Një 76-Vjeçar Vdes Pas Rrokullisjes së Veturës

Policia rajonale në Prizren ka njoftuar se një veturë “Golf II” është rrokullisur nën rrugë, si pasojë e shpejtësisë së pakontrolluar, në rrugën e fshatit Pataqan të Rahovecit.

Me këtë rast, ka humbur jetën I. Bellaqa i vitlindjes 1936, ndërsa lëndime trupore ka pësuar shoferja dhe një pasagjere. Aksidenti fatal ka ndodhur të dielën rreth orës 17, ka saktësuar policia.

Shoferja që po e drejtonte një automjet “Golf II” e ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes në mënyrë të pakontrolluar gjatë tejkalimit të një automjeti të llojit kombi, dhe më pas nuk ka mundur të kthehet në shiritin e duhur të rrugës, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë rajonale në Prizren, Hazir Berisha.

Vetura ka përfunduar jashtë rrugës, duke u rrokullisur në vreshta të fshatit. Policia ka dalë në vendngjarje për të kryer procedurat hetimore.