Foto: Atdhe Mulla

Një test ‘PISA’ për arsimtarët

Varësisht se a është nga natyra pesimist apo optimist, drejtuesi i ardhshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mund ta zgjedhë njërin apo tjetrin nga mendimet mëposhtme:

  • Pesimisti do ta kapë kokën, edhe të thotë ‘ku me ja nisë?!’
  • Ndërsa, optimisti mund të ngushëllohet se ‘çkado që të prek, veç ma mirë mund ta bëj!’

Pothuajse gjatë gjithë periudhës së pasluftës kemi dëgjuar lajme të këqija për sistemin e arsimit, dhe për tentativa të shumta për ta përmirësuar. Ndër vite, është rritur buxheti për arsim si përqindje e Prodhimit Bruto Vendor (PBV), janë ndërtuar shumë shkolla të reja, janë rritur pagat e mësimdhënësve, është hapur Fakulteti i Edukimit, është dizajnuar Korniza e re Kurrikulare etj. Fatkeqësisht, këto veprime duket se nuk kanë dhënë shumë rezultate. Edhe pse testi i PISA është cituar aq shumë, sa ndoshta ju duket mërzitshëm – megjithatë do ta citoj sërish sepse është një ndër të dhënat më të besueshme që i kemi për rezultatet – jo aktivitetet – në arsim. Këtu do ta përmend vetëm një fakt – në bazë të rezultateve të këtij testi, një 15 vjeçar në Kosovë është mesatarisht 4.5 vjet prapa një 15 vjeçari në Gjermani. Thënë në mënyrë edhe më dramatike, zhvillimi intelektual i një 15 vjeçari në Kosovë është i krahasueshëm me një 11 vjeçar në Gjermani. Si drejtore ekzekutive e TOKA-s, një organizatë joqeveritare e cila ka punuar me mbi 15,000 adoleshentë në Kosovë, mund ta vërtetoj se zakonisht një adoleshent nga Kosova ngec – në artikulim gjuhësor, mendim kritik dhe abstrakt, analizë dhe sintezë të problemeve – nga moshatarët e huaj që marrin pjesë në programet tona. Lajmi i mirë është se të rinjtë mësojnë shpejt. Shpesh shohim transformime impresive brenda edhe vetëm një jave programi intensiv. Kjo është edhe shpresa jonë – se nëse bëjmë reforma efektive në arsim – të rinjtë tanë do t’i tregojnë rezultatet e përmirësimit shumë shpejt.

Lajmi tjetër i mirë është që përmirësimi i arsimit parauniversitar ndërtohet mbi një parim shumë të thjeshtë – kthehu në themele, edhe (ri)ndërto mirë. Fatkeqësisht, shumë nga intervenimet e mëparshme duken si dritare, dyer, mobilie e stoli të vendosura në një shtëpi e cila nuk e ka armaturën si duhet. Kjo krijon një paradoks – sa më shumë që mendon që po e përmirëson gjendjen, duke shtuar mobilie të reja, në të vërtetë e rëndon edhe më shumë strukturën e cila nuk ka kapacitet ta mbajë tërë atë barrë. (Ri)ndërtimi i bazës së shtëpisë nënkupton këto katër prioritete kyçe:

Harmonizimi dhe sistemimi i kornizës ligjore për arsimin parauniversitar

Në gjuhën angleze ekziston shprehja ‘dora e majtë nuk e di se çka po bën dora e djathtë’ – si ilustrim i mos-koordinimit të detyrave apo personave në një ekip. Në rastin e sistemin parauniversitar kemi të bëjmë më një oktapod, ku numri i ligjeve dhe dokumenteve përcjellëse që e kundërshtojnë njëra-tjetrën, ose japin interpretime të ndryshme, është marramendës, siç edhe thuhet në një analizë sistematike të koherencës së legjislacionit në fushën e arsimit paraunversitar të punuar nga Dafina Buçaj në vitin 2018. Rrjedhimisht, zyrtarët arsimorë që duhet t’i zbatojnë këto – si dhe palët e ndryshme që thirren në to – hasin në probleme të shumta që ia vështirësojnë punën, humbin kohën, dhe rezultojnë në keqpërdorime me ose pa qëllim. Në fund, ata që e pësojnë më së shumti janë nxënësit.

Harmonizimi i kornizës ligjore, duke përfshirë edhe të gjitha dokumentet përcjellëse, është i domosdoshëm që të eliminohen keqpërdorimet edhe keqmenaxhimi i proceseve në arsim. Hapat kryesorë që duhet ndërmarrë janë:

  1. Rishikimi, harmonizimi dhe thjeshtësimi i kornizës ligjore;
  2. Komunikimi i gjerë me të gjithë hisedarët që duhet ta implementojnë këtë kornizë ligjore – në nivel qendror dhe lokal;
  3. Monitorimi i implementimit, me pasoja që qarta për moszbatim të duhur – në çdo nivel të (mos)implementimit.

Sistemi i vlerësimit, menaxhimit dhe kompensimit të mësimdhënesve

Është impresive që, gati 20 vjet prej themelimit të saj, MASHT nuk ka arritur që ta funksionalizojë sistemin e vlerësimit, menaxhimit dhe kompensimit të mësimdhënësve në Republikën e Kosovës. Çka kjo nënkupton në realitet është se secili mësimdhënës në Kosovë mund t’i injorojë plotësisht të gjitha udhëzimet e pranuara në 20 vitet e fundit – nga drejtori/ja, komuna apo MASHT – dhe të mos ketë asnjë pasojë nga kjo. Apo, një mësimdhënës mund të përkushtohet me mish e shpirt për ta bërë më të mirën për nxënësit e tij/saj – dhe në fund të vlerësohet e paguhet njëjtë si kolegu që e lexon gazetën në orën e tij.

Derisa nuk të definohet dhe funksionalizohet një sistem i mirëfilltë dhe transparent i vlerësimit, menaxhimit dhe kompensimit të mësimdhënësve – edhe nëse MASHT-in do ta kishte udhëhequr vet Ministri i Arsimit të Finlandës – nuk do të kemi rezultate sistematike dhe të qëndrueshme në arsimin tonë. Hapat kryesorë që duhet ndërmarrë janë:

  1. (Ri)definimi dhe thjeshtësimi i kritereve të vlerësimit – në konsultim me hisedarët. Një pikë shumë të rëndësishme që duhet futur në këtë aspekt është vlerësimi i jashtëm edhe anonim, përmes një testi të shkruar. Na duhet një lloj testi i PISA-s për mësimdhënësit tanë. Në anën tjetër, duhet të njihet jo vetëm kualiteti i punës së mësimdhënësve, por edhe angazhimi i tyre shtesë – p.sh. në aktivitete jashtëkurikulare, apo në inovacionet që i bëjnë për ta përmirësuar kualitetin e mësimdhënies së tyre.
  2. Kompensimi i bazuar në vlerësim. Pikë.

Cilësia e vlerësuar nga jashtë

Në 20 vitet e fundit e kemi dëshmuar se, fatkeqësisht, vullneti dhe kapaciteti ynë institucional dhe politik nuk është ende gati që të matë në mënyrë të drejtë dhe të saktë rezultatin e punëve tona. Vetë fakti se sa e përmendim testin e PISA-s – përkundër shumë indikatorëve tjerë të brendshëm që poashtu na tregojnë se ku jemi – është dëshmi për këtë. Rrjedhimisht, duhet të kërkojmë nga partnerët tanë ndërkombëtarë që të na asistojnë në ndërtimin dhe implementimin e një kornize të thjeshtë, por të besueshme të rezultateve tona për së paku 10 vite. Ndërsa detyra jonë mbetet që t’i implementojmë ndryshimet, dhe të bëjmë intervenim shtesë në bazë të rezultateve – në nivel qendror, komunal, shkollës dhe mësimdhënësit.

Hapat qe duhet ndërmarrë:

  1. Definimi i kompetencave dhe njohurive që duam t’i vlerësojmë;
  2. Definimi i grupeve që duam t’i vlerësojmë (nxënësit dhe mësimdhënësit);
  3. Plani i implementimit, duke përfshirë edhe proceset për përmirësim në bazë të rezultateve.

Tekstet shkollore

Nëse jeni prind që ka fëmijë në shkollë në Kosovë, besoj se e dini që premtimi i MASHT për t’i ofruar librat që përkojnë me Kornizën e re Kurrikulare është ende i paplotësuar. Librat ose nuk janë gati për disa klasë, apo kanë shumë gabime që, po të mos ishin tragjike, do të ishin komike. Ka pasur poashtu shumë vërejtje nga vëzhguesit dhe pjesëmarrësit e procesit të përpilimit të teksteve shkollore, që rrjedhimisht e vënë në pikëpyetje kualitetin e përgjithshëm të këtyre teksteve. Rrjedhimisht, përmirësimi dhe përfundimi i teksteve të reja shkollore është element kyç që duhet të realizohet me cilësi.

Hapat kryesorë të ardhshëm janë:

  • Rivlerësismi i teksteve të botuara deri më tani, si dhe përfundimi i teksteve të mbetura – duke i respektuar proceset e definuara për të siguruar cilësi;
  • Këto drafte do të mund të hapeshin për komente publike (sidomos nga mësimdhënësit) – që mund të ndihmon në evitimin e gabimeve faktuale dhe teknike, si dhe t’u jepet mundësia mësimdhënësve të komentojnë nëse mendojnë se ndonjëri nga tekstet nuk i mbulon të gjitha komponentet e kërkuara me Kornizën e re Kurrikulare.

Katër pikat më lart janë prioritete fundamentale për Ministrin/en e ri/re. Pra, thjesht, pa këtë bazë nuk mund të presim realisht ndryshime rrënjësore në arsimin parauniversitar.

Ndërsa, për fund, disa komente për tema aktuale në botën e arsimit, të ‘përtokësuara’ për Kosovë.

Promovimi i shkollimit profesional

Në vitet e fundit është investuar shumë në infrastrukturën edhe promovimin e shkollave profesionale. Duke marrë parasysh mungesën e kuadrove të kualifikuara teknike në Kosovë edhe Evropë, gjithsesi që një aftësim serioz do të rezultojë në punësim të shpejtë të nxënësve të diplomuar nga këto shkolla. Megjithatë, potenciali i këtyre shkollave nuk do mund të realizohet, përderisa nuk arrihen disa nga reformat fundamentale të përmendura në fillim të artikullit.

Aftësimi i të rinjve në Teknologji Informative (TI)

Padyshim që bota është digjitalizuar, edhe aftësitë në TI janë shumë të rëndësishme për sukses në shekullin 21. Megjithatë, kjo NUK nënkupton që nëse fëmija ose nxënësi e ka kokën vazhdimisht në telefon, tablet apo kompjuter – se kjo e bën të aftë në TIK. Përkundrazi, ka shumë studime që dëshmojnë se:

  1. Përdorimi i pakontrolluar i TI ndikon negativisht në zhvillimin psikosocial të fëmijëve – duke u manifestuar një sjellje asociale, depresion, mungesë të durimit, vet-disiplinës etj.
  2. TI nuk është zëvendësues efektiv i mësimdhënësit të mirë – pikërisht analiza globale e rezultateve të testit PISA 2015, tregon që nxënësit që e përdorin TI më pak se mesatarja ditore prej 1-2 orë, kanë sukses më të madh në shkollë.

Andaj, prioritet për MASHT duhet të mbetet investimi në katër pikat fundamentale të cekura më lart – se një tablet me lojëra matematikore nuk mund ta zëvendësojë një mësimdhënës të aftë për ta bërë matematikën të ‘gjallë.’

Mësimi i gjuhëve të huaja

Pa marrë parasysh se ambicia e të rinjve tanë është të punojnë në Kosovë apo jashtë saj – është evidente se njohuria e së paku një gjuhe të huaj pothuajse i garanton punësim. Rrjedhimisht, nëse MASHT dëshiron të kontribuojë direkt në daljen e mijëra familjeve nga varfëria brenda një periudhe 10 vjeçare – investimi në ofertën edhe kualitetin e mësimdhënies të gjuhëve të huaja do të ishte hapi i duhur, edhe relativisht i lirë.

 

Jehona Gjurgjeala është Drejtore Ekzekutive e Organizatës Kosovare për Talent dhe Arsim – TOKA. Ajo ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master London School of Economics and Political Science, ndërsa së fundi ka përfunduar programin Politika të Edukimit dhe Evaluimit të Programeve në Georgetown University, SHBA. Jehona ka një përvojë të gjerë në sektorin joqeveritar, duke përfshirë bashkëpunimin me Girls Scouts USA në zhvillimin e programeve edukative për të rinjtë. Pas gati 15 vjet studimi dhe pune në Mbretërinë e Bashkuar dhe Danimarkë, Jehona u kthye në Kosovë për të themeluar TOKA-n – një organizatë që synon të përmirësojë shoqërinë kosovare duke investuar në edukimin e rinisë së saj. Që nga viti 2015, TOKA ka realizuar projekte së bashku me më shumë se 200 mësimdhënës dhe më shumë se 17,000 të rinj në më shumë se 20 komuna të Kosovës.

 

Artikulli i radhës është pjesë e serisë së analizave që ofrojnë zgjidhje për problemet më të mëdha të Kosovës, probleme të cilat qytetarët presin që do të adresohen në programe politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto analiza shkruhen nga ekipi jonë i ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune në terren në fushën për të cilën po shkruajnë. Nëse ka njerëz tjerë me ide për zgjidhje të problemeve, e që janë jashtë partive, po i ftojmë të na shkruajnë analiza të ngjashme në ditët në vijim. Po e botojmë këtë seri me qëllim që të ushqejmë programet e partitë politike me ide për zgjidhje të problemeve. Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë më shumë se zhurmë, huti dhe prognoza koti prej shoqërisë civile e mediave, andaj po ofrojmë ide për gjithë ata që e kanë seriozisht garimin në këto zgjedhje me program. Me këto analiza nuk po e luajmë vetëm rolin e kritikut dhe përshkruesve të mirë të problemeve, por, nëse lexoni deri në fund, do të shihni sugjerime për zgjidhje të problemeve. Të gjitha idetë janë të hapura për t’u inkorporuar në programe të partive politike dhe për t`u përdorur nga qytetarë e gazetarë për të zhvilluar debate substanciale gjatë zgjedhjeve.