Një fitore që shkon përtej politikës

Rezultatet e zgjedhjeve të së dielës ishin një tërmet politik që do të rezonojnë përtej formimit të qeverisë së ardhshme. Elektorati e ka demonstruar refuzimin e tij që të mos dorëzohet përballë shantazhit dhe nepotizmit që kanë qenë një sëmundje endemike në politikën kosovare gjatë 20 viteve të fundit.

Për shumë njerëz, të qenët e Vetëvendosjes në prag të fitores pas zgjedhjeve parlamentare të ditës së diel duket të jetë diçka befasuese. Kosova nuk është pjesë e një rajoni që i voton aq shpesh ata që janë në pushtet, dhe ndërkohë që kundërshtarët e kësaj partie i kanë kontrolluar institucionet qendrore dhe lokale për më shumë se 20 vjet, Vetëvendosje ka garuar në zgjedhje vetëm në këto nëntë vitet e fundit.

Ndërkohë që numërimi i votave ende vazhdon dhe koalicionet nuk kanë filluar të diskutohen ende, këmbëngulësia e Lëvizjes Vetëvendosje me gjasë do ta dërgojë Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, në opozitë për herë të parë në Kosovën e pavarur.

PDK, mbase më shumë se çdo parti tjetër, është bërë një ekzemplar i një kulturë politike korruptive, nepotiste dhe keqpërdorimit të pushtetit për përfitime personale. Para se të bëhet numërimi i tri të katërtave të votave të dielën në mbrëmje, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, e pranoi humbjen. Ky ishte një sinjal për një humbje më të madhe sesa vetëm të një palë zgjedhjeve: një lëvizje e pavarur ka thyer një aparat shtetëror.

Nuk ishte vetëm rënia e PDK-së një simbol i këtij ndryshimi.

Dështimi shumë i mundshëm i koalicionit midis NISMA-s dhe Aleanca Kosova e Re, AKR, për të kaluar pragun prej pesë përqind gjithashtu shpërfaq votën ndëshkuese të elektoratit kosovar ndaj subjekteve politike që kanë përdorur fuqinë për të rritur pasurinë e një klike të vogël e lidhur me ata që janë në pushtet. Ndërlidhja e NISMA-s me nepotizëm sa ishte pjesë e qeverisë së mëparshme ishte një temë e debatuar në vazhdimësi gjatë fushatës zgjedhore.

Ishte një shenjë se lideri miliarder i AKR-së, Behgjet Pacolli, nuk mund të blejë besimin e njerëzve, me gjithë faktin se ky grupim politik po ikën duke lënë më shumë se 17 për qind të Kosovës së jetuari nën kufirin e varfërisë. Është gjithashtu një shuplakë fytyrës ndaj apeleve absurde të liderit të NISMA-s, Fatmir Limajt, drejtuar të rinjve për të “punuar për shtetin”, duke i qortuar heshtazi rreth 170,000 qytetarë që e kanë braktisur Kosovën në pesë vitet e fundit.

Shumë prej atyre që e kanë braktisur Kosovën gjatë viteve të fundit, u kthyen dje, kur vetura me targa të huaja u panë në gjithë Prishtinën ashtu siç bëjnë çdo verë kur diaspora kthehet për pushime. Më shumë se 40,000 anëtarë të diasporës që u përpoqën të regjistroheshin për të votuar në zgjedhjet në Kosovë po dërgonin një porosi: ne u larguam nga Kosova, por do të kthehemi dhe nuk do të heqim dorë kurrë nga atdheu ynë.

Rezultati i djeshëm i ka tronditur edhe bastionet komunale. Vetëvendosje duket se do të dalë e para në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Vushtrri, Obiliq, Kamenicë dhe Han të Elezit, të gjitha këto qytete të cilat nuk janë të qeverisura në nivelin lokal nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sidoqoftë, Vetëvendosje doli po ashtu e para në shumë komuna në zgjedhjet parlamentare të qershorit rë vitit 2017, megjithëse nuk e përcolli këtë fitore në zgjedhjet komunale të mbajtura në tetorin e të të njëjtit vit. Një rezultat i tillë e tregon pjekurinë e elektoratit për ta bërë dallimin midis qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, dhe Vetëvendosje duhet të marrë mësim nga zgjedhjet e mëparshme komunale nëse dëshiron ta ndjekë këtë sukses në zgjedhjet lokale që parashihen të mbahen në vitin 2021.

Mësime të tilla iu dhanë edhe LDK-së në zgjedhjet e vitit 2017 kur koalicioni i përbërë nga LDK me Alternativën dhe AKR-në i solli partisë rreth 1.500 vota më shumë sesa kur LDK kandidoi si e vetme në vitin 2014. Si një kritikuese e hapur ndaj vendimeve të partisë për të formuar një qeveri koalicioni me PDK-në në vitin 2014, Vjosa Osmani u rendit shumë poshtë në listën e kandidatëve të koalicionit të vitit 2017, megjithatë ajo  arriti të jetë një nga pesë kandidatët më të votuar për deputet.

Në vitin 2019, me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre, LDK tashmë e ka tejkaluar totalin e votave që i kishte fituar si pjesë e koalicionit në vitin 2017 me afro 10,000 vota, dhe me akoma shumë që priten për t’u numëruar. LDK tani duket reale të jetë pjesë e qeverisë, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, me t’u përfunduar rezultatet finale të cilat do të bëhen publike më vonë gjatë kësaj jave duke e shpallur fituesin përfundimtar.

Mësimet e marra nga rezultatet e së dielës mbrëma, megjithatë duhet lexuar si më afër Vetëvendosjes: votuesit kosovarë kanë guximin dhe pjekurinë që të ndëshkojnë partitë politike përmes kutive të votimit.

Shkalla e lartë e papunësisë, veçanërisht në mesin e të rinjve dhe nevoja për sundim të mirëfilltë shtetit ligjor, ku të gjithë njerëzit janë të barabartë para sistemit të drejtësisë, është qenësore për çdo qeveri të ardhshme. Devijimi nga këto synime do të jetë fatale për secilën parti, përfshirë edhe Vetëvendosjen.

Populli e tha fjalën e tij. Asnjë formë e pushtetit nuk është më i rëndësishëm sesa vullneti i qytetarëve, ndërsa fati i atyre që abuzojnë me shtetin tashmë është i njohur. Të metat e brendshme të Kosovës nënkuptojnë që, as Vetëvendosje, as ndonjë parti tjetër nuk mund ta kenë komforin që të vazhdojnë të qeverisin për interesa të ngushta dhe jo në të mirë të publikes.

(Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN)