Bedri Hamza

Nga 1 Maji, Tatimet në Mënyrë Elektronike

Nëpërmes një komunikate për media, ATK thekson se përfaqësuesit e bizneseve në vend, më nuk do të duhet të qëndrojnë në radhë të gjata, pranë sporteleve të agjencisë ose bankave komerciale, pasi që prej 1 majit, ata do të mund t’i kryejnë obligimet e tyre tatimore dhe pensionale në mënyrë elektronike.

Ruzhdi Baloku, këshilltar i kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, BSPK, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se me këtë proces të ri, të gjithë palët do të përfitojnë.

“Është një lehtësim i madh për punëdhënësin që do të mund t’i kryejë obligimet në formë elektronike, pasi që me këtë modernizim shumë më lehtë do të munden të kryhen të gjitha pagesat për tatime dhe kontribute pensionale”, shtoi Baloku.

Procesi i ri nuk do të përfshijë asnjë shpenzim shtesë për bizneset. Por, ai do të jetë në të mirë të kontribuuesve pensionalë, pasi do të kufizohet në minimum mundësia e mungesës së informacionit në emër të kujt paguhen kontributet pensionale, një problem jo pak i vogël ky në të kaluarën.

Këto ndryshime është e pritshme se do të ndikojnë për mirë edhe në raportin mes ATK-së dhe sipërmarrësve, duke ulur ndjeshëm burokracitë dhe kostot e të bërit biznes në Kosovë.

Edhe Trusti Pensional i Kosovës, do të ketë informacion më të saktë dhe në kohë për kontribuuesit dhe kursimet e tyre pensionale.

Jeton Demi, zyrtar për marrëdhënie me publikun nga Trusti tha se Trusti vlerëson se ky është një projekt i paracaktuar për të qenë i suksesshëm, pasi edhe ATK-ja edhe Trusti e kanë testuar dhe provuar më parë një formë të ngjashme tek një grup i caktuar organizatash dhe është treguar si jashtëzakonisht i suksesshëm.

“Duhet ta kemi parasysh që vetëm forma e raportimit ka ndërruar, dhe jo forma e pagesës”, tha Demi.

“Së dyti, ju njoftojmë se nga 1 maji do të fillojë paralelisht mundësia e raportimit elektronik, deri në fund të muajit korrik do të mund të përdoret edhe forma aktuale e raportimit dhe deklarimit të kontributeve pensionale dhe tatimit në paga. Kurse prej 1 gushtit do të jetë vetëm forma elektronike e deklarimit në dispozicion”.

Trusti, si bashkëpunëtor i ngritjes së këtij sistemi, ka vlerësuar se ky model i deklarimit elektronik do të ketë efekte të shumta pozitive, dhe do të përfitojnë punëdhënësit, të cilët do të kryejnë këtë punë pa kosto, pa burokraci, më me fleksibilitet dhe efikasitet, sikurse dhe punëmarrësit, pasi do të kufizohet në minimum mungesa e informacionit në emër të kujt paguhen kontributet pensionale.

Në komunikatën për media, ATK-ja thekson se duke filluar nga 1 gushti 2012 asnjë raportim a deklarim tjetër për kontributin pensional dhe tatimin në paga, përveç deklarimit elektronik përmes ueb-faqes së ATK-së, nuk do të mund të përdoret nga bizneset.

Dhe për fund, ATK-ja dhe Trusti i ftuan përfaqësuesit e bizneseve që të ndjekin udhëzimet dhe ta kontaktojnë ATK-në për të marrë informacione shtesë për mënyrën e përdorimit të deklarimit elektronik.