Ngrihet Fondi për Kuadrot Qeveritare

Pagesat shtesë nga fondi një milion eurosh, që ndahet çdo vit për të mbështetur “kuadrot” e administratës kosovare, nuk janë bërë gjatë muajit janar e shkurt të këtij viti, pasi me vendim të kryeministrit Thaçi, shpenzimet i këtij fondi po rishqyrtohen.

I ashtuquajturi “Fondi i Trurit” ka për qëllim që të stimulojë profesionistë në “segmente strategjike” që punojnë për qeverinë, duke ofruar kushte konkurrente me sektorin privat.

Një raport i brendshëm vlerësimi, i bërë në dhjetor 2011, nga institucionet që e menaxhojnë Fondin për Kuadro (Zyra e Zëvendëskryeministrit, Ministria e Financave, ajo e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe ajo e Administratës Publike) ka gjetur lëshime sa i përket dallimeve në pagesa.

Për këtë arsye, kryeministri i vendit ka vendosur që të rishqyrtohen lartësia e pagesave dhe emrat që përfitojnë. Kjo ka bërë që pagesat nga ky fond të pezullohen përkohësisht.

Sekretari i Përhershëm në Zyrën e Kryeministrit, Fitim Krasniqi, ka thënë se fondi do të rishqyrtohet edhe sa i përket emrave që përfshihen në të, por edhe shumave përkatëse.

Edhe vetë Berat Visoqi, i cili e menaxhon fondin, dhe i cili ka pasur 1000 euro shtesë pagë në muaj, përveç rrogës bazë, ka thënë se fondi po rishqyrtohet. “Jemi duke e pritur vendimin e Qeverisë”, ka thënë ai

Që kur është vendosur të ndahet ky fond, në vitin 2009, qeveria ka shpenzuar rreth 2.1 milionë euro, për të mbështetur pjesën e njerëzve që llogariten si tejet të nevojshëm për të zbatuar objektivat e saj.

Visoqi, i cili ka thënë se janë bërë raporte për secilën njësi shpenzuese veç e veç, nuk ka pranuar të flasë për detajet e raportit të vlerësimit për fondin e kuadrove.

Më të paguar se Kryeministri

Por, ndër përfituesit e këtij opsioni kanë qenë edhe zyrtarë të cilët veç kanë figuruar në mesin e personave më të paguar në administratë.

Në lista kanë figuruar emrat e drejtorit të Doganave të Kosovës, Naim Huruglica; drejtorit të Buxhetit, Agim Krasniqi; drejtorit të Administratës Tatimore, Behxhet Haliti; atij të Thesarit, Lulëzim Ismaili, dhe të gjithë zëvendësit e tyre.

Po ashtu si përfituese e fondit për personat me peshë ka figuruar edhe drejtoresha e Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha; eksperti mjekoligjor, Arsim Gërxhaliu etj.

Të gjithë këta zyrtarë, përveç pagave bazë, janë rekomanduar se vlejnë të paguhen edhe nga 250 euro nga Fondi për Kuadro.

Disa prej tyre nuk pritet të figurojnë në listat e fondit, kur ai të fillojë të lëshohet sërish, sipas menaxherëve të tij.

Falë këtij fondi, Ruzhdi Halili, drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit, me letra, vazhdon të marrë pagë më shumë se vetë kryeministri i vendit, i cili në vitin 2011 ka deklaruar pagë vjetore prej 17 mijë e 318 euro në vit.

Krahas pagës së tij bazë prej 700 eurosh, Halili merr edhe 1442 euro nga fondi, kurse zëvendësi i tij Qerkin Berisha merr rrogën bazë dhe 1100 euro.

Sekretari Fitim Krasniqi thotë se pikërisht pagat e kësaj natyre është rekomanduar që të ulen. “Nuk ka logjikë kjo që disa persona paguhen më shumë se kryeministri”, thotë ai.

Krasniqi nuk flet në lidhje me atë se si ka ardhur deri tek kjo gjendje pagesash. Ai thotë se përzgjedhja është bërë nga zyrtarët që menaxhojnë fondin.

Mirëpo, menaxheri Berat Visoqi, i cili tregon se janë rreth 180 persona që përfitojnë nga fondi, thotë se propozimi dhe vlerësimi i atyre që duhet të hyjnë në këtë fond bëhet nga ministritë.

Dhe as nga këto të fundit nuk ka sqarime të qarta për përzgjedhjen. Naim Baftiu, sekretar Permanent në Ministrinë e Financave, që është pjesë e trupit menaxhues të fondit, thotë se përzgjedhjet i bën kryeministri.

“Ne japim rekomandime, por jo të gjitha i bëjmë ne”, thotë Baftiu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta ka kontaktuar të gjitha ministritë që përfitojnë nga ky fond nga të cilat ka marrë emrat e përfituesve dhe ka kërkuar sqarime për kriteret. Disa ministri kanë shpjeguar se përcaktimi është bërë në bazë të resorëve me prioritet, e disa të tjera se bëhet fjalë për kuadro të kualifikuar që duhet mbështetur.

Ndonëse çdo vit thuhet se bëhet një lloj freskimi në listën e fondit, përfituesit në të shumtën mbesin të njëjtë, janë kryesisht juristë dhe ekonomistë, dhe shumica drejtorë departamentesh.

Në listat e fondit ndodh që personat të cilët kanë kualifikim dhe pozita të njëjta të marrin paga shumë të ndryshme. Disa marrin nga 500 euro, e disa të tjerë nga 1400.

Nga të dhënat që janë marrë edhe në listat e fondit, dhe në Ministrinë e Financave, analistët për makroekonomi Berat Havolli dhe Armend Merovci marrin nga 500 euro, ndërsa me të njëjtin kualifikim dhe pozitë, Semra Tyrbedari dhe Valmira Rexhagaj marrin nga 1,395 euro, krahas pagës bazë prej rreth 500 eurosh.

Po ashtu, ndonëse ligjërisht thuhet se Fondi dedikohet për staf civil, jo pak përfitojnë edhe këshilltarët e përkohshëm që vijnë si konsulentë.

Lorik Fejzullahu, Nora Bakalli dhe Donat Alaj të cilët janë këshilltarë në njësinë e Partneritetit Publiko-Privat, po ashtu në Ministrinë e Financave, përveç pagës bazë marrin edhe nga 1,220 euro. (Shiko dokumentin e Ministrisë së Financave)

Njëjtë merr edhe një këshilltar për media në këtë sektor Ilir Rama. Asnjë zyrtar tjetër për media në të gjitha drejtoritë e ministrive nuk është futur në këtë fond.

Zyrtarët e zyrave për integrime evropiane, varësisht nga cila ministria vijnë, përfitojnë prej 250 deri në 600 euro.

Projektet e përkohshme gjithashtu kanë rezultuar se janë me rëndësi të madhe për ekzekutivin. Për shembull, Ramë Qupeva që në thirrjen zyrtare shkruan se është menaxher i Njësisë për zbatimin e projektit të Autostradës Morinë – Merdar në Ministrinë e Infrastrukturës, merr 800 euro shtesë në rrogën bazë.

Nga përllogaritjet e koeficientëve të rrogave bazë që marrin përfituesit e fondit del se një pjesë e tyre paguhen, edhe në këtë rast, më shumë se ministrat.

Mjetet nga fondi nuk raportohen në deklarimet e pasurisë

Nga fondi vjetor prej një milion eurosh kanë përfituar 15 ministri dhe Zyra e Kryeministrit.

Sidoqoftë, deri në fund të prillit do të vendoset nëse shumat e majme do të paguhen njësoj si deri më tash.

Fondi i njëjtë është planifikuar edhe për 2012 dhe 2013.

Por, këto para shumë nga zyrtarët që i përfitojnë ato nuk i kanë deklaruar asnjëherë si të ardhura në formularët e pasurisë në Agjencinë Anti-Korrupsion (AKK).

Kreu i Agjencisë Hasan Preteni ka thënë se “ligjërisht të ardhurat shtesë nga buxheti duhet të deklarohen”.

“Do t’i kontrollojmë sërish formularët”, ka thënë ai.