Nënshkrime për status-quo: Asnjë progres i madh në Uashington

Ndërkohë që marrëveshjet e nënshkruara në Uashington DC të premten u përshëndetën si “historike”, është e qartë se fituesi kryesor është administrata Trump, me zotimet e bëra të cilat japin pak shpresa për ndryshime në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

 

Një proces dy-vjeçar i bisedimeve të udhëhequra nga SH.B.A. midis Kosovës dhe Serbisë nën kujdesin e të Dërguarit Special, Richard Grenell, më në fund u finalizua të premten me një ceremoni nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë.

Dyshja e marrëveshjeve që u nënshkruan janë shumë larg nga ato që ishte reklamuar, të paktën nga Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti i cili ka trumbetuar vazhdimisht mundësinë e njohjes nga Serbia, pavarësisht faktit se kjo asnjëherë nuk ishte një rezultat i mundshëm.

Shikuar nga aspekti pozitiv, fokusi në “normalizimin ekonomik” do të thotë që integriteti territorial i Kosovës ka mbetur kryesisht i paprekur. Sidoqoftë, shumica e pikave në të cilat Kosova ka nënshkruar mund të rezultojnë të jenë po aq të dëmshme, ose të ngecin në procesin implementues – duke ndjekur të njëjtën rrugë ashtu sikurse edhe për të 33 marrëveshjet e nënshkruara si pjesë e Dialogut të Brukselit.

Një analizë e përafërt e marrëveshjeve vë në pah se përfituesi më i madh i këtij procesi është administrata Trump, me shumë pika që ndërlidhen, në veçanti, me qëllimet e politikës së jashtme të SH.B.A.-së të ndjekura nga Trump dhe Grenell. Çfarë nuk reflektohet në këtë marrëveshje është ajo lloj përpjekje e mirëfilltë për ti zgjidhur çështjet afatgjata dhe tepër të ndjeshme midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndoshta, më e befasishmja, marrëveshjet kanë të bëjnë me lidhje të drejtpërdrejta me agjendën e Trump në Lindjen e Mesme, të demonstruara më së miri nga premtimi i papritur i njohjes reciproke midis Kosovës dhe Izraelit.

Duke e bërë publike marrëveshjen, Trump e shpalli atë si një “ditë të madhe për paqen në Lindjen e Mesme”, duke shtuar se “Kosova me shumicë myslimane dhe Izraeli janë pajtuar ti normalizojnë lidhjet e tyre dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike. Iu lumtë! Edhe më shumë kombe islamike dhe arabe do të ndjekin këtë shembull së shpejti. ”

Që të dyja, Kosova dhe Serbia, gjithashtu u zotuan të hapin ambasadat e tyre në Jerusalem, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin mjaft të diskutueshëm të SHBA, të cilin shumica e qeverive arabe dhe evropiane e kanë përshkruar si një lëvizje nxitëse të panevojshme.

Përmes marrëveshjes, Trump ka arritur disi ti ndërlidhë strategjikisht veprimet e SHBA në Lindjen e Mesme me çështjen Kosovë-Serbi dhe do ta përdorë këtë nënshkrim në këtë marrëveshje për ta shitur më tej veten e tij si një promovues mendjemprehtë i politikës së jashtme, si dhe një mbrojtës i Izraelit në SH.B.A., elektoratit në fushatën e ardhshme zgjedhore.

Ndërkohë, ndalimi i furnizimit me 5G nga furnizues të pabesueshëm, një aspekt i marrëveshjes që shpesh shihet si i parëndësishëm nga shumë, drejtpërdrejt synon dhe bllokon investimet kineze në Serbi. Ka të ngjarë të parandalojë Huawei nga depërtimi i mëtejshëm në tregun Serb – një betejë e gjatë ekonomike midis SH.B.A. dhe Kinës e cila është përsëritur në shtetet e tjera.

Foto: Donika Emini/Facebook

Dy aspekte të tjera të marrëveshjeve janë kryqëzatat personale të Richard Grenell, por kanë pak rëndësi për Kosovën: puna për dekriminalizimin e homoseksualitetit në të gjithë botën dhe klasifikimin e Hezbollahut si një organizatë terroriste. Në këtë drejtim, ndikimi diplomatik i Kosovës nuk ka gjasa të sigurojë rezultate në inkurajimin e dekriminalizimit të homoseksualitetit në nivel global, ndërsa Hezbollah tashmë është i renditur si një grup terrorist në Kosovë.

Fitorja e madhe e Hotit nga kjo marrëveshje është potenciali i njohjes nga Izraeli, i cili mund të përdoret për të shfrytëzuar njohjet nga shtetet e tjera jo-njohëse me shqetësime mbi “provincat e shkëputura”, përfshirë edhe shtetet anëtarë të BE-së, Spanjën dhe Rumaninë.

Sidoqoftë, njohja nga Izraeli gjithashtu mund ta zbehë çështjen e Kosovës me shtetet e tjera dhe është arritur në këmbim të heqjes dorë nga ambiciet për anëtarësim në mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar për një vit.

Kjo, në thelb, i pezullon shumë nga përpjekjet diplomatike të Kosovës për ta vendosur vetën e saj në skenën ndërkombëtare dhe konsolidon më tej status-quo-në ekzistuese, e cila do të ketë një ndikim dëmtues edhe më tutje.

Lidhur me aspektet teknike, marrëveshja përfshin një numër pikash që ekzistojnë tashmë në kuadrin e Dialogut të Brukselit – të tilla si njohja e diplomave të cilat veçse  ishin pjesë e dialogut teknik në vitin  2012.

Ndërsa thuhet se ka pasur premtime për fonde nga korporatat zhvilluese të SHBA për të financuar projektet e mëdha infrastrukturore, shumë pak gjeti përkrahje nga çdo gjë e nënshkruar në Uashington DC. E vetmja gjë që mbartte nënshkrimi i Trump ishte një letër drejtuar Avdullah Hotit ku thuhej se negociatat ishin një “progres historik” dhe duke e mirëpritur (aplauduar) vendimin e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

Kosova duhet të jetë e kujdesshme ndaj premtimeve të bëra nga ajo që duket të jetë në mënyrë të qartë një administratë atipike e SHBA. Grenell tashmë ka reaguar përmes Twitter-it për të hedhur poshtë pohimet se SH.B.A. do të sigurojë një grant për të ndërtuar një tubacion gazi në Ballkan dhe njoftimin për udhëtime pa viza në SH.B.A. për qytetarët e Kosovës me një hashtag “jo e vërtetë”.

Pastaj, ka çështje që do të krijojnë ndasi për Kosovën nga brenda, veçanërisht mundësia e bashkë-menaxhimit të burimeve ujore në Liqenin e Ujmanit, mosmarrëveshjet mbi të cilat raportohet të kenë shkaktuar ndasi në delegacionin e Kosovës në Uashington.

Ndërkohë që është rënë dakord për një studim fizibiliteti, ana politike e kësaj marrëveshje do të duhet të trajtohet më vonë përgjatë procesit, potencialisht duke i dorëzuar  një patate tjetër të nxehtë Brukselit.

Marrëveshjet e Shtëpisë së Bardhë mund të ofrojnë një drejtim dhe dinamikë të re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk do të thotë ndonjë sukses domosdoshmërisht. Marrëveshja e Brukselit u konsiderua si një moment historik, mirëpo mungesa e implementimit të kësaj marrëveshjeje ka qenë një debakl diplomatik për BE dhe për të dy palët nënshkruese.

Fati i njëjtë ka të ngjarë ti ndjekë këto marrëveshje, të cilat janë nënshkruar veçmas dhe madje mund ta shmangin procesin e ratifikimit ashtu siç kërkohet sipas Kushtetutës së Kosovës kur kemi të bëjmë me marrëveshjet ndërkombëtare. Ky mund të jetë një avantazh për Lëvizjen Vetëvendosje, tashmë duke kundërshtuar marrëveshjen.

BE tani do të riadoptojë përsëri rolin e saj për ti lehtësuar diskutimet me një takim midis Hotit dhe Vuçiqit të planifikuar për të hënën. Aty do të shihet se sa të sinqerta janë të dy palët në zbatimin e asaj për të cilën është rënë dakord në Uashington. Përpjekjet e Hotit për ta shitur hyrjen në projektin “mini-Shengen”, të cilën partia e tij e ka kundërshtuar hapur në të kaluarën, mund të jenë veçanërisht të vështira.

Një citat që shpesh i atribuohet keq Ajnshtajnit është se ‘përkufizimi i çmendurisë është të bësh të njëjtën gjë për disa herë dhe të presësh prapë rezultate të ndryshme’, një përkufizim shpesh i përshtatshëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Është e vështirë të imagjinohet se përpjekjet për implementimin e marrëveshjeve të arritura në Uashington do të ndryshojnë shumë nga marrëveshjet e bëra në Bruksel, veçanërisht me disa sosh që duken të jenë marrëveshje të njëjta.

Ky proces do të vazhdojë tutje me akuza dhe kundërakuza dhe dialogu do të vazhdojë të jetë i dështuar për sa kohë që udhëhiqet nga qeveri të paligjshme dhe autokratike, pa qëllime të mirëfillta për normalizim marrëdhëniesh.

 

Donika Emini është Drejtore Ekzekutive e Platformës Kosovare të Shoqërisë Civile, CIVKOS.

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN.