Një 50-Vjeçare Vdes nga Virusi i Nilit

Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik (IKShP) ka bërë të ditur të mërkurën se analizat kanë treguar praninë e antitrupave të klasës IgM, që vërtetojnë se pacientja ka pasur virusin vdekjepurës.

Pacientja N.H. ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive më 6 shtator. Ajo ishte transferuar nga Klinika e Neurologjisë në gjendje të rëndë klinike, pa vetëdije, temperaturë dhe e intoksikuar, ka treguar drejtori i IKShP-së, Naser Ramadani.

“Gjatë trajtimit të saj në QKUK janë marrë të gjitha masat protokollare, por pacientja fatkeqësisht ka vdekur më 14 shtator”, tha Ramadani, në një konferencë me gazetarë.

Infektologia Teuta Doda-Ejupi ka bërë të ditur se janë edhe dy raste të dyshimta me infeksione me virusin e Nilit Perëndimor, të cilat ishin të hospitalizuara në Klinikën Infektive. Por në aspektin diagnostik nuk është arritur të jepen rezultatet përfundimtare, për arsye se mostrat adekuate nuk janë marrë në Klinikën Infektive. Pacientët tashmë kanë vdekur.

“IKSHP-ja është në kontakt me Klinikën Infektive dhe është mobilizuar në tërë territorin e vendit dhe ka shtuar masat parandaluese dhe se për momentin nuk ka raste tjera me këtë virus”, ka shtuar Ramadani.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se nuk ka vend për panik dhe se Klinika Infektive është e furnizuar me terapi antivirale, me të cilat trajtohen sëmundjet e shkaktuara nga viruset.

Virusi i Nilit Perëndimor bartet nëpërmes thumbimit të mushkonjave, nga kafshët në kafshë, por jo edhe nga njeriu në njeri. Sipas statistikave, vetëm një në 150 të infektuar përfundon fatalisht, kryesisht ata me imunitet të dobësuar dhe që vuajnë nga sëmundje të tjera.

Simptomat te një i prekur nga ethet e Nilit paraqiten me temperaturë, dhembje koke, lodhje, dhembje të trupit, të përziera, të vjella, herë pas herë skuqje të lëkurës dhe ënjtje të gjëndrave limfatike.