Foto-ilustrim

Një Ferizajas Humb Jetën nga Zjarri

Policia në Ferizaj kishte pranuar, pesë minuta pas mesnatës, një informatë për një incident zjarri në një shtëpi banimi në rrugën “Aziz Kelmendi” në Ferizaj.

Njësitet policore, së bashku me zjarrfikësit, i janë përgjigjur rastit. Pas lokalizimit të zjarrit, në tavanin e shtëpisë është gjetur edhe trupi i pajetë, i karbonizuar i pjesëtarit të kësaj familjeje, A.Q., 26-vjeçar, ka bërë të ditur Agim Gashi, zëdhënës i policisë në Ferizaj.
 
Bazuar në hetimet e para dhe deklarimit të dëshmitarëve, anëtarë të familjes, rreth mesnatës, e gjithë familja kishte dalë në oborr duke festuar ndërrimin e motmoteve. Pas pak, ata kishin vërejtur se nga kulmi i shtëpisë së tyre po dilte tym dhe flakë. Të gjithë janë munduar që ta lokalizojnë zjarrin, ndërsa viktima kishte marrë një tub plastik nga kroi në oborr dhe ka hipur në tavan që ta shuajë zjarrin.

“Dyshohet se nga tymi dhe flaka, ai është ngulfatur dhe nuk ka mundur që të kthehet mbrapa”.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i cili është njoftuar për rastin, ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në Departamentin e Mjekësisë ligjore në Prishtinë.

Tani për tani, nuk dihet shkaqet e zjarrit.