Foto: Ganimete Musliu/Facebook

Njeriu i PDK-së emërohet anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave

Granit Musliu, ish-nënkryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, është zgjedhur anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave.

Musliu ka qenë anëtar edhe i komisionit zgjedhor në zgjedhjet e brendshme të PDK-së të mbajtura në fund të vitit 2018 dhe ka qenë aktiv në politikë duke marrë pjesë në shumë takime të PDK-së deri në vitin 2020.

Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Musliun anëtar të KPM-së së bashku me Xhevat Latifin dhe Azdra Deshiq.

KPM-ja është institucion kushtetues dhe anëtarë të saj nuk mund të jenë personat që në 2 vitet e fundit kanë qenë anëtarë të organit udhëheqës të një partie politike.

“Personat që nuk mund të jenë anëtarë të KPM-së: është anëtar i organit udhëheqës të një partie politike apo personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy (2) viteve të fundit”, thuhet në paragrafin 4 të nenit 12 të Ligjit të KPM-së.

Kryesuesi i Komisionit ad-hoc, deputeti Valon Ramadani, ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni për të kaluarën politike të Granit Musliut. Ai ka thënë se kandidati Musliu nuk e ka njoftuar Komisionin për të kaluarën politike, përkundër që ka qenë i obliguar. 

“Gjatë procedimit të kandidaturave për anëtarë të KPM-së, ne nuk kemi qenë të njoftuar për parregullsi rreth përzgjedhjes së kandidatit në fjalë. I njëjti, gjithashtu, nuk ka njoftuar Komisionin, as gjatë intervistimit e as në CV-në e tij se ka qenë pjesë e strukturave të një subjekti partiak, për çka ai ka qenë i obliguar ta njoftojë Komisionin intervistues, sipas përgjegjësise personale që duhet të ketë secili person”, ka thënë deputeti Ramadani.

KALLXO.com ka kërkuar përgjegjësi edhe nga Zyra Koordinuese e Komisionit ad-hoc nëse kanë qenë në dijeni për të kaluarën politike të Musliut.

“Zyra jonë nuk është e informuar për këtë situatë, Zyra Koordinuese e Komisionit ka shqyrtuar aplikacionet e të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë të KPM-së, dhe i kemi prezentuar para Komisionit ad-hoc, lidhur me këtë, zyra jonë vepron vetëm në bazë të dokumentacionit që kandidatët i ofrojnë në momentin e aplikimit kjo nënkupton që ne si administratë nuk kemi të drejtë të hulumtojmë info shtesë, çka do të thotë se kjo është e drejtë e deputetëve”, ka shtuar Drita Morina nga Zyra Koordinuese e Komisionit ad-hoc.

Nëpër konkurset publike të hapura për anëtarë të bordeve dhe menaxhmentit të institucioneve të ndryshme në Kosovë, kandidatët obligohen të nënshkruajnë “deklaratën nën betim” në të cilën ata duhet të deklarojnë pavarësinë e tyre. Por, kjo nuk është aplikuar fare për këtë konkurs, përkundër faktit që ligji kërkon që personat të mos kenë të kaluar politike.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka qenë pjesë e Komisionit për zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, ka thënë se asnjë kandidati nuk i është dhënë për nënshkrim asnjë letër për deklarim të pavarësisë politike.

“Në Komision nuk është obliguar asnjë kandidat për të nënshkruar një dokument të tillë, andaj nuk bën përjashtim edhe z. Granit Musliu”, është përgjigjur Musliu për KALLXO.com.

KALLXO.com ka pyetur të gjithë anëtarët e Komisionit ad-hoc nëse kanë qenë në dijeni të përkatësisë politike të kandidatit Granit Musliu dhe pozitës së tij në këtë parti, por vetëm Valon Ramadani dhe Ganimete Musliu janë përgjigjur. Pjesë e Komisionit kanë qenë edhe Besa Gaxherri, Slavko Simic, Lirije Kajtazi, Rezarta Krasniqi, Arbresha Kryeziu, Floretë Zejnullahu, Rasim Selmanaj, Agon Batusha dhe Fikrim Damka.

Deputetja e PDK-së dhe anëtarja e Kryesisë së PDK-së, që ka qenë po ashtu pjesë e Komisionit përzgjedhës, Ganimete Musliu, ka thënë se nuk është në dijeni që Granit Musliu ka mbajtur ndonjë pozitë udhëheqëse në parti politike edhe pse ajo është parë në disa takime të PDK-së bashkë me Granit Musliun.

“Unë nuk jam kompetente të interpretoj ligjet dhe dispozitat ligjore por e përseris që  nuk jam në dijeni që z. Granit Musliu ka mbajtur ndonjë pozitë udhëheqëse politike”, është shprehur deputetja Musliu.

Sa i përket nenit 12 të Ligjit për KPM-së ku thuhet se nuk mund të zgjidhet anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave personi i cili është pjestar i organit udhëheqës i një partie politike apo personat që kanë qenë në këto pozita gjatë dy viteve të fundit, deputetja Musliu ka thënë se në bazë të statutit të PDK-së, Rinia Demokratike e Kosovës nuk është organ udhëheqës.

“Për dijeninë tuaj, Partia Demokratike funksionon në bazë të statutit të saj. Në bazë të statutit, përkatësisht kapitulli III, neni 20, përcaktohen organet qenderore dhe lokale udhëheqëse të partisë sonë. Në bazë të kësaj edhe nëse Z. Musliu ka qenë pjesëtar i Rinisë Demokratike, statuti nuk e parasheh RDK-në si organ udhëheqës dhe politikbërës dhe në këtë mënyre nuk bie ndesh me normat në fuqi që e rregullojnë rekrutimin, funksionimin dhe organizimin e KPM-së si institucion i pavarur”, ka deklaruar deputetja Ganimete Musliu.

Ajo këtë deklaratë e ka bërë përkundër faktit që Musliu ka qenë pjesë e komisionit të përhershëm zgjedhor për zgjedhjet e brendshme në PDK.

Aktiviteti politik 

Granit Musliu është zgjedhur nënkryetar i Rinisë Demokratike të Kosovë në muajin maj të vitit 2018. I kontaktuar nga KALLXO.com, Musliu ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga pozita në Rininë Demokratike para më shumë se 2 viteve. 

“Po, kam qenë, mirëpo ka më shumë se dy vjet që unë zyrtarisht, në rrugë formale, kam dhënë dorëheqje”, ka deklaruar Musliu.

KALLXO.com ka kërkuar nga Musliu dëshmi për dorëheqjen e tij nga PDK, por ai nuk ka dërguar asnjë dokument dhe as nuk është përgjigjur në pyetjet shtesë të dërguara.

Përkundër deklarimeve të Musliut për dorëheqje, KALLXO.com ka gjetur se Musliu ka qenë aktiv në politikë duke marrë pjesë nëpër komisione zgjedhore për zgjedhjet e brendshme të PDK-së, të mbajtura në fund të vitit 2018. 

Përveç kësaj, Musliu është parë nëpër shumë takime të nivelit të lartë të PDK-së, duke përfshirë takime me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, kryetarin e degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, dhe me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu. 

Në një postim tjetër të 21 nëntorit 2018, nga një mbledhje në të cilën ka marrë pjesë kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, thuhet se është mbajtur takim koordinues me dy komisionet e përhershme, Komisionin Strategjik dhe Komisionin Zgjedhor, për zgjedhjet e brendshme të degës së PDK-së. 

Në këtë takim që ishte mbajtur më 21 nëntor 2018 shihet edhe Granit Musliu si anëtar i komisioneve të përhershme për zgjedhjet.

Foto: PDK – Dega Skenderaj/Facebook

Në një postim të PDK-së të datës 1 dhjetor 2018 thuhet se Musliu si nënkryetar i Rinisë Demokratike ishte pjesë e komisionit zgjedhor për zgjedhjet e brendshme në fshatin Qirez.

Musliu nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com në lidhje me pjesëmarrjen e tij në komisionin zgjedhor të zgjedhjeve të brendshme në Qirez.

Për pjesëmarrjen e Musliut në zgjedhjet e brendshme të PDK-së është pyetur edhe kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Alban Berisha. Ai ka thënë se emrat e komisionit janë dorëzuar më herët në selinë qendrore të PDK-së për këtë arsye figuron edhe emri i Granit Musliut.

“Sa i përket datës 1 dhjetor 2018, që ai kinse ka qenë anëtar i Komisionit nëse nuk e gaboj zgjedhor të brendshëm, emrat në selinë qendrore kanë qenë të dërguar paraprakisht pastaj janë bërë publikë”, ka thënë Berisha.

KALLXO.com ka dërguar kërkesë për qasje në dokumentet publike edhe në Partinë Demokratike të Kosovës duke kërkuar dokumentacionin e zgjedhjeve të brenshëm në PDK. Deri në publikim të artikullit, PDK-ja nuk është përgjigjur në kërkesën e KALLXO.com.

Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, që ka qenë pjesë e komisionit që e ka intervistuar Granit Musliun, ka thënë se nuk i komenton lajmet e paverifikuara kur është pyetur për fotot e publikuara nga PDK-ja e në të cilat shihet edhe Granit Musliu.

“Nuk e kam shprehi të komentoj lajme të paverifikuara që publikohen nëpër portale të shumta në Kosovë”, ka thënë Ganimete Musliu që ishte pjesë e Komisionit ad-hoc që e ka intervistuar dhe poentuar Granit Musliun. 

Ajo gjatë intervistimit në Kuvend ka thënë se nuk ka lidhje familjare me Granitin, por nuk ka deklaruar se i njëjti ka qenë pjesë e Rinisë Demokratike të Kosovës.

Granit Musliu, anëtari i ri i KPM-së, shihet edhe në një takim tjetër të mbajtur nga kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, më 21 shtator 2019. 

Foto: Sami Lushtaku/Facebook

Në mbishkrimin e postimit të Lushtakut thuhet “në çdo pjesë të Kosovës, Partia Demokratike dhe kandidatët e saj po mirëpriten nga qytetarët. Mbrëmë në Zllakuqan të Klinës, takova shumë qytetarë, që për të qeverisur me vendin, i besojnë vetëm PDK-së”.

Në bazë të fotove të publikuara, Granit Musliu ka qenë aktiv edhe gjatë vitit 2020. Në disa foto të publikuara më 24 qershor 2020 nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, me mbishkrimin “Bashkëbisedim dhe planifikim i agjendës me të rinjtë e Skenderajt, Vushtrrisë dhe Mitrovicës”, shihet ajo së bashku me Granit Musliun, në praninë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ish-ministrit të Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Muzafer Shala, dhe të rinjve të tjerë. Këto fotografi shihet se janë bërë pas shpalljes së pandemisë në Kosovë, pasi të pranishmit shihen duke bartur maska për mbrojtje nga infektimi me virusin COVID-19.

Foto: Ganimete Musliu/Facebook

Intervistimi i kandidatëve për anëtarë të KPM-së ka filluar më 5 tetor 2020 në Kuvendin e Kosovës. Një pjesë e kandidatëve është intervistuar edhe më 6 tetor 2020. 

Në intervistim janë ftuar 14 kandidatë. Ftesës i janë përgjigjur 13, ndërsa një nuk mori pjesë në intervistim. 

Koha në dispozicion e kandidatëve për përgjigje në 5 pyetjet e hartuara nga Komisioni ishte 30 minuta. Vlerësimi i kandidatëve nga Komisioni vlerësues është bërë në mënyrë sekrete. Anëtarët e Komisionit vlerësues i kanë vendosur pikët për kandidatët, mirëpo nuk e kanë shkruar emrin e tyre në atë mënyrë që nuk dihet se cili nga anëtarët sa e ka poentu një kandidat.

KPM-ja është organ i pavarur i cili është kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit. KPM-ja rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizikë dhe juridikë të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele. 

KPM po ashtu licencon transmetuesit publikë e privatë dhe i ripërtërin licencat, duke iu dhënë subjekteve të autorizuara të drejtën e përdorimit të frekuencave në Spektrin e Frekuencave të Transmetimit si dhe licencon të gjitha shërbimet mediale audiovizuele.

Gjithashtu, Komisioni i Pavarur i Mediave bën vendosjen e sanksioneve për subjektet e licencuara të cilat bëjnë shkeljen e rregulloreve të Komisionit apo të kushteve dhe termeve të licencës.

Kompetencë e KPM-së sipas ligjit është edhe mbledhja taksave për shfrytëzimin e frekuencave transmetuese nga subjektet e licencuara për shërbime mediale audiovizuele dhe nga operatorët e rrjeteve.