Njeriu i OJQ-së së Arsim Bajramit në Këshill Prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka zgjedhur Florent Muçajn, në pozitën e anëtarit të këtij këshillit nga shoqëria civile.

Nëpërmjet një kumtese shtypi Këshilli.. njoftoi se anëtar i tij nga shoqëria civile do të jetë Florent Muçaj.

Këshilli… shqyrtoi dhe miratoi propozimin e komisionit për vlerësimin e aplikacioneve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga shoqëria civile, me ç’rast anëtar i KPK-së u zgjodh Florent Muçaj, nga Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare”, thuhet në kumtesë për media. 

Themelues i Institutit për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare është  deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së Arsim Bajrami, i cili sot është kandiduar nga partia e tij për postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Florent Muçaj, është aktualisht asistent në Katedrën Kushtetuese-Administrative në Fakultetin Juridik, në të cilën është profesor edhe Arsim Bajrami.

Në prill të vitit të kaluar, Gazeta jeta në Kosovë ka raportuar se Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare, në faqen zyrtare të saj, nuk bën publike fondet dhe njerëzit që punojnë aty, ndërsa përgjatë viteve, ky institut kishte dalë me qëndrime të ngjashme me ato politike të deputetit Bajrami dhe kryeministrit Hashim Thaçi për reformën kushtetuese, pavarësisht se Ligji për OJQ-të ua ndalon organizatave të mbështesin parti politike.

Ndërkohë Muçaj ka shënuar  në profilin e tij në Facebook se do të angazhohet për paanshmëri.

“Falënderoj pjesëtarët e shoqërisë civile që më kanë propozuar, falënderoj po ashtu edhe anëtarët e Këshillit Prokurorial për besimin e dhënë në mënyrë unanime”, ka shkruar Muçaj. 

“Ju siguroj që do të angazhohem maksimalisht për një sistem prokurorial të pavarur dhe të paanshëm, si dhe për sundim të mirëfilltë të ligjit në Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai.