Një Javë me Kulturën RAE

Për herë të dytë ka nis festivali që do të paraqes kulturën Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane, komuniteteve nga Kosova ku do të marrin pjesë shumë artistë, duke përfshirë edhe ata nga komunitetet. Festivali që ka filluar me 21 maj dhe zgjat deri më 27 maj dhe do të mbahet në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë. 

Festivali është i financuar nga BE-ja me dhe menaxhohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ky projekt është pjesë e mbështetjes së BE-së për implementimin e strategjisë për RAE (Romë, Ashkali dhe Egjiptian). Projekti implementohet nga organizata Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, KFOS.

Gjatë tërë javës do të ketë edhe shfaqje tjera teatrale, ekspozita fotografish, muzikë, filma të shkurtër të gjitha këto në fokus do të kenë jetën, kulturën dhe traditën e komuniteteve Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane.

Festivali ka nisur me shfaqjen tragji-komedi “Yue Madeleine Yue”, në regji të Jeton Nezirajt, kundër diskriminimit ndaj Romëve. Drama flet për një familje rome e cila është kthyer nga Gjermania dhe e cila ballafaqohet me sfidat e shtetit të ri, Kosovës.

Një ditë vajza rome, Madeleine, bie në një gropë të hapur nga një kompani ndërtimi e cila nga lëndimi i madh bie në komë. 

Babai i saj, në përpjekjet për të shpëtuar jetën e së bijës, përballet me zyrtarë burokratik, biznesmenë, policë dhe punëtorë ambasadash. 

Premiera e shfaqjes ka mbledhur shumë njerëz duke përfshirë figura nga politika, kultura dhe artistë të ndryshëm.

Zëvendës ministri i kulturës, Gani Elshani, i ka pëlqyer shfaqja por nuk është i kënaqur me numrin e vogël të pjesëmarrësve që vijnë nga komunitetet, e posaçërisht të rinjtë.

“Nuk është vetëm kjo dramë mirëpo ka edhe drama tjera, si martesat e hershme por edhe të tjera. Janë mesazhe të mira në interes të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”, tha Elshani.

Ai thotë se të riatdhesuarit nga perëndimi hasin në probleme të shumta dhe se përmes këtij festivali po mundohen të përçojnë porosi tek të gjithë, se të kthyerit kanë nevojë për ndihmë. 

“Edhe pse kthehen, ata janë të humbur,” thotë Elshani.  

Në këtë shfaqje morën pjesë dy artistë nga komuniteti, njëri poet – Kujtim Paçaku dhe tjetri këngëtar – Bajram Kinolli.

Aktorët amatorë theksuan se ekziston diskriminimi ndaj komuniteteve dhe që përmes festivalit po mundohen të paraqesin këtë në shumë aspekte.

“Drama ka marrë si shembull Kosovën për romët që janë kthye nga Gjermania dhe vështirësitë të mëdha që kanë në integrimin e shoqërisë kosovare. Drama jep mesazhin sa ka diskriminim fatkeqësisht nga institucionet, nga media nga të gjitha aspektet,” shprehet Kinolli. 

Ndërsa poeti Paçaku çështjen e diskriminimit e përkthen me metaforë duke thënë se edhe komunitetet rome, ashkalike dhe Egjiptiane janë pjesë përbërëse e kësaj toke.

“Sepse, ne me një Diell nxehemi, edhe shqiptarët, edhe Romët, edhe Serbet. Të  gjithë i besojmë një Zoti apo jo? Të  gjithë lagemi nga një shi”, Paçaku i tha Gazetës Jeta në Kosovë. 

Aktori i mirënjohur kosovar, Kushtrim Hoxha thotë se ka qenë i privilegjuar të jetë pjesë e e një shfaqjeje ku ka pasur aktorë që janë nga komunitetet për të cilët thotë se janë qytetarë të njëjtë si ai. 

“Besoj se ka qenë një paraqitje solide, e mirë dhe e ka shtjelluar një temë që është tabu temë këtu në Kosovë e cila ka të bëjë me racizmin e fobia të ndryshme që i kemi prej njerëzve që janë të  ndryshëm,” thotë Hoxha.

Për të parë programin e plotë të festivalit, kliko këtu.