Ilustrimi: BIRN/Igor Vujcic

Në Sanxhak po zhduken xhamitë e epokës osmane

Të rrafshuara ose “restauruara” duke marrë shumë pak ë konsideratë formën e tyre origjinale, xhamitë e epokës otomane në Sanxhakun kryesisht mysliman në Serbi rrezikojnë të zhduken plotësisht.

 

Në mes të dhjetorit, një grup burrash, disa prej të cilëve të armatosur, ngritën një bllokadë në rrugë në një shesh ndërtimi në qytetin jugor serb të Novi Pazarit, ku po ndërtohej një qendër islamike nga Komuniteti Islamik i Serbisë.

Policia ndërhyri dhe burrat u shpërndanë, por incidenti hodhi dritë të re mbi një luftë të gjatë për pushtet midis boshnjakëve myslimanë në vend dhe dëmit që po i bëhet trashëgimisë së tyre kulturore dhe fetare.

Në diskutim atë ditë dhjetori ishte kontrolli mbi faktin se kush ndërton çfarë në emër të Islamit në rajonin kryesisht mysliman të Sanxhakut, i cili shtrihet në Serbi dhe Malin e Zi fqinj.

Komuniteti Islamik i Serbisë tha se njerëzit e armatosur iu përgjigjën Muamer Zukorliçit, nënkryetarit të parlamentit serb dhe ish-kreut të një autoriteti rival Islam, Komunitetit Islamik në Serbi.

Të dy Komunitetet me emra të ngjashëm kanë qenë në mosmarrëveshje për vite me radhë, duke garuar për kontrollin e pronës, fondeve dhe patronazhit politik.

Zukorliç, i cili ende ushtron kontroll të konsiderueshëm mbi Komunitetin Islamik në Serbi, mohoi të kishte lidhje me bllokimin e rrugës, por vëzhguesit në Sanxhak nuk janë të bindur për këtë.

Ata thonë se episodi përmbante të gjitha shenjat dalluese të qasjes së tij të rëndë dhe të keqmenduar për ndërtimin, restaurimin dhe – në mënyrë të diskutueshme – prishjen e vendeve fetare islamike në rajonin e Sanxhakut që ekspertët paralajmërojnë se kërcënon të fshijë shekuj të tërë të trashëgimisë islamike që daton që nga pushtimi osman i gadishullit Ballkanik.

Tashmë një pjesë e vogël e xhamive të shekullit të 16-të dhe 17-të në Novi Pazar, të dashura për banorët, janë rrafshuar ose u janë nënshtruar një pune të dobët rinovimi nën kujdesin e Komunitetit Islamik në Serbi, me pak ose aspak lidhje me parimet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare. Vëzhguesit thonë se dëmi ka qenë i madh.

“Ishte shumë keq kur xhamitë tona u dogjën dhe u shkatërruan kur Novi Pazari u pushtua gjatë luftërave të ndryshme”, tha Tarik Brunceviç, një arkitekt i specializuar në monumentet islamike.

“Tani, megjithatë, kemi një situatë krejtësisht ndryshe në të cilën po shkatërrojmë simbole të çmuara të identitetit tonë kulturor për shkak të injorancës dhe ideologjisë.”

Xhamia rrafshohet gjatë “rinovimit”

Xhamia e Arapit (1528) pas shkatërrimit. Foto: Tarik Bruncevic.

I themeluar nga gjenerali osman i shekullit të 15-të Isa Beg Ishakovic, Novi Pazari u bë një qendër e rëndësishme tregtie, kulture dhe e zgjerimit ushtarak osman dhe selia e rajonit të Sanxhakut. Si pjesë e Jugosllavisë, qyteti me rreth 100,000 banorë ishte një qendër e lulëzuar tekstili, por ekonomia e tij ra me shkatërrimin e federatës socialiste. Rajoni që nga ajo kohë është neglizhuar rëndë nga qeveritë e njëpasnjëshme serbe, të cilat kanë treguar pak interes në ruajtjen e trashëgimisë së tij fetare.

Në 2018, si pjesë e një projekti “rinovimi”, një buldozer shkatërroi xhaminë Arap në qendër të Novi Pazarit, e ndërtuar në 1528. Ndërtesa, një monument i mbrojtur, u shndërrua në rrënoja dhe në vend të saj u ndërtua një xhami e re, me tulla dhe çimento. Në vitin 2002, Xhamia Kurd-Celebi, që daton në 1604, gjithashtu u ndryshua rrënjësisht dhe tani nuk ka asnjë ngjashmëri me origjinalen.

Xhami të tjera historike, të rrafshuara ose pjesërisht ose plotësisht dhe të rindërtuara që nga shpërbërja e Jugosllavisë përfshijnë Xhaminë Hadzi Hurem Bor (1561), Xhamia Gazi Sinan Beg (1528), Xhamia Hajrudin Bajramli (1528) dhe Xhamia Iskender Celebi (1516).

“Vetëm Xhamia Altun Alem dhe Xhamia Lejlek, të dyja të ndërtuara në 1516, kanë ruajtur pjesën e tyre të jashtme autentike”, tha Bruncevic. “Por pasuritë e brendshme janë humbur plotësisht mes rinovimeve aspak profesionale të kohëve të fundit.”

Si organi më i lartë përfaqësues i myslimanëve në ish-republikat jugosllave të Bosnjës, Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë, Komuniteti Islamik i Bosnjës pretendon juridiksionin mbi ruajtjen e trashëgimisë islame në Serbi, por thotë se Komuniteti Islamik në Serbi i kushton shumë pak vëmendje.

Mirsad Kalajdziç, kreu i departamentit të planifikimit strategjik të Komunitetit Islamik të Bosnjës, tha se kur bëhet një kërkesë për ndërtimin e një xhamie të re ose rinovimin e një xhamie të vjetër, zyra e tij konsultohet me banorët lokalë, hoxhallarët, arkitektët dhe historianët para se të fillojë puna. Por asnjë aplikim i tillë nuk vjen nga Novi Pazar.

“Ne hartuam rregullore të reja për të ndaluar projektet e restaurimeve joprofesionale dhe të keqkëshilluara”, tha Kalajdziç për BIRN, por kjo pati pak efekt në rajonin e Sanxhakut. “Komuniteti Islamik në Serbi bën gjithçka që do vetë, pa u konsultuar me ne”, tha ai, pavarësisht nga fakti se zyrtarisht është në varësi të Komunitetit Islamik të Bosnjës.

“Ata gjithmonë thonë se rinovimet do të respektojnë historinë dhe traditën e boshnjakëve, por ne e shohim rezultatin.”

Një pjesë e arsyes vjen nga politika. Shpërbërja e Jugosllavisë minoi rëndë autoritetin e Komunitetit Islamik të Bosnjës midis myslimanëve në Serbi, ku qeveria në Beograd nuk e njeh juridiksionin e tij.

Kjo çoi në një ndarje mes myslimanëve në Serbi në 2007, me Komunitetin Islamik të Serbisë që mbronte pavarësi më të madhe nga Sarajeva dhe Komuniteti Islamik të Zukorliçit në Serbi ende besnik ndaj Bosnjës.

“Kjo ndarje na bëri shumë më të dobët në Sanxhak”, tha Kalajdziç. “Myslimanët janë të ndarë dhe shpesh ka probleme në faljet, emërimin e hoxhallarëve, kontrollimin e xhamive dhe madje edhe në shërbimet e varrimit. Natyrisht, kjo gjithashtu ndikon në mbrojtjen e trashëgimisë myslimane boshnjake.”

Zukorliç: I forti i Sanxhakut

Muamer Zukorliç. Foto: BIRN

Zukorliç u bë i njohur në 1993, kur Serbia po dërgonte njerëz, para dhe armë për të ndihmuar serbët etnikë në Bosnjë gjatë luftës 1992-1995 kur mbetën të vdekur 100,000 njerëz, shumica e tyre boshnjakë myslimanë. Në morën 23 vjeçare, Zukorliçi u bë Myftiu i Madh i Komunitetit Islamik në Serbi, duke qëndruar në këtë post për 14 vitet e ardhshme, gjatë të gjithë sundimit të nacionalistit serb Sllobodan Millosheviç.

“Ai u shfaq si një udhëheqës fetar gjatë viteve 1990 si opozitë kundër Millosheviçit dhe regjimit të Beogradit”, tha Maja Bjelos, një analiste politike në Qendrën e Beogradit për Studime të Sigurisë.

Zukorliçi, tha Bjelos, “që atëherë ka vërtetuar se ai është një strateg i zoti”, duke e krahasuar shpesh trajtimin që Beogradi i bën Sanxhakut me mënyrën se si Millosheviçi u mor me Kosovën me shumicë shqiptare.

“Ai shkon andej nga fryn era, duke zënë ato vende që nuk janë të zëna dhe duke mobilizuar njerëz që ndihen të margjinalizuar dhe të diskriminuar nga sistemi dhe shumica e popullsisë.”

Pas kësaj erdhi një karrierë politikë, kur Zukorliç themeloi Bashkimin Demokratik Boshnjak të Sanxhakut në 2010 dhe garoi për postin e presidentit serb në 2012, duke fituar rreth 50,000 vota. Zukorliç më vonë e quajti partinë e tij Partia Drejtësi dhe Pajtim, SPP. Ajo tani mban katër vende në parlamentin serb me 250 vende. Megjithëse partia nuk është zyrtarisht pjesë e koalicionit qeverisës të Serbisë, ajo ka treguar se mund të votojë me qeverinë. Zukorliç mban postin e nënkryetarit të parlamentit dhe SPP-ja i ka vënë syrin posteve të tjera publike.

Zukorliç gjithashtu ka gjetur kohë për të krijuar një perandori të vogël OJQ-sh, biznesesh dhe mediash në rajonin e Sanxhakut, duke i dhënë atij ndikim të madh politik dhe financiar.

“Ai ka vepruar si sundimtari absolut dhe pronari i Komunitetit Islamik për një kohë shumë të gjatë, kështu që është e qartë se të gjithë ata që janë të punësuar nga dhe në çfarëdolloj mënyre lidhur me Komunitetin Islamik varen prej tij”, tha aktivistja për të drejtat e njeriut në Novi Pazar dhe ish-deputetja Aida Coroviç.

Coroviç pretendoi se asnjë nga prishjet dhe rinovimet e diskutueshme të xhamive nuk mund të kishte ndodhur fjalën e Zukorliçit ose pa bekimin e heshtur që ai ka nga shteti serb pavarësisht viteve të fërkimeve politike.

“Është e qartë se si dhe pse Zukorliç i bën të gjitha këto”, tha Coroviç për BIRN.

“Ai ka mbështetjen e një shteti që është thellësisht i kriminalizuar, ku monumentet e kulturës po rrëmbehen dhe shkatërrohen sepse ato shihen si burime të ardhurash të konsiderueshme financiare, jo si pjesë e trashëgimisë kulturore, traditave dhe identiteteve të njerëzve të këtij rajoni.

Ndikimi salafist pas shkatërrimit të xhamive?

Imamë dhe zyrtarë të Komunitetit Islamik në Serbi në një ceremoni. Foto: Komuniteti Islamik në Serbi.

Në Komunitetin Islamik të Serbisë, rivali i Komunitetit Islamik të lidhur me Zukorliçin, ata shohin ndikime të fuqishme të huaja në neglizhimin e trashëgimisë Islame të epokës Osmane në Serbi.

“Ka disa fuqi që duan të fshijnë gjurmët osmane dhe trashëgiminë kulturore të këtij rajoni”, tha Muhamed Demiroviç, zv/myfti i Sanxhakut në Komunitetin Islamik të Serbisë.

Disa ekspertë dhe zyrtarë fetarë përmendin emërimin e një numri imamësh salafistë në poste të larta në Komunitetin Islamik të lidhur me Zukorliçin në Serbi dhe ka shenja fondesh që vijnë nga Arabia Saudite dhe vendet arabe të Gjirit.

Salim Cevik, një profesor i fesë dhe politikës në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Berlin tha se kishte dallime të konsiderueshme midis Salafizmit dhe Islamit Suni më të moderuar të praktikuar për shekuj në Ballkan.

Salafistët, tha ai, “duan gjithçka të pastër dhe të thjeshtë. Prandaj, ata nuk pranojnë ndonjë motiv shumëngjyrësh, zbukurim apo gjëra shtesë në xhami” në kontrast me xhamitë e zbukuruara të epokës osmane të Ballkanit.

“Salafistët janë shumë me ndikim në Ballkan dhe çdo zonë pas konflikti në botë”, tha Cevik për BIRN. “Ata bëhen shumë efektivë në vendet ku institucionet islamike janë në krizë për shkak të së kaluarës komuniste. Me ndihmën e mbështetjes financiare nga Gjiri, nuk është habi të shohësh xhami të tilla në Ballkan dhe në Sanxhak.”

Kalajdziç i Komunitetit Islamik të Bosnjës tha se kishte “disa” hoxhallarë në Sanxhak që kishin studiuar ose punuar në Arabinë Saudite dhe Gjirin. “Ata janë shumë të ndikuar nga ideologjitë salsfiste dhe nuk ndajnë të njëjtat praktika dhe kuptim për shumicën e myslimanëve në Sanxhak.”

“Këta hoxhallarë,” tha ai, “nuk kujdesen për artin, kulturën dhe historinë. Ata duan të kenë vende më të thjeshta adhurimi dhe po shkatërrojnë kulturën dhe trashëgiminë tonë.”

Komuniteti Islamik në Serbi e hodhi poshtë këtë, duke thënë se projektet e fundit të restaurimit dhe emërimet e hoxhallarëve ishin kryer në përputhje me praktikat e Profetit Muhamed dhe Kuranit.

Akuzat për ndikim salafist në restaurimet e xhamive janë “të pakuptimta”, tha Samir Skrijel, sekretari i përgjithshëm i Komunitetit Islamik në Serbi, i cili tha për BIRN në një deklaratë me shkrim se pretendime të tilla ishin bërë për të “satanizuar Myftiun Muamer Zukorlic dhe Komunitetin Islamik në Serbi”.

Një ndihmës i lartë i Zukorliçit në partinë e tij SPP e hodhi poshtë idenë se Zukorliç ende ka kontroll mbi Komunitetin Islamik në Serbi dhe mohoi që ndonjë xhami të ishte “zhdukur”.

SPP-ja nuk kontrollon Komunitetin Islamik në Serbi, tha sekretari i përgjithshëm i SPP-së Edin Djerlek për BIRN, “por ne si besimtarë i japim mbështetje maksimale Komunitetit Islamik tradicional dhe legal, veçanërisht kur ai kërcënohet nga shkeljet e kushtetutës dhe ligjit”.

Xhamia Arap: mbrojtja shpërfillet

Si një nga xhamitë më të vjetra të epokës Osmane në Sanxhak dhe një monument i mbrojtur kulturor, Komuniteti Islamik në Serbi duhet të kishte kërkuar lejen e Institutit shtetëror për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Beograd për punën për restaurimin që u bë e pashmangshme pasi xhamia ishte shumë e vjetër. Ai duhet të kishte përfshirë edhe Komunitetin Islamik të Bosnjës. Megjithatë, asnjë prej këtyre nuk u përfshi.

Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës “miratoi një vendim me të cilin investitorit, Komunitetit Islamik në Serbi, iu ndalua të kryente punë në prishjen e mureve dhe minaren e xhamisë së Arapit”, tha Instituti për BIRN dhe tha se të gjitha institucionet përkatëse ishin informuar.

Megjithatë, puna për shkatërrimin vazhdoi. “Një xhami e re u ndërtua në vendin e xhamisë së vjetër dhe të gjitha dyqanet që e rrethonin më parë atë u shkatërruan dhe u ndërtuan përsëri”, tha Instituti. “Duke vepruar kështu, prona e rëndësishme kulturore dhe trashëgimia kulturore e Novi Pazarit dhe Serbisë u shkatërruan plotësisht.”

Në vend të saj u ngrit një xhami e re me tulla, e ndryshme për nga madhësia dhe dizajni nga origjinalja. Një nga bizneset e fundit të mbetura pranë xhamisë së vjetër – një berberhane – u shkatërrua gjithashtu mëngjesin e 23 shkurtit 2020, pavarësisht nga fakti se fati i saj ishte subjekt i një çështje gjyqësore në vazhdim. “Komuniteti Islamik në Serbi nuk priti vendimin e gjykatës sepse e dinte se do të humbte”, tha Brunceviç.

Kalajdziç tha se në Bosnjë, paratë dhe ekspertizat turke kishin restauruar xhamitë në qytetet Travnik dhe Foca në vitet e fundit, si shembuj të shkëlqyeshëm të artit dhe kulturës islamike boshnjake.

“Megjithatë, shembujt e këtyre xhamive po ulen në Sanxhak”, tha ai. “Ajo që i ndodhi xhamisë së Arapit është e papranueshme.”

Djerlek, i SPP-së së Zukorliçit, tha se partia ishte “krenare” për pamjen e xhamisë. Ajo “ishte në prag të shembjes”, tha ai, dhe “restaurimi ishte i nevojshëm”.

Shpërfillje e trashëgimisë kulturore në përgjithësi

Një shembull i mirë i një restaurimi për xhamitë boshnjake, Xhamia Sarena në Travnik, Bosnja Qendrore Foto: BIRN.

Sipas Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Beograd, përveç xhamisë së Arapit, në rajonin e Sanxhakut, xhamia Altun Alem, Xhamia Lejlek, Xhamia Hadzi Hurem Bor, Xhamia Kurt Celebi dhe Xhamia Valide Sultan gëzojnë të gjithë mbrojtjen. Por shumica janë shpërfytyruar ose kanë humbur plotësisht në punën “restauruese”.

Kalajdziç fajësoi një shpërfillje cinike për identitetin dhe historinë boshnjake nga ana e qeverisë serbe.

“Qeveria serbe nuk bën asgjë sepse ata duan të fshijnë identitetin dhe historinë boshnjake nga Sanxhaku”, tha ai për BIRN. “Ata duan që boshnjakët të shkatërrojnë ato pak xhami të mbetura që ata nuk mundën t’i shkatërronin.”

Por Visnja Kisiç, sekretare e përgjithshëm e Europa Nostra Serbia, një organizatë jofitimprurëse që përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e trashëgimisë kulturore, tha se nuk është vetëm trashëgimia islamike që po zhduket në Serbi.

Politika, tha ajo, kishte luajtur një rol në zvogëlimin e pushtetit të organeve të mbrojtjes kulturore.

“Kjo mungesë pushteti për të imponuar dhe monitoruar standardet më të larta të restaurimit për monumente të konsiderueshme civile dhe fetare nuk është e dukshme vetëm në rastin e monumenteve islamike, por edhe në rastin e monumenteve ortodokse, monumenteve mesjetare, trashëgimisë romake, si dhe të trashëgimisë së shekullit të 19-të 20-të”, tha Kisiç për BIRN.

“Për fat të keq, ekziston një valë e re restaurimesh dhe rinovimesh të cilat nuk ndjekin teknikat profesionale, të kujdesshme dhe jo-invazive të restaurimit dhe konservimit”, tha Kisiç.

Nenad Makuljeviç, një profesor i historisë së artit në Universitetin e Beogradit, tha që të dy palët ishin fajtore.

“Zukorliçi bën çfarë të dojë”, tha Makuljeviç për BIRN. “Qeveria serbe nuk dëshiron të përfshihet në këtë sepse është e gatshme të shkaktojë një konflikt etnik dhe fetar. Ata madje nuk duan të flasin për situatën”, tha ai. “Situata aktuale në lidhje me mbrojtjen e monumenteve islamike është një katastrofë në Serbi.”

Rëndësia e edukimit

Komuniteti Islamik i Bosnjës dhe Hercegovinës. Foto: BIRN

Haris Derviseviç, kreu i historisë së artit në Universitetin e Sarajevës dhe një ekspert mbi artin islamik të epokës osmane, tha se ishte jetike që boshnjakët si popull të përcaktojnë atë që përbën një xhami boshnjake dhe trashëgiminë boshnjake. “Atëherë ne mund të vendosim se çfarë të bëjmë me xhamitë tona”, tha ai për BIRN.

Në Sanxhak, ai tha, rinovimet e xhamive demonstrojnë një dëshirë për të “pastruar gjithçka nga trashëgimia osmane dhe gjithçka nga trashëgimia boshnjake në të njëjtën kohë”.

“Nuk e kuptoj vërtet se si liderët fetarë dhe politikanët mund t’i shpjegojnë këtë stil të ri të xhamive banorëve të Sanxhakut.”

Si Derviseviç ashtu edhe Kalajdziç theksuan rëndësinë e edukimit në lidhje me artin dhe trashëgiminë islamike.

“Banorët dhe hoxhallarët lokalë janë të etur të rinovojnë dhe të rindërtojnë xhamitë nga dëshira e mirë, por pa njohurinë dhe arsimimin e nevojshëm, këto projekte mund të jenë katastrofa, siç ka ndodhur”, tha Kalajdziç.

“Prioriteti ynë numër një duhet të jetë arsimi, sepse njerëzit tanë nuk dinë për kulturën, trashëgiminë dhe artin tonë.”

Demiroviç, zv/myftiu i Sanxhakut në Komunitetin Islamik të Serbisë, mbështeti krijimin e një “drejtorie” të vetme në të cilën do të përfaqësoheshin të dy Komunitetet Islamike rivale në Sanxhak, së bashku me, “të paktën për një kohë”, një ekspert nga Turqia.

“Ne besojmë se është e një rëndësie të jashtëzakonshme të rivitalizohen të gjitha objektet historike të mbijetuara, veçanërisht ato të një lloji fetar”, tha ai, “por në përputhje me stilin dhe arkitekturën në të cilën ato u ndërtuan, duke marrë parasysh të gjitha specifikat dhe veçoritë e tyre”.