Një pastruese ruse merr drejtimin e fshatit pas një votimi të befasishëm

Përgjatë katër viteve të fundit, Marina Udgodskaya ka pastruar zyrat e ndërtesës së administratës lokale në Povalikhino në Rusinë rurale.

Tani pastruesja 35-vjeçare po i heq pluhurat nga zyra e shefit, tani ish shefit, për t`u zhvendosur në zyrën e saj të re, pasi i fitoi zgjedhjet në fillim të këtij muaji, në të cilat ajo kandidoi vetëm sa për ta riemëruar shefin e saj edhe për një mandat tjetër.

Kur askush në fshat nuk u paraqit si kunderkandidat për të sfiduar Nikolai Loktev, i cili vjen nga partia pro-Kremlin ‘Rusia e Bashkuar’, ai e bindi Zonjën Udgodskaya të kandidohej si “rivale” e tij për të siguruar kërkesën minimale të dy kandidatëve.

Ky plan rezultoi i kundërefektshëm për shkak se pastruesja e mundi “rivalin” e saj me një fitore bindëse.  

 

Ndërtesa në Povalikhino në të cilën Marina Udgodskaya kaloi shumë vite duke punuar si pastruese./ Getty Images 

‘Ishte tejet e befasuar’

“Nikolai Loktev mendoi se askush nuk do ta votonte kundërkandidaten e tij dhe në këtë mënyrë ai do ta mbante postin e tij edhe për një mandat. Mirëpo banorëve të atij lokaliteti u kishte ardhur në majë të hundës kandidati aktual andaj e kishin zgjedhur pastruesen Marina Udgodskaya”, i tha BBC një anëtar i komisionit lokal elektoral nga Povalikhino.

“Ai kishte pësuar një shok të vërtetë ndërsa ajo ndihej e befasuar!”, deklaroi një grua e cila nuk deshi të identifikohet, duke qeshur teksa fliste përmes linjës telefonike.  

Ajo shtoi se personalisht e kishte dëgjuar Z. Loktev të ketë kërkuar nga pastruesja që të jetë kundërkandidatja e tij.

 

Getty Images

‘Unë bëra asgjë”

Qysh kur ky lajm mori dhenë, ajo ndaloi së përgjigjuri në telefonin e saj dhe po e pret ceremoninë inagurues javën që vjen.

Mirëpo në një intervistë të mëhershme ajo dukej e befasuar me fitoren e saj, duke e përshkruar vetën si një kandidate “e rremë” e cila nuk është e gatshme për një promovim kaq të shpejtë. 

 “Nuk besoja se njerëzit do të votonin për mua”, deklaroi ajo. “Nuk kam bërë asgjë në fakt!”.

Përkundër kësaj, ajo fitoi me pothuajse 62% të votave. Shefi i saj mori vetëm 34%.  

Asnjëri prej dy kandidatëve nuk kishte bërë ndonjë fushatë aktive para ditës së zgjedhjeve: pa billborda, pa fletushka, pa takime me votuesit. Banorët lokalë thonë se një gjë e tillë nuk kishte nevojë të bëhej pasi që këtu të gjithë e njohim mirë njëri-tjetrin.

Lokaliteti Povalikhino, i mbushur me ndërtesa një katëshe prej druri është më i madhi nga 30 fshatrat që bien nën jurisdiksionin e administratës  të cilën tani Znj. Udgodskaya do ta udhëheqë. Ka vetëm 242 banorë.

“Unë kam bërë gjithçka që është e nevojshme në punë; nuk ka probleme në fshat,” i tha BBC Z. Loktev, një ish polic në një nga ditët e tij të fundit në detyrë, duke u përpjekur të mirëkuptonte humbjen e tij.

“Është e qartë se njerëzit donin ndryshim,” përfundoi ish-polici 58-vjeçar.

‘Besoj se do të përshtatet’

Shumë kanë sugjeruar që rezultati ishte një kundërshtim/protestë kundër partisë së Z. Loktev ‘Rusia e Bashkuar’, e cila ka rënë në sondazhet në të gjithë vendin. Në Kostroma, ku ndodhet Povalikhino, kjo parti fitoi vetëm 32% të votave për parlamentin rajonal.

Diku tjetër, një strategji e votimit të mençur e shtyrë përpara nga politikani i opozitës Alexei Navalny – duke mbështetur kandidatin që ka shumë të ngjarë të mposhtë ‘Rusinë e Bashkuar’ – solli disa fytyra të reja në politikë.

Por në Povalikhino, një shitëse lokale e këtij fshati këmbëngul që ky rezultat ishte personal: Z. Loktev thjesht kishte ndaluar të tregonte interes të mëtejshëm  për përgjegjësitë e tij.

“Nëse do të kishim votuar kundër gjithçkaje ne do ta do të kishim bërë një gjë të tillë, mirëpo kishim mundësinë të votonim për Marinën, dhe kështu e bëmë”, shpjegoi Irina.

“Mendoj se ajo do të përshtatet. I gjithë fshati do t`i dalë në ndihmë asaj. Megjithëse, sigurisht, edhe ajo ka nevojë për një nxitje në arsimimin e saj”.

Duam apo jo, zonja Udgodskaya është e lidhur me punën e saj të re. Nëse ajo refuzon pozitën e saj të re, atëherë  ‘Partia e Pensionistëve’ e cila e mbështeti atë thotë se ajo do të duhet të paguajë krejt koston e zhpenzimeve ne rast të përsëritjes së votimeve dhe kampanjës zgjedhore.  

“Ajo po punonte në administratë si pastruese dhe ishte dëshmitare e asaj se si kishte rrjedhur krejt procesi, dhe natyrisht ishte vetë ajo që deshi të marrë pjesë”, thotë zëdhënësi Valery Gromov – duke e minimizuar mungesën e përvojës së saj.

“Svetlana Tikhanovskaya ishte një shtëpiake dhe nuk dinte asgjë! Tani ajo është në kulmin e popullaritetit të saj”, argumenton ai, duke iu referuar liderës së opozitës në Bjellorusi.

Marina Udgodskaya thuhet se do të vazhdojë me punën e pastrimit deri atëherë kur burri të cilin ajo e mundi aq bindshëm, t`i mbledhë gjërat e tij dhe ta lirojë zyrën.

“Nuk jam i mërzitur,” këmbënguli Nikolai Loktev. “Njerëzit votuan për të, kështu që ajo tani duhet ta bëjë punën e saj”.

Pastaj shtoi: “Unë nuk mendoj se ka ndonjë gjë të keqe që ajo të jetë në krye të një vendi të cilin e pastronte. Kjo do të thotë se ajo e kupton mirë anën tjetër të punës, punën që e kishte deri sot”.