Ngërçi i Asamblesë Kërcënon Malishevën me Zgjedhje të Reja (TV)

Për të tretën herë më radhë është anuluar mbledhja e asamblesë së Malishevës, që të hënën ishte paraparë të bëjë edhe një tentativë për zgjedhjen e Kryesuesit të saj.
Iniciativës Qytetare të Malishevës, fituese e zgjedhjeve në këtë komunë, mund t’i zvogëlohet entuziazmi i fitores, nëse deri në javën e fundit të janarit, asambleja e kësaj komune nuk bëhet me kryetar.

Iniciativa që ka 11 asamblistë në kuvendin komunal të Malishevës, edhe pse është e para për nga numri i tyre, nuk po mundet e vetme të zgjedhë kryesuesin e asamblesë, pasi për këtë duhet të ketë së paku 16 kuvendarë.

Kjo iniciativë, e përkrahur nga deputeti Fatmir Limaj, pas fitores dhe kur është duke bërë përgatitjet përfundimtare për funksionalizimin e drejtorive komunale, nuk po mundet ta kompletojë pushtetin lokal malishevas, për faktin se seancën, ku si pikë e rendit të ditës ndodhet edhe zgjedhja e kryesuesit të kuvendit komunal, po e bojkotojnë partitë opozitare të nivelit lokal, PDK-ja, LDK-ja dhe Vetëvendosja.

Agron Maxhuni, udhëheqës i Departamentit Ligjor dhe Monitorimit të Komunave në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal MAPL, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nëse zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Malishevës nuk bëhet tridhjetë ditë pas konstituimit të asamblesë, asambleja shpërndahet.

Ai shpjegoi procedurat që ndiqen në këtë rast. Sipas tij MAPL-ja pas kalimit të afatit prej tridhjetë ditësh pa kryesues asambleje, njofton qeverinë për mosfunksionimin e komunës. Qeveria pastaj shpërndan asamblenë dhe përcakton zgjedhjet për kuvendin komunal.

Asamblisti i LDK-së Sami Kafexholli, tha se asambleja mund të shpërbëhet, nëse kryesuesi i saj nuk zgjidhet deri më 23 janar.

Asambleja komunale e Malishevës është inauguruar më 23 dhjetor.

Kërkojnë që IQM-ja të bëjë koalicion

Jonuz Kastrati, kryetar i degës së LDK-së në Malishevë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se subjekti i tij po e bojkoton seancën e punës së kuvendit komunal për tri arsye. Arsyeja e parë sipas tij lidhet me faktin se dy nga asamblistët e Malishevës janë edhe shërbyes civilë, ndërsa të njëjtët duhet të përcaktohen për njërën pozitë. Arsyeja e dytë sipas LDK-së ka të bëjë me caktimin e paligjshëm të seancave të kuvendit komunal, ndërsa e treta me atë se Iniciativa dëshiron të mos e përfshijë në pushtetin komunal ndonjë subjekt tjetër.

Asamblistët që mbajnë edhe pozitën e shërbyesit civil, janë Bashkim Krasniqi nga AAK-ja, që është edhe zyrtar për Integrime në Malishevë dhe Ahmet Morina nga Iniciativa Qytetare që është edhe shef i inspektorëve të kësaj komune.

Ahmet Morina i tha Gazetës Jeta në Kosovë të shtunën se ende ka kohë të deklarohet për pozitën që do të mbajë.

 “Ligjërisht kam te drejte ende te deklarohem për cilën pozitë, por nuk e kam obligim ligjor t’u deklarohem asamblistëve të LDK-së dhe PDK-së, pasi atë ditë që të zgjidhet kryesuesi i asamblesë, me shkrim do ta njotoj për pozitën që do ta mbaj. Që tre muaj nuk kam marrë rrogë si shef i Inspektoratit”.

Morina shtoi se ka vendosur ta mbajë pozitën e asamblistit komunal, duke hequr dorë nga posti i drejtorit të Inspektoratit.

Ai tha se së shpejti për postin nga i cili do të tërhiqet, ka për t’u hapur konkursi, ndërsa i rekomandoi Jonuz Kastratit të LDK-së që të konkurojë për këtë pozitë.

Bashkim Krasniqi nga AAK-ja tha se fakti se ai mban dy pozita në komunë, nuk është arsyeja e vërtetë e bojkotit nga opozita.

“Me kohë do të deklarohem, në afatin ligjor do të deklarohem, se cilën pozitë do ta mbaj, jemi në konsultim edhe me partinë”, tha Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Begaj do të qeverisë vetëm

Kryetari i Malishevës Ragip Begaj, thotë se LDK-ja dhe PDK-ja me çdo kusht dëshirojnë të jenë pjesë e qeverisjes komunale, prandaj edhe bojkotojnë seancat.

Kryetari Begaj tha para tri ditësh se nuk ka në plan të bashkëqeverisje me ndonjë subjekt politik.

Edhe Begaj si Krasniqi, thotë se asamblistët që janë edhe nëpunës civilë, kanë ende afat për t’u përcaktuar për njërën pozitë.

“Asamblistët kanë të drejtë ligjore për t’u deklaruar ende se cilën pozitë do ta mbajnë dhe kjo nuk është arsye për bojkotim, pasi ende kanë të drejtë ligjore për t’u deklaruar”, tha Ragip Begaj, kryetar i Malishevës.

Asamblistët që janë edhe shërbyes civilë kanë afat që të përcaktohen për njërin nga postet që dëshirojnë të ushtrojnë gjatë 30 ditëve nga dita e inaugurimit të tyre si kuvendarë. Edhe afati për përcaktimin e tyre përfundon më 23 janar.

Por, Adem Berisha, shef i asamblistëve të PDK-së në Malishevë, mendon se zgjidhja e këtij problemi është te subjekti fitues.

“Ne nuk jemi të interesuar për bashkëqeverisje, por mënyra se si janë qasur subjekti fitues në takime individuale nuk ka qenë e pranueshme”, tha Berisha.

Qasjen e Iniciativës e kritikon edhe Jonuz Kastrati i LDK-së, që thotë se partia fituese e zgjedhjeve duhet të lidhë me dikë koalicion. Ai shton se nuk kërkon që LDK-ja të jetë në pushtet, sipas tij iniciativa mund të lidhet edhe me PDK-në.

“Përgjegjësinë për ta krijuar shumicën [në kuvend] e ka partia fituese. Nuk është përgjegjësi e jona t’ia krijojmë shumicën”, shpjegon Kastrati. 

Kastrati thotë se mbledhjet e kuvendit komunal po caktohen në kundërshtim me ligjin dhe pa respektuar 7 ditë pune.

KDI: Bojkoti papërgjegjësi

Lidhur me ngërçin e asamblesë komunale të Malishevës ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës nga radhët e opozitës që të jetë pjesë e punimit të seancave dhe të mos jetë pjesë e bojkotit të punimeve.

“Në të kundërtën çdo lëshim apo bojkotim i seancave reflekton në jo seriozitet dhe mungesë të përfaqësimit dinjitoz të interesave të qytetarëve të Komunës së Malishevës”, shkruan KDI në një reagim.

Asambleja komunale e Malishevës është konstituuar më 23 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa mbledhja me pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e kryesuesit, sipas uebfaqes së kësaj komune, është caktuar fillimisht për datën 6 janar 2014, me një paralajmërim prej 11 ditësh, ndërsa njoftimet për vazhdim të seancës janë bërë me paralajmërime prej 3 respektivisht një dite.

Neni 43 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale precizon që njoftimi për mbledhje të kuvendeve komunale duhet t’u dërgohet me shkrim të gjithë asamblistëve, shtatë ditë përpara se mbledhja të mbahet.

Asambleja komunale e Malishevës, e dalë nga zgjedhjet e 3 nëntorit është konstituuar më 23 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa mbledhja me pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e kryesuesit, sipas uebfaqes së kësaj komune, është caktuar fillimisht më 6 janar 2014,14 ditë pas inaugurimit.

Atë mbledhje e patën lëshuar kuvendarët e PDK-së, LDK-së dhe VV-së, pas miratimit të rendit të ditës.

Më pas, vazhdimi i mbledhjes së 6 janarit, ishte caktuar për tri ditë më vonë, për t’u shtyrë përsëri për mungesë kuorumi. Kjo mbledhje është caktuar përsëri për 13 nëntor, pa respektuar afatin prej 7 ditësh.

PDK-ja dhe LDK-ja kanë nga tetë këshilltarë në kuvendin komunal të Malishevës, ndërsa Vetëvendosja 2. Përveç Iniciativës, LDK-së, PDK-së e VV-së, nga një mandat kanë siguruar edhe AAK-ja e AKR-ja. Malisheva ka gjithsej 31 asamblistë.