Ilustrim

Ngritja e pagës minimale në Kosovë nuk do ta shkundë ekonominë, por mund të sjellë vota

Me më shumë se dyfishimin e pagës minimale, Qeveria e Kosovës po luan për vota para zgjedhjeve të shkurtit, duke vënë  njëherësh bast se çmimet nuk do të ngrihen

Dyfishimi i pagës minimale nga Qeveria para taksave nuk pritet të ketë ndonjë efekt të spikatur në ekonomi, thonë ekspertët, por mund të ndihmojë kryeministrin Albin Kurti të fitojë një mandat të ri në shkurt.

Më 28 gusht, Kurti dhe qeveria tij ngritën pagën minimale në 350 euro, nga 170 sa ishte për punëtorët e moshës ndërmjet 35 dhe 65 vjeç, dhe 130 për ata nën 35 vjeç.

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ndryshimi do të prekë rreth 115 mijë të punësuar, të cilët së fundmi po merrnin pagë më të ulët se 350 euro. Kjo kategori përfshin 28.8 për qind të fuqisë punëtore.

Me ndryshimet ligjore, të ardhurat deri në 250 euro do të lirohen nga taksat, një ngritje prej të kaluarës prej 80 eurosh. Megjithatë, Kurti ka thënë se paga e re minimale nuk do të tatohet fare, duke nxitur spekulimin se partia në pushtet, Vetëvendosje, mund të ndryshojë ligjin për taksat përsëri nëse e fiton një mandat të ri në zgjedhjet parlamentare në shkurt.

Visar Vokrri, ekonomist në grupin e pavarur të mendimit në Prishtinë, Instituti Riinvest, ka thënë se ngritja është kalibruar për të kënaqur të punësuarit pa i frikësuar pronarët e bizneseve, “me qëllim që të tregohet se Qeveria po bënë ndryshime pozitive”, njëherësh duke mos shkaktuar pakënaqësi në mesin e askujt.

“Mendoj se kjo është një masë e mirëmenduar e fushatës parazgjedhore nga ana e Qeverisë”, ka thënë Vokrri për BIRN-in, duke spikatur mungesën e ndonjë reagimi të fortë nga shoqatat e bizneseve.

Ndryshimet në taksa përkthen në kursime prej 9.8 eurosh për të punësuarit.

“Përfitimi mujor prej 6.8 eurosh ose përfitim vjetor prej 81.6 eurosh mund të mos duket shumë për dikë”, ka shkruar më 30 gusht në Facebook, Hekuran Murati, ministër i Financave i Kosovës, “por nëse e shikojmë si tërësi, janë rreth 2.3 milionë euro në muaj, ose rreth 27 milionë euro në vit që nuk do të mblidhen si taksë prej shtetit, por do të mbesin në xhepat e qytetarëve”.

Efekt minimal në ekonomi

Në teori, ngritja e pagave normalisht do t’i rriste çmimet, por ekspertët dyshojnë se kjo do të ndodhë.

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomisë të Kosovës, ka thënë se “shumica” e bizneseve në Kosovë nuk i paguajnë punëtorët me më pak se 350 euro në muaj. Por Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (ABK), ka thënë se ngritja mund t’i shtyjë “disa bizneseve mikro dhe të vogla” drejt falimentimit.

Vokrri ka thënë se nuk pret të shohë ngritje çmimesh për shkak të ngritjes së pagës. “Duke marrë parasysh përmasën modeste të ngritjes së pagës që rezultoi pa taksim të të ardhurave të ngritura, nuk ma merr mendja se do të ketë ngritje çmimesh”, ka thënë ai.

Instituti GAP, grupi i pavarur i mendimit nga Prishtina, llogarit se numri i të punësuarve të cilët do të preken do të shkojë në 117 mijë syresh, shifër goxha më e lartë se numri i paraqitur prej administratës së taksave. Kjo shifër përfshin pothuajse 30 për qind të fuqisë punëtore të Kosovës.

Ardit Namani, asistent hulumtues në Institutin GAP, ka thënë se ndryshimi mund të ketë potencialisht ndikim pozitiv në rritje ekonomike, varësisht prej “faktorëve të caktuar”.

Ai llogarit se në përgjithësi se punëdhënësit përballen me një shumë ekstra prej 12 milionë eurosh në muaj. “Në përgjithësi, kjo shumë nuk konsiderohet mjaftueshëm e madhe për të shkaktuar rritje të theksuar ekonomike ose inflacion të përgjithshëm, meqë kjo kategori punëtorësh priren të shpenzojnë kryesisht në produkte bazike, rrjedhimisht duke kufizuar ndikimin e tyre në sektorët e tjerë të ekonomisë:, ka thënë Namani për BIRN-in.

Bizneset thonë se nuk u konsultuan

Komuniteti i bizneseve në Kosovë ka akuzuar Qeverinë e Kurtit se ka dështuar të shpenzojë mjaftueshëm në investime kapitale ose t’i konsultojë për ndryshimet e pagës minimale, megjithëse ka pasur kundërshtim të paktë për nivelin e ngritjes.

Rafuna ka thënë se Oda Ekonomike e mori vesh në mediat ngritjen e pagës minimale.

Shahini, nga ABK-ja, ka thënë se ka pasur diskutime më 2022 për rritjen e mëhershme të planifikuar dhe më modeste të pagës minimale të rekomanduar prej Këshillit Socio-Ekonomik, porse Këshilli ka më shumë se një vit që nuk vepron për shkak të përfundimit të mandatit të anëtarëve të tij.

“Ngritja e pagës në 350 euro nuk është rekomandim i Këshillit, e as i punëdhënësve ose të punësuarve, por i Qeverisë”, ka thënë Shahini për BIRN-in.

Ai ka thënë se bizneset janë në gjendje konfuze për shkak të pretendimit të Kurtit se paga e re minimale nuk do të taksohet, duke pasur parasysh se taksa aktualisht zbatohet për ata që paguhen mbi 250 euro.

Kalimi i mundshëm në ekonominë e zezë

Foto-ilustrim Kompleksi i kafiterive te “Santea”

Rafuna ka thënë se ngritja e pagës llogaritet se përfshin një të tretën e pagave në sektorin privat.

Sidoqoftë, Namani ka thënë se ndryshimi mund të rrezikojë me “informalitet të rritur, derisa disa punëdhënës mund të zgjedhin të mos i deklarojnë të gjithë punëtorët për t’iu shmangur kostove shtesë”.

“Kjo mund të shpjerë drejt praktikave, si pagesat me ‘para në dorë’ ose deklarim të më pak orëve të punës sesa në realitet”, ka thënë ai në përgjigje të shkruar për BIRN-in. “Gjithashtu, disa biznese mund të ndajnë mendjen të punësojnë më shumë punëtorë me orar të shkurtuar ose mbi baza informale për t’iu shmangur obligimeve të plota”.

“Si rezultat, efekti i synuar pozitiv i ngritjes së pakës minimale mund të reduktohet, derisa një hise e punëtorëve mund të humbin mbrojtjen legale dhe përfitimet pensionale që vijnë bashkë me punësimit formal”.

Në një intervistë të ndarë, Vokrri ka thënë gjithashtu se mund të ketë rritje të informalitetit. Ai i ka thënë BIRN-it se “të gjitha përllogaritjet dhe anketimet me bizneset të kryera nga ‘Riinvesti’ tregojnë se punësimi informal përbën një të tretën e shkallës së përgjithshme të punësimit në Kosovë, çka do të thotë se një e treta e të ardhurave në sektorin privat në Kosovë nuk është e deklaruar fare”.