kosovën, si dhe për të mbledhur fonde nga programet e ndihmës së huaj. Po ashtu kompania do të jetë e angazhuar që t’i ndihmojë Kosovës në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Ndërkaq kontrata tjetër e lobimit është nënshkruar në fillim të muajit mars të vitit 2012 nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik me Podesta Group, me vlerë prej 50,000 dollarësh amerikanë në muaj.

Qeveria nuk bëri publikë angazhimin e kësaj kompanie e Njoftimi për Dhënie Kontrate nuk figuron në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. 

Por, vetë kompania raportoi në Departamentin Amerikan të Drejtësisë se kishte lidhur kontratë me Qeverinë e Kosovës.

Kontrata përshkruan se Podesta Group “do të këshillojë Kosovën lidhur me politikat amerikane, aktivitetet në kongresit dhe degën ekzekutive dhe zhvillimet në skenën politike amerikane në përgjithësi, si dhe të mbajë kontakt me anëtarët e Kongresit dhe stafin e tyre, zyrtarët e degës ekzekutive, anëtarë të shtypit, si dhe organizata joqeveritare, sipas nevojës”.

Kryetari i Podesta Group, Tony Podesta, është vëllai i John Podestës, i cili ishte shef i kabinetit të presidentit Bill Clinton, gjatë konfliktit në Kosovë. Vëllezërit Podesta, atëherë e emëruan firmën Podesta Associates. Johni tani kryeson Qendrën për Progres Amerikan, një kompani “think-tank” liberale në Washington.