Njeriu Që i dha Karton të Kuq Liderit të PDK-së

Ishin mbledhur delegatë nga e gjithë Kosova, të bindur një nga një për të votuar edhe një herë Hashim Thaçin për lider të Partisë Demokratike të Kosovës. 

Konventa e Gjashtë e PDK-së është mbajtur më 26 dhe 27 janar 2013, nën atmosferën e dritave dhe fishekzjarrëve, ndërsa gjithçka dukej e organizuar si asnjëherë më parë në këtë parti. 

Ndonëse kryeministri Hashim Thaçi e ngriti dorën kundër votimit të hapur për kandidaturën e tij duke mbështetur votimin e fshehur, ai mori besimin e 718 delegatëve për udhëheqës të Partisë Demokratike edhe në katër vjetët e ardhshëm. 

Në krye të kësaj partie, Hashim Thaçi është që një dekadë e gjysmë, derisa si kryeministër po e udhëheqë vendin për më shumë se pesë vjet. 

Por, një prej 719 delegatëve votoi kundër. Mirsad Shkreta ngriti kartonin e kuq gjatë votimit që sinjalizonte votën kundër ndërsa 718 veta tjera ngritën kartonin e gjelbërt që tregonin votimin pro mandatit të ri për liderin e PDK-së.

Mirsad Shkreta, krenar për votën kundër Thaçit

Mirsad Shkreta (37) delegati nga komuna e vogël e Hanit të Elazit, ishte ai që ngriti kartonin e kuq, kundër rizgjedhjes së Thaçit për kryetar të PDK-së. 

Një ditë pas përfundimit të Konventës së Gjashtë të PDK-së, ai i pati thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ka shprehur mendim kundër, për shkak se nuk i ka pëlqyer mënyra e hapur dhe unanime e votimit. 

“Një mendim ndryshe, mendoj se ka tregu një akt demokratik gjatë procesit”. 

Tashti, thuasje një vit pas këtij akti, Shkreta thotë për gazetën se vota e tij kundër ka pasur të bëjë me procesin e zgjedhjeve, mënyrën e votimit dhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe delegatëve në Konventë.

“Unë votën time e vlerësoj si një akt demokratik, siç edhe kam thënë më herët edhe për gazetën tuaj”, tha, në fund të dhjetorit, Shkreta. 

“Vota ime kundër ka reflektuar më së miri në zgjedhjet e tre nëntorit”. 

Shkreta e pranon se vota e tij nuk ka qenë e mjaftueshme sa për t’i ndihmuar demokracisë së brendshme të PDK-së, por ai thotë se janë japur debate në këtë drejtim-“edhe pse, jo shumë serioze”. 

“Unë jam ndi krenar për votën time. Kam votuar kundër me vetëdije të plotë, në funksion të demokracisë dhe avancimit të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Shkreta. 

Ai mendon se lideri i partisë më të madhe në Kosovë, është dashur të ketë një kundërkandidat, edhe pse Shkreta nuk e ka menduar se kush mund të ishte ai. 

“Duke parë klimën që ishte krijuar në parti, që të mos ketë kundërkandidat, unë kam vendosë të mos propozoj askënd për kundërkandidat”.

I pyetur se a ka gjithmonë shumica të drejtë, Shkreta tha “është e vërtetë që 718 delegatë kanë votuar pro, por mendoj se pikërisht pse nuk ka pasur kundërkandidat, nuk është pa e arsyeshme nga pjesëmarrësit në Kuvend që të votojnë kundër”.

Shkreta thotë se edhe në humbjen e PDK-së me 3 nëntor ka ndikuar mungesa e demokracisë së brendshme. Ai thotë se në shumë komuna ka pasur direktiva nga qendra për nominimin e kandidatëve. 

“PDK-ja në nivel të Kosovës, ka kandidat potencialisht më seriozë, edhe me të mirë se këta që ishin në zgjedhjet e fundit”,  tha Shkreta.

“Pikërisht vota ime ka qenë kundër insistimit, që PDK-ja të përfaqësohet me të njëjtit njerëz që konsiderohet se kanë bartur procese më herët”.

PDK-ja pati pohuar në shtator të këtij viti se kandidimi i njerëzve të njejtë është bërë qëllimshëm. Basri Musmurati, sekretar organizativ i PDK-së,  thoshte për Gazeten Jeta në Kosovë se disa nga kryetarët aktualë i kanë nominuar sërish për kryetarë, pasi sipas tij, “ata i kanë fituar zgjedhjet vazhdimisht dhe kanë qeverisur mirë”.

Kuçi: “Jemi me fat për Thaçin”

PDK-ja nuk e trajtoi si problem të madh votimin kundër të Shkretes. Nuk dergoi kumtesë për media dhe nuk pati deklarime të zyrtarëve të lartë të partisë për votimin kundër të Shkretes. PDK-ja merrej seriozisht me dy anëtarët e fuqishem të saj Jakup Krasniqin e Fatmir Limajn të cilën nuk morrën pjesë në konventën e gjashtë të PDK-së.

Megjithatë, kryeministri Thaçi tha fjalë të mira për partinë që drejton kur doli para 719 delegatëve . 

 “Ne nuk jemi perfekt, por jemi më të mirët ne skenën politike të Kosovës. Dhe, nëse ju besoni, ashtu siç besoj unë, se ne mund ta bëjmë këtë ëndërr realitet, atëherë Kosova ka nevojë për përkushtimin tuaj, vizionin tuaj dhe punën tuaj të palodhshme. Së bashku, në do ta përmbushim këtë synim. PDK-ja ka dijen, guximin, fuqinë që synimet e çdo qytetari t’i bëjë realitet”, pati thënë Hashim Thaçi në konventën e gjashtë të PDK-së. 

Thaçi, atë ditë, falënderoi delegatët për besimin e dhënë.

“Në këto 13 vite PDK ka kaluar nëpër sfida dhe ka qenë përballë vendimeve të rënda, por bashkërisht i kemi tejkaluar këto situata. Kjo është vlerë e PDK-së”, ka pohuar lideri i PDK-së.

Thaçi garantonte delegatet se PDK-ja do të vazhdonte të dilte fituese edhe në të ardhmen. “Të nderuar delegatë, ju siguroj se si Kryetar i PDK-së do t’i fitojmë zgjedhjen lokale dhe nacionale”.

Një fjalim të shkurtër e pati mbajtur edhe Hajredin Kuçi. “Jemi me fat që kemi një lider që reflekton unitetin e partisë”, pati thënë ai.  

“Thaçi nuk ma përmendi votën kundër”

Shkreta tregon se është takuar disa herë me Thaçin para dhe pas Konventës, por thotë se nuk i është përmendur asnjëherë vota e tij kundër nga kryeministri Thaçi.

“Në cilësin e humorit më është përmendur vota ime kundër nga zyrtarë të PDK-së, por ndryshe nuk më është përmendur asnjëherë. Përveç komenteve pozitive, negative nuk ka pas”. 

Shkreta tha se disa nga kolegët e tij bashkë-partiakë janë habitur me votën e tij kundër, por thotë se ka pasur edhe të tjerë që e kanë vlerësuar aktin e tij. 

Mirsad Shkreta asamblisti i PDK-së në Han të Elezit, në të gjitha legjislaturat që nga paslufta dhe nënkryetar i PDK-së në degën e kësaj partie, i pyetur se a do të kandidonte për të zënë vendin e liderit të partisë së tij, është përgjigjur “po, në të ardhmen, pse jo”. 

Ai thotë se nuk ka votuar kundër që të jetë në qendër të mediave. 

“Në fakt në ditën e konventës, kam pas kushtimisht një “presion” prej medias, unë e kuptoj që mediat në punën e tyre që bëjnë ju intereson lajmi, por atë ditë e kam thënë me një fjalë, ‘më shumë se vota ime kundër, nuk kam çka të them tjetër’, edhe pse gazetarët janë munduar të nxjerrin diçka mes rreshtave”. 

Shkreta ka folur edhe për procesin e fundit zgjedhor, që thotë të ketë qenë ndër më të mirët deri më tash. 

Ai tregon se ka raporte të mira pune me kryetarin aktual Refki Sumën. 

“Raportet individuale i kam të mira, këtu është vend i vogël, unë e kam pacient kryetarin, mirëpo më ka kundërshtarin më të madh politik”, thotë ai.  

Shkreta është stomatolog i specializuar ne kirurgjinë orale dhe është magjistër i shkencave stomatologjike. 

Ai tash është kandidat për doktor shkence në Universitetin Shtetëror të Shkupit, ndërsa është edhe asistent i angazhuar në Universitetin e Prishtinës. 

Ai jeton me gruan e tij në Han të Elezit, e cila po ashtu është stomatologe e ardhur nga Durrësi. 

Të dy punojnë së bashku në klinikën e tyre “Dens M”, në këtë qytezë.