Nevoja e shtetit për para përballë vështirësive të bizneseve për pagesën e tatimeve në pandemi

Kanë mbetur më pak se 10 ditë kur Administrata Tatimore e Kosovës mund të fillojë bllokimin e llogarive të bizneseve të cilat nuk do t’i paguajnë obligimet tatimore deri në afatin e paraparë, 30 prill.

Kështu ka paralajmëruar ATK ditë më parë përmes një njoftimi.

“Pas datës 30.04.2021, për të gjithë tatimpaguesit që kanë obligime tatimore të pashlyera, Administrata Tatimore e Kosovës do të zbatoj procedurat e përcaktuara me Legjislacionin tatimor në fuqi”, ka njoftuar ATK.

ATK-ja ka mundësuar që bizneset të parashtrojnë kërkesë për lidhjen e marrëveshjes për pagesën me këste të obligimeve tatimore nëse dëshmojnë se kanë vështirësi financiare për t’i përmbushur obligimet, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Njoftimi i ATK-së për skadimin e afatit për mos-bllokimin e llogarive bankare, ka të bëjë me një vendim të Qeverisë së kaluar dhe si i tillë vendimi është në zbatim.

Në një përgjigje të Ministrisë së Financave për KALLXO.com, thuhet se për lirimin e barrës së ushtrimit të aktivitet ekonomik në kohë pandemie, ministri ka marrë vendim për zgjatjen e afatit deri me 30 prill 2021, të pagesës së tatimeve, deklarimit të tatimeve si dhe afati për deklarimin e pasqyrave financiare në ATK.

Ministria ka thënë se janë në proces të dizajnimit të masave dhe kritereve për ndihmë financiare ndaj atyre bizneseve të cilat janë ndikuar direkt nga vendimi i Qeverisë për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

“Kurse masat për rimëkëmbje ekonomike do të dizajnohen dhe publikohen sapo të kalojmë gjendjen e emergjencës shëndetësore”, theksohet në përgjigjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Sipas të dhënave të ATK-së, në janar të vitit 2020 qarkullimi i bizneseve ka qenë 815,402,903 euro, ndërsa në janar 2021 ka qenë 363,625,827 euro, që i bie 451,777,076 më pak.

Borxhi i krijuar gjatë pandemisë në ATK-së

Në total borxhi i krijuar në ATK, në periudhën e pandemisë COVID-19, kap vlerën 76.4 milionë eurove.

Borxhi total që bizneset i kanë ATK-së deri në fund të muajit mars 2021 është 436,7 milionë euro (tatim+ndëshkim+interes).

Borxhet e krijuara nga 1 marsi 2020 deri më 31 dhjetor 2020 janë 54.2 milionë euro, ndërsa borxhet e krijuara nga 1 janari deri më 20 prill 2021, janë 22.2 milionë euro.

Sipas të dhënave të ATK-së, borxhet e Ndërmarrjeve Publike janë në shumën 26.8 milionë euro.

“Ndërsa, janë 100 ndërmarrje publike të cilat i kanë borxhe ATK-së, nga ky numër me tepër se gjysma e tyre kanë borxhe të vogla, ndërsa 56 raste janë me borxhe mbi 10 mijë euro, mbi 65% të borxhit total e përbëjnë 6 ndërmarrje publike”, thuhet në përgjigjen e ATK-së për KALLXO.com.

Nga 1 janari deri më 14 prill 2021, numri i tatimpaguesve të cilët kanë aplikuar dhe kanë plotësuar kushtet e parapara me vendim për falje të ndëshkimeve, janë 515 raste.

“Shuma e tatimit bazë dhe interesit të paguar është 7.4 milionë euro, ndërsa ndëshkimet e falura janë në shumë 2.8 milionë euro”, ka thënë ATK për KALLXO.com.

Thirrjet “e dëshpëruara” për shtyrje të afatit

Paralajmërimi i ATK-së është bërë gjatë ditëve kur sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, sektori i gastronomisë dhe qendrat tregtare, kanë qenë të mbyllura për 12 ditë, nga 6 prilli deri më 18 prill.

Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se do t’i drejtohet ministrit të Financave me kërkesë që bizneseve t’u zgjatet afati për pagesën e obligimeve tatimore.

“Ne kemi marrë shumë ankesa nga bizneset të cilat, sidomos, tani pas kufizimeve të fundit, kanë shumë probleme me likuiditet. Për këtë arsye do t’i drejtohemi ministrit të Financave që ta bëj edhe një prolongim”, ka deklaruar kryetari i OEK, Berat Rukiqi për KALLXO.com.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka ka deklaruar se Administrata Tatimore e Kosovës duhet të jetë më mirëkuptuese në lidhje me vështirësitë me të cilat ballafaqohen ndërmarrjet në Kosovë pas shpërthimit të pandemisë COVID-19.

“Nuk ka asnjë logjikë që sektori komercial bankar që është në pronësi private të ketë konsideratë më të madhe për pozitën e këtyre ndërmarrjeve, krahasuar me institucionet shtetërore, në këtë rast Administratën Tatimore të Kosovës”, ka potencuar Zeka.

Sipas tij, pjesa dërmuese e ndërmarrjeve kosovare janë ballafaquar me rënie të kërkesës e cila ka ndikuar në rënien e të hyrave përgjatë këtij viti dhe pavarësisht kësaj, ato kanë bërë përpjekjet maksimale që të ruajnë vendet e punës.

“Prandaj vendosja e pengesave shtesë, siç është presioni për pagesën e detyrimeve tatimore, e edhe kërcënimi i bllokimit të llogarive, rrezikon më tej mbijetesën e shumë ndërmarrjeve”, ka thënë Zeka.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje ATK-së dhe Ministrisë së Financave që të ketë në konsideratë situatën e veçantë nëpër të cilën po kalon sektori privat në Kosovë, si dhe të rishqyrtojnë politikat e tyre aktuale të mbledhjes së tatimeve, përfshirë këtu edhe bllokimin e llogarive të bizneseve.

Kryetari i OEA-së, Arian Zeka ka potencuar se kjo do të bllokonte funksionimin normal të ndërmarrjeve të afektuara dhe do të pamundësonte edhe kryerjen e obligimeve të tjera të tyre si ndaj furnitorëve ashtu edhe ndaj punonjësve.

“Besoj që qëllimi i gjithmbarshëm është që të lejohen ndërmarrjet të operojnë dhe t’i mbijetojnë në numër sa më të madh krizës së shkaktuar pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, e me këtë edhe të shpëtojmë sa më shumë vende të punës, meqë në anën tjetër, edhe barra e shtetit për përkrahje financiare do të ishte më e vogël”, ka shtuar Zeka.

“Mbyllja e llogarisë nënkupton pasivizim të bizneseve”

Njohësi i fushës së ekonomisë, Naim Huruglica ka theksuar se në momentin që i bllokon llogarinë një kompanie, ajo kompani është pasivizuar.

“Sepse ajo kompani nuk mund të bëjë asnjë aktivitet ekonomik, nuk mund të blejë, nuk mund të paguaj punëtorët, nuk mund të shesë diçka e t’i marrë të hollat, dhe tash në këtë rast supozohet që bllokimi i llogarisë nënkupton pasivizim të këtyre bizneseve, realisht është mbyllje”, ka deklaruar Huruglica për KALLXO.com.

Huruglica ka thënë se është e vërtetë nevoja që buxheti të mbushet prej atyre detyrimeve, por po ashtu janë edhe vështirësitë që kanë shumica e bizneseve që po përballen me mungesë të qarkullimit të parave kesh.

“Unë jam i vetëdijshëm që buxheti mbushet prej tatimeve, por në anën tjetër nëse vërtetohet se paaftësia e bizneseve për me pagu tatimin ka ardhur si pasojë e pandemisë, efekteve ekonomike, atëherë shteti do të duhet me bo diçka me i shpëtu, e jo me i mbyllë ato llogari”, ka potencuar ai.

Sipas Huruglicës, Qeveria duhet të vlerësojë secilën kërkesë të bizneseve veç e veç për të parë se cilat janë mundësitë që të njëjtat t’i mbijetojnë kësaj krize dhe të ruhen vendet e punës.

“Në rastin konkret, përmes procesit të evaluimit të secilës kërkesë ose rast veç e veç, me pa mundësinë e rialokimit të borxheve në kuptimin e shpërndarjes për një fazë të mëvonshme ose riprogramim ose me gjetë metodën se qysh me bo të mundshme që ato biznese në realitet me mbijetu”, ka përfunduar Huruglica.

Rënia ekonomike për shkak të COVID-19

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se Kosova në vitin 2020 ka shënuar rënie të ekonomisë deri në 6%, si pasojë e COVID -19.

Ndërkaq, ky mekanizëm financiar ndërkombëtar ka paraparë rritje ekonomike në vitin 2021 jo më shumë se deri në 4.5 për qind.

Sipas FMN-së, Kosova u karakterizua me një deficit fiskal prej 7.7 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), për shkak të rënies së madhe të hyrave dhe zbatimit të masave zbutëse dhe rigjeneruese për 4.2 për qind të PBB-së.

Rënie e madhe në fluksin e vizitave nga diaspora dhe në turizëm, vlerësohet se ndikoi që deficiti i llogarisë korente të jetë rritur në 7.5 për qind të PBB-së.

Në mes tjerash, FMN rekomandon që të ketë përmirësim në shënjestrimin e transfereve socio-ekonomike e në anën tjetër, kërkoi mobilizim në të hyrat tatimore dhe Administratën Tatimore të Kosovës si dhe rishikim në shpenzimet e taksave.

Tutje, nga FMN thuhet se është i rëndësishëm kufizimi i rritjes së pagave në sektorin publik.

“Ata theksuan rëndësinë e kufizimit të rritjes së pagave publike dhe vlerësimin e qëndrueshmërisë së sistemit aktual të pensioneve përpara futjes së çdo ndryshimi”, thuhet në raportin e FMN-së.

Qeveria Kurti 1 e kishte miratuar Pakon Fiskale Emergjente në vlerë 170 milionë euro për adresimin e problemeve ekonomike të bizneseve dhe sektorit privat të shkaktuara nga coronavirusi.

Legjislatura e kaluar, pas gjashtë tentimeve miratoi Ligjin për rimëkëmbje ekonomike e cila kap vlerën 385 milionë euro.

Një ndër nenet e këtij ligji, ua mundësoi qytetarëve të tërheqin në mënyrë të parakohshme deri në 10% të mjeteve të kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust).

Afati i fundit për aplikim, për tërheqjen e 10%-shit ka qenë 6 prilli.

Deri më 24 mars, për tërheqjen e 10%-shit kanë aplikuar rreth 425 mijë kontribuues me një shumë totale të tërheqjes prej rreth 197 milionë euro.