Nis Gjykimi për Keqtrajtimin e Shqiptarëve në Vitin 1999

“Jam i pafajshëm” ishin fjalët e Ivan Radivojeviq-it, kur u pyet nga kryetari i trupit gjykues Malcolm Simmons se si deklarohej për akuzat.

Prokuroria Speciale e Kosovës, që përfaqësohet nga Charles Hardaway, akuzon të pandehurin Radivojeviq se më 26 mars 1999 në stacionin e autobusëve në Fushë-Kosovë si rezervist i policisë serbe së bashku me pjesëtarë të tjerë të policisë dhe paramilitarë, kishte cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e së paku 40 shqiptarëve.

Prokuroria Speciale, aktakuzën e saj e bazon në dëshmitë e të dëmtuarit Bujar Bajramit dhe dëshmitarëve të tjerë të mbijetuar në këtë çështje.

Në aktakuzë ngjarja e 26 marsit 1999, e ndodhur në stacionin e autobusëve në Fushë-Kosovë, përshkruhet kështu:

“Më 26 mars 1999 një grup i paramilitarëve të forcave serbe kishin rrethuar civilët shqiptarë të cilët ishin duke pritur në stacionin e autobusëve në Fushë-Kosovë për të shkuar në Prishtinë. Grupi i paramilitarëve që mbartnin uniforma paramilitare dhe automatikë kishin ardhur në atë vend dhe pasi kishin rrethuar civilët, i kishin ndarë meshkujt nga femrat dhe fëmijët.

Pjesëtarët e paramilitarëve duke përfshirë edhe Ivan Radivojeviqin dhe Skender Bislimin, kishin filluar rrahjet e disa personave që gjendeshin aty. Disa prej personave që u rrahën, u urdhëruan nga paramilitarët që të hipnin në disa makina dhe shkuan në drejtime të panjohura. Ata shqiptarë më vonë u gjendën të vdekur.”, vazhdon të shpjegojë ngjarjen aktakuza.

Edhe në fjalën hyrëse prokurori i tregoi gjykatës në pika të shkurta për ngjarjen dhe e njoftoi me deklarimin e të dëmtuarit për ngjarjen.

I dëmtuari Bujar Bajrami, nuk ishte i pranishëm në seancë, pasi sipas informatave që kishte gjykata, i njëjti ndodhej jashtë vendit.

Avokati i të pandehurit, Miodrag Brkljaq në fjalën hyrëse i tha gjykatës se është i sigurt se nga dëshmitë e prokurorisë do të dalë se klienti i tij është identifikuar gabimisht dhe ai nuk ka të bëjë me çështjen.

Avokati Brkljaq po ashtu njoftoi gjykatën se do të mundohet ta gjejë komandantin e të pandehurit në atë kohë, e që emri i tij sipas Brkljaqit ishte Milan Vjeshkica.

Mbrojtja u pajtua që i pandehuri nga data 24 mars 1999 ka qenë i veshur  me uniformë policie dhe i armatosur, por kundërshtoi pikën se Radivojeviq ishte në autobusin, udhëtarët e të cilit u keqtrajtuan më 26 mars të 1999-ës.

Në mungesë të të dëmtuarit Bujar Bajrami, i cili ishte paraparë që të dëgjohej sot si dëshmitar, gjykata e shtyu seancën për të enjten, më 16 janar ku si dëshmitare do të dëgjohet Nefise Bajrami.