Nga gjuha e urrejtjes te dezinformimi: ngritja e ideologjive ekstreme në Kosovë

Diskursi i ekstremit të djathtë vazhdon të përhapet në media në nivel global, duke gërshetuar retorikë përjashtuese e të urrejtjes me propaganda ideologjike që shpesh keqpërdor shqetësimet legjitime të njerëzve për çështje ekonomike, kulturore e sociale. Në vend që të ofrojnë analiza racionale apo zgjidhje konstruktive, këto rryma zakonisht përqendrohen në nxitjen e mosbesimit dhe polarizimit brenda shoqërisë. Shpesh, synimi i tyre është të krijojnë përçarje duke sulmuar gratë, komunitetin LGBTIQ, si dhe grupe të tjera të margjinalizuara. Kjo formë e ekstremizmit e paraqitur edhe në media online e media sociale, e bazuar në gjuhë të urrejtjes e kryesisht manipuluese, ushqen stereotipe negative dhe thellon pabarazitë ekzistuese.

Edhe Kosova, si shumë vende të tjera, nuk i ka shpëtuar ndikimit të kësaj vale dhe po përballet me një rritje të ngjashme të grupeve dhe individëve ekstremistë të cilët janë duke krijuar hapësirë brenda sferës mediatike. Përmes portaleve online, rrjeteve sociale, madje edhe emisioneve televizive, këto grupime përhapin narrativa kundër grave, komunitetit LGBTIQ, si dhe kundër komuniteteve tjera joshumicë.

Dredhia e tyre konsiston në zhvendosjen e fokusit nga çështjet thelbësore të barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut, drejt gjuhës së urrejtjes dhe diskurseve përjashtuese e të rrezikshme për shoqërinë, duke penguar kështu luftimin e stereotipeve të dëmshme gjinore, arritjen e një barazie shoqërore, solidaritetit dhe përfaqësimit të plotë të grupeve joshumicë.

Përhapja e ideologjive ekstreme nëpërmjet dezinformimit

Veprimi i organizatave të ekstremit të djathtë ka ndryshuar formë dhe metodë, duke u fokusuar kryesisht në media sociale. Ideologjitë e ekstremit të djathtë përhapen sot përmes dezinformimit dhe keqinformimit, duke u sponsorizuar jo rrallëherë nga aktorë të jashtëm rajonalë e ndërkombëtarë. Këto fushata të sofistikuara synojnë minimin e institucioneve demokratike dhe thellimin e ndasive shoqërore, duke ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë dhe rendin demokratik të vendit. Këto grupe e individë shpeshherë janë në ballë të fushatave të dezinformimit, teorive konspiracioniste dhe gjuhës seksiste e misogjene.

Gjatë një hulumtimi për mjedisin e informacionit në Kosovë, NDI gjeti që ka një rritje të konsiderueshme të informimit të çrregullt gjatë kohës së krizave politike dhe tensioneve të sigurisë. Për shembull, sipas hulumtimit të tyre, gjatë vitit 2023, nga 4859 artikuj dhe publikime të monitoruara, 996 përmbajnë çrregullime informative. Sipas po të njëjtit hulumtim, këto publikime dhe artikuj gjenerojnë më shumë aktivitete dhe shikime në media sociale, sesa informimi i rregullt, që tregon për mundësinë e impaktit të madh që kanë informatat jo të sakta. Kjo u vërejt posaçërisht gjatë incidenteve në veriun e vendit në maj dhe qershor 2023, si dhe menjëherë pas sulmit terrorist në Banjskë, në shtator 2023. Para sulmit në Banjskë, Qeveria e Kosovës i kishte shpallur “Civilna Zastita” dhe “Severna Brigada”, si organizata terroriste për shkak të agjendave të tyre ekstremiste, me qëllim që ta shkatërrojnë shtetin e Kosovës.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) gjatë një prezantimi publik të punimit hulumtues “Të kuptojmë se si dezinformimi shënjestron marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë” tregoi se gjetjet kryesore të këtij punimi thonë se prezenca e lartë e dezinformimit në Kosovë pasqyron “një ekosistem të rrënjosur dezinformues që lulëzon në dobësitë që duron shoqëria. Dezinformimi përforcon mosmarrëveshjet politike, historike, duke portretizuar anëtarët e grupeve etnike kundërshtare si agresorë ose si kërcënues.”[1] QKSS cilëson si burime më të njohura për përhapjen e dezinformatave faqet e lajmeve në internet dhe mediat sociale si Facebook, Instagram, X, Telegram. Sipas këtyre të gjeturave preliminare, kjo fushatë kaq e përhapur dezinformuese ndikon në uljen e besimit ndërkomunitar dhe institucional, e njëkohësisht dëmton edhe përpjekjet për pajtim.[2] Këto të gjetura japin indikacione që në një ambient kaq të polarizuar, rrymat ekstreme mund të gjejnë përkrahje, duke manipuluar me informata dhe duke përhapur dezinformata.

Baraz me përdorim të dezinformatave, ideologjitë e ekstremit të djathtë karakterizohen me gjuhë të urrejtjes veçanërisht drejtuar vajzave e grave, komunitetit LGBTIQ+ dhe komuniteteve të tjera joshumicë. Gjatë një mbledhjeje të grupeve të ekstremit të djathtë në “Kongresin botëror për familje” në Itali, në vitin 2019, një aktivist ultra-nacionalist kishte deklaruar që “kjo luftë kulturore është një luftë botërore. Armiqtë kanë infiltruar të gjitha institucionet, nga partitë politike deri në Kombe të Bashkuara. Por, koha po ndryshon.

Tash, ne duhet ta lansojmë një kampanjë globale për ultrakonservatorizëm përtej kufijve. Ne duhet ta marrim pushtetin, direkt ose jo, duke kontrolluar ’hapësirën’ në të cilën operojnë politikanët.”[3] Kjo deklaratë përbën thelbin e grupeve të ekstremit të djathtë të shekullit XXI. Në disa vende të  rajonit, vërehet me theks të veçantë një gjuhë e urrejtjes ndaj migrantëve e komuniteteve LGBTIQ. Në Kosovë, debatet rreth abortit, politikave “për familje tradicionale”, natyrën e rolin e grave dhe burrave, fertilitetin e grave, lëndën e Edukimit seksual në shkolla dhe pozitën e personave LGBTIQ janë temat kyçe të këtyre grupeve, të cilat raportohen e riprodhohen si lajme nëpër mediat kosovare.

Në një studim të publikuar këtë vit (2024), nga D4D dhe UNDP Kosovo, u gjet që lajmet me dezinformim gjinor gjenerojnë aktivitet më të lartë, në krahasim me artikujt e tjerë: konkretisht, ato gjenerojnë mesatarisht 86 reagime për lajm, që është tri herë më shumë se aktiviteti i zakonshëm për të gjitha lajmet e tjera. Gratë në sferën publike janë në shënjestër më të madhe të këtyre fushatave dezinformuese sesa burrat, me qëllim që t’u minohet kredibiliteti në pozitat udhëheqëse. Gjatë diskutimit në Kuvendin e Kosovës rreth Ligjit për Fertilitetin e Asistuar u sulmua edhe deputetja, Saranda Bogujevci për deklaratën e saj gjatë seancës. Sipas po të njëjtit Raport, gjuha seksiste e përdorur kryesisht nga klerikë fetarë u ritransmetua në mediat kosovare, thuajse pa asnjë redaktim apo kritikë.

Gjuha e urrejtjes ndaj grave dhe minoriteve të tjera është trend qe disa vite tashmë në Kosovë. Sipas një publikimi të Kosovo 2.0, pas monitorimit të mediave online, mediave sociale dhe debateve në TV, për periudhën maj 2022 deri në dhjetor 2023, janë gjetur 112 raste të gjuhës së urrejtjes, që i bie më pak se 6 raste në muaj. Kosovo 2.0 gjen se përqindja më e lartë e përdorimit të gjuhës së urrejtjes me 44.64% është në bazë etnike, duke u pasuar menjëherë me gjuhë seksiste, ngacimim seksual e misogjini në 37.50%. Shumica e gjuhës së urrejtjes është e shfaqur në platformën Facebook të faqeve personale, por edhe të portaleve mediatike.

Një problem tejet i madh është gjuha e përdorur në media ndaj grave, veçanërisht kur raportohen rastet e dhunës në bazë gjinore. Shpesh raportimi anon kah fajësimi i viktimës (kryesisht, grave), duke nënkuptuar se dhuna ishte “e merituar” apo një pasojë e veprimeve të tyre. Mediat në Kosovë nuk janë imune as ndaj sulmeve homofobike drejtuar personave LGBTIQ. Për shembull, raportimi i vitit 2022 për një anëtar të familjes së një deputeteje kosovare gjeneroi mijëra komente në rrjetet sociale, prej të cilave rreth 15.3% përmbanin gjuhë të urrejtjes – sipas D4D.

Deputetja, Mimoza Kusari Lila ishte viktimë edhe e një manipulimi tjetër përmes një videoje të manipuluar me “deepfake”. Metoda “deepfake” është një rrezik i ri për hapësirën mediatike dhe rrjedhimisht për shoqërinë tonë, të cilat përdoren me qëllim të përhapjes së dezinformatave. Vitin e kaluar u publikua një video e montuar, ku pretendohej se kryeministri Kurti po zhvillonte një bisedë me ambasadorin Hovenier, gjë që e ilustron qartë këtë rrezik. Këto praktika moderne manipulimi jo vetëm që cenojnë sigurinë e informacionit, por nxisin edhe mosbesim dhe polarizim në shoqëri. Ndikimi i dezinformatave nga vendet e tjera, kryesisht nga Serbia, Rusia dhe Kina, është veçanërisht shqetësues për Kosovën.

Duke parë ndikimin e drejtpërdrejtë të këtyre ideologjive ekstremiste dhe rrezikun e dezinformatave në hapësirën mediatike, është thelbësore që institucionet shtetërore, organizatat e Shoqërisë civile dhe vetë mediat të angazhohen në mënyrë të bashkërenduar, për ta luftuar gjuhën e urrejtjes dhe propagandën përçarëse. Vetëm përmes edukimit mediatik dhe zbatimit të ligjit mund të pengohet përhapja e ekstremizmit të djathtë dhe të garantohet një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku respektohen barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut për të gjithë.

(Shënim: Opinionet nuk shprehin qëndrime redaksionale)

[1] QKSS në DISICON: Prezantimi i Raportit “Ndërlidhja mes dezinformimit dhe marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë” | QKSS

[2] QKSS në DISICON: Prezantimi i Raportit “Ndërlidhja mes dezinformimit dhe marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë” | QKSS

[3] GENDER IDEOLOGIES: HOW EXTREMISTS EXPLOIT BATTLES OVER WOMEN’S RIGHTS AND DRIVE RECIPROCAL RADICALIZATION