Ilustrim

Nëse furnizimi me gaz rus në Evropë ndërpritet, a mund ta mbyllë hendekun Gazi Natyror i Lengshëm, LNG?

Më 26 prill, kompanitë shtetërore të gazit të Bullgarisë dhe Polonisë thanë se ishin paralajmëruar nga Gazprom se do t’ua ndalonte atyre të gjitha dërgesat e gazit brenda 24 orëve. Ky do të ishte veprimi i parë i tillë nga gjigandi energjetik i Rusisë që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë. Pothuajse gjysma e gazit të Polonisë dhe nëntë të dhjetat e gazit të Bullgarisë vjen nga Rusia.

Pushtimi rus i Ukrainës ka çuar në spekulime të reja për të ardhmen e energjisë evropiane, dhe në veçanti për furnizimin e saj me gaz natyror. Kontinenti evropian merr rreth një të katërtën e energjisë së tij nga gazi. Në vitin 2019 Rusia dha mbi 40% të atij gazi. Perëndimi nuk ka shkuar aq larg sa të vendosë kufizime në eksportet e gazit rus, megjithëse Gjermania e ka pezulluar licencimin e Nord Stream 2 (ns2), një tubacion i përfunduar, por ende jo funksional midis Rusisë dhe Gjermanisë. Por, çka ndodh nëse Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, do ta ndërpresë gazin për Perëndimin? Një burim alternativ i energjisë është Gazi Natyror i Lëngshëm (LNG), i cili zakonisht transportohet nga deti. Deri në çfarë mase Gazi natyror i lëngshëm mund të zëvendësojë gazin rus me tubacione si një burim energjie për Evropën?

Evropa tashmë përdor shumë LNG; ajo përbën rreth një të katërtën e importeve të gazit natyror në rajon. Një pyetje është se edhe sa shumë gjëra mund të përpunojë Evropa. LNG fillimisht kthehet në lëng për t’u transportuar; më pas duhet të “ri-gazohet” në terminale, zakonisht afër bregdetit, përpara se të përdoret për ngrohjen dhe energjinë e shtëpive. Investimet e mëdha në impiantet e rigazifikimit nënkuptojnë se Evropa ka mjaft kapacitete boshe. Terminalet e importit të rajonit kishin 45% të kapacitetit vitin e kaluar, sipas Energy Intelligence, një botues i industrisë, megjithëse jo të gjithë këta terminale janë në vendin e duhur. Gjermania nuk ka terminale, ndërsa Spanja ka një të katërtën e kapacitetit të kontinentit, edhe pse infrastruktura e saj e gazit është kryesisht e izoluar nga pjesa tjetër e Evropës.

Problemi më urgjent është furnizimi i disponueshëm i LNG. Eksportuesit më të mëdhenj të LNG janë Amerika, Australia dhe Katari. Edhe pse të gjithë kanë shumë më shumë gaz, të gjithë tashmë po eksportojnë me anim të plotë. Nevojitet një kohë e gjatë për ta zgjeruar kapacitetin e lëngëzimit dhe eksportit, kështu që shpresa më e mirë afatshkurtër e Evropës do të ishte t’i kontrollonte ngarkesat ekzistuese LNG të destinuara fillimisht për diku tjetër. Por Azia gjithashtu ka një apetit të fortë për LNG. Importet e Kinës kanë shënuar rritje me 82% midis viteve 2017 dhe 2020, për shembull; Vitin e kaluar ajo e tejkaloi Japoninë si importuesi më i madh në botë. Dhe rreth 70% e LNG-së së tregtuar globalisht është me kontrata që zgjasin dhjetë vjet ose më shumë. Evropa priret të mbështetet në tregjet me para të gatshme (spot markets) dhe kontrata më të shkurtra. Në të kaluarën, kjo i ka lejuar Evropës të përfitojë nga çmimet e ulëta kur stoqet ishin të shumta, dhe ka siguruar që shtetet të mos angazhohen për përdorimin e lëndëve djegëse fosile me dekada në të ardhmen. Mirëpo, kjo lë edhe Evropën në mëshirën e tregut.

Kur rezervat e gazit të Evropës u pakësuan gjatë vjeshtës dhe dimrit, pjesërisht për shkak të rënies së furnizimeve ruse, importet e gazit u rritën (shih grafikun). Po kështu edhe çmimet. Në të kaluarën, çmimet në para të gatshme (spot prices) në Azi kanë qenë zakonisht më të larta se në Evropë. Por në muajt e fundit çmimi në Evropë është përputhur ndonjëherë me nivelet aziatike. Pushtimi i Ukrainës vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat. Çmimi i dorëzuar për LNG në Evropën veriperëndimore u rrit me 29% brenda një dite, pasi Putin njoftoi “operacionin e tij special ushtarak” më 24 shkurt. Politikanët po përpiqen të sigurojnë furnizime të reja LNG për Evropën. Meqë Amerika nuk është në gjendje të sigurojë shumë më tepër, Presidenti Joe Biden ka premtuar ta ndihmojë Evropën të gjejë burime. Deri më tani, përpjekjet e tij kanë dhënë pak fryte. Më 22 shkurt, ministri i energjisë i Katarit tha se ishte “pothuajse e pamundur” që të furnizohej me shpejtësi LNG i mjaftueshëm për ta zëvendësuar gazin e nxjerrë nga Rusia. LNG nuk është e vetmja levë që Evropa ka për të kompensuar mungesën e furnizimeve ruse, por është e rëndësishme – dhe e vështirë për t’u nxjerrur./The Economist

Përgatiti: Nuhi Shala