Foto: Departamenti Amerikan i Emigracionit dhe Doganave.
Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhiqen, bota do të bëhet më e rrezikshme
Tetëdhjetë vjet më parë Japonia e bombardoi Pearl Harbourin. Ishte një gabim i rëndë, duke e futur vendin më të fuqishëm në botë në luftë dhe duke ia përcaktuar fatin perandorisë japoneze në harresë. Një admiral japonez mendjemprehtë supozohet se u ankua atëbotë: “Kam frikë se gjithçka që kemi bërë është se kemi zgjuar një gjigant të fjetur dhe e kemi mbushur atë me një vendosmëri të tmerrshme”.
Sot Japonia është paqësore, e pasur dhe novatore. Janë japonezët ata që e rindërtuan vendin e tyre, por detyrën e tyre ua lehtësoi superfuqia e cila i mundi. Jo vetëm që Amerika ishte mami e demokracisë liberale kapitaliste në Japoni; ajo krijoi gjithashtu një rend botëror në të cilin Japonia ishte e lirë të tregtonte dhe të zhvillohej. Ky rend nuk ishte i përsosur dhe nuk zbatohej kudo. Por ishte më i mirë se çdo gjë që kishte ndodhur më parë.
Ndryshe nga fuqitë e mëparshme të mëdha, Amerika nuk e përdori dominimin e saj ushtarak për të fituar një avantazh tregtar në kurriz të aleatëve të saj më të vegjël. Përkundrazi, ajo e lejoi veten të ishte i lidhur, në shumicën e rasteve, nga rregulla të përbashkëta. Dhe ai sistem i bazuar në rregulla lejoi që pjesa më e madhe e botës ta shmangte luftën dhe të bëhej e begatë.
Fatkeqësisht, Amerika është e lodhur nga roli i saj si garantues i rendit liberal. Këtë gjigant nuk e ka zënë sërish gjumi saktësisht, mirëpo vendosmëria e tij po lëkundet dhe armiqtë e tij po e vënë në provë. Presidenti rus, Vladimir Putin, po grumbullon trupa në kufirin me Ukrainën dhe së shpejti mund ta pushtojë atë. Kina po e gumëzhin hapësirën ajrore të Tajvanit me avionë luftarakë, duke përdorur modele të aeroplanmbajtësve amerikanë për praktikën e objektivave dhe duke i provuar armët hipersonike. Irani ka mbajtur një qëndrim kaq maksimalist në bisedimet bërthamore saqë shumë vëzhgues presin që ato të dështojnë. Kështu, dy fuqi autokratike kërcënojnë ta mbërthejnë tokën aktualisht nën kontrollin demokratik dhe një e treta kërcënon të shkelë Traktatin e Mospërhapjes duke ndërtuar një bombë bërthamore. Sa larg do të shkonte Amerika për të parandaluar akte të tilla të pamatura?
Presidenti amerikan, Joe Biden, mund të tingëllojë i fuqishëm, ndonjëherë. Më 7 dhjetor ai e paralajmëroi Putinin për pasoja të rënda nëse Rusia do ta nisë një tjetër sulm ndaj Ukrainës. Ai i ka mbajtur sanksionet ndaj Iranit. Dhe në tetor ai tha se Amerika kishte një “zotim” për ta mbrojtur Tajvanin, megjithëse ndihmësit e tij këmbëngulën se politika nuk ka ndryshuar. (Amerika ka refuzuar prej kohësh të tregojë nëse do të dërgonte forca për ta zmbrapsur një pushtim kinez, në mënyrë që të mos inkurajonte ndonjë veprim tajvanez që mund ta provokonte një të tillë.) Kina ka mbetur kurajoze nëse Biden e ka thënë këtë gjë gabimisht apo po lë të kuptohet me dinakëri për një qëndrim më të fortë. Më 7 dhjetor, Dhoma e Përfaqësuesve e Amerikës miratoi një stimulim të madh për buxhetin e mbrojtjes. Gjithashtu javën e kaluar Presidenti Biden ka zhvilluar një “Samit për Demokracinë”, për t’i inkurajuar vendet që i respektojnë rregullat që të bashkohen.
E megjithatë, Amerika është bërë hezituese për ta përdorur fuqinë e fortë në pjesën më të madhe të botës. Një koalicion skifterësh dhe pëllumbash në Uashington po bën thirrje për “përmbajtje”. Pëllumbat thonë se duke u përpjekur ta kontrollojë botën, pashmangshmërisht Amerika po zhytet në konflikte të panevojshme jashtë vendit, konflikte këto të cilat nuk mund t’i fitojë. Skifterët thonë se Amerika nuk duhet të shpërqendrohet nga e vetmja detyrë që ka rëndësi: të ngrihet përballë Kinës.
Secili nga këto dy vizione do të rezultonte me një tërheqje të pjesshme, destabilizuese amerikane, duke e lënë botën më të rrezikuar dhe më të pasigurt. Debakli i Presidentit Biden me tërheqjen nga Afganistani bëri që disa të dyshonin në gatishmërinë e Amerikës për t’i mbrojtur miqtë e saj ose për t’i penguar armiqtë e saj, dhe la shumë të tjerë të shqetësuar për kompetencën e planifikimit të saj. Fjalët e lira të presidentit për ombrellën bërthamore të Amerikës kanë minuar besimin e aleatëve se ajo ende i mbron ata. Dhe megjithëse Presidenti Biden nuk i fyen aleatët siç bëri Donald Trump, ai shpesh nuk arrin të konsultohet me ta, duke gërryer lidhjet e besimit që kanë shumëfishuar fuqinë amerikane prej kohësh.
Po aq e rëndësishme sa instinktet e çdo presidenti është gjendja shpirtërore e vendit që i zgjedh ata. Amerika nuk është më hegjemoni i sigurt i viteve 1990. Fuqia e saj relative është zbehur, edhe nëse ajo mbetet e pakrahasueshme. Pas Irakut dhe Afganistanit, votuesit janë lodhur nga aventurat e huaja. Politika partizane, e cila dikur pa fundin e saj, paralizon shumicën e aspekteve të politikës. Mbi 90 poste ambasadore mbeten vakante, të bllokuara nga Kongresi. Amerika ka refuzuar të bëhet pjesë e një pakti tregtar që do të kishte plotësuar lidhjet e saj ushtarake në Azi me ato ekonomike. Drama e pamëshirshme e politikës, duke përfshirë gjëra të tilla si zgjedhjet e diskutueshme dhe mbajtja e maskave, e bën Amerikën të duket shumë e përçarë brenda vetë asaj për të shfaqur një objektiv të qëndrueshëm jashtë vendit.
Do të ishte gabim të supozohej se Amerika e vjetër dhe e angazhuar do të rikthehet – në fund të fundit, ish presidenti Trump mund të rizgjedhet në vitin 2024. Nëse do të ruhet rendi liberal, fuqitë e tjera do të duhet ta bëjnë pjesën e tyre, të dyja për t’u përgatitur për një botë në të cilën kanë më pak ndihmë, por edhe për ta mbajtur Amerikën të angazhuar. Ka disa shenja për këtë. Japonia dhe Australia kanë sinjalizuar se do të ofrojnë ndihmen e tyre në mbrojtjen e Tajvanit. Britania i është bashkuar Amerikës në ndarjen e teknologjisë së shtytjes bërthamore-nëndetëse me Australinë. Një qeveri e re gjermane po lë të kuptohet për një linjë më të ashpër kundër Rusisë.
Do të kërkohet më shumë përshtatje në një botë me më pak Amerikë. Demokracitë, veçanërisht në Evropë, duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. Vendet, të tilla si Tajvani dhe Ukraina, në rrezik për t’u sulmuar, duhet ta bëjnë veten të pahonepsshme, për shembull duke e rritur kapacitetin e tyre për luftë asimetrike. Sa më mirë të jenë të përgatitura, aq më pak ka gjasa që armiqtë e tyre t’i sulmojnë ato.
Përkrahësit e një bote ku mbizotëron rendi dhe ligji duhet të shkëmbejnë më shumë inteligjencë me njëri-tjetrin. Ata duhet t’i varrosin grindjet e vjetra, të tilla si grindjet e kota midis Japonisë dhe Koresë së Jugut gjatë historisë. Ata duhet të krijojnë aleanca më të thella dhe më të gjera, formalisht ose joformalisht. India, për interesa vetjake, duhet të heqë dorë nga mbetjet e mos-angazhimit dhe të afrohet më shumë me Quad-in, me Australinë, Japoninë dhe Amerikën. NATO nuk mund ta pranojë Ukrainën, pasi rregullat thonë se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve, dhe Rusia tashmë ka pushtuar territorin ukrainas. Por anëtarët e NATO-s mund t’i ofrojnë Ukrainës më shumë armë, para dhe trajnime për ta ndihmuar atë të mbrohet.
Në rast se rendi liberal prishet, aleatët e Amerikës do të vuajnë shumë. Sapo të jetë zhdukur, vetë amerikanët mund të befasohen kur zbulojnë se sa shumë përfituan prej tij. Megjithatë, ende nuk ka humbur e tëra. Një përpjekje serioze dhe e bashkuar nga demokracitë mund ta ruajë të paktën një pjesë të sistemit të bazuar në rregulla dhe të parandalojë që bota të rrëshqasë drejt normës së zymtë historike, në të cilën gjahu i fortë nuk kontrollohet mbi të dobëtit. Pak detyra janë më të rëndësishme ose më të vështira./Theeconomist