Njëzetenjë Vjeçar dhe 66 Raste Penale

Florim Fazliu, i riu nga lagjia “Kodra e Trimave” e Prishtinës, gjatë viteve të adoleshencës së tij ka qenë më “ambicioz”se moshatarët, për të provuar gjëra më të jashtëzakonshme.

“Gjapella” kishte vetëm 15 vjeç, kur pati rastin e parë në polici. Ai ishte denoncuar për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike më 2006.

Ai ishte “fillim” për të bëmat tij sepse dosja e “Gjapellës” shtonte numrin e veprave të kryera nga viti në vit.

Në vitin 2012, emri i tij, ishte shënuar për të 66-tën herë në Policinë e Kosovës. Në 55 raste ishte i dyshuari kryesor, ndërsa në 11 raste ishte viktimë/dëshmitar.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se bazuar në raportet policore Gjapella” dyshohet se ka kryer vepra të ndryshme si tentim-vrajse, therje me thikë, prishje të rendit dhe qetësisë publike, kërcënime, sulme të rënda trupore, gjuajte më armë, grabitje, dëmtime të pronave, mosbindje të urdhrave të policisë.

Mbi këto vepra të kryera më 4 tetor 2012, Florim Fazliu është kapur nga divizioni kundër krimit të organizuar i Policisë së Kosovës, si i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale.

“Gjapella” është arrestuar në bazë të letër-rreshtimit nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, sipas të cilës, ai ka qenë person i shpallur në kërkim që nga viti 2011.

Policia e Kosovës për 48-të orë e ka mbajtur ‘Gjapellën’ në masën e parandalimit policor.

Gjyqtari Vehbi Kashtanjeva tha se paraburgimin e Florimit e ka vazhduar vendimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, deri më 4 nëntor 2012. “Gjapella” po mbahet në burgun e Lipjanit, tha Kashtanjeva për Gazetën Jeta në Kosovë.
 
Policia posedon të dhëna që personin e arrestuar e identifikojnë si pjesëmarrës në kryerjen e shumë veprave penale në kuadër të grupit të ashtuquajtur “Sekiraqa”.

Me gjithë këto, Florim Fazliut i është hapur edhe një “fanpage” në rrjetin social facebook me nofkën e tij ‘Gjapella’.

Faqja e tij ka rreth 1300 “friends” në të cilën kanë diskutuar shumë njerëz, duke e përkrahur dhe lavdëruar por edhe të tjerë që në një formë ose tjetër, kanë shprehur pakënaqësi.

“Gjapella ktuH”, është njëra prej postimeve të para e bërë në këtë faqe më 18 prill 2010!