Nijazi Kryeziu Dyshohet se Falsifikoi Planin Urban

Në kallëzimin e dorëzuar në Prokurorinë Komunale të Prizrenit, nga Arbër Rexhaj, kryetari i Qendrës së Lëvizjes VV në Prizren, Nijazi Kryeziu akuzohet për veprat penale “shpërdorim i detyrës zyrtare dhe i autorizimit” dhe “falsifikim i dokumenteve zyrtare”, të parapara me Kodin e Përkohshëm Penal të Kosovës.

Kryeziu akuzohet se e kishte ndryshuar planin rregullues urban për “Qendrën e Re 2” të qytetit të Prizrenit, megjithëse ai ishte miratuar më herët nga Kuvendi Komunal.

“Konsiderojmë se ndërrimi i lokacionit nga ana e djathtë në të majtë [të rrugës Prizren – Zhur] ka qenë i qëllimshëm, me dashje dhe për qëllime të përfitimeve material dhe realizimit të marrëveshjeve joformale ndërpartiake në Komunën e Prizrenit”, thuhet mes tjerash, në kallëzimin të cilin e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.

Në vitin 2011, Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor ia dërgon Komitetit për Politikë dhe Financa për shqyrtim Projektvendimin mbi miratimin e planit rregullues urban për lokacionin “Qendra e Re 2”. Komiteti e miraton këtë projektvendim, dhe më pas Nijazi Kryeziu, në cilësinë e kryesuesit të këtij komiteti, ia paraqet atë Kuvendit Komunal për miratim përfundimtar.

Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal, të mbajtur më 20 maj 2011, ndër të tjera u diskutua edhe pika e 5-të “Shqyrtimi i propozimvendimit…”

Ndërsa neni 2 i projektvendimit parasheh se “plani rregullues urban për ‘Qendrën e Re 2’ përfshin lokacionin që ndodhet në qendër të qytetit, sipas planit zhvillimor urban dhe përkufizohet, përkatësisht shtrihet në anën e djathtë të rrugës Prizren – Zhur, duke filluar prej Gjykatës deri te Tregu i Plaçkave në lagjen ‘Bajram Curri’; në jug me rrugën ‘William Walker’; në lindje me rrugën ‘De Rada’; në veri me rrugën ‘Zara’, si dhe me shiritin gjelbërues të rrugës që ndan Zonën Industriale, e që përfshin një sipërfaqe prej 33,6 hektarë”.

Pas kësaj, kryesuesi i KK-së, Nijazi Kryeziu, e hedh në votim dhe pas votimit prej 34 asamblistëve sa ishin prezentë në sallë, projektvendimi shndërrohet në vendim dhe hyn në fuqi.

Por, sipas Vetëvendosjes, Kryeziu e publikon një vendim tjetër në faqen zyrtare të Kuvendit Komunal, i cili për nga ana teknike është identik me vendimin e miratuar nga Kuvendi, por ndryshon tërësisht nga ana përmbajtësore.

Më tutje në kallëzimin penal që e ka siguruar gazeta thuhet se për pasojë, ky vendim i falsifikuar ndryshon vendimin legal në nenin 2, duke bërë që “Qendra e Re 2” të parashihet të ndërtohet në “anën e majtë të rrugës Prizren – Zhur, duke filluar prej Hotel Prizrenit deri te Tregu i Plaçkave…”

“Shihet qartë se Nijazi Kryeziu, në cilësinë e kryesuesit të Kuvendit Komunal, për interesa personale dhe ndërpartiake ka kryer këto vepra penale të parapara me Kodin e Përkohshëm Penal të Kosovës ‘Shpërdorimi i detyrës zyrtare dhe i autorizimit’, nga neni 339, si dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve zyrtare’, nga neni 348”, ka thënë kryetari i VV-së në Prizren, Arbër Rexhaj.

Vetëvendosje i propozon prokurorit publik komunal që të fillojë hetimin kundër Nijazi Kryeziut, pasi që ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer veprat penale të lartëcekura, duke u mbështetur në provat e paraqitura.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Prizren, Nijazu Kryeziu, i ka thënë Gazetën JnK se bëhet fjalë për një “gabim teknik” dhe se dyshimet i kishin sqaruar para mëse një viti hetuesit e krimeve ekonomike të Policisë së Kosovës.

“Ka qenë një gabim teknik që është bërë, nga ana e majtë në të djathtë…Këtë e ka vërtetuar edhe njëri nga sponsoruesit, që ka pasur një vendim në gjuhën boshnjake dhe kjo e ka mbyllur çështjen”, tha ai.
 
“Afërsisht para një viti e gjysmë kam dhënë dëshmi në Krimet Ekonomike për këtë çështje. Ata kanë ardhur në përfundimin se nuk ka bazë të dyshimit për kryerje të ndonjë vepre penale… Pra, hetimet janë pushuar, pa shkuar fare rasti në prokurori”, shtoi Kryeziu.